Rashiti: Kërkesa e Serbisë në dialog, autonomia madhore

Intervista

Rashiti: Kërkesa e Serbisë në dialog, autonomia madhore

Më: 15 maj 2021 Në ora: 14:26
Ilustrim

Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kërkesa publike e Serbisë në raport me marrëveshjen finale në dialogun Kosovë-Serbi, por kërkesa reale përfshin një "autonomi madhore", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Naim Rashiti, drejtor i Grupit të Ballkanit, i cili merret me hulumtimin e politikave.

Rashiti po ashtu paralajmëron për publikimin e "non-paper" të ri dhe thotë se kjo do të ndodhë sepse "ka rritje intensive të procesit të pavarësimit të Republikës Serbe" në Bosnje e Hercegovinë. Sipas tij, "ambiciet e akterëve të fuqishëm nacionalistë, janë rritur në Ballkan".

Së fundmi, Grupi i Ballkanit ka angazhuar ekspertë të jashtëm për të asistuar Qeverinë e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

Image
Naim Rashiti

Radio Evropa e Lirë: Grupi për Ballkan, Qeveria e Kosovës dhe Ambasada e Norvegjisë, në fund të prillit, kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, i cili përcakton modalitetet për angazhimin e ekspertëve të jashtëm për procesin e dialogut me Serbinë dhe agjendave tjera që ndërlidhen me dialogun. Konkretisht, cili do të jetë roli i këtij grupi?

Naim Rashiti: Ky është vazhdim i një projekti që ka filluar më herët. Marrëveshje të tillë kemi pasur edhe me Qeverinë Hoti. Ne i mbështesim, i kontraktojmë ekspertët e jashtëm, për t'i shërbyer qeverisë, në këtë rast zëvendëskryeministrit dhe kryeministrit. Në qeverinë e kaluar ka qenë koordinatori për dialog dhe kryeministri me ekspertë të jashtëm për çështjen e dialogut, pra për t'i ndihmuar qeverisë që të përgatitet sa më mirë për dialog. Kaq, përfundon mandati ynë.

Emrat e tyre, përzgjedhja e tyre bëhet me kërkesë të qeverisë, por janë disa kritere që nuk duhet të jenë përfaqësues politikë, nuk duhet të jenë anëtarë të subjekteve politike. Duhet të jenë dhe të kenë ekspertizë të veçantë në çështjet e dialogut dhe të gjithë këta njerëz që janë në ekip tash për tash, kanë ekspertizat e veta të dialogut si në aspektin financiar, qoftë të ligjit ndërkombëtar apo të negociatave, qoftë të marrëdhënieve dhe zhvillimeve të BE-së, qoftë edhe të proceseve të mëhershme të dialogut, apo të gjithë vazhdimësisë së dialogut.

Këta ekspertë janë të kontraktuar si ekspertë për ta mbështetur qeverinë dhe i japin përgjegjësi në aspekte të përmbajtjes, kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit. Këta punojnë, angazhohen për detyra që ndërlidhen me dialogun dhe që merren nga zëvendëskryeministri.

Radio Evropa e Lirë: Pse mendoni se Qeveria e Kosovës apo kryeministri kanë nevojë për një grup të tillë ekspertësh nga jashtë?

Naim Rashiti: Çdoherë qeveritë e ndryshme kanë pasur ndihmë nga jashtë. Dhe ne kemi krijuar një mekanizëm lehtë të bëshëm që të mobilizohet një grup i tillë, e që mund të ketë (emra) të tjerë, apo mund të ndodhë që dikush nga ta të mos qëndrojë në ekip, ne nuk e dimë. Kjo varet nga dinamika e procesit që zhvillohet, nga marrëdhënia dhe përgjegjësitë që marrin nga zëvendëskryeministri dhe kryeministri për ekspertët e jashtëm dhe mobilizimin e tyre për ta ndihmuar qeverinë.

Kosova ka pak traditë në këtë dialog. Që nga procesi i Vjenës, ku kanë marrë pjesë grupi politik strategjik dhe ekspertë të tjerë që kanë punuar në dialog, nuk ka pasur pastaj një vazhdimësi të këtyre proceseve. Dhe çdo qeveri ka dështuar të krijojë një grup të fuqishëm brenda qeverisë, që merret me këtë çështje.

Në Serbi, në rastin më të mirë, punojnë 100 veta, në rastin kur kanë çështje që duhet të punojnë, angazhohen deri në 200 veta të strukturës institucionale politike, që punojnë për çështjet që ndërlidhen me dialogun me Kosovën. Në këtë rast edhe me pajtimin e qeverisë dhe mirëkuptimin e tyre, besoj edhe me mirëseardhjen e tyre, kemi krijuar këtë ekip që t'ju ndihmojë atyre.

Radio Evropa e Lirë: Qeveria e re fillimisht pati thënë se nuk e konsideron si prioritet çështjen e dialogut. Por, tashmë ajo deklaron se e konsideron si çështje të interesit nacional. Si e shihni dedikimin aktual të qeverisë ndaj këtij procesi?

Naim Rashiti: Dialogu është për këdo që është në qeveri. Kur kemi filluar këtë projekt, kur e kemi dizajnuar, ne nuk e kemi ditur kush do të jetë në qeveri dhe a do të ndërrohen kaq shpesh qeveritë.

Tani kemi një qeveri të udhëhequr nga Albin Kurti dhe përgjegjës për dialogun, Besnik Bislimin. Çështjet që ndërlidhen me pjesëmarrjen në dialog, modalitetet e dialogut janë çështje politike.

E ardhmja evropiane e Kosovës kalon përmes dialogut me Serbinë, që nuk është aspak e mirë dhe nuk është aspak e mirëseardhur.

Por, kështu ka formësuar qëndrimet e veta BE-ja dhe qeveria aktuale dhe çdo qeveri tjetër, do të duhej të punonte shumë, të angazhohet shumë, intensivisht në dialog dhe në të njëjtën kohë të prodhojë sa më shumë, të shtyjë sa më shumë agjenda të tjera me BE-në, paralelisht me dialogun dhe sidomos me vendet anëtare të BE-së, sepse marrëdhëniet e Kosovës me Gjermaninë nuk janë vetëm përmes dialogut. Marrëdhëniet me Francën nuk janë vetëm përmes dialogut.

Qeveria aktuale duhet të ndërtojë agjenda pro-aktive me institucionet e BE-së dhe vendet anëtare të BE-së, paralelisht krahas dialogut, pa e ngadalësuar apo tjetërsuar dialogun, por duke shtyrë të gjitha agjendat në mënyrë paralele.

Nuk ka marrëveshje pa dialog intensiv

Radio Evropa e Lirë: Dialogu Kosovë-Serbi, ende nuk ka arritur të gjejë një rrugë drejt një marrëveshjeje përfundimtare. Ku i shihni defektet në procesin e deritashëm?

Naim Rashiti: Nuk kemi një proces intensiv. Nuk do të ketë marrëveshje, nuk do të duket marrëveshja nëse nuk do të ketë proces intensiv të dialogut, nëse nuk kemi mbështetje politike nga të gjitha palët, në veçanti, nëse në Kosovë nuk kemi një mobilizim politik dhe përcaktim strategjik se a do t'i japim fund kësaj apo jo. Dhe në aspektin ndërkombëtar duhet ta shohim se çfarë BE-ja ka në tavolinë së bashku me SHBA-në, për një marrëveshje Kosovë- Serbi.

Asnjë nga konfliktet në Ballkan nuk është zgjidhur vetëm përmes dialogut dypalësh, por ka qenë pako e një procesi më të madh, edhe pse jo të mos zgjidhet kjo çështje për interes të dy palëve, të Kosovës dhe Serbisë. Por, duhet të investohet që të ketë një proces intensiv një vit, dy vjet, tri vjet, që të kërkohet marrëveshja më e mirë, marrëveshje që e vendosë Kosovën në një standard tërësisht tjetër nga ajo çfarë është sot ndërkombëtarisht.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët mobilizimin politik. Opozita deri tani ka thënë se nuk do të inkuadrohet në procesin e dialogut, por vetëm do ta monitorojë dialogun. A prisni një unifikim të faktorit politik në Kosovë lidhur me dialogun?

Naim Rashiti: Për një fazë ku mund të negociohet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, domosdo duhet të ketë përfshirje të të gjitha institucioneve, por edhe subjekteve politike. Është diçka që do të kërkojë, në një farë formë, miratimin e të gjithë akterëve kryesorë, subjekteve kryesore, është e domosdoshme.

Mekanizmi se si duhet të gjendet kjo nuk e dimë. Por, është pak herët të flitet për këto mekanizma apo funksionimin e brendshëm, derisa nuk kemi një dinamikë të dialogut, nëse nuk dihet një agjendë me e qartë e dialogut.

A do të kemi agjendë të dialogut? Nuk e dimë sepse do të varet nga Kosova, nga Serbia dhe nga BE-ja. Duhet ta kuptojmë drejt se procesi i dialogut po bëhet gjithnjë e më i vështirë, për fajin e të gjithë faktorëve.

Ballkani Perëndimor trajtohet si çështje e pazgjidhur

Radio Evropa e Lirë: Në kohën e fundit janë publikuar disa dokumente të njohura si “non-paper” në qarqe të BE-së, e ku sërish ngrihet çështja e kufijve. A mendoni se çështja e kufijve është temë e pashmangshme gjatë fazës finale të dialogut, por edhe në vetë marrëveshjen finale?

Naim Rashti: Ballkani Perëndimor është bërë konflikt i ngrirë dhe çështja e kufijve nuk flitet për shkak të çështjes së Kosovës apo të çështjeve të dialogut Kosovë-Serbi. Çështja e kufijve vjen kryesisht, ekskluzivisht nga çështja e Bosnjës dhe nga qarqet që kanë interes për zgjerim të ndikimit në Ballkan.

Dokumenti, “non-paperi” i parë, i artikuluar të jetë slloven, nuk ka lidhje me Slloveninë, është dokument i artikuluar nga qarqe të tjera: Bosnja, Republika Serbe, Hungaria dhe Rusia.

Kjo mbetet e pazgjidhur. Ballkani Perëndimor trajtohet si çështje e pazgjidhur ose konflikt i ngrirë, pothuajse. Derisa të mos ketë zgjidhje, do të ketë debate të tilla dhe ka tentativa, ka ambicie, ka beteja për rritje të kontrollit.

Radio Evropa e Lirë: Pse pikërisht në këtë kohë dalin këta “non-paper”?

Naim Rashiti: Do të ketë vazhdimisht, sepse ka rritje intensive të procesit të pavarësimit të Republikës Serbe. Kishte një agjendë, një sforcim, një përpjekje madhore të Sllovenisë për të shtyrë integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, ose agjendën për integrim drejt BE-së në udhëheqjen e saj të presidencës së BE-së, në pjesën e dytë të vitit.

Ambiciet e akterëve të fuqishëm nacionalistë, janë rritur në Ballkan. Kjo situatë do të zhvillojë edhe situata të reja, për aq sa mbetet kështu, pas një viti a dy, do të na dalin edhe shumë “non-papers” të tjerë.

Nuk do të befasohemi edhe nga zhvillimet e tjera. Në një moment të caktuar, nuk do ta befasojë askënd edhe ndarja e Bosnjës, nëse mbetet kështu siç është.

Ose do të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi dhe përafrim me BE-në, hapje të rrugës për anëtarësim ose do të ketë tema të cilat nuk vijnë për shkak të Kosovës, por vijnë për shkak të përpjekjes ruse për të mbajtur kontrollin mbi Republikën Serbe. Është shumë e thjesht dhe jo domosdoshmërish as për shkak të Serbisë. Dhe në situata të tilla vijmë, ose vjen një intervenim madhor i Perëndimit për ta qetësuar situatën, por prapë për të ruajtura status-quon ose vjen një vendim i madh politik strategjik, për të përafruar Ballkanin Perëndimor me vendet e BE-së.

Kompromiset, përtej Planit të Ahtisarit

Radio Evropa e Lirë: Po ashtu nga zyrtarët evropianë, por edhe amerikanë, po përmendet gjithnjë e më shumë kompromisi që duhet të bëhet, sipas tyre, për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë. A ka sinjale se për çfarë kompromisesh bëhet fjalë?

Naim Rashiti: Kur është negociuar Marrëveshja e Prespës për emrin (v.j. marrëveshja mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut), askush nuk i ka ditur detajet se si do të duket. Kemi një situatë të re pas Vjenës. Kosova dhe Serbia janë dy shtete të pavarura nga perspektiva e BE-së dhe SHBA-së. Këto dy shtete të pavarura, kanë një konflikt mes vete dhe kanë agjenda ndërkombëtare të kushtëzuara. Të dyja palët drejt BE-së, e Kosova plus drejt OKB-së.

Dhe këto dy vende duhet të ulen, të gjejnë, të bëjnë një kompromis, të arrijnë te një marrëveshje që njëra-tjetrës nuk do t'ia zënë rrugën. Faktori ndërkombëtar nuk do të shtyjë ndonjë agjendë të përcaktuar, nuk do të shtyjë ndonjë kompromis, por sidomos SHBA-ja dhe BE-ja do të mbeten, natyrisht duke respektuar ligjet ndërkombëtare, duke respektuar shtetësinë e Kosovës, sovranitetin e Kosovës, por do t'i kërkojnë që të gjendet një kompromis mes dy palëve, mjaftueshëm që të kalojë parlamentet e dy vendeve, dhe në Serbi, plus referendumi. Si do të duket kjo në praktikë, nuk e di. Por, modalitete të ndryshme ka.

Radio Evropa e Lirë: A do të ketë kompromise?

Naim Rashiti: Do të ketë kompromise nga të dy palët në një fazë kur e kanë seriozisht për t'i mbyllur konfliktet me njëra-tjetrën.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë kompromise do të ketë?

Naim Rashiti: Mund të ketë zgjidhje të ndryshme. Është Asociacioni (i komunave me shumicë serbe), çështje të cilat janë kontestuese publikisht. Çfarë kërkesash ka Kosova dhe Serbia, dihen. Po edhe në Vjenë është treguar, ka edhe diçka që shkon përtej asaj që është publike. Për shembull, kërkesa e Serbisë për Asociacion është kërkesë publike, marrëveshje e nënshkruar, por kërkesa reale shkon përtej asaj. Shkon përtej asaj për një autonomi madhore, që ata e quajnë ‘power sharing’ (ndarja e pushtetit) në Kosovë për veriun, sidomos, por mundësisht për të gjitha zonat. Kërkesa për kishat shkon përtej Planit të Ahtisarti, kërkohet një lloj statusi i veçantë i modaliteteve të ndryshme për autonomi sa më të madhe të territoreve të banuara me serbë.

Kërkesa e Serbisë ose pajtimi i Serbisë për të normalizuar marrëdhëniet nuk arrin deri te njohja dhe nuk ka dhënë asnjëherë shenja që Serbia se do ta njohë Kosovën. Në anën tjetër, kemi kërkesat e Kosovës që të kemi njohje eksplicite. Kemi kërkesat e Kosovës që të ketë një balancë të të drejtave të njeriut, mes serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve në Luginë, që asnjëherë nuk është definuar.

Në Kosovë është diskutuar që të hiqet dy e treta ... e drejta e vetos e komunitetit serb në rendin kushtetues. Nëse trajtohen detajet një e nga një, shkaktojnë shumë kokëçarje. Duhet të shihet se çfarë pako po bëhet normalizimi i marrëdhënieve, zgjidhja e konflikteve dhe ndërtimi i paqes mes dy vendeve, drejt qëllimit më madhor. E cili është qëllimi më madhor i Kosovës? Është arritja në OKB dhe hapja e rrugës për anëtarësim në NATO dhe integrim evropian.

Unë shpesh e mendoj situatën se si do të duket kompromisi, kërkesat, kur Kosovës do t'i afrohet mundësia të nënshkruajë ose të fillojë procesin për anëtarësim në NATO. Ky është elementi tjetër, po aq i rëndësishëm pas shpalljes së pavarësisë, sepse garanton shtetësinë. E këto janë vendime politike, që skena politike e sotme apo një tjetër, kurdo që ulet me Serbinë, do t'i bëjë.

Radio Evropa e Lirë: Në çfarë roli i shihni Shtetet e Bashkuara të Amerikës përballë një marrëveshjeje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse në dialogun Kosovë -Serbi?

Naim Rashiti: Kemi një deklaratë të paparë këto vitet e fundit. Deklaratën e G7-ës në Londër, që i bënë ftesë vendeve të Ballkanit të bëjnë zgjidhjet, i referohen dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo administratë do t'i japë disa vite Brukselit që të provojë të gjejë zgjidhje, duke mbështetur fuqishëm atë dhe nga praktika kemi parë në të kaluarën, se amerikanët, nëse nuk ecin proceset evropiane, e humbin durimin në një situatë dhe krijojnë agjenda të tyre paralele.

Nuk pres ndryshim të qëndrimit një vit, dy apo tre vjet, por mund të vijmë në situatë ku SHBA-ja mund të krijojë agjendë paralele. Dhe duke marrë parasysh kontekstin ndërkombëtar që po zhvillohet, nuk do të ishe mirë të vijmë në atë situatë. Do të jetë ndoshta e domosdoshme, por nuk do të ishte e mirë të vijmë në atë situatë, e sidomos në situatën kur diçka nuk shkon për fajin tonë, për fajin e Kosovës, sepse kemi parë se marrëdhëniet multilaterale trans-atlantike, janë më fragjile se në vitin 2008 apo në vitin 1999.

Është edhe interes strategjik i Kosovës që SHBA-ja të mbetet e angazhuara me BE-në, por historia ka treguar që nganjëherë BE-ja mbetet shumë mbrapa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat