Zafir Berisha tregon se çfarë ndikoi në rezultatin e Nismës në zgjedhje, shpall kandidaturën për kryetar të Prizrenit

Intervista

Zafir Berisha tregon se çfarë ndikoi në rezultatin e Nismës në zgjedhje, shpall kandidaturën për kryetar të Prizrenit

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 2 mars 2021 Në ora: 07:51
Zafir Berisha

Kandidati për deputet nga Nisma Socialdemokrate, njëherësh edhe Koordinator Nacional për Siguri Kibernetike në Qeverinë Hoti, Zafr Berisha, ka deklaruar se do të jetë kandidat për kryetar të Prizrenit.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka folur për rezultatin e Nismës Socialdemokrate në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

Për më tepër, ai ka treguar se çfarë ka ndikuar në rezultatin jo të favorshëm të partisë së tij.

Po ashtu Berisha ka folur edhe për sigurinë kibernetike në Kosovë, duke theksuar se mungesa e ligjit ka nxjerr shumë probleme që dëmtojnë betejën për siguri më të qëndrueshme kibernetike.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e shihni situatën politike në vend?

Zafir Berisha: Situata politike në Kosovë nuk është shumë e qëndrueshme sepse kemi akumulim të problemeve të cilat duan zgjidhje e kur kemi parasysh se pas zgjedhjeve kemi një garniturë politike që ka fituar si rezultate i mashtrimit masive që janë produkte e një lufte speciale të gjatë që është bërë edhe me ndihmën e propagandës nga Serbia dhe Rusia, vështir se do të ketë zgjidhje të shpejte të problemeve politike dhe ekonomike!

“Bota sot”: Si i komentoni rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit?

Zafir Berisha: Rezultati në zgjedhje nuk ka qenë i favorshëm për Nismën sepse vendosem të dalim në mbrojte të një kauze “me çlirimtarët” e cila ka 20 vite që sulmohet nga Serbia dhe argatët e saj duke i ndihmuar edhe nga soji i Salustros, një ndërkombëtar i cili për shumë vite sajoi dosje të pabaza dhe me shpifje kundër luftëtareve të UÇK, shantazhe këtë mbi të cilat binomi Kuti-Osmani ngritën karrierën politike, për kujtesën e lexueseve tuaj, Salustro sot është këshilltar i kryeprokurorit të Serbisë d.m.th është kthyer te punëdhënësi i vet!

“Bota sot”: Çfarë ndikoi te votuesit që Nisma mos ta marrë sërish mbështetjen e qytetarëve? A pati ndikim edhe shkuarja e Jakup Krasniqit në Hagë?

Zafir Berisha: Në rezultat jo të mirë natyrisht ndikoi edhe arrestimi e Bacës Jakup, si themelues i Nismës dhe bartësi i vlerave çlirimtare për të cilat fola më lartë se sa dhe nga kush është sulmuar deri në ”lavazh të trurit”, të një numri të qytetarëve që se kanë lodhur veten për të analizuar se prej kujt kanë rënë dhe në mulli të kujt po çojnë ujë!!!

“Bota sot”: A po njolloset lufta e UÇK-së me akuzat e ngritura nga Gjykata Speciale?

Zafir Berisha: Pikërisht për këtë në zgjedhje kemi dalë me sloganin #meçlirimtarët, duke parë se Serbia dhe Rusia me ndonjë shqiptar, që flet shqip e mendon serbisht në vazhdën e luftës kundër Kosovës po lufton të dëmtojë themelin e shtetit, e që është UÇK për të parë më lehtë, për të dëmtuar të ardhmen vendit tonë.

“Bota sot”: A do të marrë pjesë Nisma në zgjedhjet lokale?

Zafir Berisha: Presim gjatë marsit dhe prillit t’i përfundojmë zgjedhjet e brendshme të partisë që kanë mbetur në gjysmë dhe të fillojmë pastaj përgatitjet për zgjedhje lokale që priten të mbahen në tetor!

“Bota sot”: A do të jeni kandidat për kryetar të Prizrenit?

Zafir Berisha: Sigurisht do të kandidoj sepse kam obligim moral, njerëzor e qytetar para prizrenasve, që Myten dhe këtë grumbull kalamajsh politik t’i dërgoj në shtëpi. Pasi e llogaris veten fajtor që i kam sjell në pushtet, kuptohet pa e dituar se sa hajdutë janë që po ja kalonin edhe PDK-së!

“Bota sot”: Për momenti ju jeni Koordinator Nacional për Siguri Kibernetike në Qeverinë Hoti, sa ka Kosova siguri të hapësirës kibernetike?

Zafir Berisha: Kosova ka djem e vasha të mrekullishëm të cilët janë të angazhuar në institucione për të ofruar siguri në fushën kibernetike. Fatkeqësisht ligji për siguri kibernetike ka mbetur në sirtar dhe mungesa e këtij ligji nxjerr shumë probleme që dëmtojnë betejën për siguri më të qëndrueshme kibernetike!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat