Kandidatja për deputete e LDK-së: Duhet respektuar vendimi i Vjosa Osmanit, rrugët midis saj dhe LDK-së janë të ndara

Intervista

Kandidatja për deputete e LDK-së: Duhet respektuar vendimi i Vjosa Osmanit, rrugët midis saj dhe LDK-së janë të ndara

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 22 janar 2021 Në ora: 09:13
LDK

Në një intervistë për “Bota sot”, dr. Mimoza Shahini, kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka folur për pritshmëritë e saj nga zgjedhjet që do të mbahen më 14 shkurt.

Sipas saj, partia që ajo e përfaqëson përmbush pritjet e qytetarëve përmes kuadrove të saj.

Shahini ka folur edhe për kontributin që do të jap në rast se merr besimin e qytetarëve si deputete e ardhshme.

E pyetur edhe për Vjosa Osmanin, ajo thotë se rrugët e LDK-së me të janë të ndara plotësisht dhe nuk ka krizë ndërmjet tyre.

“Bota sot”: Cilat janë pritshmëritë tuaja nga zgjedhjet e 14 shkurtit?

Mimoza Shahini: Në radhë të parë shpresoj të kemi një fushatë elektorale mbështetur në parimet demokratike që e karakterizojnë një fushatë parimore larg shpifjeve ofendimeve dhe vulgaritetit dhe që mbështetet në një përballje programore. Gjithashtu pritshmëria ime është që votuesit ta japin votën me bindjen e tyre të plotë për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe për programin e saj i cili përmbush pritjet e tyre përmes kuadrove të saj Kuvendit të Kosovës.

“Bota sot”: Nëse merrni besimin e qytetarëve, në cilën fushë do të jetë kontributi juaj?

Mimoza Shahini: Mendoj që mund të kontribuoj në shumë fusha, por përgjithësisht në shëndetësi, shërbime sociale si dhe fushën e arsimit. Duke marrë parasysh që shoqëria jonë është e varfër, edhe shumë çështje specifike të ndërlidhura me personat me nevoja të veçanta, mosha e tretë, familjet e veteranëve si dhe kujdesi ndaj familjeve që kanë persona me probleme të shëndetit mendor do të jenë fokus i kontributit tim.

Image
Dr. Mimoza Shahini

“Bota sot”: Pse vendosët të hyni në këtë garë për deputete?

Mimoza Shahini: Kandidimi im është një vazhdimësi logjike e angazhimit tim personal dhe profesional. Kam bindjen që eksperienca dhe vullneti im do ju shërbej ndryshimeve rrënjësore që ka nevojë vendi. Të jesh përfaqësuese e atyre që ti ju ke shërbyer me tërë ekzistencën tënde është një privilegj dhe përgjegjësi shumë e madhe. Arsyes pse në listën e LDK kur kisha dhe opsione të tjera është i lidhur me bindjet e mia personale dhe vlerën emocionale që kanë këto tre germa në zemrën time. Unë kam besim tek e ardhmja dhe asgjë nuk mund t’i lëkund bindjet e mija.

“Bota sot”: Ju garoni si deputete nga radhët e LDK-së, si e vlerësoni krizën e kësaj partie me Vjosa Osmanin?

Mimoza Shahini: Unë personalisht mendoj që duhet respektuar vendimi i saj për të dalë nga LDK, dhe si e tillë nuk mendoj se aktualisht nuk ka ndonjë krizë në mes LDK dhe Vjosës. Rrugët midis tyre janë plotësisht të ndara.

“Bota sot”: Gatë publikimit të listave të kandidatëve, a mendoni se i është dhënë hapësirë e mjaftueshme femrave në të gjitha partitë?

Mimoza Shahini: Sigurisht që të gjitha partitë janë përpjekur të respektojnë kuotën gjinore të përcaktuar me 30%. Megjithatë mendoj që akoma partitë politike janë larg angazhimit të duhur të grave në jetën politike përmes angazhimit të tyre si pjesë organike e partive, më shumë më duken si pjesë teknike. Fatkeqësisht kjo nuk gjeneron një kuote gjinore përmbajtësore që mund të ndryshojnë cilësinë e debatit në Parlamentin e Kosovës. Kuota gjinore në parlamentin e Kosovës duhet të përcaktohet nga raportet gjinore të popullatës e cila voton, prandaj Kosova duhet të ketë një kuote 50 me 50 të përfaqësimit në Parlamentin e Kosovës por edhe në pozita vendimmarrëse.

“Bota sot”: Sipas juve, pse asnjë qeveri nuk po e përfundon mandatin e paraparë?

Mimoza Shahini: Arsyeja pse qeveritë nuk arrijnë t’i kryejnë mandatet për mendimin tim është në radhë të parë që ne jemi një demokraci e re dhe nuk kemi arritur atë pjekuri siç e kanë demokracitë evropiane apo më larg. Gjithashtu mendoj se qeveritë e krijuara kanë pasur një përzierje ideologjish e programesh të cilat shpesh kanë përjashtuar njëra tjetrën, duke krijuar mos konsistencë të vijës programore të qeverisë.

“Bota sot”: A është e gatshme LDK-ja edhe për ndonjë koalicion paszgjedhor?

Mimoza Shahini: Kjo mbetet të diskutohet pas rezultatit zgjedhor. LDK ka hyrë në listë të përbashkët me AKR dhe besoj që është e hapur edhe për koalicion paszgjedhor.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat