Ferid Agani flet për herë të parë: Ata që nuk më duan në Qeveri po i “fërkojnë duart” me vendimin e Gjykatës

Intervista

Ferid Agani flet për herë të parë: Ata që nuk më duan në Qeveri po i “fërkojnë duart” me vendimin e Gjykatës

Nga: Albulenë Muji Më: 7 tetor 2019 Në ora: 21:28
Ferid Agani, Kryetar i PD-së në intervistën për “Bota sot”, dhënë gazetares Albulenë Muji

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani ka folur për situatën e politike në vend, si dhe për proceset gjyqësore në rastin “Stenta 1”, për të cilin u dënua për keqpërdorim të pozitës zyrtare me dy vite e gjysmë burg.

Ai për “Bota sot” e quan këtë vendim selektiv, dhe sipas tij, ata të cilët nuk kanë dashur ta shohin në qeverinë e Kosovë nuk ia kanë arritur qëllimin me dënimin e tij. Po ashtu, Agani ka theksuar se kjo është edhe arsyeja pse nuk ka mundur të kandidoj për zgjedhjet e 6 tetorit.

“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në Kosovë?

Ferid Agani: Situata politike në vend është konfuze, e ndërlikuar, me shpërndarje policentrike të fuqisë politike dhe elemente të dëshpërimit kolektivnë mesin e qytetarëve pas premtimeve pafundësisht të përsëritura e të papërmbushura të politikanëve tani më njëzet vite pas luftës. Brengosje të veçantë paraqet fakti i mungesës së unitetit të duhur politik kur është në pyetje platforma politike për bisedimet përfundimtare me Serbinë.

“Bota sot”: Pse nuk keni kandiduar për deputet apo për kryeministër?

Ferid Agani: Arsyeja e vetme për këtë është fakti se unë, ende,edhe pas më shumë se tri viteve ndodhem në proces të papërfunduar gjyqësor; si kryetar i Partisë së Drejtësisë që promovon standardet më të larta etike e morale në politikë dhe në shoqëri, me keqardhje dhe shumë rëndesë kam marr vendimin që edhe në zgjedhjet 2019 ashtu si edhe në ato 2017 të mos kandidohem për deputet apo kryeministër. Ky vendim është në vazhdën e vendimeve të mia të rënda që filluan me dorëheqjen time të menjëhershme nga posti i ministrit të Ministrisë së Mjedisit e Planifikimit Hapësinor, që kishin për qëllim dëshmimin dhe garantimin e integritetit të lartë politik të udhëheqësve të lartë shtetëror të Kosovës para qytetarëve të vendit dhe partnerëve ndërkombëtar. Nuk kam lejuar dhe nuk do të lejoj asnjëherë që të vejë në dilemë qytetarin e Republikës së Kosovës përkitazi me atë se a ia vlent’i jepet vota dhe besimi Ferid Aganit apo jo?. Njëkohësisht, përkundër të gjitha vështirësive personale, familjare e politike, që i kam, jam munduar që të mos ushtrojë presion publik mbi institucionet  e drejtësisë të cilat ende janë duke e shqyrtuar  rastin tim.

“Bota sot”: Pas 6 tetorit në qoftë se koalicioni AKR-Nisma dhe PD i fiton zgjedhjet, cila mund të jetë partia apo koalicion më të cilin partia juaj do të formonte qeverinë?

Ferid Agani: Koalicioni ynë ka përkushtim dhe përcaktim të fuqishëm shtetndërtues, prandaj nuk kemi vija të kuqe ndaj asnjërit prej subjekteve politike. Me siguri që për hir të stabilitetit politik dhe dinamikës së proceseve komplekse politike që na presin do të ishim përcaktuar për subjektin politik i cili në zgjedhjet para nesh do të fitonte besimin më të madh të qytetarëve në vend.

“Bota sot”: Ndërsa, rreth çështjes së demarkacionit me Malin e Zi çfarë mendoni që do të ndodh?

Ferid Agani: Mendoj se kjo çështje tani më është në kompetencën e komisioneve shtetërore  të Republikës së Malit të Zi dhe të Republikës së Kosovës të ngritur për zbatimin e vendimeve të parlamenteve të dy shteteve dhe marrëveshjes pasuese të presidentëve të dy vendeve lidhur me këtë çështje; mendoj se duhet pritur përfundimin e kësaj pune para çfarëdo konkluzioni tjetër.

“Bota sot”: Gjithashtu edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kohë më parë pati përmendur idenë për korrigjimin e kufirit në të cilin pretendohet bashkimi i Kosovës lindore me Kosovën, si e komentoni?

Ferid Agani: Mendoj se debati rreth kësaj ideje politike ka qenë i parakohshëm dhe i papërgatitur sa është kërkuar dhe me këtë ka shkaktuar më shumë huti dhe dëme se sa që ka hapë rrugë për gjetjen e zgjidhjeve të cilat i ka aspirua. Konsideroj se gjatë procesit kompleks të bisedimeve mund të rezultojnë propozime të ndryshme por është detyrë e delegacionit  shtetëror të Kosovës  që në çdo fazë të tyre me këmbëngulje të insistohet në tërësinë territoriale  të shtetit të Kosovës të përcaktuar dhe të garantuar me Kushtetutën e vendit. Ajo që mendoj se duhet të ndodhë përfundimisht është që delegacioni ynë që në fillim të bisedimeve të insistoj në vendosjen e parimit të reciprocitetit, kur është në pyetje pozita e popullit Shqiptarë në Republikën e Serbisë, pra të këmbëngulin aspektin e sigurimit të korpusit të njëjtë të të drejtave për qytetarët Shqiptarë në Serbi të cilat i gëzojnë serbët në Republikën e Kosovës. Zbatimi i këtij parimi bazë udhëheqës në procesin e bisedimeve do të sillte realitete të reja në marrëdhëniet Kosovë – Serbi, atëherë mund të shohim se ku do të arrijë procesi i dialogimit.

“Bota sot”: Ju jeni dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për rastin “Stenta 1”, si e komentoni këtë?

Ferid Agani: Po, ky vendim ka qenë befasi e madhe jo vetëm për mu, por edhe për gjithë opinionin publik dhe ekspertët e fushës juridike; ka qenë vendim të cilin në mënyrë publike e kam kualifikuar si politik dhe si shembull eklatant të drejtësisë selektive. Sa ka qenë  vendim i papritur aq ka qenë vendim i pabazuar në prova materiale dhe dëshmi, ka qenë vendim në kundërshtim të plotë me të gjitha deklaratat e dëshmitarëve të prokurorisë të cilët kanë dhënë dëshmi gjatë procesit tejet të zgjatur gjyqësor. Ky vendim i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka qenë shembull eklatant i drejtësisë selektive ndaj një zyrtari të lartë shtetëror. Unë jam dënuar për atë se me rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve të Ministrisë së Shëndetësisë me dy spitale private të vendit nuk është shpallur tenderi ose nuk është bërë ofertimi publik gjë që gjykata e ka vlerësuar si shkelje të ligjit të prokurimit publik gjë që gjatë procesit gjyqësor shumë qartë është dokumentuar se nuk është e vërtet dhe nuk ka mbështetje ligjore. Selektiviteti i drejtësisë në rastin tim shihet në faktin se Ministria e Shëndetësisë dhe të gjithë ministrat e shëndetësisë para meje dhe pas meje i kanë zbatuar dhe i zbatojnë të njëjtat procedura  për sigurimin e këtyre shërbimeve në institucionet private, pa shpalljen e procedurave të tenderimit ose të ofertimit publik sepse shërbimet në institucionet private shëndetësore nuk janë siguruar dhe nuk sigurohen në pajtim me ligjin për prokurimin publik, por në pajtim me ligjin për menaxhimin e financave publike dhe rregulloren financiare të Ministrisë së Financave 01/2013 që rregullon mënyrën e shfrytëzimit të mjeteve financiare në kategorinë ekonomike të subvencioneve. Të gjithë dëshmitarët dhe ekspertët e dëgjuar nga Gjykata gjatë procesit gjyqësor kanë deklaruar pikërisht faktin se mjetet nga kategoria e subvencioneve nuk trajtohen nga Ligji për Prokurimin Publik por me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Rregullën financiare 01/2013 të Ministrisë së Financave e për çka në mënyrë befasuese jam dënuar për mosrespektim të Ligjit të Prokurimit Publik përderisa ekspertët kanë theksuar se nuk është dashur të zbatohet. Sipas vendimit të gjykatës buxheti i shtetit nuk qenka keqpërdorë dhe dëmtuar nga ministrat para mandatit tim dhe nga ministrat pas mandatit tim por vetëm gjatë mandatit të Ferid Aganit ndonëse janë përdorë procedurat plotësisht të njëjta ligjore. Gjykata dhe Prokuroria speciale konstatojnë dëmtimin e buxhetit të shtetit dhe nuk ndërmarrin asnjë masë mbrojtëse ex officio për parandalimin e keqpërdorimit të mëtutjeshëm të buxhetit. Si është e mundur kjo në një shtet ku sundon rendi dhe ligji?  Nëse procedurat për trajtimin e qytetarëve jashtë institucioneve publike shëndetësore qenkan kundërligjore pse Gjykata nuk merr asnjë vendim për me mbrojtë buxhetin e shtetit nga keqpërdorimi i mëtutjeshëm; derisa një ministër dënohet me dy vite e gjysmë  burg sepse paska shkelë ligjin e prokurimit publik, ministri aktual që përdorë procedura të njëjta për sigurimin e këtyre shërbimeve vazhdon të punojë pa asnjë problem, ashtu si edhe të gjithë ministrat e shëndetësisë para tij?

“Bota sot”: Pse po e lejon gjykata dhe nga kush është bërë ky vendim selektiv?

Ferid Agani: Kur një vendim i gjykatës nuk mbështetet mbi fakte, mbi argumente, mbi dëshmitë e dëshmitarëve, mbi provat materiale, atëherë nuk ngel tjetër, veçse fatkeqësisht të përfundohet se bëhet fjalë për vendim tendencioz joligjor, selektiv, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, që duke pasur parasysh mënyrën se si është ngritur aktakuza dhe si ka rrjedhë procesi gjyqësor, imponon si vendim i porositur politik; si ndryshe të shpjegohet kur dy zyrtarët më përgjegjës të institucioneve shtetërore që merren me buxhetin e Kosovës të marrë në pyetje nga ana e gjykatës në cilësi të ekspertëve argumentojnë se procedurat e zhvilluara nga ana e Ministrisë në kohën sa unë kam qenë ministër kanë qenë plotësisht në harmoni me ligjin.

“Bota sot”: Nga kush mendoni se është i porositur?

Ferid Agani: Duke qenë se procesi i drejtësisë është në vijim e sipër nuk dua të deklarohem në këtë moment. Unë e kam ankimuar këtë vendim apsurd në Gjykatë të Apelit dhe ajo është duke e shqyrtuar rastin. Kam besim të plotë në sistemin e drejtësisë në vend dhe jam i bindur se padrejtësitë evidente dhe shkeljet e rënda ligjore të cilat i kanë bërë Prokuroria Speciale e Gjykata Themelore në Prishtinë do të korrigjohen dhe se drejtësia do të vehet në vend. Ashtu si edhe me rastin e procesit paraprak gjyqësor ashtu edhe me rastin e procesit në Gjykatën e Apelit nuk do të shkaktojë asnjë lloj vështirësie me deklarime publike të kësaj natyre. Por më duhet të përsërisë se kam qenë thellë i befasuar më këtë vendim, e konsideroj më të vërtet skandaloz, të padrejtë, selektive, shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive të njeriut, të drejtave të mija kushtetuese, të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Po e theksojë edhe këtë fakt, vendimi dënues u nxjerrë në formë të shkruar nga ana e Gjykatës Themelore të Prishtinës dy muaj pas afatit ligjor për nxjerrjen e tij, kjo pat ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e kandidimit tim për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit, sikur ky proces të kishte përfunduar më herët, sikur vendimi të ishte nxjerrë më kohë, dy muaj  më parë, Gjykata e Apelit ka pasur kohë edhe me vendos për këtë çështje dhe ndoshta do të kisha qenë sot në garë për deputet të Kosovës, ose për kryeministër të vendit. Prandaj shtrohet pyetja, kush nuk ka pasur dëshirë  më pa Partinë e Drejtësisë në garë të barabartë politike dhe Ferid Aganin në kandidaturë….?

“Bota sot”: Kush është ai person që nuk ka dashur që të jeni kandidat?

Ferid Agani: Nuk mund të konkludoj, le ta konkludojnë  vet qytetarët e vendit, por është shumë e qartë se ata të cilëve u pengon Partia e Drejtësisë në skenën politike të vendit, në Kuvendin e Kosovës,  ata të cilëve u pengon Ferid Agani në qeverinë e Kosovës,  tani me siguri janë duke i “fërkuar duart” sepse e kanë arritur qëllimin por jam i bindur se e gjitha kjo do tu kthehet si bumerang. Drejtësia gjithmonë do të fitojë, më herët a më vonë.

“Bota sot”: Çfarë hapa do të ndërmerrni për të kundërshtuar këtë vendim të Gjykatës?

Ferid Agani: Ky vendim menjëherë pasi që është marrë, thash me dy muaj vonesë si shkelje ligjore e radhës e Gjykatës, është ankimuar në Gjykatën e Apelit, duke parashtruar argumente të bollshme për paligjshmërinë e tij, me kërkesë që Gjykata e Apelit ta anulojë në tërësi. Njëkohësisht, përveç që kam apeluar këtë vendim në Gjykatën e Apelit, unë kam bërë kërkesë edhe në institucionin e Avokatit të Popullit  që të më ofrojë asistencë në procesin gjyqësor pranë Gjykatës së Apelit, në statusin juridik të “mikut të gjykatës”, për shkak të shkeljes së të drejtave dhe lirive të mija kushtetuese, sepse konsideroj se në procesin gjyqësor pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë kam qenë subjekt i një drejtësie selektive me agjendë të qartë politike.

“Bota sot”: A keni ju dyshimet e tuaja se nga kush ka ardhur ky vendim? 

Ferid Agani: Nuk dëshiroj të ngarkoj procesin juridik me supozimet dhe dyshimet që i kam. Por, jam i bindur se drejtësia e vendit do të vendosë këtë çështje në mënyrë të drejtë. Pas marrjes së vendimit të drejtë me siguri se do të parashtrojë kërkesat për shqyrtimin e veprimeve përkatëse joligjore të Prokurorisë Speciale dhe të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës. Implikimet dhe pasojat e këtij procesi hetimor dhe gjyqësor kanë qenë shumë të rënda politike, si për mua, familjen time dhe miqtë e mijë, ashtu edhe për Partinë e Drejtësisë;  por pasojat më të rënda kanë qenë për qytetarët e Republikës së Kosovës, sepse ky proces hetimor dhe gjyqësor e ka pengu dhe ndërpre qysh në fillimet e saj reformën e sistemit shëndetësor të vendit; mos harroni se në kohën kur kanë filluar hetimet ndaj meje si ministër i shëndetësisë, në Kosovë janë miratuar të gjitha ligjet sistemore të nevojshme për reformën shëndetësore, u miratua ligji për sigurimet shëndetësore, në buxhetin e vitit 2015 kanë qenë të alokuara 18 milion euro për fondin e sigurimeve shëndetësore, si pjesë e kontributeve të të punësuarve  në sistemin publik; Banka Botërore e ndau kredinë në vlerë prej 25.6 milion dollarë  në shtator të vitit 2014 dhe kemi qenë gati për fillimin e implementimit të sistemit të sigurimeve shëndetësore gjatë vitit 2015. Dikush është frigua nga suksesi i mundshëm politik i Ferid Aganit dhe Partisë së Drejtësisë. Nuk e kam fare të qartë se pse. Viktima më e madhe  e këtij procesi gjyqësor nuk ka qenë Ferid Agani, nuk ka qenë Partia e Drejtësisë por kanë qenë qytetarët e vendit të cilët si rezultat i kësaj farse hetimore dhe gjyqësore edhe sot  e kësaj dite edhe pesë vite pas miratimit të Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore nuk e gëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për sigurim publik shëndetësor. Mos harroni se Ligjin e Sigurimeve Shëndetësore kanë tentuar me e elaborua dhe miratua të gjithë ministrat e shëndetësisë para meje, por këtë nuk ka arritur ta bëjë asnjëri. Këtë ligj e kam elaboruar në  bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e kam kaluar unë në Kuvendin e Kosovës ndonëse e kam pasur vetëm një deputet të Partisë së Drejtësisë në mandatin kur u miratua ligji. Pra ka qenë arritje e madhe dhe unë shprehi keqardhje të madhe, që dikush për interesa meskine e morri në qafë popullin e Kosovës. Me të vërtet më vjen keq shumë, pse kjo reformë e shëndetësisë u ndërpre, ju po i shihni debatet tash të kandidatëve për deputet dhe kryeministër kur flasin për shëndetësi të gjithë janë ende në vitin 2014. Janë duke folur për zbatimin e legjislacionit i cili u miratua në vitin 2014, për fat të keq, ky legjislacion tani më qe pesë vite është dashtë të jetë i zbatuar; bëhet fjalë për ndalim të plotë të procesit reformues dhe thjeshtë përpjekje për mbijetesë të sistemit shëndetësor, e cila po përsëritet nga viti në vit, për fatin e keq të mijëra të sëmurëve të cilët janë duke bart pasoja të drejtpërdrejta të kësaj gjendje dhe mijëra mjekëve dhe infermierëve të cilët për fat të keq po e lëshojnë vendin në mungesë të perspektives për avancim më domethënës të cilësisë së shërbimeve të tyre për të sëmurët dhe për avancim të domosdoshëm të mëtutjeshëm në karrierat e tyre.

“Bota sot”: Jeni rizgjedhur kryetar i PD-së, si e shihni partin tuaj edhe për një mandat?

Ferid Agani: Përkundër dëshirës time të madhe që Partinë e Drejtësisë në periudhën e ardhshme ta udhëheqë një lider më i ri, realiteti i zhvillimeve politike në parti dhe jashtë saj imponoi rrethanat që kuvendi zgjedhor i partisë të vendosë që udhëheqjen e PD-së edhe në mandatin e ardhshëm katërvjeçar të ma besoj mua. Vlerësoj se partia pas vështirësive të mëdha me të cilat u ballafaqua ka dalë më e konsoliduar dhe më e fuqishme se sa që ka qenë para fillimit të tyre. Shpresoj që pas punës së madhe që është bërë, veçanërisht kohën e fundit, do të arrijmë të rikthejmë statusin e partisë parlamentare, gjë që do të na mundësoj punë më efikase e më efektive në degët dhe nëndegët e partisë. Objektivi kryesor i punës sime gjatë mandatit katërvjeçar që sapo e fillova do të jetë reforma e plotë e partisë dhe gjetja e emëruesit të përbashkët me anëtarët e partisë dhe simpatizantët të cilët në periudhën e kaluar për shkaqe të mirënjohura janë larguar nga angazhimi aktiv politik, si dhe njëkohësisht promovimi i alternativës progresive konservatore të PD-së në popullatën e gjerë dhe aleancat përkatëse politike Evropiane.

“Bota sot”: Sapo keni shënuar 20 vjetorin e themelimit të PD-së, si ka arritur që të mbijetoj një parti e vogël, kur ka shumë parti të cilat janë themeluar dhe janë shuar.

Ferid Agani: Partia e Drejtësisë punën e sajë në vazhdimësi e ka lidhur me përkushtimin e respektimit të parimeve më të larta etike e morale në politikë që burojnë nga udhëzimet e Zotit të Madhërishëm, prandaj në çdo fazë të zhvillimit e rritjes së sajë ka pasur mbështetje të veçantë qenë çdo moment na ka ndihmuar në tejkalimin e vështirësive të kohës. Njëzetë vitet e kaluara dëshmuan se PD-ja nuk mund të shuhet asnjëherë për sa kohë që në Kosovën tonë të dashur frymon besimi i sinqertë, dashuria e respekti i thellë për kombin e atdheun dhe përkushtimi për ndryshimet e domosdoshme në interesin e shtetit dhe të qytetarëve.

“Bota sot”: Cili është misioni i PD-së, pas 20 vjetorit të themelimit të saj?

Misioni i Partisë së Drejtësisë vazhdon të jetë i njëjti me atë nga ditët e para të themelimit të sajë dhe mund të përmblidhet shkurt në moton e PD-së për zgjedhjet 2019, SË BASHKU PËR SHTETIN ME NDIHMËN E ZOTIT. Shërbimi qytetarëve me modestin dhe profesionalizmin e skajshëm dhe gatishmëria për sakrificë personale e partiake janë metoda e punës së veprimit të PD-së ndërsa mirëqenia e qytetarëve të vendit e veçanërisht atyre me nevoja më të mëdha e specifike mbetet objektivi ynë kryesor. Mendoj se me punën tonë të deritanishme njëzet-vjeçare kemi kontribuar shumë në emancipimin politik të qytetarëve sa u përket rëndësisë së vlerave etike e morale në shoqëri e politikë dhe me këtë tejkalimin e shumë dogmave dhe ekstremeve në jetën shoqërore e politike të vendit si dhe parandalimin e eliminimin e shumë dukurive negative në shoqëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat