Kuvendi i Lezhës

Historia

Kuvendi i Lezhës

Nga: Sylejman Salihu Më: 2 mars 2022 Në ora: 07:23
Kuvendi i Lezhës, ilustrim

Ç' janë këta numra të këtij fillimmarsi? Nuk janë ca shifra vetëm sa për t' u shkruar dhe për t'u parë. Janë edhe për t' u lexuar dhe për t' u rilexuar me syrin e mendjes, me syrin dhe mendjen e historisë. Të një historie që ka ndodhur dikur, dhe që do të duhej të rindodhte edhe sot në një kohë tjetër, shumë më të vonshme, por poaq të nevojshme, madje të domosdoshme. Është një datë që shënon një Kuvend burrash të kombit, këtu e pesëqind e shtatëdhjetë e tetë vite më parë, që u takuan për të lidhur një besë, për të dhënë një mesazh dhe për të bërë një projekt të madh ardhmërie ndër shqiptarë.

Është Kuvendi i  kërkuar dhe i drejtuar nga princi i Arbërisë, Gjergj Kastrioti, i cili me të ardhur në Arbëri, në nëntorin e vitit 1443, kërkoi bashkimin dhe unitetin e të gjitha njësive etnike dhe gjeografike të principatave shqiptare, në një të vetme dhe të tillë, për të përballuar sfidat e kohës që do t'u vinin dhe do t'u dilnin shqiptarëve në atë messhekulli të pesëmbëdhjetë. Është një Kuvend me mend, nga burra, që dikur ishin të ndarë e të përçarë, të inatosur e të vrerosur, por që po vinte një dorë dhe një mendje që jep mesazhe pajtimi dhe bashkimi, lirie dhe dashurie.

Është ky një Kuvend, që u bë për të shpëtuar Arbërinë nga Perandoria Osmane, e cila kishte kohë që kishte valëvitur flamurin e gjysmëhënës islame në një vend të krishterë, që kishte një gjuhë dhe një histori të lashtë pellazgo-iliro-arbërore. Ky kuvend i thirrur nga  kryeheroi Skënderbe në Kishën e Shënkollit të Lezhës, që u bë edhe varr i tij dhe vend pelegrinazhi për të gjithë ne pelegrinët e pastaj më, ishte një kuvend bashkimi, një kuvend bese, një kuvend reflektimi, një kuvend ndryshimi. Aty u takuan të gjithë princat e Arbërisë, që flisnin arbërisht për të marrë mbi shpatullat e tyre një detyrë sa të rëndë e titanike, aq edhe të denjë dhe historike. T' i bësh NJË të gjithë, ata që ishin sjellë pothuajse hasmërisht me njëri-tjetrin ishte më shumë se një guxim dhe një detyrë kombëtare.Aty erdhën me entuziazëm prej kalorësish mesjetarë të gjithë qeleshebardhët si një kumt bardhësie dhe lirie, duke shpresuar se kishte ardhur Mesia për t' ia hequr zinë Arbërisë atij Moti të Madh.

Me përfaqësuesit dhe zërin e tyre aty erdhën arianitët, muzakajt, topiajt, ballshajt, zahariajt,dukagjinët,spanët dhe i thanë prijësit të  derës së madhe të Kastriotëve, se ec përpara nesh se pas do të na kesh. Aty u bë ushtria e parë, aty u emërua komandanti i parë, aty  u dha besa e parë dhe aty u tha se kishte adhur Dita e Arbërit. Dhe kjo ditë nuk do të vinte vetëm me flamurin e Kastriotëve, por do të vinte edhe me sfidat që nuk do të ishin të lehta për t' u përballuar për një çerekshekulli kundrejt çallmave aziatike. Ky kuvend u bë një kuvend ndryshimi i mendësisë politike e ushtarake të shqiptarëve, të cilët filluan të mendojnë se atdheu i tyre nuk ishte provinca e tyre e ngushtë, që mund të shkelej me këmbë, por bashkimi i të gjithave në një, rreth një flamuri "të përbashkuar" dhe rreth një ideali të çlirimit që mund të thuhet se nuk ishte vetëm fetar, siç duan ta paraqesin disa, por ishte edhe kombëtar, dhe që ishte madje edhe frymëzim dhe ideal i parë.

Të gjithë i lanë zënkat dhe xanxat  e tyre menjanë dhe bashkuan shpatat për të çliruar veten dhe Arbërinë nga gjysmëhëna e cila ishte valëvitur mbi tokat e Arbërisë, për aq kohë sa ata kishin ndejtur të ndarë, të përçarë, të përunjur dhe të përgjumur. Ky kuvend tregoi se prijësi i madh di të bashkojë, di të unifikojë, di të pajtojë dhe se vetëm si i tillë gjithë kombi di edhe të fitojë përpara një perandorie të madhe trikontinentale. 

Kuvendi i Lezhës apo Kuvendi i Lissusit antiko-ilirik, dëshmoi se është frymë lirie që vjen nga vullnete të forta burrash arbërorë, që shikojnë drejt ardhmërisë dhe që duan të bëjnë histori, sepse këtë e kërkonte liria,historia dhe Arbëria. Një kuvend i tillë u bë pastaj referencë historike e kuvendeve të pastajme, të cilat erdhën nëpër kohë madje erdhën deri në kohët e sotme dhe u bënë rrëfim dhe rrugëndriçim për t' u mbijetuar furtunave dhe rrebesheve historike deri në ditët e sotme.  Prandaj ta kujtojmë dhe të marrim mësimin e duhur se si të veprojmë, se çdo projekt madhor kombëtar, kërkon edhe aleanca kombëtare ngase jemi edhe sot të ndarë sikur në kohën e principatave të Arbërisë, ndonëse në rrethana tjera gjeopolitike dhe gjeostrategjike kombëtare dhe ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat