Nga thellësitë dhe midis shteteve kërcënuese të Shqipërisë

Historia

Nga thellësitë dhe midis shteteve kërcënuese të Shqipërisë

Nga: Kolonel Hajro Limaj Më: 30 tetor 2021 Në ora: 18:30
Hajro Limaj

Politika e sigurisë kombëtare ka për objekt të identifikojë tërësinë e kërcënimeve dhe të rreziqeve që mund t’i vijnë një vendi, sidomos ato që kanë lidhje me mbrojtjen e popullsisë, integritetin e territorit dhe qëndrueshmërinë e institucioneve të Shtetit. Ndërsa politika e mbrojtjes ka për objekt të sigurojë integritetin e territorit dhe mbrojtjen e popullsisë kundër agresioneve të armatosura. Ajo kontribuon në luftën kundër kërcënimeve të tjera, që vënë në rrezik sigurinë kombëtare. Pra, mbrojtja nuk është më kuadri i përgjithshëm i veprimit të shtetit në fushën e mbrojtjes së interesave kombëtare, por vetëm një prej funksioneve të shtetit, që merr pjesë, bashkë me politikat e tjera publike, në sigurinë kombëtare.

Shërbimi informativ ushtarak siguronte të dhënat e domosdoshme për planifikimin e mbrojtjes së vendit dhe të operacioneve ushtarake. Raportet informative të zbulimit mundësonin vlerësimin e anëve të forta, dobësitë dhe vend ndodhjen e kundërshtarit ushtarak, përpara një konflikti të armatosur. Prandaj shërbimi informativ ushtarak luante një rol shumë të rëndësishëm në analizimin e kërcënimeve të mundshme ndaj sigurisë kombëtare. 32 vjet punë shtetërore të pandërprerë, gjysmën, 16 vjet e kam kaluar jashtë shtetit: në zbulimin strategjik, nën petkun e funksioneve dhe veshjes civile, dhe pastaj të përfaqësuesit ushtarak të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Turqisë. Me urdhër të ministrit të Mbrojtjes Mehmet Shehu, i cili ishte edhe kryeministër i vendit, në prill të vitit 1979, u emërova në degën e Zbulimit Strategjik në vartësi të Ministrit të Mbrojtjes. Detyrë kryesore kishim zbulimin e përbërjes, organizimit, dislokimit dhe kërcënimeve që mund t'i vinin Shqipërisë nga Flota e 6-të Amerikane dhe Flota Ruse në Mesdhe, si dhe nga shtetet objekt zbulimi të asaj kohe: Greqia, Italia dhe Jugosllavia , veçanërisht nga deti dhe ajri. Këto organizime të reja në shërbimin e zbulimit informative ushtarak fillin e kishin nga mbledhja e Këshillit të Mbrojtjes të datës 25 Maj 1975, e drejtuar nga komandanti i përgjithshëm Enver Hoxha, ndërsa realizimi i tyre u bë me propozimet argumentuese të drejtorit të Zbulimit Eqrem Osmani, drejtuar ministrit të Mbrojtjes dhe kryeministrit të vendit Mehmet Shehu. Ishin shërbime shumë delikate, nga të cilat kërkohej një organizim shumë sekret dhe me personel shembullor. Një pakujdesi gjatë veprimtarisë jashtë atdheut do të sillte pasoja të rënda konfliktuale me shtetin ku mund të arrestoheshim. Prandaj kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Mehmet Shehu, fillimisht e kundërshtoi këtë organizim, por mbasi e bisedoi me komandantin e Përgjithshëm, Enver Hoxha, u tërhoq dhe urdhëroi fillimin e veprimtarive zbuluese në thellësi dhe në prapavijën e shteteve objekt zbulimi. Zbulimi informativ rezidencial i vendosur ne thellësi të shteteve lindore ku mbështetej Bashkimi Sovjetik dhe shtetet perëndimore që mbështetej NATO-ja së bashku me korridoret ajrore dhe detare në këto hapësira formuan një garanci shumë të lartë mbrojtjeje nga zbulimi në kohë i planeve dhe sulmeve pushtuese që mund të ndërmerreshin ndaj Shqipërisë.

Ishim midis dy zjarreve: shqiptarët që udhëtonin me ne nuk duhej të kuptonin apo mësonin në asnjë mënyrë misionin, detyrat dhe mënyrat e realizimit të saj, ndërsa nga ana tjetër kërkohej një përkujdesje e gjithanshme, kur zbrisnim në hapësirat tokësore të shteteve objekt zbulimi apo kur transmetonim të dhënat informative me valë të shkurtra.

Hapësirat kryesore detare, ajrore dhe tokësore që mbulonte zbulimi ushtarak

Ishim në periudhën e Luftës së ftohtë, e cila kishte krijuar një gjendje tensionesh politike dhe ushtarake ndërmjet fuqive të Bllokut Perëndimor; NATO-s me në krye SHBA-në dhe Traktatit të Varshavës me në krye Bashkimin Sovjetik. Termi "e ftohtë" përdorej për shkak se nuk kishte luftime në shkallë të gjerë të drejtpërdrejtë mes dy palëve, edhe pse ka pasur luftëra të mëdha rajonale, të njohura si luftëra vetëm nga njëra palë, siç janë në Kore, Vietnam, ndërsa në Afganistan u mbështet nga të dy palët. Shkaku kryesor i fillimit të luftës së ftohtë ishte gara e armatimit të filluar mes SHBA-së së bashku me Aleatët Perëndimorë dhe Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike dhe shteteve komuniste, të cilat dolën pas Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria deri në vitet 1968 ishte anëtare e Traktatit te Varshavës, e cila ishte një lidhje e shteteve komuniste apo socialiste të Evropës, e udhëhequr nga Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike, nënshkruar më 14 maj 1955 në Varshavë. Qëllimi ishte forcimi i miqësisë, bashkëpunimit dhe ndihmës reciproke në mes Shqipërisë, Bullgarisë, Republikës Demokratike të Gjermanisë, Polonisë, Rumanisë, Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, Republikës Socialiste të Çekosllovakisë dhe Hungarisë. Pakti i obligonte anëtarët e saj për konsultime mbi çështjet e interesit të përbashkët dhe për ndihmë të menjëhershme ushtarake në rast të ndonjë sulmi në Evropë mbi njërin, apo më shumë anëtarëve të paktit . Ndërsa kohë më parë, në vitin 1949, 12 vende nga të dyja anët e Atlantikut, krijuan Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) për t’i bërë ballë rrezikut që Bashkimi Sovjetik mund të shtrinte kontrollin, që kishte në Evropën Lindore, edhe në pjesët e tjera të kontinentit. Anëtarët themelues të NATO-s : Belgjika, Danimarka, Franca, Holanda, Islanda, Italia, Kanadaja, Luksemburgu, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Portugalia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës u përkushtuan për t’i ardhur në mbrojtje njëri-tjetrit në rast agresioni ushtarak kundër ndonjërit prej tyre. Më vonë kësaj aleance ju bashkuan edhe Greqia me Turqinë në vitin 1952.

Në Gusht të vitit 1968 Traktati i Varshavës (përveç Rumanisë) pushtoi me trupa Çekosllovakinë.

Shqipëria ishte në mesin e vendeve që dënuan ndërhyrjen ushtarake, dhe në shtator 1968, ajo doli zyrtarisht nga Traktati i Varshavës. Në të vërtet, de fakto, Tirana zyrtare e kishte ndërprerë pjesëmarrjen në Traktatin e Varshavës qysh në vitin 1961. Të dhënat e para informative për këtë agresion ushtarak iu transmetuan udhëheqjes së vendit tonë vetëm nga Drejtoria e Zbulimit Ushtarak nëpërmjet njërit prej burimeve të zbulimit shqiptar, ashtu si për grushtin e shtetit nga kolonelët në Greqi, më 21 Prill 1967 dhe për ndarjen nga jeta të udhëheqësit të Kinës, Mao Ce Dunit.

Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, në vitet 70 dhe 80, Forcat e Armatosura Shqiptare patën një rritje të madhe numerike, duke arritur shifrën 61 000 forca aktive, dhe 260,000 rezerviste dhe një numër i madh i Forcave Vullnetare. Ato u riorganizuan disa herë në njësi të përmasave dhe formave eficente. Në fund të viteve 80 kishte 22 divizione, që përbënin 3 fronte. Bazuar në konceptin e mbrojtjes pëllëmbë për pëllëmbë Ushtria u shpërnda në 2 200 pika në të gjithë vendin dhe fortifikimi u kthye në qëllim më vete. Për herë të parë në historinë ushtarake botërore Shkollat e Lira ushtarake filluan në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat