A ka SHBA vija të kuqe për shkëmbimin e territorit mes Kosovës dhe Serbisë? Ambasadori Kosnett: Nuk ka nevojë të brengoseni për të tani!

Intervista

A ka SHBA vija të kuqe për shkëmbimin e territorit mes Kosovës dhe Serbisë? Ambasadori Kosnett: Nuk ka nevojë të brengoseni për të tani!

Më: 25 janar 2021 Në ora: 18:26
Philip Kosnett

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, në një intervistë, ka folur për mundësinë e shkëmbimit territorial mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosnett u shpreh se tani për tani, nuk ka nevojë të brengosen kosovarët se mund të rrezikohen nga ana e një ideje të tillë.

Ambasadori amerikan thekson se në kohën sa në pushtet në SHBA, ishte administrata e Donald Trumpit, shkëmbimi territorial mes Kosovës dhe Serbisë ishte temë shumë e nxehtë, duke e shpjeguar se pse qeveria amerikane nuk e kundërshtonte në mënyrë të ashpër këtë ide.

Z. Ambasador, do t’jua shtroj edhe një pyetje për dialogun dhe politikën amerikane, e pastaj të kalojmë te zgjedhjet tona. Dëshiroj t’ju pyes drejtpërdrejt për një çështje që kohë të gjatë është shtruar e debatuar në Kosovë dhe kjo ka të bëjë me politikën amerikane kundrejt dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një çështje që është shtruar kohë të gjatë dhe ende diskutohet ka të bëjë me shkëmbimin e territorit si marrëveshje e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. A mund t’na e thoni mendimin e Shteteve të Bashkuara? A kanë Shtetet e Bashkuara vija të kuqe për shkëmbimin e territorit si pjesë e ujdisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Ambasadori Kosnett: Sa ishte administrata e Trump-it në pushtet, natyrisht kjo ishte çështje shumë e nxehtë dhe ajo që thonim atëherë ishte se Shtetet e Bashkuara nuk ndiqnin në mënyrë aktive shkëmbimin e territorit dhe thamë se nëse populli, jo vetëm qeveria, por populli i Kosovës dhe i Serbisë arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse që përfshinte ndonjë rregullim të kufirit, ne nuk do ta refuzonim atë menjëherë. Disa njerëz e kanë interpretuar këtë se kjo do të thotë që e përkrahnim shkëmbimin e territorit. Nuk e përkrahnim atë dhe administrata e Trump-it e ka thënë këtë vazhdimisht. Dëshiroj t’ua përkujtoj se kur z. Hoti dhe presidenti Vuçiq shkuan në Uashington, kishte njerëz që frikësoheshin që amerikanët do t’ua prezantonin një ‘çështje të gatshme’ me ndonjë plan që disi do të përfshinte shkëmbim të territorit. Dhe ne thamë që kjo nuk do të ndodhte dhe nuk ndodhi. Ne vazhdimisht kemi thënë, edhe unë kam thënë vazhdimisht që Shtetet e Bashkuara nuk do të mundohen të shtyjnë përpara një marrëveshje të papranueshme për popullin e Kosovës. E nëse administrata e Trump-it nuk e ka bërë këtë, askush nuk duhet të mendojë që administrata e Biden-it do të detyronte diçka mbi popullin e Kosovës.

Pra, a kemi vija të kuqe për këtë apo nuk kemi?

Ambasadori Kosnett: Po përpiqem të shpjegoj më hollësisht. E kam thënë edhe më parë, nuk shoh asnjë arsye që të pres se do të ketë shkëmbim të territorit sepse duket qartazi e papranueshme për popullin e Kosovës. Dhe njerëzit vazhdojnë të pyesin për këtë dhe mendoj se ka çështje më relevante…

Po, njerëzit janë të interesuar për këtë.

Ambasadori Kosnett: Po, por ka çështje më relevante për të menduar përkitazi me atë se si t’i përmirësojmë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe thjeshtë nuk e shoh shkëmbimin e territorit si çështje shqetësuese tani. E kuptoj pse ka qenë çështje në të kaluarën, por mendoj se nuk ka nevojë të brengoseni për të tani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat