Rita Spahiu: Zgjidhja është LDK-ja, do të fitojë bindshëm

Intervista

Rita Spahiu: Zgjidhja është LDK-ja, do të fitojë bindshëm

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 2 shkurt 2021 Në ora: 07:58
Kandidatja për deputete në LDK, Rita Spahiu

Kandidatja për deputete në LDK, Rita Spahiu, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se në këto zgjedhje pret që LDK-ja të dalë fituese, sepse ka treguar me punë e saj dhe se di të udhëheqë shtetin.

Sa i përket marrëveshjes në mes Kurtit dhe Osmanit, ajo thotë se,  nuk është model i mirë i të bërit politikë por janë vënë në pah interesat personale.

E pyetur për sondazhin me që rast LDK-ja është radhitur e treta, ajo thotë se sondazhe të tilla ka pasur gjithmonë, por populli janë ata që e kanë dëshmuar të kundërtën.

Spahiu në këtë intervistë ka folur edhe për punën qeverisëse të Avdullah Hotit.

Ajo ka thënë se e vlerëson shumë lart, dhe duhet t’i përmendin të gjitha punët e të arriturat e Qeverisë Hoti, duke nisur nga menaxhimin i pandemisë, rimëkëmbja ekonomike, si dhe normalizimin e marrëdhënieve me SHBA-të, prandaj Kryeministri Hoti dhe LDK-ja duhet të vazhdoj të qeverisë shtetin.

“Bota sot”: Pse pikërisht në LDK?

Rita Spahiu: Sepse LDK është parti shtet-ndërtuese, e intelektualëve është parti e tri gjeneratave të cilat funksionojnë brenda saj ku demokracia, fjala e lirë e shprehja e mendimit janë alfa dhe omega e të bërit politikë. LDK është parti e cila historikisht ka pasur rol kyç nëpër të gjitha fazat e shtet-ndërtimit të Kosovës me doemos këto janë vlera dhe më bëjnë të ndihem mirë aty, duke mos anashkaluar edhe kontributin e brezave të familjes time në LDK.

“Bota sot”: Çfarë prisni nga zgjedhjet e 14 shkurtit, a do të ketë ndonjë koalicion paszgjedhor?

Rita Spahiu: Pres që LDK të dal fituese sepse ka treguar me punën e saj se di të mbajë dhe të udhëheq Shtetin. Sa i përket koalicioneve janë organet e partisë ato që vendosin pasi që të lexojnë rezultatin e zgjedhjeve. Tradicionalisht LDK vendimet e saj i ka marrë pas diskutimit dhe vendimeve në organet e saj.

“Bota sot”: LDK-ja ka filluar aktivitetet elektorale në terren, si po ju ecën fushata?

Rita Spahiu: Fushata po ecën shumë mirë, deri më tani kemi takuar të gjitha strukturat e degëve në të gjithë Kosovën, duke përfshirë edhe strukturat e Forumit të Rinisë së LDK-së, ajo çka vërehet dukshëm është entuziazmi dhe angazhimi maksimal i të gjithëve për një fitore të bindshme të LDK-së me 14 Shkurt.

“Bota sot”: Si e komentoni marrëveshjen mes Osmanit dhe Kurtit për një listë të përbashkët për zgjedhjet e 14 shkurtit?

Rita Spahiu: Nuk do doja fare të komentoja për ta, por është model jo i mirë i të bërit politikë dhe thjesht janë vënë në pah interesat personale.

“Bota sot”: A mendoni se Vjosa është e duhura për të qenë presidente ?

Rita Spahiu: Presidenti për mendimin tim duhet të jetë konsensual e unifikues, nga ajo se çfarë kemi parë deri më tani, personi në fjalë është shumë larg këtyre dy elementeve të këtij institucioni të rëndësishëm. Por, gjithsesi është dëshirë e parealizuar për shkak të konstalacionit politik.

“Bota sot”: Me çfarë rezultati mendon se do të përfundoni në këto zgjedhje?

Rita Spahiu: Fitore bindëse pa dyshim sepse janë bërë shumë punë të mira dhe kemi treguar kulturë institucionale e shtet-ndërtuese, unë jam në terren çdo ditë dhe kam takime me të reja e të rinj, qytetarë të shumtë e me gjitha strukturat e LDK-së dhe e shoh një entuziazëm, aktivizim e punë të madhe që po bëhet në terren, e kjo padyshim se do ta nxjerr LDK-në fituese të këtyre zgjedhjeve.

“Bota sot”: Tani kanë dalë disa sondazhe që LDK-në e radhitin si subjektin e tretë në këto zgjedhje. Si i komentoni këto sondazhe?

Rita Spahiu: As që merremi fare me to, këso lloj sondazhe fiktive ka pas gjithmonë nëpër gjitha proceset që ka kaluar LDK-ja, e në fund qytetarët janë ata të cilët e kanë dëshmuar të kundërtën, kështu që sa i përket kësaj teme nuk dua të merrem fare me to.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e qeverisë së Avdullah Hotit? Mendoni se duhet t'i jepet edhe një mundësi z. Hoti dhe LDK-së për të qeverisur më vendin?

Rita Spahiu: E vlerësoj shumë lart, është bërë një punë e madhe e palodhshme gjithmonë në të mirë të qytetarëve e të shtetit tonë, na duhet kohë e gjatë që të flasim e t’i përmendim të gjitha punët e të arriturat e Qeverisë Hoti duke filluar nga menaxhimi i pandemisë, çështjet e sigurisë, rimëkëmbja ekonomike, normalizimi i marrëdhënieve me SHBA-të e shumë punë të tjera, prandaj padyshim që Kryeministri Hoti dhe LDK-ja duhet të vazhdoj të qeverisë me punët e mira për shtetin tonë.

“Bota sot”: A mendoni se këto zgjedhje do të sjellin zgjidhje për Kosovën?

Rita Spahiu: Zgjidhja është LDK-ja, ne e pamë qeverisjen e LDK-së andaj e vetmja zgjidhje mbetet LDK-ja që të vazhdoj ta ruaj e ta mbroj shtetin e Kosovës.

“Bota sot”: Çfarë synoni të arrini në politikë?

Rita Spahiu: Angazhimi im në politikë, e në LDK është i hershëm, jam idhtare që rrugëtimi politik e ngritja politike të bëhet mbi bazën e punës dhe kontributin brenda subjektit politik,duke respektuar hierarkinë dhe rregullat statutare. Unë do të vazhdoj të punoj dhe të kontribuoj pa reshtur për LDK-në, e LDK-ja ka treguar që u jep hapësirë të rinjve e atyre që punojnë e veprojnë dhe e mbrojnë LDK-në. Unë ndihem mirë me të arriturat e mia në LDK, kam filluar si e re në Forumin e Rinisë të LDK-së, kam vazhduar me aktivitetin tim në nëndegë, kam arritur të bëhem sekretare e FRLDK-së, kam prezantuar LDK-në e të rinjtë në shumë konferenca vendore e ndërkombëtare, e tani jam kandidate për deputete në listën e LDK-së dhe nuk do të ndalem me kaq, por ambiciet dhe rrugëtimi e ngritja brenda subjektit duhet të bëhet natyrshëm e mbi bazën kontributit që e jap.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat