Dallimet politike Kurti-Rama/Zaimi: Në Kosovë etja për ndryshim është e madhe - këto janë të arriturat e Qeverisë Kurti

Intervista

Dallimet politike Kurti-Rama/Zaimi: Në Kosovë etja për ndryshim është e madhe - këto janë të arriturat e Qeverisë Kurti

Arife Morina Nga Arife Morina Më 2 gusht 2021 Në ora: 20:02
Aleksandar Vuçiq, Albin Kurti dhe Edi Rama; foto ilustrim nga "Bota sot"

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, ka deklaruar se situata politike në Kosovë ka shënuar një përmirësim të shpejtë, pas ardhjes në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje.

Zaimi në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, numëroi disa nga të arriturat e Qeverisë Kurti gjatë kësaj periudhe të qeverisjes.

Po ashtu, ai kritikoi opozitën për refuzimin e bashkëpunimit me qeverinë. Sipas tij, Qeveria Kurti po ia ofron opozitës bashkëpunimin, madje tha se ajo nuk ka hequr prej pune askënd prej dhjetëra mijëra anëtarëve të partive të cilat në të kaluarën ishin në pushtet.

Image
Arbër Zaimi

Në vazhdim, Zaimi foli edhe për projektin e “Ballkanit të Hapur”. Ai potencoi se vendet e Ballkanit, si Shqipëria e Maqedonia Veriore, duhet ta izolonin Vuçiqin, deri në momentin kur qytetarët e Serbisë ta largojnë atë nga klasa politike.

Kurse, në fund zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje komentoi edhe nivelin e bashkëpunimit në mes dy qeverive shqiptare, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë.

“Bashkëpunimi, në sferat ekonomike, artistike, kulturore, familjare apo ndër personale, ka qenë i mirë dhe forcohet vit pas viti. Preferencat e Ramës për disa liderë të Kosovës dhe mospëlqimi i tij për qasjen antikorrupsion e socialdemokratike të Kurtit, nuk duhet ta shtyjë atë në përqafim të Vuçiqit. Nuk bëhet politika kombëtare “për inat të vjehrrës”…”, deklaroi Zaimi.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Fillimisht z. Zaimi, si e komentoi situatën politike në Kosovë?

Arbër Zaimi: Situata në Kosovë është në përmirësim të shpejtë, siç tregojnë variabla të ndryshëm. P.sh. janë rritur ndjeshëm të ardhurat nga doganat e tatimet, dhe me ndryshimet buxhetore, Kosova sivjet ka buxhetin më të madh, nga i cili 420 mln euro do të shkojnë për rimëkëmbje ekonomike. Rritja ekonomike për vitin 2021 parashihet të jetë 7.9%, si pasojë e entuziazmit të qytetarëve për ndryshimin politik dhe për politikat zhvillimore. Rritja e performancës në institucione, tregon se përgjithësisht fryma e korrupsionit ka nisur të zmbrapset. Pëlqyeshmëria për qeverinë ka shënuar rritje, prej 50.2% në zgjedhjet e 14 shkurtit, në mbi 59% në matjet e opinionit nga UNDP. Kjo rritje e pëlqyeshmërisë vjen nga përqendrimi i qeverisë në punë konkrete, zhvillim ekonomik, përkujdesje sociale e antikorrupsion. Njerëzit janë lodhur nga qeveritë të cilat më shumë bëjnë reklama se sa punë.

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për performancën dhe nivelin e bashkëpunimit të subjekteve opozitare me Qeverinë Kurti II?

Arbër Zaimi: Nga ana tjetër, në opozitë po shohim një ngecje për të kapur frymën e kohës e pamundësi për të dalë nga sqetulla e liderëve të së shkuarës. Për sa kohë ata nuk do të gjejnë forcën të denoncojnë të korruptuarit dhe ata që kanë mbledhur pasuri të madhe padrejtësisht gjatë 20 viteve të fundit, ata nuk do të ndërtojnë dot “kartë morale” për të kritikuar. Po ashtu është e rëndësishme që të ketë bashkëpunim për çështje kombëtare apo reforma politike që janë në të mirë të zhvillimit. Nëse opozita nuk e bën këtë, atëherë ajo do të ballafaqohet me rrudhje të mëtejshme. Qeveria Kurti po ia ofron opozitës bashkëpunimin, në fakt nuk ka hequr prej pune askënd prej dhjetëra mijëra anëtarëve të partive dikur në pushtet, përkundrazi, ka emëruar në pozita të rëndësishme figura të spikatura nga ato parti, si p.sh. ish deputetin e PDK Andin Hoti. Kjo për shkak se për çështje të shtetit, shoqërisë e kombit, nuk duhet diskriminuar askush nga ata që kanë vlera e nuk janë korruptuar. Nëse opozita megjithatë vazhdon të këmbëngulë në mosbashkëpunim, në përpjekje për sabotim e bllokim, dhe në mosreformim të vetvetes, atëherë është mundësia që shumë shpejt partitë opozitare të bashkohen në një parti të vetme. Fillimisht një bashkim tip “LAN”, pastaj edhe një “PLAN”.

“Bota sot”: Duke marrë parasysh që ju jeni aktiv edhe në zhvillimet politike në Shqipëri, cilat janë disa dallime që vërehen sa i përket qeverisjeve aktuale në dy shtetet shqiptare?

Arbër Zaimi: Në mandatin e tretë Qeveria Rama nuk duket se ka më ide të reja apo impuls për ndryshim. Kryesisht në Shqipëri po shfaqet arrogancë e pushtetit, lodhje prej përpjekjeve integruese evropiane, heqje dorë prej antikorrupsionit, dhe mbështetje e ekonomisë te një grusht kompanish e tajkunësh monopolistë. Ndërsa, në Kosovë etja për ndryshim është e madhe, shoqëria e gjerë dëshiron demokraci, drejtësi dhe integrim, e qeveria shfaq energji e kreativitet në këto drejtime. Në rrafshin ndërkombëtar Kurti më shumë po kontakton me liderë evropianë, të Francës, Gjermanisë, Italisë, Austrisë, Belgjikës, BE-së, por edhe të Britanisë e ShBA-së. Ndërsa Rama duket si i mbyllur në Ballkan, po edhe brenda Ballkanit, më shumë me kahje lindore se sa perëndimore. Kjo vjen edhe për shkak se vendet perëndimore nuk e durojnë rrudhjen e demokracisë dhe oligarkizimin e Shqipërisë sipas një modeli të njohur në lindje të Evropës.

“Bota sot”: Kosova dhe Serbia kanë rifilluar negociatat në Bruksel, cilat janë pritshmëritë tuaja nga këto bisedime, bazuar në dy takimet e mëparshme Kurti-Vuçiq?

Arbër Zaimi: Kosova për herë të parë qysh prej nisjes së negociatave, po sjell në tryezë edhe termat e temat e saj. Më përpara ka qenë vetëm BE edhe Serbia që kanë çuar atje terma e tema, dhe qeveritë e shkuara kanë pasur qëndrimin se temat e termat e BE-së përfaqësojnë edhe Kosovën. Mirëpo, BE është vetëm facilituese apo ndërmjetësuese, nuk mundet me qenë aq e anshme. Kosova duhet të ketë pozitën e vet. Kjo po ndodh me performancën e Kurtit në bisedime. Kreativiteti dhe proaktiviteti i tij po priten mirë nga qendrat evropiane, ndërsa Serbia po shfaqet si një vend që nuk është i gatshëm për të dënuar krimet e veta, e që nuk e dëshiron paqen. Paraqitja e Kurtit në Bruksel ka bërë që, për herë të parë, të rikthehet raporti i duhur moral mes viktimës dhe xhelatit, sepse deri para pak muajsh Serbia kishte arritur ta përmbyste atë dhe të shfaqej sikur viktima ishte ajo.

“Bota sot”: Pas takimeve të kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në Bruksel, kishte reagime të shumta nga kundërshtarë politikë dhe mbështetës të Kurti. Reagime kishte edhe nga Shqipëria, mirëpo kryeministri Edi Rama qëndroi indiferent ndaj këtyre negociatave. Si e vlerësoni këtë?

Arbër Zaimi: Është gjë e mirë që kryeministri i Shqipërisë nuk kërkon protagonizëm në bisedimet në Bruksel. Shqipëria duhet të pohojë fort dhe gjithnjë se Kosova është e pavarur, dhe flet për vetveten. Është tezë dhe interes i Serbisë besimi se për Kosovën, Beogradi duhet të diskutojë me Tiranën. Prishtina e Tirana duhet të afrohen me njëra tjetrën në rrafsh bashkëpunimi e përafrimi, deri në integrim demokratik, në sfera të ndryshme përfshi edhe diplomacinë. Por ky proces nuk është çështje e Beogradit, prej të cilit Kosova është çliruar tash 22 vite.

“Bota sot”: Po ashtu, Edi Rama, Aleksandër Vuçiq dhe Zoran Zaev po insistojnë me çdo kusht në krijimin e ‘Minishengenit Ballkanik’, proces ky që po kundërshtohet fuqishëm nga kryeministri i Kosovës. A duhet të ndalohet kjo ide dhe cilat mund të jenë pasojat sipas jush nëse një gjë e tillë realizohet?

Arbër Zaimi:
Serbia ka nevojë për një klasë politike demokratike e me orientim evropian. Klasa aktuale me rrënjë milosheviçiane e rankoviçiane orientimin e ka nga “Eurazia” e Putinit, edhe kur bën lojë bivektoriale. Në 10 korrik Serbia lidhi marrëveshje të tregtisë së lirë me Unionin Euroaziatik me qendër Rusinë. Serbia strehon baza ruse, dhe është i vetmi vend evropian që blen armë e dronë kinezë. Serbia është vendi me buxhet më të madh ushtarak në Ballkanin Perëndimor. Ajo sigurisht nuk armatoset që të luftojë me NATO-n. Por, periudha e presidencës Trump dëshmoi se prezenca e trupave amerikan dhe atyre të NATO-s në rajon, mund të mos jetë e përhershme në të ardhmen. Një tërheqje e trupave amerikane, do të krijonte një situatë të ngjashme si në Afganistan, ku tash po kthehen talebanët. Talebanët, paralelen e dëshirës për dhunë e agresion në Ballkan nuk e kanë te populli serb, por te kjo klasë politike e Serbisë. Vuçiqi nuk pranon as në vitin 2021 të nënshkruajë pakt mossulmimi me Kosovën. Do të ishte mirë që vendet e tjera të Ballkanit, si Shqipëria e Maqedonia Veriore, ta izolonin Vuçiqin, deri në momentin kur vetë qytetarët e Serbisë ta largonin këtë klasë politike, dhe të afronin udhëheqës të rinj, demokratë e pa komplekse për dënimin e krimeve.

“Bota sot”: Lëvizja Vetëvendosje mori pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Për dallim nga Kosova, në Shqipëri kishte akuza të rënda për vjedhje të votave dhe ndërhyrje në procesin zgjedhor. A do t'ju ndalojë kjo gjë që të merrni pjesë edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale apo parlamentare?

Arbër Zaimi: Këto janë vendime që do t’i marrim së bashku me veprimtarët e tjerë. Zgjedhjet janë moment politik që varet shumë nga organizimi në terren i subjektit partiak. Në Shqipëri, edhe pse kemi përkrahje me politikat tona sociale e demokratike, ne ende nuk kemi një organizatë të mirëfilltë. Mbase kjo do të ndryshojë së shpejti. Megjithatë, vjedhjet e votave mbeten krim, dhe duhen dënuar. Ato ishin haptazi, ne ofruam prova e denoncime. Mosdënimi, tregon se në ç’nivel është katandisur demokracia e Shqipërisë.

“Bota sot”: Duke parë afërsinë e Edi Ramës me Aleksandër Vuçiqin në samitin e Shkupit dhe deklaratat e tij, a mund të thuhet se niveli i bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri është në nivelin më të ultë deri më tani?

Arbër Zaimi:
Bashkëpunimi, në sferat ekonomike, artistike, kulturore, familjare apo ndërpersonale, ka qenë i mirë dhe forcohet vit pas viti. Preferencat e Ramës për disa liderë të Kosovës dhe mospëlqimi i tij për qasjen antikorrupsion e socialdemokratike të Kurtit, nuk duhet ta shtyjë atë në përqafim të Vuçiqit. Nuk bëhet politika kombëtare “për inat të vjehrrës”… 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat