Saladini, mbrojtësi i madh i Islamit

Historia

Saladini, mbrojtësi i madh i Islamit

Më: 31 tetor 2023 Në ora: 23:30

I lindur në Tikrit, Mesopotami, Saladini ishte me origjinë kurde. Ai u rrit pranë Damaskut gjatë kohës së Kryqëzatës së Dytë. Vitet e formimit të Saladinit ndodhën gjatë kaosit midis dy grupeve kryesore fetare, sunitëve dhe shiitëve, dhe ku udhëheqësit e krishterë bënin shpesh aleanca me grupet myslimane, për të luftuar muslimanët.

Të afërm me ndikim

Shirkuh, xhaxhai i Saladinit, ishte komandant ushtarak i kryekomandantit të fuqishëm turk Nur ad-Din, i cili luftoi frankët (fiset gjermanike) dhe kryqtarët e krishterë evropianë. Shirkuh u bë sundimtar i Egjiptit në vitin 1169 dhe gradualisht i hapi rrugën Saladinit si Sulltan i parë i Egjiptit.

Saladini bashkoi botën myslimane

Pasi u bë Sulltan i Egjiptit, pasi pushtoi Damaskun në 1174, Saladini synoi të mundte dinastinë myslimane me origjinë turke Oghuz, të njohur si Zengidët, të cilët sundonin Mesopotaminë e Epërme. Ushtria e tyre u shpartallua në Betejën e Hamësnga roja personale e Saladinit. Pas fitores, Saladini u shpall si mbrojtës i sunitëve dhe mori fuqi falë Kalifit të Bagdadit, i cili e njohu si guvernator të Jemenit, Egjiptit dhe Sirisë.

Udhëheqje unike në kohët mesjetare

Saladini fitoi reputacion për mënyrën civile dhe të drejtë të sjelljes. Ai u përqendrua në vënien e drejtësisë, duke shfaqur bujari në mendime dhe vepra. Reputacioni i Saladinit si mbrojtës i Islamit kundër pushtuesve të krishterë i atribuohet kryesisht mposhtjes së Kryqëzatës së 3-të, të udhëhequr nga Rikard Zemërluani i Anglisë dhe dy mbretër të tjerë evropianë. Saladini e ripushtoi Jeruzalemin pa sadizëm brutal apo akte hakmarrjeje.

Diplomaci dhe bujari

Një nga pikat e forta të Saladinit gjatë gjithë karrierës së tij, ishte se ai qe një administrator i mirë. U rrethua me një grup të fortë njerëzish, që ishin të aftë në propagandë dhe përcjelljen e mesazhit të tij. Saladini e mbajti familjen të bashkuar, ndryshe nga shumë që shpesh luftonin mes tyre për pushtet. Saladini ishte bujar dhe shpërblente të tjerët për besnikërinë, gjë që i bëri të mundur t’u besonte të afërmve që vendoste në pushtet.

Saladini dhe Rikard Zemërluani: Armiqtë që admiroheshin

Ishte Saladini ai që shkatërroi fuqinë e krishterë të Rikardit, përmes Betejës së Hattinit në vitin 1187. Mbreti anglez u detyrua të braktiste kryqëzatën e tij pa marrë Jeruzalemin. Edhe ndërsa po luftonte me mbretin Rikard, Saladini thuhet se i kishte dërguar dhe kapitenëve të tij verë të ftohtë, dardha dhe rrush nga Damasku, si dhe një mjek për të lehtësuar vështirësitë e tyre në kamp. Thuhet madje se Saladini i dërgoi mbretit Rikard një kalë, kur kali i Rikardit u vra në luftime.

Betejat e Jeruzalemit dhe Hattinit

Më 4 korrik 1187, Saladini solli rreth 20,000 trupa në Betejën e Hattinit (afër Tiberias në Izraelin e sotëm) dhe u përball me frankët që komandoheshin nga Guy of Lusignan, një nga Kalorësit Templarë dhe Mbreti i Jerusalemit. Templarët kishin 1300 kalorës dhe 1500 këmbësorë. Saladini pushtoi Jeruzalemin për Islamin në shtator 1187. Disa kalorës u shpërblyen, ndërsa të tjerët u ekzekutuan. Të krishterët në anën lindore të qytetit u lejuan të qëndronin edhe pse shumica e kishave u shndërruan në xhami.

Ditët e fundit: Trashëgimia dhe mitologjia

Në gjashtë vitet e fundit të jetës, Saladini vuajti nga sëmundje, si infeksione dhe çibane në trup. Ashtu si mbreti Rikard, një njeri po aq i sëmurë që u kthye në Angli pasi humbi Jeruzalemin, Saladini i rraskapitur hoqi dorë nga lufta kundër armikut të tij kryesor. Pas vdekjes, kohezioni që ekzistonte gjatë sundimit të tij u prish, duke nxitur një rifillim të luftimeve midis djemve të shumtë të Saladinit. Reputacioni i Saladinit mbijetoi ndër shekuj dhe në shekullin e 16-të, ai shihej si një udhëheqës i madh mysliman. / bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat