Eurodeputetja gjermane parashikon zgjedhje të vështira për Kosovën: Këtë duhet ta bëjë qeveria e re

Intervista

Eurodeputetja gjermane parashikon zgjedhje të vështira për Kosovën: Këtë duhet ta bëjë qeveria e re

Më: 21 janar 2021 Në ora: 18:50
Viola von Cramon

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar Qeverinë Hoti ka shkaktuar paqëndrueshmëri në vend.

Kështu ka vlerësuar Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, duke folur për këtë vendim dhe shpalljen e pavlefshme të votës së ish-deputetit Etem Arifi.

Von Cramon në një intervistë për KlanK, ka deklaruar se në zgjedhjet e 14 shkurtit pret që të ketë një pjesëmarrje të lartë të votuesve dhe shpreson që zgjedhjet të jenë në një mjedis të drejtë dhe të lirë.

Ajo ka theksuar se Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të punojë sa më shumë në një reformim të shumë fushave në Kosovë, ku sipas saj, ka probleme serioze duke përmendur arsimin dhe sistemin shëndetësor.

Ndërsa sa i përket dialogut me Serbinë, Von Cramon ka kërkuar nga cilado parti që vjen në pushtet të ketë komunikim të vazhdueshëm edhe me opozitën.

Raportuesja e Kosovës në PE ka pohuar duhet të punohet sa më shumë rreth liberalizimit të vizave për të marrë mbështetje nga vendet që nuk e përkrahin Kosovën deri tani.

Intervista e plotë:

Si e komentoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për ta rrëzuar Qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti?

Viola von Cramon: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet, pavarësisht asaj se a është vendimi në vetvete i mirë apo i keq politikisht për ndonjë nga partitë. Sigurisht, kjo shkakton edhe më shumë paqëndrueshmëri, por çështja është tani se çfarë vjen më pas, për fat të keq, nuk është e qartë nëse paqëndrueshmëria e kahershme mund të zgjidhet.

A mendoni se politikanët e Kosovës duhet të punojnë më shumë këtë vit në drejtim të dialogut me Serbinë?

Viola von Cramon: Është vendimtare që të jetë një qeveri shumë e qëndrueshme pas zgjedhjeve. Ky është një parakusht jo vetëm për dialogun me Serbinë, por edhe për të pasur një qeverisje më të mirë në Kosovë. Dhe kushdo që formon qeverinë, është e rëndësishme të sigurohemi që dialogun do ta vazhdojë mbi atë që është arritur deri tani.

Ata duhet ta nxjerrin ekspertizën që kanë tashmë, ata nuk duhet të fillojnë gjithçka nga e para në dialog. Qeveria e ardhshme, kushdo që të jetë, duhet të sigurohet që ata të jenë në dialog të vazhdueshëm edhe me opozitën. Çdo marrëveshje me Serbinë mund të jetë e suksesshme vetëm nëse mbështetet nga të gjitha pjesët e shoqërisë së Kosovës.

Si e shihni punën e Qeverisë së Kosovës në lidhje me liberalizimin e vizave dhe a duhet bërë më shumë punë për këtë çështje?

Viola von Cramon: Qeveria duhet të përpiqet të bindë ato vende anëtare të BE-së të cilat deri më tani hezitojnë në këtë aspekt. Më e rëndësishmja, Franca është një nga vendet që ka disa shqetësime. Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet në një dialog me ta dhe të përpiqet të adresojë shqetësimet e tyre dhe t’ua dëshmojë atyre se kanë mendime të gabuara, kjo mund të jetë një mënyrë më e mirë për t’iu qasur asaj.

A mendoni se ndryshimi i shpeshtë i qeverive në Kosovë e bën vendin pasiv në aspektin e integrimit evropian?

Viola von Cramon: Sigurisht që nuk ndihmon. Por nuk ka të bëjë vetëm me integrimin evropian. Bëhet fjalë për mënyrën e qeverisjes së Kosovës, pavarësisht se çfarë thotë BE-ja. Kosova duhet të reformohet në një numër fushash, ka probleme serioze dhe i duhet një qeveri e qëndrueshme për të zhvilluar programe, për të dërguar ligje në një Kuvend funksional, dhe pastaj duhet t’i implementojnë ato reforma.

Ka probleme serioze në arsimin ose sistemin e kujdesit shëndetësor dhe ka shumë për të bërë! Dhe është shumë e kuptueshme që asnjë qeveri nuk mund të zbatojë reforma të rëndësishme brenda pak muajsh, por ata duhet të përpiqen për më të mirën e tyre, ata duhet të sigurohen që ata të propozojnë ligje të reja dhe të paktën të votojnë për ato projektligje. Siç e pamë në rastin e paketës lehtësuese COVID-19, parlamenti nuk ishte në gjendje ta votojë atë për një kohë të gjatë. Kjo është ajo që e pengon Kosovën.

Çfarë prisni nga zgjedhjet e 14 shkurtit?

Viola von Cramon: Këto janë kohëra të jashtëzakonshme. Do të jetë sigurisht shumë e vështirë të organizohen zgjedhje në mes të pandemisë dhe fatkeqësisht tani nuk do të ketë asnjë mision të plotë për vëzhgimin e zgjedhjeve nga BE. Shpresoj që edhe në këto rrethana do të ketë një pjesëmarrje të lartë të votuesve dhe shpresoj që zgjedhjet të jenë në një mjedis të drejtë dhe të lirë, pa frikësim të votuesve ose ndonjë problem tjetër.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat