Mehmeti: Pas pakos emergjente, kërkohet një plan i qartë për injektimin e fondeve në ekonomi - Bota Sot
Mehmeti: Pas pakos emergjente, kërkohet një plan i qartë për injektimin e fondeve në ekonomi

Intervista

Mehmeti: Pas pakos emergjente, kërkohet një plan i qartë për injektimin e fondeve në ekonomi

Më: 12 maj 2020 Në ora: 09:25
Fehmi Mehmeti

Paketa mbështetëse për biznesin dhe qytetarin që qeveria e Kosovës ka ndërmarrë, pritet të luajë një rol të rëndësishëm në zbutjen e vështirësive financiare të krijuara në situatën e pandemisë së COVID-19.

Në një intervistë për ATSH-në, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti shprehet se kërkohet një plan i qartë për injektimin e fondeve në ekonomi për të lehtësuar likuiditetin e bizneseve dhe aftësinë e tyre për të vijuar me investimet.

Prandaj, shprehet ai, ne konsiderojmë se pas kalimit të fazës emergjente, duhet të fillojmë me fazën e rimëkëmbjes, në të cilën sistemi bankar do të kishte barrën kryesore të financimit të ekonomisë.

“Bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet të gjithë aktorëve në ekonomi sigurisht që do të rezultojë në një platformë, e cila do të adresojë në mënyrën më të mirë sfidat që na presin, prandaj unë jam optimist që ekonomia e Kosovës do të kthehet në një normalitet të ri më të mirë dhe me perspektive më të madhe për të ardhmen”, deklaroi kreu i BQK-së, Mehmeti.

ATSH: Qeveria e Kosovës ka prezantuar një paketë financiare për mbështetjen e qytetarëve dhe bizneseve. A do të jetë ajo e mjaftueshme apo nevojitet një plan i qartë Rimëkëmbjeje?

Mehmeti: Zhvillimet e deritanishme po e bëjnë të qartë se ekonomia jonë do të ballafaqohet me vështirësi edhe pasi të ndërpriten masat aktuale të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve dhe veprimtarisë të kategorive të ndryshme të biznesit. Prandaj, masat e institucioneve shtetërore për ta ndihmuar rimëkëmbjen e ekonomisë janë të domosdoshme. Krahas lehtësimeve të ndryshme fiskale e financiare që janë ndërmarrë dhe mund të ndërmerren në të ardhmen, kërkohet një plan i qartë i injektimit të fondeve në ekonomi për t’u lehtësuar likuiditetin bizneseve dhe aftësinë e tyre për të financuar projekte investimesh. Paketa emergjente e prezantuar nga Qeveria e Kosovës pritet të luajë një rol shumë të rëndësishëm në zbutjen e vështirësive financiare me të cilat po ballafaqohen bizneset. Megjithatë, kjo është një paketë emergjente, e cila është paraparë të shërbejë si mbështetje afatshkurtër për të ndihmuar mbijetesën e bizneseve gjatë kësaj periudhe. Paketa si e tillë, përmban shumë shpenzime direkte nga ana e qeverisë, të cilat mund të mos jenë lehtë të përballueshme për buxhetin e shtetit në periudhë afatgjatë. Prandaj, ne konsiderojmë se pas kalimit të fazës emergjente, duhet të fillojmë me fazën e rimëkëmbjes, në të cilën sistemi financiar do të kishte barrën kryesore të financimit të ekonomisë, pasi Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Kosovës kanë rol shumë të rëndësishëm indirekt në rritjen e burimeve të financimit.

A janë të favorshme kushtet e kreditimit në Kosovë për biznesin dhe a ka potencialin e nevojshëm BQK për të plotësuar kërkesat?

Mehmeti: Sistemi financiar i Kosovës përbëhet kryesisht nga sektori bankar, i cili paraqet një burim shumë të rëndësishëm financimi për ekonominë e Kosovës. Kreditë bankare kanë shënuar rritje të vazhdueshme gjatë gjithë funksionimit të këtij sektori në Kosovë, ndërsa kushtet e financimit sidomos në vitet e fundit kanë shënuar përmirësim të theksuar. Sektori bankar i Kosovës ka një potencial mjaft të lartë kreditor për të rritur edhe më tepër kreditimin dhe për të plotësuar kërkesat e ekonomisë së vendit për financim.

Cilat janë masat që pritet të ndërmarrë BQK për të lehtësuar kredidhënien për biznesin në këto kushte?

Mehmeti: Duke pasur parasysh vështirësitë me të cilat mund të ballafaqohet ekonomia jonë në periudhën e ardhshme, BQK-ja ka shqyrtuar me kujdes instrumentet që i ka në dispozicion për të rritur edhe më tej potencialin kreditues të bankave, por pa e rrezikuar stabilitetin e këtij sektori. Masat që do të mund të ndërmarrë BQK-ja në një situatë të tillë përfshijnë lehtësime rregullatore për bankat, siç janë zvogëlimi i rezervës së detyrueshme dhe zvogëlimi i kërkesave për kapital (duke shqyrtuar zvogëlimin e peshës së mjeteve me rrezik për disa ekspozime në kategori të caktuara), çka shton kapacitetet e bankave në dispozicion për t’u kredituar dhe mundësohet rritja e kreditimit pa pasur nevojë të shtohet kapitali. Përmes analizës ‘stres-test’, BQK-ja ka përcaktuar limitet deri ku mund të lehtësohen këto kërkesa rregullatore, pa e rrezikuar qëndrueshmërinë e sektorit bankar. Megjithatë, duhet pasur parasysh se efektiviteti i ndërmjetësimit financiar nuk varet vetëm nga ana e ofertës për kredi, por edhe nga ana e kërkesës për kredi. Prandaj, pavarësisht se sektori ynë bankar ka një potencial mjaft të madh kreditues, ekzistojnë disa faktorë të cilët mund të sfidojnë kreditimin e sektorit bankar gjatë një krize ekonomike. Faktori i parë që dëshiroj ta theksoj ka të bëjë me rrezikun e rënies së kërkesës për kredi për shkak të arsyeve të shumta, siç mund të jenë dështimi i mundshëm i një numri të bizneseve, pastaj pasiguria e bizneseve për të investuar në zgjerim të kapaciteteve, si dhe rënia e kërkesës agregate në ekonomi. Faktor tjetër mund të jetë rënia e besimit të bankave drejt ekonomisë. Në një kohë krize, pavarësisht se bankat mund të kenë potencial për të rritur kreditimin, ato mund të ballafaqohen me rënie të cilësisë së kërkesave për kredi, si dhe me pasiguri lidhur me performancën e ardhshme të bizneseve. Në këtë kontekst, ashtu siç ka ndodhur edhe gjatë krizës së fundit ekonomike globale, ne mund të ballafaqohemi me një situatë ku bankat janë më të rezervuara në trajtimin e aplikimeve për kredi.

Çfarë mase mund të ndërmerret në rast të krijimit të një situate të tillë?

Mehmeti: Në një situatë tillë, Qeveria e Kosovës mund të ketë një rol shumë të rëndësishëm për të mbështetur rritjen e financimit dhe përmirësimin e kushteve të financimit për bizneset përmes Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK). Qeveria e Kosovës mund të rrisë kapitalin e FKGK-së për të mundësuar rritjen e vëllimit të kredive bankare të garantuara nga ky institucion, duke mundësuar kështu dhënien e kredive, të cilat mund të mos ishin dhënë në mungesë të garancisë së FKGK-së. Po ashtu, Qeveria mund të ndërmarrë edhe veprime (përfshirë edhe ndryshime të mundshme ligjore) me të cilat mund të zhvillohen instrumente të reja në kuadër të FKGK-së për të ndihmuar financimin dhe rimëkëmbjen e bizneseve. Këto instrumente do të mund të përfshinin subvencionimin e normave të interesit në kredi për bizneset ose kreditimin e drejtpërdrejtë të bizneseve nga FKGK pa interes dhe/ose me ‘grace’ periudhë të caktuar. Çdo instrument që ka të bëjë me financimin direkt të bizneseve nga FKGK do të duhej të zhvillohej vetëm në bazë të kritereve shumë qartë të specifikuara për kushtet që duhet të plotësojë një biznes për t’u kualifikuar për një mbështetje të tillë.

Çfarë avantazhesh mund të sjellë mbështetja financiare përmes FKGK-së?

Mehmeti: Mbështetja financiare indirekte e Qeverisë për bizneset, pra përmes FKGK-së, ka një numër avantazhesh në krahasim me mbështetjen financiare direkte të Qeverisë për bizneset. Shtimi i kapitalit të FKGK-së nga ana e Qeverisë do të mund të kontribuojë në financimin e më tepër bizneseve në krahasim me situatën kur Qeveria financon bizneset në mënyrë të drejtpërdrejtë. Qeveria kursehet nga nevoja e ngritjes së kapaciteteve njerëzore për administrimin e një procesi kompleks të injektimit të drejtpërdrejtë të fondeve te bizneset. Përzgjedhja e bizneseve përfituese të ndihmës financiare nga Qeveria bazohet në ekspertizën financiare të FKGK-së dhe bankave komerciale, e cila është e domosdoshme për të siguruar arritjen e objektivave të një ndihme të tillë financiare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat