Veprimtari i çështjes kombëtare: LVV-ja ia tregoi vendin atyre që e kapën dhe e zbrazën Kosovën

Intervista

Veprimtari i çështjes kombëtare: LVV-ja ia tregoi vendin atyre që e kapën dhe e zbrazën Kosovën

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 27 shkurt 2021 Në ora: 11:39
Gani Krasniqi dhe Albin Kurti

Themeluesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gani Krasniqi, njëherit veprimtari i çështjes kombëtare, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit ishte pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosjes për deputet.

Krasniqi në një intervistë ekskluzive dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se qytetari në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit ua tregoi vendin atyre që për 20 vite e kishin kapur dhe vjedhur shtetin e Kosovës.

Përkundër fitores së madhe të shënuar, Krasniqi ka bërë me dije se partia e tij do të vazhdoj të jetë e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme karshi qytetarit.

I pyetur se kur do të krijohet qeveria e re e Kosovës, Krasniqi ka treguar se një gjë e tillë do të ndodhë në momentin që do të certifikohen rezultatet, kurse, lidhur me një koalicion të mundshëm, ai ka thënë se partner të vetëm e shohin qytetarin.

Në këtë intervistë, Krasniqi ka folur edhe për prioritet e qeverisë së ardhshme, për kandidaten për presidente të Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe për rezultatin e mirë të shënuar të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Malishevës.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: z. Krasniqi, Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit ka korrur një fitore të jashtëzakonshme. Si e keni parë ju këtë rezultat?

Gani Krasniqi: Lëvizjes Vetëvendosje bashkë me iniciativën “Guxo” të Vjosa Osmanit, qytetari-votuesi, ia fali besimin, përmes vullnetit të shprehur me votë, që t’i shërbej për këtë mandat, që t’i e quan fitore të jashtëzakonshme. E çka të pazakontë në këtë mes, i nderuar. E pazakontë na qenka, të ndëshkosh me votë, atë qeveri që të ka vë në listë të zezë nga krimi i organizuar e korrupsioni i paparë? E jashtëzakonshme është, t’iu thua mjaftë më, atyre që poshtëruan shëndetësinë, arsimin dhe jetën shoqërore në përgjithësi, që 20-të vjet me radhë? Vallë, e jashtëzakonshme na qenka, t’ua tregosh vendin, atyre që në emër të drejtësisë, kanë kapur sistemin gjyqësorë; atyre që zbrazën Kosovën, edhe më shumë se ç’bëri Serbia në vitet ‘90- ta, në kohën e pushtimit më të vrazhdë. Atyre, që në emër të privatizimit, shkatërruan ekonominë. Atyre që, në emër të demokracisë instaluan anarkinë. Jo i nderuar, e jashtëzakonshme do ishte, sikur votuesit t’ia zgjatnin jetën të keqes së madhe njëzetvjeçare, e cila, rëndoi e lëngoi mbi supin e tyre, qytetarit të shumëvuajtur e që ua bëri sketër jetën. Kjo do ishte më shumë së e keqe, por këtë, s’ia lejoj dot vetës qytetari ynë i zhgënjyer. Ai bindshëm vendosi për ndryshimin e madh.

Image
Gani Krasniqi

“Bota sot”: A mund ta shpjegoni me pak fjalë, pse gjithë kjo mbështetje e madhe për Lëvizjen Vetëvendosje?

Gani Krasniqi: Në vlerësimin tim, gjëja më e zakontë, më e njerëzishme, më e natyrshmja, më qytetarja, që e bëri ketë të mundur për të ndodhur, në këtë nënqiell shqiptarë, është pikërisht kjo; të shprehësh vullnetin përmes votës dhe të përcaktosh, se cila është ajo forcë politike që do t’ia besosh mandat-shërbimin. Pra, cili subjekt politik është i gatshëm të merr përsipër përgjegjësitë për të qeverisur. Kjo është qytetaria; kështu kultivohet demokracia. Pra, duke kryer obligimin shoqëror, qytetar, kombëtar e kushtetues, në të njëjtën kohë institucionalizon vullnetin tënd, se cili është i përgjegjshëm për të shërbyer. Ka këtu gjë për t’u çuditur. Në shikim sipërfaqësorë, qytetari ynë, sikur dukët ca i përgjumur. Por, e vërteta tregon të kundërtën e asaj, që mashtruesit mashtruan vetën e tyre. Njeriu ynë është i pjekur politikisht, madje, shumë më shumë se ç’mashtrojmë në vetën, ani se duron shumë, duke të vëzhguar në veprime dhe premtimeve të bëra, por ai nuk flenë dot. Ky reagon mu në kohë, dhe thotë; ja këtu jam, nuk lejoj dot më... Lëvizja Vetëvendosje jo vetën se ishte, por gjithnjë do jetë, e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme në veprimet e saja, qoftë opozitare apo tani në qeverisje. Ishte dhe do mbetet konsistente në qëndrimet e saja, në raport me qytetarin; ishte e sinqertë dhe e hapur ndaj tij, jetonte me hallet dhe vështirësitë e që përballej ai. Me fjalë tjera ishte vet qytetari. E këto jo vetëm i vërejti, por i vlerësoj lart qytetari, dhe në bazë të kësaj gjykoi më 14 shkurt.

“Bota sot”: PDK dhe LDK kanë rënie të madhe në këto zgjedhje. Cili është komenti juaj për këtë rezultat të tyre?

Gani Krasniqi: Kjo është pyetje, që duhet t’iu parashtrohet përfaqësuesve të atyre subjekteve politike, jo mua. Në gjykimin tim, kur qytetari fiton, s’ka të humbur.

“Bota sot”: Në rast se nevojitet një koalicion qeverisës, kush do të ishte partner i mundshëm?

Gani Krasniqi: Lëvizja Vetëvendosje e ka thënë shumë qartë dhe shtruar, madje të përsëritur disa herë se koalicion të vetëm dhe të përhershëm e ka atë, për të cilin ia kushton tërë qenien e saj, me angazhim e përkushtim, me ndershmëri e sinqeritet, është ai që motivon për aktivizëm, frymëzon për punë, e ai është qytetari.

“Bota sot”: Vjosa Osmani, është kandidatja e subjektit tuaj për postin e presidentit. Mendoni se do ta arrini ta bëni të pare të shtetit?

Gani Krasniqi: Lëvizja Vetëvendosje kurrë si ka marrë punët me “nëse” as me “ndoshta”, me dy mëndje, si thotë fjala. Lëvizja Vetëvendosje ka ndarë mendjen, njëherë e mirë, për atë që e dëshiron, mbi të gjitha atë që meriton qytetari ynë, që Kosovës t’ia afroj institucionet, të cilat i japin kuptim jetës; qeverisje ku sundon ligji në mënyrë të barabartë për të gjithë, ku i afrohen shërbimet në shëndetësi, arsim, në jetën e përgjithshme shoqërore pa dallim përkatësie, fetare apo kombëtare, partiake. Me fjalë tjera, qeverisje që e bënë jetën të dëshirueshme, njeriun tonë të mirë të dinjitetshëm për atdheun e tyre; krenarë për kombin që i përket.

“Bota sot”: Kur pritet të formohet Qeveria e re?

Gani Krasniqi: Më të përfunduar numërimi i votave nga KQZ-ja dhe certifikimi i tyre, Kuvendi i Kosovës do të filloj papritur e me padurim, me formimin e organeve shtetërore. Për këtë populli dha verdiktin. Lëvizja Vetëvendosje do të sillet ndershëm e përkushtueshëm, përgjegjshëm dhe ndërgjegjshëm, tamam ashtu siç u soll në 51 ditshin e para dy vjetëve.

“Bota sot”: Si duhet të sillet Lëvizja Vetëvendosje në pozitë gjatë këtij mandati? Dhe cilat janë prioritetet kryesore?

Gani Krasniqi: Prioritetet do të jenë reforma në drejtësi, ku garanton qasje të barabartë në arsim, shëndetësi. Zhvillim ekonomik, që afron punësim, mirëqenie sociale, duke i dhënë rëndësi profesionalizmit përherë.

“Bota sot”: Lëvizja Vetëvendosje një rezultat të mirë pati edhe në Komunën e Malishevës, komunë kjo prej nga vini edhe ju. A pretendoni që Malishevën ta merrni në zgjedhjet lokale?

Gani Krasniqi: Malisheva është ajo e cila e pësoi më së keqi, nga këto të këqija që përjetoi Kosova, me mundësitë e pakta për të afruar, por tërrpitë e pangopura për gllabëruar. Se meritojnë qytetarët e Llapushës të drejtohen nga këta që moto e tyre është, “njëherë për ne, ajo që mbetet, për qytetarët”. Këtë e manifestuan në këto zgjedhje qytetarët. Këta, më në fund, ia kthyen Malishevën vetës tyre, qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat