Deputeti i VV-së: Kurti do ta realizojë programin qeverisës

Intervista

Deputeti i VV-së: Kurti do ta realizojë programin qeverisës

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 19 prill 2021 Në ora: 08:13
Milazim Salijaj dhe Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do ta realizojë programin qeverisës të shpalosur gjatë fushatës zgjedhore.

Kështu ka deklaruar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Milazim Salijaj, në një intervistë për gazetën “Bota sot”.

Ai në këtë intervistë ka folur për zhvillimet politike, si dhe për menaxhimin e situatës së pandemisë në Kosovë.

“Që nga përhapja e pandemisë Covid19, është bërë përpjekje e vazhdueshme që situata me pandemi të menaxhohet mirë, por çdo herë ka mundësi për më mirë. Ndoshta në menaxhimin e pandemisë tek ne ka ndikuar edhe ndërrimi i shpeshtë i Qeverive përkatësisht ministrave të shëndetësisë që fatkeqësisht ka ndodhur gjatë kësaj kohe”, ka thënë ai për “Bota sot”

Gjithashtu, Salijaj ka treguar se cilat janë prioritetet që do të angazhohet gjatë mandatit të tij si deputet i Kuvendit të Kosovës.

Intervista e plotë:

“Bota Sot”: Si e komentoni situatën politike në vend?

Milazim Salijaj: Pas konstituimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021, mendojmë se situata politike në vend është e mirë dhe stabile.

”Bota Sot”: Cilat janë pritshmëritë tuaja për Qeverinë Kurti?

Milazim Salijaj: Me rastin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, partitë politike kishin një fushatë parazgjedhore dhe zgjedhore ku shpalosën pjesë nga programet e tyre, sikurse edhe z.Kurti (tani Kryeministër i vendit) që gjatë fushatës shpalosi pjesë nga programi qeverisës të përfshira në prioritete, masa dhe veprime që besojmë fuqishëm se do t'i realizojë.

”Bota Sot”: Cilat janë prioritete tuaja si deputet i Kuvendit të Kosovës?

Milazim Salijaj: Si deputet i Kuvendit të Kosovës do të angazhohem për avancimin e politikave sociale, mbështetjen e të punësuarve në sektorin privat, në zbatimin e të drejtave të tyre konform ligjit të punës si dhe duke i përkrahur kategoritë me asistencë sociale.

”Bota Sot”: VV-ja pati pak vështirësi për zgjedhjen e presidentes, pse mendoni se ndodhi kjo?

Milazim Salijaj: Po është e vërtetë që pati vështirësi në zgjedhjen e presidentes, por kjo nuk është hera e parë, këso situata ishin krijuar edhe më herët. Megjithatë deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash arritën që ta zgjedhin znj.Vjosa Osmani-Sadriu si presidente e Republikës së Kosovës.

”Bota Sot”: Opozita po e kundërshton vazhdimisht Qeverinë Kurti, si e vlerësoni sjelljen e tyre?

Milazim Salijaj:Të themi që detyrë e opozitës është që të bëjë opozitarizëm duke kundërshtuar që ndoshta kjo do të ishte edhe normale.

”Bota Sot”: Çfarë po i shtynë ata që të mbajnë inate ndaj z.Kurti e VV-së?

Milazim Salijaj: Nuk e di se çfarë i shtynë ata që të mbajnë inate ndaj z.Kurti dhe VV-së, ndoshta kishte qenë mirë që ata të japin përgjigje në këtë pyetje.

”Bota Sot”: Që nga viti i kaluar Kosova po përballet me pandeminë globale Covid19, si mendoni se është menaxhuar ajo?

Milazim Salijaj: Që nga përhapja e pandemisë Covid19, është bërë përpjekje e vazhdueshme që situata me pandemi të menaxhohet mirë, por çdo herë ka mundësi për më mirë. Ndoshta në menaxhimin e pandemisë tek ne ka ndikuar edhe ndërrimi i shpeshtë i Qeverive përkatësisht ministrave të shëndetësisë që fatkeqësisht ka ndodhur gjatë kësaj kohe.

”Bota Sot”: Në Kosovë është rritur numri i rasteve me Covid19 , sa mendoni se mundë të ketë efekt në ndaljen e përhapjes së pandemisë pas masave të marra?

Milazim Salijaj: Çdo masë e marruar në drejtim të parandalimit të përhapjes së Covid19 është e mirë, sikurse edhe kjo e fundit meqë drejtpërsëdrejti do të ndikon në zvogëlimin e rasteve të reja me Covid19, përkatësisht do të zvogëlonte numrin e të infektuarve dhe numrin e vdekjeve e që kjo është shumë me rëndësi. Duhet si shoqëri të jemi të kujdesshëm dhe ti respektojmë më shumë masat anti Covid.

”Bota Sot”: Cili është mesazhi i juaj për ata që ju votuan?

Milazim Salijaj: Do të përpiqemi të punojmë me ndershmëri dhe përgjegjshmëri në interesin e përgjithshëm qytetarë meqë jemi të vetëdijshëm që pritjet janë shumë të mëdha dhe nuk duhet lejuar që ta zhgënjejmë votuesin.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat