Vetëm koalicioni LDK-VV mund t`iu dalë ballë problemeve të mëdha që ka Kosova

Intervista

Vetëm koalicioni LDK-VV mund t`iu dalë ballë problemeve të mëdha që ka Kosova

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 29 dhjetor 2018 Në ora: 22:02
Driton Selmanaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka thënë se dyshja Shepend Ahmeti dhe Fatmir Limaj mund të jenë e përshtatshme për të shëtitur nëpër Kosovë, për të harxhuar mëditje si sekretariat i presidentit Thaçi, por assesi të zotë për të përfaqësuar Kosovën. Selmanaj ka folur edhe rreth ngjarjeve të tjera politike që kanë përcjellë vitin që po e lëmë pas. 

“Bota sot”: z. Selmanaj, Kuvendi i Kosovës së fundit ka miratuar një rezolutë për dialogun me Serbinë. Cili është komenti juaj për këtë dokument?

Driton Selmanaj: Kjo rezolutë ka qenë e sponsorizuar vetëm formalisht nga Partia Socialdemokrate, kurse kam përshtypjen se adresa se ku është artikuluar kjo rezolutë është diku tjetër, është te koalicioni PAN, sepse disa nga çështjet të cilat janë pjesë e kësaj rezolutë shumë më herët them, më muaj të tërë më herët ne kemi dëgjuar nga zyra e presidentit propozime të tilla, qoftë për themelimin e një grupi të unitetit të cilin e kanë quajtur ata ose themelimin e një Komisioni Parlamentar, për të cilin do të raportonte, ky grup i unitetit e më radhë. Ne në fakt e kemi vlerësuar një pazar politik i cili është realizuar mes PAN-it dhe PSD-së nga pamundësia që ta bindin LDK-në dhe Lëvizjen Vetëvendosje që të behën pjesë e këtij ekipi, dhe mendoj se ky pazar politik do të ngelet në nivelin e pazareve politike, sepse me deputetë të kontrabanduar, me dokumente të kontrabanduara përfundimi nuk mund të jetë i mirë për Kosovën dhe as vet iniciativën e cila është ndërmarrë.

Jam i sigurt se ky ekip nuk përfaqëson unitetin e popullit, nuk është ekip negociator, as për nga përmbajtja, as për nga pasha politike që e kanë. Të gjitha së bashku me u bërë, të cilat janë pjesë e këtij ekipi negociator nuk kalojnë 12-13 për qind të votave në Kosovë, ndërkohë 40 për qind, apo më tepër se 40 për qind e votës popullore në Kosovë është në opozitë, është te LDK-ja dhe VV-ja. Prandaj, këto qasje, këto tendenca janë vetëm për të thënë se kemi krijuar një ekip negociator i cili është i gatshëm që t’i del në ballë problemeve të cilat i kemi me Serbinë, mendoj se është një farsë. Këta persona, në një mënyrë do të jenë sekretariat, ose zyre e cila do t’i shërbejë Hashim Thaçit. Këta do të kujdesen që letrat e tij mos t’i harroj ai, por t’ia bartin ata. Do të shëtisin në korridoret e Brukselit dhe kurdo që vendose Hashim Thaçi, mund t’i fut në zyre ose t’i lë në korridore gjatë tërë ditës. Kështu e shohë, një aksesor ose një sekretariat të presidentit, por assesi një grup serioz i cili mund të përfaqësojë Kosovën në tematikat në të cilat pretendohet të realizohen.

Bota sot”: Kur jemi tek kjo rezolutë, Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj do të jenë bashkëkryesuesit e dialogut, si e shihni ketë dyshe?

Driton Selmanaj: Në kontekst me tematiken, këta nuk përfaqësojnë asgjë. Rezoluta e Kuvendit të Kosovës e vitit 2011-12 ka mandatuar Qeverinë e Kosovës që të jetë bartëse e procesit të dialogut, dhe nuk ka kuptim tjetër që të del dikush tjetër dhe të marrë ketë proces mbi vete. Këtu kryeministri duhet të jetë shef i negociatave, dhe më pas të vlerësojë se kush të jetë pjesë e negociatave. Fatmir Limaj dhe partia e tij politike është e pesta apo e gjashta e renditur si grup parlamentar në kuadër të Kuvendit të Kosovës. Negociatat më të rëndësishme për vendin, Qeveria e Kosovës ia beson një partneri i cili është i gjashti si Grup Parlamentar, dhe tash për të mos u mjaftuar me kaq, bashkëkryesues e kanë vendosur edhe një grup tjetër i cili me sondazhet të cilat po dalin, nuk e kalon as 2 për qind ose 1.5 për qind. Këta nuk kanë legjitimitet as para elektoratit të tyre e lërë më legjitimitet për të përfaqësuar Kosovën në kontekstin më të gjerë.

Kjo dyshe mund të jenë e përshtatshme për të shëtitur nëpër Kosovë, për të harxhuar mëditje, për të shkuar në Bruksel si sekretariat i presidentit Thaçi, por assesi nuk i shohë as të zot, por as përfaqësues për të qenë për këto tema, sepse nuk përfaqësojnë asgjë. Njëri përfaqëson një grup politik i cili është krejtësisht i vogël në Kosovë, pjesa tjetër është një grup që nuk ka legjitimitet fare, sepse nuk është matur se sa vlen në vota, ky grup ka qenë pjesë e një grupi tjetër politik, por që tash, në fakt është kontrabanduar kompletë te PAN-i. Prandaj, si të tillë unë e shohë në kontekstin e tematikës, pa asnjë vlerë politike.

Bota sot”: Partia juaj deri më tani është deklaruar se nuk do të përfshihet, por a mund të ndodhë që në të ardhmen të jetë pjesë e procesit?

Driton Selmanaj: Në shumicën e rasteve thuhet se LDK në momentet e fundit do të bëhet pjesë e këtyre proceseve. Por, unë po ju them me sigurinë më të madhe që ne si LDK duke e parë sepse kjo çështje ka histori, fillimisht e kemi parë se si Hashim Thaçi e ka privatizuar dhe e ka përvetësuar këtë proces, që ne mendojmë se është kundër kushtetutës. Nuk mund ta marrë ashtu, ta uzurpojë për vete dhe më pas e kemi parë një kohë të gjatë, në fillim Haradinajn i cili ka deklaruar se as që do merret me dialog sepse ka punë të tjera. Duke e parë këtë qasje, ne kemi thënë se nuk mund të bëhemi pjesë e këtyre matematikave, madje edhe fyese për popullin e Kosovës, dhe si rezultat i kësaj ne kemi kërkuar zgjedhje, jo për të ardhur LDK-ja në pushtet, por çfarëdo qeverie që do të del nesër jemi të sigurt se do të del më e fuqishme sikurse kjo që i ka 24 parti brenda vetes dhe të fragmentarizume në skajshmëri. Andaj, kërkesa e jonë ka qenë që të ketë zgjedhje, që në mënyrë që pastaj ne të hyjmë në këtë proces. Qëndrimi më i sakë i LDK-së është se ne nuk mund të bëhemi pjesë e këtyre e ekipeve, sepse këto janë pazare politike, nuk janë ekipe që përfaqësojnë interesin e shtetit të Kosovës, janë pazare kurse si nuk mund të bëjmë dhe LDK si partia më e madhe në vend të pranojë të bëhet zyre sekretarie e presidentit.

Ne do luajmë rolin tonë në kuadër të opozitës, jemi parti politike opozitare, edhe pse jemi partia më e madhe në vend edhe me zgjedhjet e fundit lokale, megjithatë ne do të kujdesemi maksimalisht që të mbrojmë interesat e shtetit të Kosovës nga pozicioni i partisë politike në opozitë. Do të jemi korrigjues, do ta shikojmë me llupë  ketë proces sepse është procesi më i rëndësishëm dhe çfarëdo rezultati që do kemi nesër do të kemi pasoja ose të mira afatgjate për popullin. Nuk është një çështje që mund të përfundohet më një nënshkrim. Të mirat dhe të këqijat e saj do t’i vuajnë gjeneratat. Prandaj, do të jemi shumë të kujdesshëm që kur të vijë në Kuvend çfarëdo çështje ne ta vulosim ose ta refuzojmë gjithmonë duke e pasur një qëllim themelor, interesin e shtetit. Ky është roli jonë, nuk kemi interes tjetër që ne të bëhemi pjesë e çfarëdo lloj pazari politik të kontrabanduar ose të improvizuar që dikush po provon ta shesë si ekip të unitetit.

Bota sot”: Kosova në vitin 2018 shënoi ndoshta ngjarjen më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë, çfarë vjen pas krijimit të ushtrisë?

Driton Selmanaj: Ne kaluam një stad tjetër të zhvillimit të Forcës të Mbrojtjes së Kosovës, ku akoma nuk e ka marrë vulën finale ta quajmë vërtetë në kapacitetin e plotë si Ushtri, megjithatë kemi bërë një veprim shumë të nevojshëm dhe të domosdoshëm që kjo Forcë të konsolidohet dhe progresivisht të avancojë. E mira është që ne tash do ta kemi një Forcë e cila mund të konsiderohet partnere serioze edhe për Ushtritë në rajon, por gradualisht pastaj të shohim edhe proceset që mund të qojnë drejt integrimit në NATO. Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet që të ketë ushtrinë e saj, të ketë Forcën e saj mbrojtëse dhe si Forcë Mbrojtëse të mos trajtohemi vetëm si një mekanizëm i cili mund të ofrojë asistencë për çështjet e sigurisë civile, por edhe në kontekstin ushtarakë. Tash e tutje Kosova lirisht mund të renditet edhe në rrjetin e sigurisë jo vetëm rajonale, por mendoj edhe përtej rajonit, dhe kjo është e mira për Kosovën që vendi gradualisht po avancon, besoj që kemi mjaftë shtete mike të cilat do të na ndihmojnë që ta konsolidojmë edhe më tutje, sepse nuk është e lehtë të mbahet një ushtri, nuk është e lehtë edhe në kontekstin financiar, por edhe në kontekstin e resurseve teknike e teknologjike të cilat na duhet që t’i kemi. E mira për Kosovën është që ne tash kemi hyrë në një fazë të re, them të përmbylljes së projektit të shtetit të Kosovës, i cili për fatin e mirë kemi edhe mjaftë aleatë të cilët na rijnë në krahë dhe tash vetëm shohë rrugë të mira dhe të mbara se si do të duket nesër FSK-ja si një ushtri për të cilën vërtetë edhe shtetet e tjera do ta kenë lakmi.

Bota sot”: Edhe pse mori kundërshtime të mëdha, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi edhe me tej nuk ka hequr dorë nga teza e korrigjimit të kufijve? Si e keni parë ju ketë ide?

Driton Selmanaj: Një fakt është tashmë i qartë; kjo ide nuk ka qenë kurrë e tij, kjo ide është e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është e Serbisë. Këtë e tha vet Vuçiq në një konferencë për media se kjo ide ka qenë e imja. Na i heq dilemat, jo sepse ne kemi pasur dilema, pasi që një gjë të tillë e kam ditur nga fillimi se ky është një projekt i Serbisë dhe jo projekt i Kosovës, mirëpo, që presidenti i Kosovës duke e njoftuar në aspektin deklarativë që ka qenë pjesë e rëndësishme e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë e pabesueshme që ai mund të eskalojë deri në ketë fazë, por ka eskaluar dhe ai është futur në projektin e Serbisë, ka qenë një prej aktereve kryesorë të implementimit të Serbisë në Kosovë, mirëpo kjo për LDK-në kjo çështje është e papranueshme dhe për mua personalisht si deputet mendoj se jo Kosova, por asnjë shtet nuk e ka luksin që ka qasje armiqësorë të bisedojë për kufijtë. Nuk mund të korrigjojmë asnjë kufi, përderisa nuk e kemi njohur kufijtë  njeri-tjetrit, nuk mund të korrigjohen derisa nuk njeh kufi.

Korrigjimi si nocion në ketë kontekst që po diskutohet nuk ka asnjë kuptim, sepse ne nuk po themi që kemi gabime, përkundrazi po themi që vija është e qartë kufitare me Serbinë, mund t’i hyjmë procesit të demarkimit të kufirit, por hyrja në pazare të tilla me të cilët ka avancuar shumë Thaçi dhe Vuçiq mendoj se janë jashtëzakonisht të rrezikshme për Kosovën. Ajo çka ka qenë një shqetësim tjetër, ka qenë afria e madhe e dy presidenteve dhe e kam thanë edhe në një rast tjetër e them edhe sot, se sa herë dikush nga lidershipi i Kosovës është afruar me lidershipin e Serbisë pasojat për Kosovën për Kosovën kanë qenë tragjike. Një tendencë të afrimit e shoh vetëm një mundësi me pasoja tragjike për Kosovën, por jam i sigurt se populli i Kosovës është vetëdijesuar, së paku disa subjekte politike që unë kam besim të plotë dhe nuk do të lejohet kjo. Mund të diskutojmë, kemi shumë çështje të hapura, por çështje e kufirit as që guxon të jetë në tavolinën sepse po hapim vet ekzistencën e Kosovës, po hapim dokumentin e Pakos së Ahtisaarit, Kushtetutën e Kosovës, vendimin e Kosovës për Pavarësi dhe vendimin e GJND-së që na ka dhenë të drejtën që ne kemi shpallur pavarësinë. Janë tema të cilat për ne janë të mbyllura dhe kushdo që tenton t’i hap edhe një herë, hap rivizatimin jo vetëm të kufijve por edhe rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës.

Bota sot”: Ka përafrime në qëndrime me subjektin tjetër opozitar, Lëvizjen Vetëvendosje. A mund të ketë një koalicion me këtë parti?

Driton Selmanaj: Është krejtësisht e natyrshme që subjektet opozitare të kenë përafrime njëra e tjetrën edhe nëse dallojnë konceptualisht edhe nëse dallojnë idelogjikisht, megjithatë pozicionimi në kuadër të spektrit opozitar e bën të natyrshëm edhe një bashkëpunim. Përtej, një bashkëpunimi të natyrshëm opozitar unë e shohë që koalicioni PAN, logjika e tyre qeverisëse dhe mënyra se si po sillën në politikë nuk dallon shumë nga njëra-tjetra. Logjika e funksionimit se si ata e konceptojnë shtetin dhe mosgatishmërinë e tyre në luftën ndaj krimit e korrupsionit nuk i bënë të dallueshëm, përkundrazi shumë i afron. Ky është tregu politik dhe LDK-së nuk është se i kanë mbetur shumë partner serioz për të ndërtuar koalicione, se me dëshirën më të madhe nuk do të zgjidhja, po të pyesja unë me dëshirën më të madhe nuk do ta zgjidhja asnjë nga partnerët aktual që kemi, mirëpo ky është tregu politik dhe me dikën ne duhet të bëhemi sepse kështu e thotë kushtetuta, sistemi jonë zgjedhor, sistemi jonë proporcional nuk e lejon që i vetëm të fitosh aq vota të mjaftueshme sa që i vetëm të bësh qeverinë.

Duke i parë të gjitha këto situata, zgjidhja për Kosovën është një koalicion pas-zgjedhor mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, dhe normalisht kur LDK-ja të udhëhiqte me Qeverinë e dalë pas atyre zgjedhjeve, jam i sigurt se Kosovës do mund të ecte drejt rrugës së mbarë të saj për të konsoliduar shtetin e së drejtës. Ky koalicion jam i sigurt, do t’i shpallte luftë frontale dukurive negative në Kosovë, sepse Kosova nuk ka nevojë të vijë një qeveri sa për të ndryshuar emër, por ideja është që ky koalicion të bëjë ndryshime radikale në kontekstin pozitivë. Kosova ka aq probleme të mëdha sa që një përkushtim i dy forcave siç është LDK dhe VV mund t’i dilet në ballë. A mund t’i kryej për një mandat? Nuk e di, kam përshtypjen se aq shumë dëme i kanë shkaktuar Kosovës qeveritë e pasluftës në Kosovë, me theks të veçantë PDK-ja sa që mendoj se duhet një punë e madhe, madje një dekadë që Kosovën vërtetë ta konsiderojmë si një projekt them të suksesshëm dhe si një shtet modern. Kosova ka nevojë për punë në çdo sferë të jetës. Prandaj, koalicioni LDK – VV pas-zgjedhor unë e shohë si domosdoshmëri për Kosovën, e cila do të vendoste diskurs tjetër edhe qasje krejtësisht tjetër për Kosovën.

Bota sot”: Si po qeveriset me vendin dhe sa do jetë jetëgjatësia e saj?

Driton Selmanaj: Është një thënie e vjetër; Diçka që lind e shtrembër nuk e drejton koha. Ajo po vazhdon të rritet si e shtrembër, nuk mund ta drejtojë në ketë kohë. Kjo qeveri është ndërtuar mbrapsht,  ka lindur mbrapsht, është ndërtuar mbi bazën e pazareve politike nëpër kafe të Kosovës me sekserë të ndryshëm, madje edhe me akterë të cilët nuk kanë pasur lidhje me zgjedhje, çifti i zëvendësministrit Dardan Gashi merr post, ndërkohë as që është matur në popull, madje as që ka parti politike. Nga ana tjetër kemi një parti politike si AKR-ja që ka vetëm dy deputetë e ndërkohë i ka katër dikastere të rëndësishme të Kosovës. Kjo qeveri është e dëmshme për Kosovën, kjo qeveri është krijuar për t’i krijuar dëme Kosovës, ne kontekstin politik edhe ekonomike. Në kontekstin ekonomikë e them sepse Kosova nuk e ka një kryeministër, por pesë kryeministra. Secila parti politike i përgjigjet shefit të partisë dhe jo shefit të qeverisë. Kjo të qetë në një situatë se Kosova nuk ka qeveri. Një qeveri e polarizume, e ndarë mbi bazën e interesave. Kjo qeveri është shquar për skandale, korrupsion, me pesë-gjashtë anëtarë të kabinetit me aktakuza dhe me vendime më të paskrupulltave, prej rritjes së pagave 100 për qind, deri të vendimet absurde duke falur para në mënyra abuzive të cilat ata i ndërmarrin çdo ditë. Prandaj, kjo qeveri, sa më parë të shkojë aq më mirë për vendin. Për mendimin tim kur ishte dashur të shkojë kjo qeveri unë them se ka qenë dje dhe jo nesër. Megjithatë, kjo qeveri do të zgjas aq sa do të zgjasin interesat e pronarëve të feudeve të tyre.

Ne si opozitë, si LDK kemi provuar ta rrëzojmë ketë qeveri, por nuk kemi mundur, sepse nuk i kemi pasur numrat, sepse për LDK-në vetëm një deputet me siguru për të ardhur nga ana tjetër është shumë e vështirë, pasi që ne nuk kemi asnjë mjet të cilin ata e kanë. As shantazhin, as kërcënimin, as blerjen, nuk janë këto metodat që partia jonë funksionon, por ata i kanë dhe i gjënë shumë lehtë, sepse blenë deputetë madje brenda oborrit tonë dhe ketë nuk e kanë problem është mjet i tyre. Sipas vlerësimit tim, kjo qeveri nuk është dashur të krijohet fare, si e tillë është jofunksionale, por edhe një element tjetër mendoj se viti 2019 është fundi i kësaj qeverie.

Bota sot”: A do të ketë zgjedhje në vitin 2019, dhe cilat janë gjasat që partia juaj të ketë rezultat të mirë?

Driton Selmanaj: Jam i sigurt se vitin e ardhshëm është vit zgjedhor, por edhe mënyra se si është ndarë buxheti i shtetit e kam parë se është buxhet elektoral. Haradinaj shumicën e projekteve i ka dërguar në komunat ku udhëheqë AAK-ja, që në fakt provon që ato t’i katalizojë pastaj në votë. Ketë degradim që e ka bërë në kontekstin e pozitës, të mund ta rikuperojë, edhe vendimet e fundit, qoftë për taksen, qoftë për sjelljet që po i bënë në Bashkimin Evropian janë më tepër qasje popullsitë, për t’i përkthyer në kontekstin e brendshëm të Kosovës, por në fakt unë mendoj se interesat nga sjelljet e tilla, janë minimale për Kosovën. Kemi një kryeministër të papërgjegjshëm, për t’i dalë proceseve të rëndësishme politike dhe i gatshëm që të abuzojë me paranë publike në Kosovë. 

Jam i sigurt se LDK-ja do të del e para. Ne duhet jo vetëm të punojmë që LDK të del e para, por që diferenca që të jetë e madhe mes partisë së parë dhe të dytë, në mënyrë që ne mos të kemi vështirësi në krijimin e qeverisë. Prandaj, një votë më e madhe për ne do ishte më e mirë, dhe jam i sigurt se qytetarët e Kosovës po binden se e vetmja parti politike normale në Kosovë, sepse është bërë standard i lartë edhe me qenë normal është bërë vlerë e madhe, mendoj se e vetmja parti normale në vend dhe që garanton prosperitet është Lidhja Demokratike e Kosovës.

Bota sot”: A do të kandidoni përsëri për pozitën e deputetit?

Driton Selmanaj: Kur jam angazhuar në politikë, nuk është se me ka pëlqyer pozita e deputetit ose për t’u bërë politikan, por më tepër e kam parë si domosdoshmëri për të provuar për të ndryshuar gjerat. Jo domosdoshmërisht del ashtu si ke menduar gjërat, por politikën nuk e shohë si profesion timin, mirëpo si një mundësi për të ofruar partisë, në ketë rast LDK-së, që përmes saj politikes me ndryshuar jetën e qytetarëve. Edhe unë jam në ketë proces, nuk e shohë që duke qenë dy vite mandat në pozitën e deputetit kam arritur me materializuar atë se çka unë synojë, normalisht do të provojë edhe më tutje t’i realizojë qëllimet e mija. Në radhë të parë që Kosovës t’i ofrohet një kulturë tjetër  edhe i politikëbërjes edhe i qeverisjes, dhe unë jam krejt në fillim të misionit tim.

Bota sot”: Si është jeta e një deputeti jashtë Kuvendit?

Driton Selmanaj: Dikush e sheh si një angazhim terciar, sekondar, si një mundësi për të gëzuar poste, paga e mirë, shëtitje eventuale jashtë Kosovës dhe aq. Mirëpo, mendojë se është edhe një kategori tjetër e deputetëve që e shohin si një mundësi e jashtëzakonshme për t’i kontribuar vendit. Si jam sjell deri më sot, besoj se kam dëshmuar se bëjë pjesë në grupin e dytë. Puna ime kryesore gjatë kohës sa jam deputet është të qenurit deputet dhe nuk ka tjetër, jam qind për qind i angazhuar si deputet. Nga ora  9:00 deri në ora 17:00 jam në punë, jam kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kam qenë zëvendëskryetar dhe vazhdojë të jem i Komisionit për rastin e depërtimit të shtetasve turq, ndërsa jam i angazhuar në disa Komisione ad-hoke të cilat krijohen  dhe po të duash të kesh jetë përtej Kuvendit është e vështirë dhe normalisht pjesën më të madhe e kalojë këtu. Në mbrëmje provojë që të mos ju prishë dëshirat që kanë dy djemtë  mi dhe tërë koha ime jashtë Kuvendit është për ta, sepse ashtu kështu ju mungojë shumë dhe shpeshherë pyesë vetën se a do të ma falin dikur? Por jam duke provuar që ta rikuperojë dhe ta plotësojë atë kohën që nuk po mundem ta kalojë ta realizojë në mbrëmje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat