Rrëfimi i Sabit Gecit: Nuk do të heshtë më, njerëzit e PDK-së më kanë dëmtuar më së shumti

Intervista

Rrëfimi i Sabit Gecit: Nuk do të heshtë më, njerëzit e PDK-së më kanë dëmtuar më së shumti

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 8 gusht 2019 Në ora: 08:17
Sabit Geci

Ish- komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sabit Geci, e konsideron si të pastër luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Geci ka theksuar se sfidat e tij nëpër gjykata e deri tek dënimi me 15 vjet burg i ka nga shokët e tij të luftës, që vinë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.  Ai ka folur edhe për vrasjet dhe plagosjet  e zyrtarëve të LDK-së. Përkitazi me këtë Geci ka thënë se ndoshta persona të caktuar kishin urrejtje ndaj presidentit Rugova sepse e donin pushtetin e tij.

“Bota sot”: Gjykata Speciale tashmë ka filluar t`i thërras për intervistë ish përfaqësuesit e UÇK-së, duke filluar nga krerët e lartë e deri tek pjesëtarët e thjeshtë, çfarë mendimi keni ju rreth kësaj?

Sabit Geci: Siç duket edhe Gjykata Speciale po vepron njëjtë si UNMIK dhe EULEX. Dihet mirë që kriminelët ishin serbët sepse ata vranë e masakruan gra, fëmijë e pleq. Unë personalisht prej mbas luftës po përballem me procese të montuara për të cilat u dënova 15 vite pa asnjë vrasje dhe asnjë fakt. Unë e ndjej vetën të pastër përpara ligjit dhe përpara zotit për një arsye të thjeshtë: Lufta e UÇK-së, ishte e pastër.

“Bota sot”: Është thirrur edhe Ramush Haradinaj,  i cili më pas dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, si e komentoni këtë?

Sabit Geci: Familjen e Ramush Haradinaj e çmoj jashtëzakonisht shumë sepse është përballur me shumë sfida. Unë besoj në pastërtinë e Ramush Haradinajt.

“Bota sot”: Me gjykatën jeni përballur edhe ju për disa vite me radhë, a mund të na i përshkruani përjetimet tuaja përgjatë gjithë këtyre viteve?

Sabit Geci: Jam përballur prej mbas luftës kam menduar që jam duke u sakrifikuar edhe për shokët e mi, por tani e kam kuptuar që disa të bëma për vuajtjet e mija i kisha nga ta. Më vjen shumë keq për këtë. Por do të vijë koha dhe të gjitha do të dalin në shesh.

“Bota sot”: A ke qenë ndër ta apo a keni marrë pjesë në ndonjë grup, i cili ka tentuar apo ka dashur ta vrasë ish Presidentin tashmë të ndjerë, Ibrahim Rugova?

Sabit Geci: Kjo është një ndër propagandat me të cilat përballesha mbas luftës. Asnjëherë nuk kam qenë pjesë e asnjë grupi. E jo e jo të ndonjë grupi që ka desht me vra Rugovën. Meqë jemi tek kjo pikë, dëshira ime është që sa më parë të hetohen nga të gjitha organet e drejtësisë të gjitha vrasjet e pasluftës. Qysh nesër le t’ia nisin. Se kam hiq problem sepse e di – së paku për vetën – që s’kam marrë pjesë dhe as që do t’kisha marrë pjesë ndonjëherë.

“Bota sot”: Përse gjithë kjo urrejtje u shfaq ndaj tij fill mbas përfundimit të luftës?

Sabit Geci: Unë asnjëherë nuk kam qenë në asnjë parti politike. Ndoshta për shkak të afërsisë me njerëzit e PDK-së, më quajtën edhe mua si njeri të PDK-së. Mund t’kemi kundërshti ndoshta në synimin për çlirimin e Kosovës, por asnjëherë urrejtje. Ndoshta persona të caktuar kishin urrejtje sepse e donin pushtetin e tij, por unë vetë, jo.

“Bota sot”: Vrasjet dhe plagosjet e anëtarëve të LDK-së, i janë faturuar SHIK-ut dhe PDK-së, asnjëra nga to deri më sot nuk është zbardhur nga drejtësia, cili është komenti juaj?

Sabit Geci: Më vjen jashtëzakonisht shumë keq për vrasjet e çdo anëtari të LDK- së. Unë mendoj se për këto gjëra duhet të merren organet e drejtësisë dhe të gjenden vrasësit një herë e përgjithmonë. Kështu që të mos etiketohen njerëzit e caktuar dhe të mshefën ata që i kryen këto veprime.

“Bota sot”: A ka pasur klane brenda UÇK-së z. Geci, si një nga protagonistët kryesor të luftës kush mendoni se ishin përçarësit më të mëdhenj të UÇK-së?

Sabit Geci: Brenda UÇK-së nuk ka pasur klane, mund të them se ka pasur ndoshta mosmarrëveshje të vogla por jo klane.  Përkundrazi kemi qenë të bashkuar dhe kemi pasur një qëllim të përbashkët drejtë idealit.

“Bota sot”: Mendoni se një unitet më i madh brenda UÇK-së, do të sillte rezultate më të mira në luftë?

Sabit Geci: Duke qenë të një uniteti edhe arritëm rezultate. Tani dëshiroj që të jemi më të bashkuar dhe të një uniteti sepse po na kushton në dëm të shtetit dhe të njerëzve të luftës.

“Bota sot”: Kush dhe nga cili krahë po themi, mund të jenë personat të cilët juve mund t’ju kenë dëmtuar shumë?

Sabit Geci: “Shokët” të cilët më së shumti më kanë dëmtuar janë njerëz të PDK-së, të cilët duke e ditur të vërtetën heshtën dhe nuk më mbrojtën në asnjë aspekt, por të bëmat e tyre mi hodhën mua, këta njerëz po dishin shumë mirë që të jenë për dikë nënë e për dikë njerkë. Kam menduar të ja lë kohës por si duket ka ardhur koha sepse është bërë mjaft.

“Bota sot”: A ka ndonjë gjë që je penduar që e keni bërë apo jeni penduar që nuk e keni bërë?

Sabit Geci: Sa i përket luftës së UÇK-se nuk do të pendohem kurrë. Po të kthehej koha, prapë njëjtë do të veproj. E vetmja gjë që do të pendohesha është pse mbajta burg dhe i mbrojta njerëzit që nuk e kanë merituar.

“Bota sot”: Përse asnjëherë nuk tentove të merreshe me politikë?

Sabit Geci: Qëllimi ynë është arritur, asnjëherë nuk më ka shkuar mendja dhe nuk do të merresha me politikë. Kisha dashur shumë që vendi ynë të ec përpara me njerëz intelektual, të rinj dhe që e marrin pushtetin me meritë dhe jo me veprime të dëmshme që të arrihet caku i tyre.

“Bota sot”: Ju siç dihet, jeni shok me pjesëtarë të PDK-së, përfshi edhe zyrtarët kryesor apo të lartë qofshin. A ju kanë ndihmuar ndonjëherë në ndonjë gjë?

Sabit Geci: Jo që nuk më kanë ndihmuar, por as një përkrahje morale nuk ma dhanë, përkundrazi u distancuan prej meje dhe familjes time, jo që nuk na njohën, sepse ne njihemi shumë mirë me ta por kjo - me gjasë - ju konvenoj atyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat