Pacolli: S’jam për zgjedhje në pandemi, herët të flasim edhe për postin e presidentit

Intervista

Pacolli: S’jam për zgjedhje në pandemi, herët të flasim edhe për postin e presidentit

Më: 28 gusht 2020 Në ora: 08:57
Behgjet Pacolli

Aleanca Kosova e Re (AKR) beson që Kosova duhet të punojë me aleatët e saj në procesin për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që duhet të çojë në njohje të ndërsjellë. Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli në një intervistë për KosovaPress ka folur edhe rreth kandidaturës së tij për president, por edhe për diskutimet e bëra nga partitë politike për këtë post.

Ndërsa se a e përkrahë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti të iniciuar nga Vetëvendosje, Pacolli ka thënë se do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në skenën politike të Kosovës porse nuk janë për zgjedhje në kohë pandemie.

Në intervistën për Kosovapress me shkrim ai ka thënë se AKR është e gatshme për zgjedhje.

Intervista e plotë:

Takimet Kosovë-Serbi tashmë janë caktuar, dje (27 gusht) është mbajtur takimi në nivel ekspertësh në Bruksel, ndërsa me 4 shtator në Uashington, çfarë mendoni ju cili do të jetë rezultati i këtyre takimeve?

Behgjet Pacolli: Qeveria dhe të gjithë palët e përfaqësuara në Kuvend duhet të angazhohen të punojnë me Shtetet e Bashkuara dhe gjithashtu Bashkimin Evropian në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Aleatët tanë, në këtë rast Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë një fokus për të ndihmuar Kosovën që të lëviz drejt integrimit të saj në bashkësinë ndërkombëtare dhe gjithashtu t'i kushtojë vëmendje çështjeve ekonomike që prekin vendin tonë, por edhe marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Unë kam qenë gjithmonë përkrahës i qasjes ekonomike në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë sepse ekonomia i zgjidh çështjet e vështira. Në kohën e pandemisë, ekonomitë po vuajnë, dhe përqendrimi i Shtëpisë së Bardhë në problemet ekonomike është një shtytje e rëndësishme për të tërhequr ndihmë dhe investime për të fuqizuar ekonominë tonë dhe për të arritur përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

A pritet që të arrihet një marrëveshje e madhe pas këtyre takimeve?

Behgjet Pacolli: Është herët për të thënë. Ne duhet t'i japim hapësirë dialogut dhe bisedimeve në atë takim. Asgjë nuk shërbehet gati në diplomaci. Ne duhet t'i japim ekipit të Kosovës dhe miqve tanë në Shtëpinë e Bardhë hapësirë dhe kohë për të punuar në një marrëveshje dhe çështjet që diskutohen. Nuk është e lehtë, ka shumë pengesa dhe çështje që duhen adresuar, por diplomacia ka arritur të arrijë rezultate siç është marrëveshja Emiratet e Bashkuara Arabe-Izrael për normalizimin e marrëdhënieve që është vendi i parë i Gjirit që njeh Izraelin dhe ha një Ambasadë. Është herët të flasim për rezultate kur bisedimet nuk kanë filluar ende në Shtëpinë e Bardhë. Ne duhet t'i kemi objektivat tona të qarta dhe vullnetin tonë për të punuar me mirëbesim me aleatët tanë.

Cili do duhej të ishte qëndrimi i Kosovës në këto dy takime për t’u arritur marrëveshja?

Behgjet Pacolli: Kosova duhet të ketë dy synime të qarta, dialogu duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë si dy vende të pavarura dhe sovrane që njohin njëra-tjetrën dhe që dialogu duhet të zgjidhë të gjitha çështjet e pazgjidhura që janë pengesë për bashkëpunimin normal në ekonomi, tregti, dhe fusha të tjera në mes të Kosovës dhe Serbisë.

KosovaPress: Marrëveshja finale, a pritet të nënshkruhet në Bruksel apo në Uashington?

Behgjet Pacolli: Asnjëherë nuk ka një marrëveshje përfundimtare në diplomaci midis vendeve. Edhe vendet që njohin njëri-tjetrin gjithmonë kanë çështje që duhet të adresohen përmes marrëveshjeve. Pra, duhet të ketë një marrëveshje për njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve që duhet të kenë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Ky duhet të jetë qëllimi ynë. Ne nuk duhet të përqendrohemi shumë në vendin e nënshkrimit të marrëveshjes, por në përmbajtjen e marrëveshjes, mbështetjen ndërkombëtare që ajo do të fitojë dhe më të rëndësishme mbështetjen nga qytetarët tanë. Këto janë çështje më të rëndësishme sesa ku do të nënshkruhet.

Pas çështjes së ngritur së fundmi rreth pozitës së presidentit të vendit, ka qenë dhe një reagimi i juaji në ‘Facebook’ ku keni thënë se Kosova ka Presidentin e saj kushtetues. Por a e synoni ju këtë post?

Behgjet Pacolli: Unë nuk kam shpallur asnjë kandidaturë për pozitën e Presidentit të Republikës dhe asnjë nga komentet e bëra nuk janë bërë nga unë. Unë mendoj se Kosova ka një President që ka kompetenca dhe mandat të plotë kushtetues dhe për sa kohë nuk ka ardhur koha për zgjedhjen e Presidentit, gjë që do t'i bënte partitë parlamentare të ulen së bashku dhe përmes dialogut dhe konsensusit të arrijnë një marrëveshje për Presidentin e ardhshëm, unë nuk mendoj se është realitet të bëhen njoftime për kandidatët presidencialë. Realiteti vjen kur vjen koha për të folur për këtë çështje dhe kur të gjitha partitë politike kanë një dialog për Presidentin. Është ende herët për këtë.

Si i keni parë këto diskutimet rreth postit të presidentit në këtë kohë nga partnerët e koalicionit?

Behgjet Pacolli: Unë mendoj se ne të gjithë në politikën e Kosovës duhet të presim kohën kur do të vijë për të diskutuar përmes dialogut zgjedhjen e Presidentit. Aktualisht kemi një President që po bën punën e tij dhe nuk i bëjmë nder vendit dhe as institucionit të Presidentit nëse fillojmë tani të flasim për zgjedhjen e Presidentit, kur kemi mjaft kohë dhe duhet të punojmë në çështje të ngutshme si pandemia, dialogu me Serbinë ose situata ekonomike. Le të punojmë në këto çështje dhe kur të vijë koha le të ndërtojmë konsensus përmes një dialogu shumë-partiak.

Lëvizja Vetëvendosje ka nisur një mocion ndaj Qeverise Hoti. A do të japë AKR nënshkrimet për këtë mocion?

Behgjet Pacolli: Që nga hyrja në politikën e Kosovës, unë kam luajtur një rol konstruktiv për të siguruar që Kosova të ketë një qeveri funksionale. Që nga viti 2008 kam mbështetur çdo qeveri sepse besoj se Kosovës i duhet stabilitet politik dhe ekonomik për të ecur me reformat e duhura. AKR do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në skenën politike të Kosovës, duke punuar me të gjitha partitë parlamentare dhe duke kërkuar konsensus për çështjet kryesore kombëtare dhe shtetërore. Qeveritë varen nga shumica në Kuvend. Ne do të shohim se si zhvillohen gjërat, por unë mendoj se gjatë pandemisë nuk duhet të kemi zgjedhje, por duhet të punojmë për të ndërtuar unitet dhe konsensus për çështje kyçe siç janë pandemia, dialogu, ekonomia dhe Gjykata e Hagës. Qytetarët presim që qeveria dhe parlamenti të punojnë. Ne përziejmë shpesh pushtetin me shtetin. Për çështjet kryesore për shtetin nuk duhet të ketë qeveri kundër opozitës. Por ne duhet të qëndrojmë të bashkuar. Kjo është qasja ime në politikë.

A është AKR gati për zgjedhje të reja?

Behgjet Pacolli: AKR është gjithmonë e gatshme për zgjedhje. Ne punojmë me strukturat tona në Kosovë për të përgatitur partinë për sfidat me të cilat mund të përballemi si vend dhe të punojmë me qytetarët në terren për të promovuar vizionin dhe programin tonë. Ne nuk jemi ata që vendosim kur të shkojmë në zgjedhje, por ne jemi të gatshëm dhe të përgatitur të shkojmë në zgjedhje sa herë që Kuvendi e gjykon të nevojshme.

Kur mendoni se duhet të mbahen zgjedhjet e reja?

Behgjet Pacolli: Ndërsa thashë unë mendoj se gjatë pandemisë nuk duhet të ketë zgjedhje në Kosovë, duhet të punojmë për ndërtimin e konsensusit dhe unitetit në vend. Por kur kjo çështje të vijë në Kuvend, atëherë kemi një imazh të qartë se çfarë na pret dhe Kosova. Për momentin nuk ka asnjë çështje në agjendën e Kuvendit për të shkuar në zgjedhje apo mocion mosbesimi për qeverinë.

AKR ka qenë pjesë e disa takimeve të iniciuara nga Hoti për dialogun. A mendoni se mund të arrihet uniteti para takimeve të Uashingtonit?

Behgjet Pacolli: AKR beson se Kosova duhet të punojë me aleatët e saj në procesin për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që duhet të çojë në njohje të ndërsjellë. Qeveria dhe të gjithë palët e përfaqësuara në Kuvend duhet të angazhohen të punojnë me Shtetet e Bashkuara dhe gjithashtu Bashkimin Evropian në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kosova duhet të ketë dy synime të qarta, dialogu duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë si dy vende të pavarura dhe sovrane që njohin njëra-tjetrën dhe që dialogu duhet të zgjidhë të gjitha çështjet e pazgjidhura që janë pengesë për bashkëpunimin normal në ekonomi, tregti, dhe fusha të tjera në mes të Kosovës dhe Serbisë. Unë jam kritik për mënyrën se si janë zhvilluar diskutimet publike midis partnerëve qeveritarë. Ajo dobëson pozicionin tonë. Por gjithashtu unë jam kritik ndaj opozitës që nuk është e gatshme të punojë së bashku për interesat kryesore kombëtare. Duhet të ndërtojmë një kulturë konsensusi dhe uniteti dhe ta ndajmë luftën për pushtet nga lufta për interesat e shtetit. Ne të gjithë në qeveri dhe opozitë jemi përgjegjës për të fundit së bashku, pa asnjë dallim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat