Alma Lama: Kosovës i duhet LDK-ja dhe politikat e saj realiste e konstruktive

Intervista

Alma Lama: Kosovës i duhet LDK-ja dhe politikat e saj realiste e konstruktive

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 27 janar 2021 Në ora: 10:12
Alma Lama

Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Alma Lama në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur në lidhje me situatën politike në vend, duke e parë një situtatë të brishtë dhe bllokuese për zhvillimin e vendit.

Kandidatja Lama, e pyetur për opsionin e zgjedhjeve në vend se a ishte i duhuri, ajo u shpreh që nuk ishte e nevojshme për arsyje se zgjedhjet janë mbajtur edhe para një viti dhe është kohë pandemie dhe se zgjedhjet e vështirësojnë situatën.

Lama gjithashtu u pyet për koaliconet parazgjedhore duke u shprehur që janë vetëm pjesë e lojës demokratike, ndërsa për koalicionin e Kurtit dhe Osmanit, ajo tha që bashkëpunimi dhe jo përjashtimi duhet të jetë qasja e politikanëve modernë.

Kandidatja foli edhe për pjesëmarrjen e saj në listën e LDK-së dhe qëllimin që ka ajo, duke thënë që ajo ka qenë gjithmonë pjesë e LDK-së mirëpo që tani e ka parë momentin të kontribuoj për vendin.

Lama flet për postin e presidentit, ku thotë që subjektet politike duhet të ballafaqohen me programet politike mes veti për zhvillim të vendit, e jo të mundohen të diskualifikojnë njëri-tjetrin me metoda aspak demokratike.

Intervista e plotë

“Bota sot” : Si e komentoni situatën politike në Kosovë?

Alma Lama: Situata politike në Kosovë vazhdon të mbetet e brishtë, konfliktuale dhe bllokuese për zhvillimin e vendit. Përditë e me shumë dëshmohet mungesa e kulturës shtetërore dhe saj demokratike. Prej vitesh disa subjekte politike eksperimentojnë me shtetin, dhe konfliktet politike ndërmjet subjekeve, që bëjnë luftë thjeshtë për pushtet, po prodhojnë situata të absurdit politik, sic janë zgjedhjet e jashtëzakonshme gati cdo vit. Kjo gjë po krijon mungesë stabiliteti ekonomik dhe politik dhe po i largonë të gjithë investitorët e huaj potencialë, që janë kaq të rëndësishëm për hapjen e vendeve të reja të punës. Si pasojë kemi një largim të të rinjve në kërkim të një jete më të mirë në shtetet e Europës. Për të dytën herë me radhë qeveria e udhëhequr nga LDK-ja pengohet që ta kryejë detyrën e saj, dikur me dhunë e gaz lotësjellës, tani me një vendim absurd të Gjykatës Kushtetuese, e cila për shkak të gabimit të një deputeti, i ka marrë mandatin edhe 119 deputettëve dhe e ka çuar vendin në zgjedhje.

“Bota sot” : A mendoni që zgjedhjet ishin opsioni i duhur në këtë kohë pandemie?

Alma Lama: Unë nuk mendoj se këto zgjedhje ishin të nevojshme, pasi Kosova kishte zhvilluar zgjedhje vetëm një vit më parë. Për më tepër në kohë pandemie, zgjedhjet e vështirësojnë situatën dhe mund të shërbejnë për të përhapur edhe më shumë virusin, për shkak të takimeve politike që mbahen në çdo cep të Kosovës. Pra janë një rast ideal për përhapje të virusit, e nga ana tjetër janë një pengesë e madhe për të të përballuar rënien ekonomike që ka prodhuar pandemia.

“Bota sot” : Si i shihni koalicionet parazgjedhore?

Alma Lama: Nuk ka pasur shumë të tilla, por i shoh si pjesë e lojës demokratike. Natyrisht duhen lënë jashtë listave partiake ata që tentojnë që të blejnë me para vendet nëpër lista zgjedhore, pasi dëmtojnë demokracinë.

