Rugova: LDK fituese e zgjedhjeve, Thaçi i vetëm dhe në panik

Intervista

Rugova: LDK fituese e zgjedhjeve, Thaçi i vetëm dhe në panik

Nga: Gresa Bajraktari Më: 7 gusht 2019 Në ora: 07:47
Deputeti Naser Rugova, gjatë intervistës me gazetaren e "Bota sot" Gresa Bajraktari

LDK do të shkojë e vetme në zgjedhje, më unike se kurrë dhe e bindur se do të fitojë e vetme, pa koalicion. Kështu është shprehur deputeti i kësaj partie, Naser Rugova, në një intervistë për gazetën “Bota sot”.

Sa i përket Kuvendit Zgjedhor, ai thotë se procesi është përmbyllur me sukses, derisa shton se kryetari i LDK-së do të duhej të zgjidhej me votë të fshehtë dhe të ketë më shumë se dy kandidatë.

Sa i përket mos shpalljes së zgjedhjeve nga ana e presidentit, deputeti Rugova thotë se nuk e kupton pse ai dëshiron një mandatar tjetër, duke shtuar se ai ka mbetur i vetëm dhe është në panik, sa që nuk po mbështet as nga ish partia e tij.

Ai po ashtu ka treguar dhe si do të veprojë LDK për çështjen e dialogut, taksës dhe liberalizimit të vizave.

“Bota sot”: Së fundmi keni pasur zgjedhjet brenda partisë. Sa jeni të kënaqur me procesin dhe kryetarin e zgjedhur?

Naser Rugova: Lidhja Demokratike e Kosovës si partia më e vjetër në Evropën Juglindore, më e madhja dhe me shtrirjen më të madhe në Republikën e Kosovës, ka përmbyllur me sukses një cikël zgjedhor, që ka përfshirë diku 936 nëndegë, 36 degë dhe një mori të madhe të njerëzve të përfshirë në këtë proces. Konsideroj se procesi është përmbyllur mirë dhe konform statutit të LDK-së, është organizuar Kuvendi i Nëntë Zgjedhor i LDK-së, në të cilin janë respektuar të gjitha normat statutare dhe është zgjedhur kryetari i LDK-së, me një shumicë absolute të mbështetjes së delegatëve të Kuvendit Qendror.

“Bota sot”: Po sa i përket pakënaqësive nga Fatmir Sejdiu dhe Melihate Tërkmolli?

Naser Rugova: Si delegat i atij Kuvendi dhe si deputet nuk do të doja të lëshohesha apo të interpretoj deklarata, por konsideroj që përkundër vërejtjeve sepse edhe unë personalisht mendoj që kryetari i LDK-së do të duhej të zgjidhej me votë të fshehtë dhe dy e më shumë kandidatë. Por, pika 25.2 e statutit të LDK-së e ka një normë që sipas meje duhet të ndryshohet dhe liderishipi i ardhshëm, këshilli i ri i përgjithshëm i LDK-së duhet ta ndryshojë, që kërkon 50 për qind+1 të delegatëve prezent për nominim të kandidaturës. Kjo normëështë respektuar dhe e kemi kryetarin dhe këshillin e ri të përgjithshëm të LDK-së.

“Bota sot”: U përfol për një koalicion LDK-VV, por vendosët të shkoni të vetme në zgjedhje. Pse ndodhi kështu?

Naser Rugova: Them të drejtën me VV-në kemi pasur një bashkëpunim si dy grupe të mëdha opozitare shumë përmbajtjesor dhe shumë korrekt. Kemi ndërmarrë iniciativa të caktuara në Kuvendin e Kosovës, debate parlamentar, seanca të jashtëzakonshme, kemi organizuar tryeza në fusha të caktuara dhe konferenca të përbashkëta për medie me deputetë të fushave të caktuara në Vetëvendosje dhe kemi një bashkëpunim shumë korrekt. Sa i përket koalicioneve parazgjedhore, mendoj se do të duhej ta instalojmë në demokracinë në Kosovë që partitë e mëdha, që pretendojmë të udhëheqin me qeverinë, do të ishte fer dhe korrekte që të dalin vet të maten në barometrin e popullit dhe ajo që fiton garën tëudhëheq me qeverinë dhe proceset dhe sfidat që i ka Kosova aktualisht para vetes. Prandaj, është duke u artikuluar gjithnjë e më shumë një mendim që LDK të shkojë e vetme në këto zgjedhje, i kemi mbaruar zgjedhjet tani së fundmi, së shpejti do ta kemi dhe kryesinë e LDK-së dhe konsideroj se jemi mjaft të përgatitur, por edhe matjet, mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë na nxjerrin si partinë me mbështetjen më të madhe qytetare. Por, për të gjitha këto, vendos në fund Këshilli i përgjithshëm i LDK-së.

“Bota sot”: Po pas zgjedhjeve, me kë do të bënit koalicion dhe a keni vija të kuqe për ndonjë parti?

Naser Rugova: Unë personalisht si deputet dhe si delegat i atij kuvendi, kam vijë të kuqe për Partinë Demokratike të Kosovës, e them një JO të madhe për PDK-në, duke e ditur logjikën e tyre, mentalitetin qeverisës dhe që i kanë bërë shumë dëm Kosovës. Prandaj, koalicionet e ardhshme i shoh opozita e tashme të qeverisë me vendin, ndërsa partitë që tani në pushtet, të shkojnë në opozitë. Kjo është për të mirën e Kosovës.

“Bota sot”: Sa është LDK e përgatitur për zgjedhje që priten të mbahen në vjeshtë?

Naser Rugova: LDK është më unike, më funksionale dhe më e përgatitur se kurrë dhe ne jemi të bindur se lista e kandidatëve për deputetë të LDK-së do të përfshijë njerëz me background politik, akademik, intelektual, profesional, do t’i përfshijmë të gjithë fokus grupet e shoqërisë dhe besoj se do të dalim bindshëm të parët.

“Bota sot”: Ftesa nga Specialja e Haradinajt, ishte arsye apo u përdor si mbulesë për dorëheqje?

Naser Rugova: Z.Haradinaj e ka marrë një hap, është dorëhequr, që e vlerësoj sepse nuk është lehtë të shkohet si kryeministër i një shteti në një gjykatë, në një tribunal ndërkombëtar, dihet për çka është i themeluar. Prandaj, e kam vlerësuar pozitivisht aktin e tij të dorëheqjes, por pastaj si me pishman u kthye në qeveri, pati debate a kemi të drejtë të marrim vendime apo jo, shkoi deri në atë shkallë që qeveria t’i drejtohet gjykatës kushtetuese dhe të gjitha këto lënë një mozaik jo të mirë, edhe për qytetarin, por edhe për miqtë tanë ndërkombëtarë. Prandaj, caktimi i datës 22 gusht për shpërbërje të Kuvendit është zgjidhja. Zgjidhja është që vullneti elektoral i kthehet atyre që na kanë zgjedhur, mandati i kthehet sovrani dhe LDK bashkë me akterët tjerë opozitarë e ka kërkuar që gati 1 vit.

“Bota sot”: Si i komentoni kundërshtimet mes Thaçit e Veselit sa i përket emërimit të mandatarit dhe shkuarjes në zgjedhje?

Naser Rugova: Unë nuk e kuptoj pse ky nxitim dhe ky shqetësim i presidentit ta gjejë një mandatar tjetër. Mbase presidenti që do të duhej të ishte simbol i unitetit të popullit, me aventurat e tij, idetë e tij antikushtetuese dhe veprimet tjera që e kanë dëmtuar seriozisht qenien e Kosovës, është i vetëm, në panik dhe nuk po e konsultojnë as ish partia e tij. Prandaj, është mirë që të gjitha subjektet politike kanë nxjerrë një datë me konsensus që për mua është e pranueshme, sepse nuk mund të organizojmë zgjedhje tani në fund të gushtit apo në fillim të shtatorit, por duhet thjesht të jemi real dhe të organizojmë fushatë paraelektorale dhe të shpalosim programet para qytetarëve në një kohë optimale, kur ata gjinden në Kosovë, në shtëpitëdhe punët e tyre, prandaj konsideroj se këto kundërthëniet president-parlamentar por edhe president gjitha partitë politike në vend nuk janë të reja, janë të vjetra prej atyre ideve të presidentit, prej atyre për shkëmbim territoresh, ndryshim të kufirit, sipas meje lëre që janë antikushtetuese, por janë edhe të dënueshme.

“Bota sot”: Cila do të ishte zgjidhja sa i përket dialogut me Serbinë nëse LDK vjen në pushtet?

Naser Rugova: Unë e vlerësoj që LDK do të merr qeverisjen e vendit, kryeministri do të jetë nga LDK-ja, i ka parimet bazë të këshillit të LDK-së që i kemi votuar dhe tani edhe këshilli i ri thjesht do ta orientojë bazamentin e orientimeve për dialog në atë frymë. LDK respekton karakterin unitar të Republikës së Kosovës, rendin kushtetues dhe juridik dhe ne thjesht do të aplikojmë edhe mekanizmat e tjerë të reciprocitetit pandam Serbisë dhe LDK konsideron se Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë me çfarëdo lloj ndërmjetësimi të BE-sëapo kushdo qoftë ai, duhet ta ruajë atë barabarësinë e uljes në tavolinë, prandaj këto janë parime bazë, ne do të ndërtojmë një konsensus politik edhe me opozitën e ardhshme, me të gjitha partitë politike parlamentare, me shoqërinë civile, me qarkun akademik, me të gjithë dhe do ta hartojmë një platformë e cila asgjë më pak apo më shumë, mbështetet në kushtetutën e Kosovës, të cilën jemi të obliguar të gjithë ta respektojmë.

Bota sot”: Po për taksën, a duhet të hiqet ajo?

Naser Rugova: Ishte edhe një deklaratë e kryetarit Mustafa se taksa do të qëndrojë. Ne do ta analizojmë shumë mirë, në mikro detaje çdo hap tjetër, çdo masë që Kosova ka ndërmarrë kundrejt Serbisë, do ta aplikojmë edhe ne. P.sh, Serbia nuk i pranon tabelat e makinave, ata që udhëtojnë nëpër Serbi obligohen edhe në transit t’i ndërrojnë targat e automjeteve, do t’ua aplikojmë edhe ne atyre dhe do të shohin edhe ata se çfarë maltretimi është për qytetarët, mërgimtarët, bizneset, etj, prandaj, me këto masa reciprociteti, Serbia do të kuptojë që ka të bëjë me një shtet të pavarur dhe sovran dhe ne ulemi dhe bisedojmë me Serbinë vetëm në parametra barabarësie. Këtë do ua bëjmë me dije edhe miqve ndërkombëtarë, edhe Uashingtonit edhe Brukselit zyrtar.

“Bota sot”: Ndërsa për vizat, kush sipas jush është fajtori që ato ende nuk janë liberalizuar?

Naser Rugova: Tani do ta bëj një digresion të një analize komparative. Në kohën sa ka qeverisur LDK dhe kur filloi të stabilizohej shtetit, filluan ca reforma, u ndal deri diku ndikimi i politikës në drejtësi, filloi sundimi i rendit dhe ligjit, mos abuzimi me paranë publike, një stabilitet makroekonomik dhe fiskal, ne e kishim vetëm edhe një kriter, Demarkacionin me Malin e Zi dhe kur erdhi kjo qeveri, e partnerëve të koalicionit të PAN-it, u votua Demarkacioni në Kuvend me dy të tretat dhe dolën edhe ca kërkesa shtesë që faktikisht ishte mesazh i BE-së: Sa të votoni dhe mbështesni qeveri me logjikë mesjetare, me mendësi që faktikisht është në dëm të interesit të shtetit dhe popullit të Kosovës, do ngeleni të izoluar. Prandaj, qeveria e re e udhëhequr nga LDK besoj fuqimisht, do t’i marrë të gjithë hapat e mundshëm për ato kritere që çdo të dytën fjalë edhe Uashingtoni edhe Brukseli, sundimi i rendit dhe ligjit, lufta kundër krimit të organizuar. Pastaj, një qeveri gllomaze, me vendime paradoksale, antikushtetuese, me zhvatje të parasë publike, shkatërrim të ndërmarrjeve publike, me politizim të çdo gjëje që ka të bëjë me asetet shtetërore dhe nacionale në këtë vend, kush pret që t’i liberalizon vizat. Prandaj, LDK do ta ndërrojë në mënyrë rapide këtë diskurs qeverisës, do të instalojë një qeverisje me standarde evropiane, me duar të pastra, ku do të sundojë rendi dhe ligji, ku të gjithë do të jenë të barabartë para ligjit, do të ketëbarabarësi edhe për punësime dhe për gjithë qytetarët e Kosovës do ta ndalim këtë tren të keqqeverisjes dhe vrasje të shpresës dhe do ta ndërtojmë një qeveri normale e cila pastaj do të hapë rrugë që edhe Brukseli por edhe mekanizmat tjerët ndërkombëtarë ta shohin që ky është vend normal, që ky popull meriton sepse është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut që një populli t’i mohohet e drejta për të lëvizur lirshëm. Prandaj, qeveria e re e LDK-së shpresoj që në mandatin e saj në gjashtë mujorin e parë, do ta marrë verdiktin përfundimtar sa i përket liberalizimit të vizave.

“Bota sot”: A do të jeni sërish kandidat për deputet?

Naser Rugova: Tani kjo varet edhe nga strukturat. Unë besoj që të gjithë deputetët që jemi, që jemi 24 që jemi zgjedhur, do të jemi në listën për deputet. Do të jetë verdikt i sovranit, elektoratit që duhet ta respektojmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat