Si u ndërtuan në Përmet “Varrezat e dëshmorëve”, monumenti i “Kongresit të Përmetit” dhe memoriali i Brigadës VI-S

Intervista

Si u ndërtuan në Përmet “Varrezat e dëshmorëve”, monumenti i “Kongresit të Përmetit” dhe memoriali i Brigadës VI-S

Nga: Albert Z. ZHOLI Më: 27 korrik 2021 Në ora: 17:56
Ibrahim Emiri

Ibrahim Emiri në vitin 1962 mbaron shkëlqyeshëm shkollën e mesme “Asim Zeneli” në Gjirokastër. Në vitin 1967 mbaron me rezultate shume të larta studimet në Fakultetin e Inxhinierisë, të Universitetit të Tiranës, ku i jepet titulli INXHINIER NDËRTIMI, me specialitet “Ndërtime Qytetare dhe Industriale”. Në periudhën shtator 1967 deri dhjetor 1992 (- 25 vjet) punon në Përmet si inxhinier duke ndërtuar shumë vepra….:

Ju inxhinier keni qenë drejtues teknik i shumë ndërtimeve në Përmet, ndër të cilat janë edhe “Varrezat e dëshmorëve”, monumenti i “Kongresit të Përmetit” dhe memoriali i Brigadës VI S. Si janë realizuar këto objekte simbolike të Luftës?

Viti 1969 ishte viti jubilar i 25 Vjetorit të lirimit të Atdheut nga okupatorët nazi-fashistë.Udhëheqja e Partisë kishte vendosur që, për ta kremtuar me madhështi festën e fitores, të nderohej me objekte simbolike e ceremoni përkujtimore Lufta Nacionalçlirimtare si dhe heronjtë e dëshmorët e rënë në luftë.Për këtë qëllim ishte vendosur që të ndërtoheshin varrezat e dëshmorëve në çdo rreth, si dhe memoriale apo lapidare përkujtimore për çdo brigadë e çdo betejë të rëndësishme, apo për secilin hero, të rënë në luftë.Deri atëhere ekzistonin disa varreza dëshmorësh, apo lapidarë e pllaka përkujtimore, të thjeshta e pa vlera të mirëfillta simbolike.Në këtë kuadër ishte planifikuar që në Përmet të rindërtoheshin varrezat e dëshmorëve dhe memoriali i Brigadës VI S (në hyrje të qytetit), monumenti i Kongresit (në qendër të qytetit), si dhe lapidari i Brigadës XII (në qendër të fshatit Sukë).Ndërtimi i varrezave të dëshmorëve kishte filluar sipas një projekti, të hartuar nga zyra e projektimit pranë Komitetit Ekzekutiv të rrethit Përmet.Projekti i varrezave ishte trajtuar me amatorizëm, si pasojë e mungesës së eksperiencës.Me funksionin e k/inxhinierit të kantierit zbatues të projektit, me dashamirësi kolegësh, unë bëra disa vërejtje profesionale, si dhe sugjerova që projekti duhej rikonceptuar, në mënyrë që varrezat të ishin dinjitoze, në respekt të dëshmorëve të luftës. Mora përsipër që, jashtë kohës së punës në kantier, të bëja vullnetarisht hartimin e projektit të ri. Këmbëngulja ime për rikonceptimin e projektit bazohej në përvojën e veçantë që kisha fituar, sepse pata nderin të bashkëpunoj me grupin e arkitektëve e skulptorëve për hartimin e projekt- idesë së Varrezave të Dëshmorëve të Kombit. Në pranverën e vitit 1967 në Tiranë u organizua konkursi për hartimin e projekt-idesë së Varrezave të Dëshmorëve të Kombit, që duhej të realizoheshin e të përuroheshin më 5 maj 1969, me rastin e 25 Vjetorit të lirimit të atdheut nga pushtuesit nazi-fashistë. Në atë konkurs ishin pjesëmarrës, me variante të ndryshme 3 grupe projektimi: Instituti i Projektimit të Urbanistikës e Arkitekturës, Zyra e Urbanistikës e Projektimit të Rrethit Tiranë, si dhe Katedra e Arkitekturës e Fakultetit të Inxhinerisë së Ndërtimit, projekt-idea e së cilës u vlerësua me çmim të parë e u miratua si varianti më i mirë. Grupi i hartimit të projektit fitues përbëhej nga arkitektët petagogë: prof. Besim Daja, Vasilika Cicko, Ilia Papanikolla, Enver Faja, Robert Kote, si dhe asistent pedagogu Stefan Hobdari. Për përpunimin e fletëve të projektit, nga dekanati i Fakultetit u aktivizuan në ndihmë të petagogëve edhe studentët diplomantë Muhamer Berisha, Hasan Jaho, Alfred Bushati dhe Ibrahim Emiri.Monumenti “Nënë Shqipëri“, si elementi qëndror i kompozimit arkitektonik u ideua nga grupi i arkitektëve në bashkëpunim me grupin e skulptorëve të veprave monumentale, Kristaq Rama, Mumtas Dhrami e Shaban Hadëri. Me përvojën e veçantë, që kisha fituar nga bashkëpunimi në konkursin kombëtar, u bë rikonceptimi i projektit në Përmet.

-Si u rikonceptua projekti ?

U ndryshua forma e varrit, në krye të të cilit u vendos pllaka e bardhë drejtkëndore me mbishkrim, mbas së cilës asimetrikisht bashkëlidhej një element trapezoidal me ngjyrë të kuqe, që simbolizonte ngjyrën e flamurit, për të cilin kishin derdhur gjakun dëshmorët e lirisë. Varret u vendosen në dy platforma për dëshmorët e luftës, si dhe në një platforme më të vogël për dëshmorët e mbas luftës. (të cilët mund të binin në krye të detyrës, në luftë për ndërtimin e socializmit.) Kur përfunduan varrezat, rreth gjysma e varreve të dëshmorëve të luftës nuk kishin emra, por kishin mbishkrimin “Partizan i panjohur”, sepse numri i dëshmorëve, i përcaktuar nga organet kompetente, ishte llogaritur sa dyfishi i numrit të vërtetë. Vëmendje të veçantë i kushtova momentit kryesor, ku do të vendosej grupi skulpturor “Shokët”, vepër e Skulptorit të Popullit Odhise Paskali.(Në variantin e hartuar fillimisht nga ZUP, grupi skulpturor qëndronte në një bazament të thjeshtë, kurse para tij ishte parashikuar një yll me tulla të shtypura rafsh me tokën, siç bëheshin rëndom në hyrje të reparteve ushtarake.) Duke e konceptuar si memorial qendror të varrezave, grupi skulpturor me ngjyrë te bardhë u vendos mbi një pod ngjyrë gri të stakuar nga plani horizontal, para një sfondi të buçarduar, të pozicionuar asimetrikisht. Në sipërfaqen e lirë djathtas grupit skulpturor u parashikua montimi i gërmave kapitale LAVDI DËSHMORËVE, kurse në një volum të bardhë kubik montimi i datave 1939 - 1944.Mbrapa sipërfaqes ngjyrë gri, që do të ishte sfondi për grupin skulpturor, u kompozua një obelisk i bardhë, i cili në profil simbolizonte pushkën, armën bazë të partizanëve.(Aktualisht nuk ruhen ngjyrat fillestare të memorialit, pasi në çdo përvjetor ngjyroset me ngjyra të ndryshme, sipas shijes së bojaxhinjve, duke e dëmtuar harmoninë vizuale të kompozimit fillestar).Në afërsi të memorialit, në sheshin, ku do të fillonin homazhet për tek varret, u parashikua ndërtimi i një salle muze, ku mund të ekspozoheshin foto e dokumente të dëshmorëve.Pasi përpunova disa variante si skicë-ide, shkova në Tiranë për konsultim e miratim tek skulptori Odhise Paskali, i cili ishte themeluesi i skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar.

-Si e parashikonit këtë takim dhe si ju priti në fakt skulptori i shquar Odhise Paskali?

Takimi i parë me skulptorin e shquar, tek studio e tij në Tiranë, ishte mjaft mbresëlënës. Isha plotësisht i ndërgjegjshëm për diferencat e mëdha, që ekzistonin midis nesh, jo vetëm në moshë (Ai ishte burrë 65 vjeç, kurse unë djalosh 24 vjeç), apo në nivel kulturor. Ai ishte lauruar 40 vjet më parë në Itali për histori arti e filosofi, kurse unë sapo kisha përfunduar studimet për inxhinieri ndërtimi, në Tiranë), por sidomos në përvojat profesionale (Ai ishte skulptor i shquar e me kontribute të veçanta në publicistikë, në estetikë dhe kritikë arti, kurse unë inxhinier fillestar e pa përvojë). Jo vetëm ky inferioritet i dukshëm, por edhe pasiguria se si do të më priste personaliteti i artit e kulturës, më bënte mjaft të ndrojtur. Megjithatë, dëshira për t'u takuar medoemos me artistin e madh, më jepte kurajë.Profesor Paskali doli tek dera e studios, ndërsa unë u prezantova dhe e sqarova për arsyen e takimit. Në fillim hezitoi dhe me një farë indiference e mosbesimi, kërkoi që t’ia tregoja aty, në këmbë skicat që kisha sjellë, por pasi ia prezantova variantet e ndryshme, u qetësua e me dashamirësi më ftoi në studio për të diskutuar dhe konkluduar për variantin, që duhej të realizohej. Unë u befasova me studion e tij, e cila ishte një galeri e vërtetë skulpture, plot me etyde, bocete e portrete në proces, apo të përfunduara. Kisha dëgjuar se në studio ai fuste vetëm persona që, në një farë mënyre i vlerësonte, prandaj e ndjeva veten të nderuar që artisti i shquar më respektoi, kurse bashkëpunimin me atë e konsiderova privilegj. Edhe pse ishte larguar qysh në moshën fëminore nga Përmeti, ai kishte nostalgji dhe, sa herë takoheshim në Tiranë apo në Përmet, më fliste me pasion për vendlindjen dhe ndihej krenar për realizimin e një sërë veprash që u vendosën në Përmet, midis të cilave skulptura “Partizani Çlirimtar”, grupi skulpturor “Shokët”, bustet e Vëllezërve Frashëri, bustet e dr. R. Frashërit e shkrimtarit N. Bulka, si dhe të disa dëshmorëve përmetarë nga fisi i tij.

A keni pasur bashkëpunime të tjera me “Skulptorin ePopullit” ?

Bashkëpunimi im i dytë me skulptorin e shquar Odhise Paskali ndodhi disa muaj me vonë, kur u realizua ndërtimi i monumentit të Kongresit të Përmetit.Në vitin 1964, kur u transformua qendra e qytetit Përmet, me rastin e 20 Vjetorit të Çlirimit të atdheut nga okupatori nazi-fashist, ishte ndërtuar edhe një memorial i thjeshtë kushtuar Kongresit.Në vitin 1969, në vitin jubilar të 25 vjetorit të çlirimit të Atdheut, ishte vendosur që memoriali ekzistues të zëvendësohej me një monument dinjitoz.Projekti i monumentit simbolik ishte hartuar në Institutin e Projektimit Nr.1 në Tiranë, nga arkitekt. Agim Shehu. Në aks të monumentit qëndron shtatorja “Partizani Çlirimtar”, vepër monumentale në bronx e skulptorit Odhise Paskali, e vendosur mbi një bazament para obeliskut, në krye të të cilit është montuar në bronx stema e Republikës. Ndërtimi i monumentit u realizua me cilësi nga Ndërmarrja e Ndërtimit Përmet, ku unë isha k/inxhinier, kurse veshja me pllaka mermeri u realizua nga mjeshtri Taqo Miho me grupin e tij. Monumenti u vesh komplet me pllaka mermeri, të prodhuara nga guri i malit të Taraboshit, duke krijuar një sfond ngjyrë gri të çelët, para të cilit qëndrojnë shumë bukur në bronx shtatorja “Partizani Çlirimtar” dhe basorelievi i stemës së Republikës. Monumenti në tërësinë e vet është i thjeshtë, por mjaft impozant e simbolik, prandaj për vlerat përgjithësuese kombëtare që mbart, mund të konsiderohet “Memoriali i partizanit çlirimtar”.

Kur dhe si është realizuar memorialin i Brigadës VI-S ?

26 janar 1944 ishte formuar në Përmet Brigada VI Sulmuese, e cila, për meritat e veçanta në luftë, është nderuar me titullin e lartë “Hero i Popullit”. Për përjetësimin e kësaj date të shënuar të Brigadës, në hyrje të qytetit Përmet ishte ndërtuar një lapidar i thjeshtë. Më 26 janar 1969, në kuadër të kremtimit të 25 - vjetorit të fitores mbi nazi-fashizmin, ceremonia përkujtimore do të organizohej tek memoriali i ri simbolik i krijimit të Brigadës VI. Projekti ishte hartuar në Institutin e Projektimit Nr.1 në Tiranë, nga ark. Agim Shehu dhe skulptor Thoma Thomai. Memoriali përbëhej nga një obelisk me lartësi 12 m me tre kolona vertikale të bardha të sfazuara, që simbolizonin sinjalin e brigadës (tre të shtëna pushke) dhe prej një sipërfaqeje horizontale ngjyrë rozë ku vendosej një basoreliev me motiv nga betejat partizane, si dhe shkrimi KUSHTUAR PARTIZANËVE DHE PARTIZANEVE TË BRIGADËS VI SULMUESE 26.1.1944. Muaji dhjetor hyri me shumë lagështi e ngrica, ndërsa ishte në përfundim betonimi i obeliskut.Për veshjen me mermer të memorialit, Ministria e Ndërtimit dërgoi në Përmet mjeshtrin e ndërtimit Taqo Miho, mbasi specialistët e kantierit të ndërtimit nuk kishin përvojë.Ai sapo ishte kthyer nga Mauthausen në Austri, ku kishte realizuar memorialin shqiptar me grupin skulpturor “Partizani fitimtar”, të Skulptorit të Popullit Odhise Paskali, si pjesë e ansamblit memorial të fitimtarëve mbi nazizmin.Procesi i veshjes me pllaka u realizua në kushte të vështira atmosferike, sepse lagështinë e ngricën e bënte edhe më të hidhur suferina, që përshkonte shtratin e lumit Vjosa. Mjeshtri Taqo, i ndihmuar nga specialistët e kantierit të ndërtimit, punonin pa pushim, për ta përfunduar memorialin brenda datës 25 janar, duke përdorur ujë të ngrohtë për të gatuar llaçin, si dhe mangallë me prush, lart në skelë, për të ngrohur duart e thara e të çara nga ngrica. Për të rritur mobilizimin në punë, drejtuesit e partisë në rreth, që vinin në objekt, tregonin për vështirësitë e sakrificat e panumurta të partizanëve trima të Brigadës VI, të cilët të pa ngrënë e të paveshur, luftonin heroikisht kundër një armiku shumë të egër, pa përfillur vështirësitë e shumta të dimërit të ashpër. Ndërtimi i memorialit përfundoi në kohën e planifikuar dhe ceremonia e 25 vjetorit të krijimit të Brigadës u festua, me pjesëmarrjen e ish-partizanëve të brigadës, ish-kuadrove drejtuese të saj, funksionarë të partisë e shtetit, si dhe nga populli i Përmetit.

Keni thënë se puna në ndërtim ka pasur jovetëm kënaqësi profesionale, por edhe mjaft shqetësime. Mund të tregoni ndonjë prej tyre ?

Ndërsa po vazhdoja punën normalisht në kantierin e ndërtimit, më njoftuan të shkoja në Komitetin Ekzekutiv të rrethit për një problem të rëndësishëm.Sapo u paraqita në seksionin ekonomik, më pritën “me këmbët e para”, duke më akuzuar se unë e kisha bërë gabim porosinë e pllakave të mermerit të varrezave të dëshmorëve dhe për këtë do të mbaja përgjegjësi të rëndë. Sasia e parë e pllakave, që kishte ardhur nga kombinati i material ndërtimit “Josif Pashko” në Tiranë, nuk ishte i rregullt, pasi me asnjë kombinim të tyre nuk mund të formohej varri. - Nuk ka mundësi, kundërshtova unë, më shumë i shqetësuar, se i habitur. - Kjo nuk është thjesht sabotim - turfulloi shefi i seksionit - kjo është tallje me gjakun e dëshmorëve ! Akuza ishte shumë e rëndë, ishte baras me veprimtari armiqësore. U mundova të sqaroja se porosinë për pllakat e mermerit e kisha në rregull, por mund të ishte bërë ndonjë gabim në dërgimin e tyre nga kombinati, pasi ai prodhonte pllaka mermeri për të gjithë varrezat e dëshmorëve të Shqipërisë.Justifikimi im e acaroi më shumë shefin e seksionit, i cili, me ton autoritar, theksoi se kombinati “Josif Pashko” ishte shumë i rëndësishëm e nuk mund të bënte kursesi gabime. Duke ngritur zërin, përsëriti se faji binte vetëm mbi mua dhe jo vetëm duhet ta pranoja, por duhet të mbaja përgjegjësi, se nuk më linte njeri të tallesha me gjakun e dëshmorëve, të cilët kishin dhëne jetën në lulen e rinisë për Shqipërinë e lirë. Si mund të tallesha unë me gjakun e dëshmorëve, kur familja ime i kishte dhënë gjak luftës, gjakun e xhaxhait 23 vjeçar, të vrarë nga nazistët gjermanë ?! Akuza ishte, jo vetëm e pa drejtë, por edhe tepër keqdashëse. Me dëshirën e mirë, kisha marrë përsipër që, pas punës së lodhëshme në kantier, të bëja vullnetarisht projektin e rikonceptuar të varrezave të dëshmorëve, por fatkeqësisht e kisha pësuar “si breshka tek nallbani”.Duhej të mbaja përgjegjësi të rëndë për një faj, që nuk e kisha bërë.E vetmja zgjidhje në këtë situatë ishte të shkoja vetë për ta sqaruar çështjen tek kombinati “Josif Pashko”, prandaj kërkova të më jepnin vetëm tre ditë leje, pa pagesë, për të shkuar në Tiranë, me shpenzimet e mia. (Atëhere dy ditë duheshin për udhëtim me autobus vajtje-ardhje Përmet-Tiranë-Përmet, kurse një ditë duhej qëndruar në Tiranë, për të sqaruar problemin në kombinat.) Fatmirësisht, inxhinierja e sektorit të mermerit në kombinat, një grua fisnike, jo vetëm më mirëkuptoi për shqetësimin, por më kërkoi ndjesë për gabimin e bërë prej tyre në ngarkesën e parë të mermerit të dërguar në Përmet. (Me një sasi pllakash mermeri të porositura për varrezat e dëshmorëve të Përmetit, gabimisht ishte përzjerë edhe një sasi pllakash me formë e dimensione të tjera, të porositura për varrezat e dëshmorëve të Lezhës). U qetësova dhe e falenderova inxhinieren për korrektësine e sinqeritetin, por për të sqaruar shefin në Përmet, iu luta të më jepte një dokument zyrtar, se me llafe nuk mund të bindej. Vetëm shkresa me firmë e vulë e kombinatit “Josif Pashko”, që gabimin do ta korigjonin, e detyroi shefin e seksionit, që në prani të kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, të më kërkonte falje për akuzat keqdashëse.

Ndersa nga koha e ndërtimit të monumentit të kongresit, nuk mund të harroj një aksident të vogël.Pllakat e veshjes së monumentit ishin pllaka të sharruara e të luçiduara nga guri i malit të Taraboshit, të cilat ne i quanim pllaka mermeri.Ato pllaka me ngjyrë gri kishin shumë nervatura e plasaritje e për këtë arsye dëmtoheshin, kryesisht në transport.Gjat seleksionimit të pllakave të mermerit pranë objektit, njera nga pllakat u këput në dorë dhe më ra tek këmba, duke shkaktuar një dhimbje therrëse. Meqenëse në spitalin e Përmetit nuk kishte repart kirurgjie, më dërguan në spitalin rajonal të Gjirokastrës, ku u bë një ndërhyrje mikrokirurgjikale. Me këmbë në allçi u ktheva përsëri në Përmet, pavarësisht se familjen e kisha në Gjirokastër dhe mjekët më këshilluan pushim.Isha inxhinier i vetëm në kantier, prandaj nuk mund të mos kthehesha për të vazhduar organizimin e drejtimin teknik të punimeve ndërtimore, që lidheshin me festën e 25 vjetorit të Kongresit.

Çfarë shqetësimi krijoi tek udhëheqja lartësia e Obeliskut tëBrigadës VIS?

Dy ditë pas festimeve të 25 vjetorit të krijimit të Brigadës VI, më thirrën në Komitetin e Partisë.Mbasi më përgëzoi për punën e mirë, Sekretari i parë më tha se anëtari i Byrosë Politike të Partisë, i cili kishte qenë kuadër kryesor i Brigadës VI, kishte shprehur shqetësimin se lapidari ishte bërë shumë i lartë. Nuk mund të jetë lapidari i Brigadës VI më i lartë se lapidari i Brigadës I Sulmuese, pasi kjo mund ta nervozojë shokun *Mehmet kur të vijë në Përmet për të festuar 25 Vjetorin e Kongresit, kishte thënë ai. Brigada I Sulmuese, me komandantin legjendar Mehmet Shehu, ka bërë histori në Luftën Nacionalçlirimtare dhe meriton lapidarin më të lartë, prandaj shikoni mundësinë e shkurtimit të këtij lapidari, më sugjeroi Sekretari. Shkurtimi i obeliskut beton-arme, pasi kishte përfunduar ndërtimi i tij, ishte absolutisht i pamundur. Sekretari i parë ishte burrë i arsyeshëm dhe u bind me argumentimin teknik, që i sqarova. Megjithëse kërkesa për shkurtim m’u duk mjaft absurde, më shumë u habita se si Qeveria nuk kishte vendosur që në fazën e projektimit kritere për madhësitë e lapidarëve, në mënyrë që të evitoheshin rivalitetet, që çuditërisht ekzistonin tek udhëheqja e lartë e partisë dhe shtetit.

⃰ Mehmet Shehu - kryeministri i rreptë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat