Deri në fund të javës, marrëveshja duhet të finalizohet - Bota Sot
Deri në fund të javës, marrëveshja duhet të finalizohet

Intervista

Deri në fund të javës, marrëveshja duhet të finalizohet

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 23 janar 2020 Në ora: 15:13
Arbërie Nagavci

Në një bisedë për gazetën  “Bota sot”, nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka folur për zhvillimet e fundit politike të cilat po e preokupojnë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj, tash e më shumë se tre muaj që nga data 6 tetorit, kur edhe janë mbajtur zgjedhjet nacionale. E pyetur për negociatat me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe mundësitë që të arrihet marrëveshje, Nagavci ka thënë se është optimiste dhe se në Lëvizjen Vetëvendosje janë të vullnetshëm që marrëveshja të arrihet.

Në anën tjetër, sa i përket ofertave të ndërsjella që ia kanë bërë njëra tjetrës LDK-VV, të cilat realisht e kanë një pikë të fortë tek e cila janë kapur të dyja, fjala është për kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, duket se aty nuk kanë lëvizur asnjëra. Nagavci sa i përket kësaj çështje, ka thënë se Glauk Konjufca është emër i cili nuk i pengon askujt, pasi që është i pastër, nuk ka asnjë arsye që të shkarkohet, aq më tepër kur atë e kanë votuar 75 deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndër ta edhe ata të LDK-së.

“Bota sot”: Duket që nuk jeni as afër marrëveshjes me LDK, pasur parasysh insistimin tuaj se nuk shkarkohet Glauk Konjufca. Sa jeni ju optimiste se do të arrihet marrëveshja në ditët e mbetura?

Arbërie Nagavci: Përkundrazi, unë mendoj se ajo që është e rëndësishme është se ne kemi harmonizuar tashmë programin qeverisës, jemi pajtuar në tërësi për programin, kemi pasur një vullnet deklarativ të shprehur edhe nga LDK, që ata janë të interesuar, angazhuar e përkushtuar për të gjetur një mënyrë pqë të arritur marrëveshjen. Unë mendoj, jam e prirur të shoh që fundi i javës, siç e përmendi z. Mustafa, e shpreh një gatishmëri të tyre që marrëveshja të finalizohet. Duhet të jemi të sinqertë dhe të themi se edhe ashtu jemi vonë, por jemi në kohë që të kemi një marrëveshje, shpresoj që i gjithë ai vullnet i shprehur në mënyrë deklarative, do të ec përpara.

“Bota sot”: Nëse shkohet në zgjedhje, a besoni se do t’iu mirëkuptojnë qytetarët që nuk po hiqni dorë nga kryetari i Kuvendit. A ndjehet Vetëvendosje e ngarkuar moralisht, nëse për shkak të Glauk Konjufcës vendi shkon në zgjedhje?

Arbërie Nagavci: Duhet ta kemi parasysh që çështja e z. Konjufca nuk ka të bëjë me atë si individ, deri më tani nuk ka asnjë zë të vetëm që kanë çfarëdo arsye për të na bindur që z. Konjufca nuk është personi i duhur në atë pozitë. Përtej kësaj, është fakt i pa mohueshëm që kryetari i Kuvendit u zgjodh me 75 vota, duke I përfshi edhe votat e LDK, prej asaj date, nuk kemi asnjë arsye e argument të fuqishme që të kërkonte që z. Konjufca të e lëshonte atë pozicion. Po flasim prej njërin ndër pozicionet më të rëndësishme shtetërore, duhet këtë ta kemi parasysh dhe duhet ta shohim si përgjegjësi që na janë besuar. Të tillë e sheh edhe z. Konjufca, ne jemi dhe vazhdojmë të jemi të angazhuar e përkushtuar për marrëveshje. Nëse shkojmë në zgjedhje kjo nuk është dëshira jonë, por jemi të gatshëm gjithmonë, pasi që duhet të përmbushim premtimet e dhëna për qytetarët.

“Bota sot”: A besoni me të vërtetë në koalicionin me LDK-në, një përgjigje të sinqertë ju lutem?

Arbërie Nagavci: Besimet e mia janë çështje të mia personale, ashtu sikurse që janë edhe të deklaratat e individëve të caktuar në LDK. Unë jam e sigurt që në LDK ka zëra e qëllime të ndryshme, por jam e prirur t’i besoj deklaratave zyrtare të LDK, e ajo që është deklaruar nga ta deri tani, është se janë të interesuar dhe përkushtuar që të arrijnë një qeverisje me VV. Deklaratat e individëve të caktuar brenda LDK-së, mbesin qëndrime të tyre personale, me të cilat mund të pajtohemi ose jo, por janë qëndrime krejt personale.

“Bota sot”: Vuçiq sot tha se në Kosovë nuk mund të ketë qeveri pa Listën Serbe, si i përgjigjeni kësaj nëse kemi parasysh qëndrimet e Albin Kurtit?

Arbërie Nagavci: Lëvizja Vetëvendosje atë çka kryetari Kurti e ka thënë dhe për të cilën jemi të angazhuar është se do të respektojmë në tërësi kushtetutën tonë. Ne do të marrim përsipër obligimet tona kushtetuese. Çështjet e brendshme të Republikës së Kosovës janë çështje tona. Presidenti i Republikës së Serbisë, mund të bëjë adresime si një president I një vendi fqinjë, pasi që të ketë arritur të pranojë realitetin në Kosovë dhe që ky realitet nuk ka kthim prapa.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat