Prof. Elton Skëndaj: Demokracia në Shqipëri ende jo në nivelin e duhur

Intervista

Prof. Elton Skëndaj: Demokracia në Shqipëri ende jo në nivelin e duhur

Më: 4 mars 2021 Në ora: 21:40
Elton Skëndaj

Autori i kapitullit për Shqipërinë në raportin e këtij viti për lirinë në botë të organizatës Freedom House, thotë se ka pasur përmirësim në demokracinë e vendit, por ai vazhdon të jetë i pamjaftueshëm. Elton Skëndaj, profesor i studimeve për paqen në Universitetin Manchester të Indianës, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se Shqipëria vazhdon të ketë probleme me sundimin e ligjit, korrupsionin dhe zgjedhjet. Prof. Skëndaj i tha koleges Keida Kostreci se kuptimi i vërtetë i përparimit është kur ata që janë në pushtet i shërbejnë publikut.

Prof. Skëndaj, edhe këtë vit Shqipëria ishte radhitur mes vendeve pjesërisht të lira në raportin e përvitshëm të organizatës Freedom House për Lirinë në Botë. Cilat janë gjetjet kryesore të raportit për këtë vit?

Elton Skëndaj: Shqipëria vazhdon të jetë tek niveli i demokracisë hibride, ose pjesërisht e lirë. Kjo do të thotë që ndërkohë që institucionet e demokracisë janë aty, ato nuk funksionojnë plotësisht mirë. Ka çalime në të drejtat, ka çalime në sundimin e ligjit, ka çalime tek zgjedhjet. Në këtë rast Shqipëria vazhdon që ashtu si vendet e rajonit, të shikohet si demokraci hibride, si pjesërisht e lirë.

Cilat janë ndryshimet nga një vit më herët në krahasim me vitin 2020 dhe cilat janë tiparet dalluese që karakterizuan zhvillimet e këtij viti?

Elton Skëndaj: Në viitn 2020, në dallim nga vitet e tjera, Shqipëria ka qenë në një gjendje të jashtëzakonshme së pari për shkak të tërmetit dhe pastaj për shkak të pandemisë.

Dhe në një farë mënyrë për të mbrojtur lirinë e jetës, qeveria mori masa të cilat si në shumë vende të tjera kufizuan të drejta dhe liri të caktuara, sidomos të drejtën për t’u grumbulluar. Gjithashtu kaloi ligje dhe vendosi penalitete për njerëzit që nuk vrojtonin mirë rregullat e karantinës.

Gjithashtu në mars 2020, Bashkimi Evropian hapi negociatat me Shqipërinë, gjë që shikohet si progres. Po ashtu shikohet si interesante që u krijua një këshill politik, i cili bëri rekomandime dhe ndryshime për Kodin Zgjedhor dhe kjo shikohet si pozitive sidomos në ngritjen e një administrate zgjedhore jo të politizuar.

Nga ana tjetër shikohet si problem që parlamenti votoi për këtë më 6 tetor, mbi amendamente të caktuara të Kodit Zgjedhor, pa praninë e opozitës.

Së fundi, Shqipëria gjithashtu humbi një pikë për të drejtën e grumbullimit, për arsye se disa protesta shkuan në dhunë.

Image

Një nga bashkëautoret e studimit të Freedom House, pikërisht përmendi si arsye për këtë rënie, dhunën gjatë kohës së protestave për shembjen e teatrit dhe fakti që një i ri u vra në fund të vitit sepse shkeli orën policore. A mund të thoni disa hollësi se si e prekën nivelin e përgjithshëm të demokracisë këto dy episode?

Elton Skëndaj: Në momentin që njerëzit kanë frikë për të dalë për të protestuar apo për t’u grumbulluar sepse disa nga protestuesit mund të ushtrojnë dhunë, ose policia ushtron dhunë ndaj protestuesve, atëherë kjo ndikon në rënie të lirive demokratike në këtë sistem dhe në këtë rast Shqipëria vazhdimisht ka pasur probleme edhe në vitet e kaluara, sepse shpesh herë mund të kishte ose dhunë nga protestuesit, ose dhunë nga policia dhe të dyja anët krijojnë problem, sepse atëherë qytetarët do të thonë se ndoshta do të jetë më e vështirë për të protestuar.

Dhe cilat janë disa nga çështjet që vazhdojnë të dalin përsa i takon kategorive të ndryshme që mat Freedom House kur llogarit nivelin e lirisë dhe demokracisë, në raportin e saj të përvitshëm?

Elton Skëndaj: Shqipëria vazhdimisht del që zgjedhjet i bën në mënyrë periodike por shpesh herë ka probleme së pari me Kodin Zgjedhor, me zbatimin e tij si edhe me pranimin e zgjedhjeve, domethënë ka vazhdimisht kontestim të përfundimit të zgjedhjeve. Nga ana tjetër, një pikë që gjithmonë ka çaluar është sundimi i ligjit, gjykatat dhe korrupsioni. Në momentin që njerëzit gjykojnë që ligji nuk do të funksionojë për të gjithë, japin mitmarrje, përdorin lidhje që ligji të funksionojë ‘për mua dhe jo për tjetrin’, atëherë edhe kjo zhvillon një boshllëk në zhvillimin demokratik.

Por tani u bë rreth 30 vite nga kalimi nga një vend totalitar, autoritar në demokratik dhe vëren ndryshime. Njerëzit janë goxha më të lirë të kritikojnë, të grumbullohen, janë të lirë të besojnë. Është mirë që të kemi pritje, por kjo kërkon vazhdimisht jo vetëm punë në nivelin e qeverisë dhe punë në nivelin e partive politike, por edhe punë në shoqëri civile, në media etj. Të gjitha këto funksionojnë, por nuk funksionojnë me kapacitete të plota. Nuk është se kemi frikë se shteti do të të fusë në burg se kritikon etj, etj, por ama shpesh herë kritika mund të jetë pak më vështirë sepse ndoshta ti apo dikush tjetër mund të humbasë punën, apo të humbasë një mundësi të caktuar e kështu me radhë. Kështuqë prapë nuk ke atë lirinë e plotë demokratike.

Sipas vlerësimit tuaj, a ekziston vullneti politik për të hedhur hapa përpara përsa i takon demokratizimit të shoqërisë dhe nivelit me të cilin qeveria, opozita dhe gjithë politikanët e tjerë duhet t’i shërbejnë publikut, për ta ndryshuar këtë lloj gjendjeje?

Elton Skëndaj: Eksizton në disa nivele. Shpesh herë partitë politike, kanë atë diapazonin që të fitojnë zgjedhjet dhe shpesh herë disa nga këto parti politike funksionojnë në një mënyrë shumë të drejtpërdrejtë klienteliste, në kuptimin që ‘unë do të fitoj zgjedhjet dhe do të vë në punë njerëzit që më mbështetën mua dhe nuk ka nevojë të mendoj shumë për publikun’. Kjo krijon probleme sepse nëse gjithë shteti mbështetet në këtë model, atëherë ke vetëm njerëz partiakë dhe shpesh herë nuk janë njerëz profesionistë.

Unë shikoj disa ndryshime. Ka pasur një vullnet që të depersonalizohet për shembull administrata dhe reformat e vetingut. Unë më shumë problem shoh kur ke trysni nga aktorë politikë të caktuar në mënyrë që këto vetinge të mos bëhen, sepse pastaj nëse do të kesh politikanë të pastër atëherë mund të jenë politikanë të tanishëm, ose që kanë qenë më parë në pushtet, që do të dalin të korruptuar.

Për mua do të ishte sukses goxha i madh për shembull siç bëri Franca tani që po fut në burg ish-presidentin, ose siç bëri Kroacia. Unë këtë do e shikoja këtë jo si problem, por që më në fund shoqëria ka aftësi të shikojë të kaluarën dhe të projektojë një imazh tjetër për më tutje, në kuptimin që njerëzit që janë në pushtet t’i shërbejnë publikut dhe jo thjesht vetes, partisë apo një grupi të caktuar njerëzish./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat