As presidenti e asnjë njeri i gjallë nuk ka të drejtë të negociojë tokën e Kosovës - Bota Sot
As presidenti e asnjë njeri i gjallë nuk ka të drejtë të negociojë tokën e Kosovës

Intervista

As presidenti e asnjë njeri i gjallë nuk ka të drejtë të negociojë tokën e Kosovës

Nga: Kushtrim Maliqi Më: 6 prill 2019 Në ora: 17:42
Kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri dhe gazetari i "Bota sot", Kushtrim Maliqi

Në pjesën e dytë të intervistës për gazetën “Bota sot”, kryetari i Komunës së Mitrovicës dhe nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtiri, ka thënë se, ajo që po ndodhë në lagjen “Kodra e Diellit” është një kolonizim, i cili po zbatohet para syve të qeverisë së Republikës së Kosovës. Bahtiri ka folur edhe rreth idesë për “korrigjimin e kufirit”, ku ka thënë se Kosova ka të drejtë të kërkoj pjesën e saj në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, por se ajo pjesë kurrë asnjëherë nuk guxon të këmbehet me një tokë tjetër. Për Agim Bahtirin, menaxheri i postës do të duhej të shkonte në burg qysh moti, për shkak të keq menaxhimit të këtij institucioni.

“Bota sot”: Çka po ndodhë në veri të qytetit me ato shtëpitë që po ndërtohen në të ashtuquajturin vendin Kodra e Diellit, shpesh po quhet si plan aksional për kolonizim. Çka realisht po ndodhë?

Bahtiri: Unë e thash më lartë, pikërisht kjo është njëra prej mundësive ku mundet me reaguar qeveria e Republikës së Kosovës. Si mundet që 15 mijë j banorëve të mos u lejohet që të kthehen në tokat e tyre, në shtëpitë e tyre as për t`i vizituar, ndërsa këta që po vijnë e po instalohen në veriun e Mitrovicës, këta nuk janë të Kosovës. Cili qytetarë i Mitrovicës është ai i cili nuk mund të jetojë në jug të qytetit, i kemi pasur ngjarjet e 2004-tës, ku ne i kemi rinovuar ato shtëpitë e djegura dhe i kemi kthyer në duart e pronarëve. Të gjithë atyre që kanë jetuar në jugun e Mitrovicës unë iu kam garantuar siguri 24 orë, ata nuk e kanë asnjë problem të jetojnë në shtëpitë e tyre, ata që janë të vërtetë, e pse shqiptarët të mos e kenë këtë të drejtë në veriu. Kjo që po ndodhë në Kodrën e Diellit është një kolonizim i cili po zbatohet para syve të qeverisë së Republikës së Kosovës, ajo po heshtë. Duhet t`i hap sytë qeveria dhe të shohë se çka po ndodhë, të tregojë se është shtet sovran, të jetë i ligjit dhe rendit e të mos tentojë dikush dikujt t’ia cenoj të drejtën për të jetuar i lirë.

“Bota sot”: A shkoni ju personalisht i lirë në veri të Mitrovicës?

Bahtiri: Unë shkoj kur të dua, ama bash kur të dua sepse është tokë e imja. Unë nga këtu po i ftoj të gjithë krerët e shtetit Republikës së Kosovës, në këmbë që të shkojmë në pjesën e veriut të Mitrovicës sepse është tokë e jona. Nëse ata thonë se ajo është tokë e Kosovës dhe ne jemi sovrani, atëherë le ta dëshmojnë. Le t’më shoqërojnë e të shkojmë bashkë ku të dëshirojmë, jo ku t’na rekomandon dikush, por të shkojmë të lirë burrërisht. E thash edhe më herët se ky popull nuk ka vdekur as për Agim Bahtririn e as për Hashim Thaçin as për Kadri Veselin e as Ramush Haradinajn, kanë vdekur për sovranitet, për atë sovranitet të cilët sot në dorë e kanë ata që e udhëheqin shtetin.

“Bota sot”: Derisa po i dëgjoj përgjigjet tuaja interesante, veçanërisht ato të politikave shtetërore, diçka që po më intereson është ajo nëse keni ambicie politike në nivele më të larta shtetërore?

Bahtiri: Unë do të jem aty ku e kërkon vendi dhe puna, kam ardhur me qëllim të mirë, sinqeritet dhe punë të palodhshme. Nuk ka qenë e lehtë me ardhë, mu rikthy në Mitrovicë, nuk ka qenë aspak e lehtë ta menaxhosh Mitrovicën sepse e kam gjetur një Mitrovicë të tmerrshme. Sot qyteti jonë e zë vendin e parë, nuk kemi pasur vitin e kaluar asnjë vrasje, i kemi 55,3 % rënien e krimit, mbi 70% zbulimin e krimit, është vu në rend dhe në ligj, është një sistem evropian të cilin dua ta ndërtoj. Pritni e shihni se në këtë mandat do të jetë një qytet krejt tjetër, të cilin në të vërtet të gjithë ambasadorët që vijnë më japin kurajë që të vazhdoj të punoj.

Se a kam pretendime për më lart, nëse ky shtet kthehet njëherë mbarë, zgjidhen njerëzit të cilët e duan jo vetëm veten por vendin, unë do të isha ai i cili do të mendoja fort në të mirë të qytetarëve të marrë timonin e qeverisë së vendit.

“Bota sot”: Cili është opinioni juaj për korrigjimin e kufijve me Serbinë, temë kjo e avancuar nga Presidenti Thaçi, por si duket ka ngecur në “gozhdë” pasi që kryeministri Haradinaj është kategorik kundër që të preken kufijtë. A do t’ia vlente metër për metër të shkëmbehet Presheva, Medvegja e Bujanoci me Leposaviçin e Zubin Potokun, pa e prekur Ujmanin dhe Veriun e Mitrovicës?

Bahtiri: Sovraniteti i shtetit të Republikës së Kosovës është i garantuar edhe me kushtetutën e vendit, por edhe ndërkombtarish, këtë sovranitet, këtë shtet e kanë pranuar 113 shtete të botës. Kurrë, nuk guxon, asnjëherë, asnjë minutë, asnjë sekondë të diskutohet për sovranitetin e Republikës së Kosovës. Sa do të jetë zëri jonë, jo vetëm i shqiptarëve të Kosovës, por i gjithë kombeve për të kërkuar Preshevë, Medvegjë e Bujanoc është shumë e drejtë, pasi që trojet shqiptare dhe copëtimi i tyre ka ndodhur në të kaluarën dhe ne jemi trungu kryesorë që kërkojmë viset që i kemi humbur me pa mundësi që të reflektojmë, e ku janë ndarë nga fuqitë botërore.

Ne kemi të drejtë të kërkojmë pjesën tonë më Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, por kurrë asnjëherë nuk guxon të këmbehet asgjë. Unë zyrtarisht kam qenë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, atje gazetarët serb më kanë pyetur për këtë çështje. Atyre iu jam përgjigjur shkurt e qartë. Unë nuk po mund të kuptoj se si ka mundësi që ne të këmbejmë me tokat tona, ajo është tokë e jonë, si të këmbej me tokën tonë. Nëse na e jepni andej Nishit, po s`ka problem bisedojmë, por nëse flitet për Kosovën sovrane dhe këtë pjesë që më parë ka qenë e saj, kjo është një çmenduri.

Po iu them edhe njëherë, toka e Kosovës është e garantuar, sovraniteti i Kosovës është garantuar, këtu nuk ka të drejtë as presidenti e asnjë njeri i gjallë për të negociuar për asnjë sekondë. Prekja e kufirit të Kosovës është hapja e kutisë së Pandorës, jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë Ballkanin.

“Bota sot”: Duke ditë se jeni njeri i biznesit, si i vlerësoni punësimet e fundit enorme në kompaninë Vala apo Postë?

Bahtiri: Ju vetëm do të duhej t’ia shikonit bilancin asaj kompanie dhe do të shihnit se ku janë me menaxhim ata persona. Menaxheri i kësaj kompanie do të duhej të shkonte në burg moti kohë. Nuk mundet një kompani të jetë funksionale nëse ka ngarkesë kaq të madhe të punëtorëve me një pagë jashtëzakonisht të lartë dhe t`i ketë 30 milion borxhe. Kjo është çmenduri, s`ka kurrfarë logjike. Njerëzit të cilët e menaxhojnë duhet të jenë të pavarur, shembull duhet të parë se çfarë duhet bërë për kompaninë e jo për partinë. Ti nuk mund t’i mbash 50 punëtorë, nëse atyre nuk mundesh me iu dhënë paga.

Pikërisht ata punëtorë të punësuar në ato kompani, në kohë zgjedhjesh janë militantët më të flaktë të subjekteve përkatëse, sepse thjeshtë, partia i ka rehatuar.

“Bota sot”: Kemi parë që keni hapur disa fabrika në komunën tuaj. A keni menduar që në Preshevë të hapni ndonjë të tillë?

Bahtiri: Është e vërtetë, unë kam qenë atje e kam vizituar një fabrikë, me siguri paskeni dëgjuar. Jemi duke punuar në atë drejtim bashkë me Pacollin për një fabrikë atje, mund t’ju them se gjërat janë afruar goxha. Nuk mund të ju them për detaje, por po punohet për të investuar së shpejti atje.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...