“Bota sot” : Koalicioni mes Kurtit dhe Osmanit a mund të jetë i “frytshëm” për vendin?

Alma Lama: Kjo mbetet për tu parë, por paraprakisht mund të them se nuk ka ndonjë koalicion, por një listë të përbashkët zgjedhore që është ajo e VV, ku bën pjesë edhe zonja Osmani, edhe pse me një identitet të vetin. Unë mendoj se bashkëpunimi dhe jo përjashtimi duhet të jetë qasja e politikanëve modernë. Ne brezi i ri apo i mesëm i politikanëve në përgjithësi i kemi duart e pastra, por as kjo nuk mjafton, duhet të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, të gjejmë gjuhën e përbashkët të qeverisjes. Polarizimi i shoqërisë, populizmi që është ngritur si një uragan, që duket se do marrë përpara gjithçka, shumë shpejt do të vërtettohet se është një mashtrim dhe iluzonet do të shuhen e zhgënjimi që do të pasojë do të jetë i madh, sic ka ndodhur në plot vende ku ka pasur një fenomën të tillë. Kosova ka nevojë për politikanë realistë dhe politika realiste për të udhehequr vendin, jo populizëm dhe aventurizma institucionalë. Shteti i Kosovës prej vitesh vuan nga mungesa e seriozitetit të shumë zyrtarëve, mungesa e respektimit të ligjit dhe mungesa e ekspertizës, dhe qasja populiste nuk besoj se do të sjellë frutet që me të drejtë i presin qytetarët. Kosova e ka modelin e politikës që duhet ta kopjojë, është ai i vendeve europiane, me demokraci të zhvilluar.

“Bota sot” : A do të ndikojë largimi i Osmanit tek elektorati i LDK-së?

Alma Lama: Kjo është një pyëtje që bëhet çdo natë nëpër studio televizive. Unë them se jo, po ashtu edhe nga terreni ku jam çdo ditë, më duket ashtu, mirëpo zgjedhjet do ta tregojnë të vërtetën. Praktikisht e shoh të vështirë që njerëzit e LDK-së të votojnë VV-në të cilën e konsiderojnë si një krah radikal të PDK-së. LDK ka kaluar shumë momente të vështira në historinë e saj, të ndarjeve dhe bashkimeve, dhe nuk besoj se individë të caktuar mund ta dëmtojnë.

“Bota sot” : Ju do të jeni pjesë e listës së LDK-së për 14 shkurtin, pse pikërisht LDK-ja?

Alma Lama: Unë tashmë jam pjesë e listës dhe kam një numër që lidhet me një vit historik, atë të hapjes së Shkollës së parë Shqipe në Korcë, 1887. Nr im pr është 87, dhe këto lloj rastësish simbolike i kam shumë qef. Unë jam në LDK prej vitit 2013, pra asnjeherë nuk jam larguar edhe pse me 2016 kryeministri Mustafa më caktoi një detyrë shtetërore, siç ishte përfaqësimi i Republikës së Kosovës në Itali. Kthimi im në LDK është i natyrshëm, ndërsa subjektet e tjera nuk kanë qenë asnjëherë opsion. Këtë herë pata shumë kërkesa edhe nga vetë elektorati i LDK-së që të përfshihem në listë, e po ashtu edhe simpatizantë të mi jashtë LDK-së. Nga ana tjetër, gjykova se ky është momenti për të dhënë kontributin tim për LDK-në, tani kur partia është në një moment më të disfavorshëm sesa më herët.

“Bota sot” : Cilat janë pretendimet tuaja lidhur me rezultatet e LDK-së në këto zgjedhje?

Alma Lama: Unë mendoj se LDK-ja pavarësisht propogandës mediatike dhe bombardimit të opinionit publik se do dalë keq pasi i ka ikur elektorati, do të arrij të dalë triumfuse dhe përcaktuese e koalicioneve të ardhshme politike në Kuvend. Një pjesë e elektoratit gjithmonë lëviz, përndryshe do të fitonte gjithnjë e njejta parti. Unë pres të jetë parti fituese, dhe për këtë po mobilizihem edhe unë.

“Bota sot” : Si e komentoni thirrjet e Osmanit drejt elektoratit të LDK-së, për ta votuar VV-në?

Alma Lama: Elektorati i LDK-së është mjaft besnik dhe besoj se edhe këtë herë do mbështesë LDK-në. Linsta e deputetëvë të LDK-së ka emra dinjitozë, të rinj, të shkolluar e ekspertë, prandaj nuk ka asnjë arsye për të mos i votuar. Sa për thirrjet që ju referoni, nuk dua të merrem me emra individësh, pasi nuk është pjesë e sjelljeve të mia politike. Do të jetë kutia e votimit ajo që do të tregojë se sa mbështetje do të ketë secila parti politike, dhe secili kandidat, megjithëse gara shumë shpesh është e pabarabartë si në raport me financat, ashtu edhe prezencën mediatike.

“Bota sot” : A do të jetë “mollë sherri” posti i presidentit për partitë politike?

Alma Lama: Kushtetuta e Kosovës, me vetë nenin që kërkon që presidenti të zgjidhet me 2/3 pra me shumicë të cilësuar, nënkupton se do të duhej të zgjidhej një president konsensual, që vjen si fryt i bashkëpunimit të partive politike. Asnjë subjekt nuk e ka luksin ta zgjedhë vetëm presidentin, prandaj akuzat e sharjet në fushatë nuk i bëjnë mirë procesit demokratik. Unë ftoj që të ballafaqohen programet ndërmjet subjekteve politike, për të gjitha fushat për zhvillimin e vendit, e jo të mundohen të diskualifikojnë njëri-tjetrin me metoda aspak demokratike, linçime, sharje e fyrje. LDK ka një program tepër të detajuar sidomos për ekonominë, që është tepër me rëndësi, dhe i duhet vendit. Nga ana tjetër nëse dikush thotë se o vendos këtë president, o shkojmë në zgjedhje të tjera, duhet të dihet se po e dëmton shumë rëndë Kosovën, me mungesën e stabilitetit politik.

“Bota sot” : Si i shihni përplasjet që po kanë udhëheqësit e Kosovës me liderët e Shqipërisë?

Alma Lama: Mendoj se përplasjet ndërmjet liderëve politikë në të dy anët e kufirit janë shumë të dëmshme, si për shoqërinë shqiptare në tërësi, ashtu edhe për dëmin që shkatojnë në raport me armiqtë tanë të përbashkët, të cilët fërkojnë duart nga gëzimi kur na shohin të grindemi. Ata që nxisin përçarje apo i hedhin benzinë zjarrit në këto raporte janë duke punuar kundër interesave shtetëroe dhe interesave kombëtare. Shqipëri-Kosovë duhet të kenë raporte të shkëlqyera bashkëpunimi, dhe nuk ka asnjë arsye për të mos i patur të tilla. Liderët populistë duhet të heqin dorë nga përçarja kombëtare, për interesat e tyre elektorale.

“Bota sot” : Sa kanë arritur deri tani dy qeveritë e kaluara ta menaxhojnë situatën e pandemisë?

Alma Lama : Kjo është një pyetje që më së miri mund të përgjigjen ekspertët e shëndetësisë, por mendoj se puna e ministrit të Shëndetësisë Zemaj ka qenë e shkëlqyer, dinamike dhe fakti që kemi shifra relativisht të ulëta të vdekjeve tregon për këtë. Natyrisht në Kosovë ka pasur edhe faktorë të tjerë të rëndësishëm, siç është popullsia e re, e cila e përballon më mirë virusin. Presim që edhe vaksina të vijë shumë shpejt dhe të dalim nga kjo gjendje, e cila ka shkaktuar edhe dëmë në ekonomi, si në të gjitha vendet e tjera. Është një krizë botërore që do të ketë pasoja të gjata, por shpresojmë si vend i vogël dhe solidar, t’i tejkalojmë sa më shpejt.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat