Ambasadori konfirmon qëndrimin e Gjermanisë për Specialen: Kjo është detyra e Gjykatës

Intervista

Ambasadori konfirmon qëndrimin e Gjermanisë për Specialen: Kjo është detyra e Gjykatës

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 16 dhjetor 2020 Në ora: 12:23
Joern Rohde, ambasador i Gjermanisë në Kosovë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Joern Rohde, ka folur për arrestimet dhe zhvillimet nga Gjykata Speciale, duke thënë se Gjermania e përkrah këtë Gjykatë.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ambasadori Rohde, ka thënë se detyrë e Speciales është kontributi në mënyrë vendimtare në zbardhjen e krimeve të luftës dhe të pas luftës.

Ambasadori gjerman ka deklaruar se në dialogun Kosovë-Serbi duhet të përfshihet edhe çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe dhe sipas tij, duhet të ketë një zgjidhje të favorshme për të dyja palët.

Teksa ka konfirmuar mbështjetjen e Gjermanisë për negociatat, Rohde ka thënë se dialogu mes të dyja vendeve, duhet të përfundojë me njohje reciproke.

Ambasadori ka theksuar se nëse partitë politike në Kosovë, nuk mund të arrijnë një zgjidhje për postin e presidentit të Kosovës, për këtë temë duhet të pyetet populli.

Ai ka folur edhe për liberalizimin e vizave, duke kërkuar nga Kosova, që përmes lajmeve të mira, t’i bind vendet skeptike.

Intervista e plotë:

"Bota sot": Z. Rohde, si e vlerësoni menaxhimin e pandemisë Covid-19 nga Qeveria e Kosovës?

Ambasadori Rohde: Nuk më takon mua të jap nota. Kjo pandemi paraqet një sfidë të madhe për secilën qeveri dhe për të gjithë ne, pavarësisht në cilin vend jetojmë. Gjithsecili ka një përgjegjësi karshi familjes dhe shoqërisë për të treguar disiplinë gjatë zbatimit të masave kufizuese – p.sh. duke mbajtur gjithmonë maskë. Qeveria e ka për detyrë edhe që të detyrojë zbatimin e rregullave. Kështu Gjermania, sikurse shumë shtete tjera evropiane, duke pasur parasysh shifrat e infesksioneve në rritje, sapo ka vendosur për një mbyllje të rreptë duke filluar nga 16 dhjetori për të ulur lakoren e infeksioneve dhe me të për të parandaluar një mbingarkim kërcënues të sistemit shëndetësor. Para kësaj çështjeje gjendet edhe Kosova, siç ka paralajmëruar edhe vet Kryeminisri Hoti gjatë një interviste rishtazi.

"Bota sot": Si e komentoni situatën aktuale politike në Kosovë, e veçanërisht çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri, ku nuk ka mbetur shumë kohë për këtë?

Ambasadori Rohde: Përgjegjësit politikë aktualisht nuk duket se janë në gjendje të paraqesin një zgjidhje të tyre për zgjedhjen e presidentit. Duket se gjithçka po sillet në vend. Kjo sigurisht është frustruese për qytetarët, pikërisht tani, kur luftimi i pandemisë dhe pasojave negative ekonomike që solli ajo, në vërtetë do të ishte dashur ta marrë tërë vëmendjen.

"Bota sot": A mendoni se një përfshirje e SHBA-së ose Gjermanisë në negociatat mes palëve politike në Kosovë, do të çonte në zgjidhjen e presidentit të ri të Kosovës?

Ambasadori Rohde: Këtë unë para pak kohësh e kam përshkruar si recetën më të thjeshtë të suksesit në demokraci: Kur politikanët nuk mund të merren vesh, pyetet populli. Kështu funksionojnë gjërat në demokraci dhe kështu e parasheh edhe Kushtetuta e Kosovës. Për këtë, sipas mendimit tim, votuesit nuk i nevojiten këshilla nga jashtë.

"Bota sot": Cili është qëndrimi i Gjermanisë karshi zhvillimeve dhe arrestimeve nga Gjykata Speciale?

Ambasadori Rohde: Gjermania, si të gjitha shtetet anëtare të BE-së, e ka përkrahur plotësisht vendimin e miratuar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës me dy të tretat e votave për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe e përkrah atë edhe më tej fuqishëm. Rëndësi ka që krimet ndaj personave civilë të mos mbeten të pandëshkuara, as kur ato kryhen në luftë, as pas luftës.

"Bota sot": A mendoni se Specialja do të zbardhë edhe vrasjet politike të pas luftës në Kosovë?

Ambasadori Rohde: Dhomat e Specializuara janë themeluar me qëllim që të mos ketë pandëshkueshmëri për krimet e kryera. Këtë ua kemi borxh familjarëve dhe ky është qëllimi i një procesi të sundimit të ligjit. Tani është detyrë e gjykatës për të kontribuar në mënyrë vendimtare në zbardhjen e këtyre krimeve.

"Bota sot": Të flasim për temën e dialogut. Serbia po insiston që temë e bisedimeve të jetë edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. A duhet të përfshihet kjo çështje në dialog?

Ambasadori Rohde: Përgjigja është po. Çfarë dua të them: Kuptimi i dialogjeve konsiston në atë që palët përpiqen për të zgjidhur çështjet e hapura. Qëllimi, siç dihet, është një marrëveshje përfundimtare, e cila të dyja shteteve ua hap rrugën për në BE. Kjo do të thotë që të dyja palët në tavolinën e bisedimeve i sjellin çështjet e tyre, qoftë njohja reciproke, personat e pagjetur, çështjet e pronësisë, apo çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe me qëllim për të diskutuar rreth tyre në mënyrë konstruktive. Gjithmonë duke pasur parasysh qëllimin që në fund të gjendjet një zgjidhje, e cila përgjithësisht paraqet një situatë në të cilën fitojnë të dyja palët.

"Bota sot": Si e shihni zgjidhjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi dhe a mendoni se ajo do të mund të arrihet gjatë presidencës së Joe Biden?

Ambasadori Rohde: Qëllimi i një marrëveshjeje përfundimtare është normalizimi i plotë i marrëdhënieve. Dhe në normalizimin e plotë të marrëdhënieve, sipas mendimit tim bën pjesë në këtë rast edhe njohja reciproke, sepse është e paimagjinueshme që BE do të pranojë shtete anëtare, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën. Se sa shpejtë arrihet një progres i tillë, kjo varet në radhë të parë nga vet palët bashkëbiseduese, Kosova dhe Serbia. Gjermania dhe BE-ja përmes Përfaqësuesit të Posaçëm Lajçak, dhe SHBA-të i mbështesin të dyja palët në përpjekjet e tyre për ta arritur këtë qëllim.

"Bota sot": Qytetarët e Kosovës kanë pritshmëri të madhe se gjatë presidencës së Gjermanisë, do t’iu mundësohet lëvizja e lirë në Evropë. Si duhet të binden shtetet anëtare që po e kundërshtojnë liberalizimin e vizave për Kosovën?

Ambasadori Rohde: Gjermania dëshiron progres në këtë çështje dhe e ka vendosur atë në rend dite në Bruksel. Mirëpo, akoma nuk janë bindur plotësisht të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Njëkohësisht është me rëndësi që qeveria e Kosovës të flasë drejtëpërdrejt lidhur me këtë çështje me vendet skeptike dhe t’i bind ato. Nga pikëpamja ime, do të ishte ndihmuese, sikur Kosova t‘u dërgonte këtyre shteteve më shumë lajme të mira. Qofshin rezultatet nga raporti më i ri i progresit të BE-së për Kosovën, të cilat konstatojnë: po citoj “Korrupsioni është gjerësisht i përhapur dhe paraqet shkak për shqetësim serioz“, apo situata aktuale e brendshme politike dhe paaftësia për të vendosur për një president të ri, apo për të miratuar ligje, të gjitha këto nuk janë shumë të dobishme për të marrë shpejt një miratim për çështjen e liberalizimit të vizave.

"Bota sot": Një raport i prezantuar në Parlamentin Evropian, ka nxjerrë në pah se Qeveria e Albin Kurtit u rrëzua nga dezinformatat. Si e shihni ju këtë?

Ambasadori Rohde: Kjo pyetje nuk do të duhej drejtuar mua, por palëve përkatëse. Dhe veç kësaj, këtu nuk bëhet fjalë për një raport, por një studim të Parlamentit Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat