Hoti synon postin e të parit të Klinës, kaq komuna pret që t’i fitojë LDK-ja

Intervista

Hoti synon postin e të parit të Klinës, kaq komuna pret që t’i fitojë LDK-ja

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 3 gusht 2021 Në ora: 08:18
LDK

Zgjedhjet lokale do të mbahet në muajin tetor dhe kandidat për kryetar të komunë së Klinës nga LDK është Besim Hoti.

Ai në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se për të qenë kandidat për të është një sfidë, besim por edhe privilegj.

Ai po ashtu ka treguar edhe për programin e tij si kryetar, në këtë rast, ai theksoi se janë të angazhuar në të gjitha fushat, duke përfshirë arsimin, kulturën, shëndetësinë, zhvillimin ekonomik dhe shumë fusha të tjera.

Hoti ka shtuar se pika e parë për ndryshim në rast se zgjidhet kryetar do të jetë kthimi i besimit të qytetarëve në institucionet e komunës.

Më tej ka folur edhe për arrestimet e aksionit të fundit që e përfshirë ishte edhe Klina, derisa tha se është për sundim të ligjit, por mënyra e veprimit sipas tij, nuk ka qenë e mirë, pra prania e madhe e forcave policore.

Image
Kandidati i LDK-së për kryetar të Klinës, Besim Hoti

 

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Jeni kandidat për kryetar të Komunës së Klinës. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Besim Hoti: Propozimi i degës së LDK-së në Klinë që unë të jem kandidat për kryetar të komunës dhe miratimi nga ana e kryetarit Dr. Lumir Abdixhiku dhe kryesisë qendrore të LDK-së, për mua në rend të parë është përgjegjësi, besim, privilegj por edhe sfidë.

“Bota sot”: Cilat janë pritjet tuaja nga zgjedhjet e 17 shkurtit? A mendoni se do të jeni fitues?

Besim Hoti: Mendoj se qytetarët kësaj radhe do të më japin besimin për të udhëhequr më komunën, pra pres fitore më 17 tetor.

“Bota sot”: Në rast se i fitoni këto zgjedhje, cila do të jetë pika e parë që do të fokusoheni për ndryshim?

Besim Hoti: Pika e parë që do fokusohem është kthimi i besimit të qytetarëve në institucione komunale. Transparenca, llogaridhënia, ofrimi i mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët.

“Bota sot”: Cili është programi juaj për udhëheqjen e kësaj komune?

Besim Hoti: Programi im është real dhe i zbatueshëm. Së bashku më ekipen e ekspertëve të fushave përkatëse jemi angazhuar që programi të përfshijë të gjitha fushat me fokus të veçantë për shërbim shëndetësor më cilësor, arsim, kulturë rini dhe sport, bujqësi, zhvillim ekonomik, ambient të pastër, për një administratë efikase, luftim të varfërisë, kujdes për të moshuarit. Gjithashtu në trajtimin e ujërave të zeza dhe infrastrukturë

“Bota sot”: Cilat janë problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohet Klina?

Besim Hoti: Kanë kaluar 21 vite nga lufta, është punuar por jo aq sa kemi menduar dhe shpresuar. Kemi filluar mandatin e fundit më shpresa shumë të mëdha se do të punojmë shumë dhe do të ndryshojmë për të mirë, por nuk na doli ashtu. Akoma Klina ballafaqohet me mungesën e ujit të pijës. Nevojat janë shumë të mëdha për ndryshim pozitiv në të gjitha fushat.

“Bota sot”: Si LDK, cilat janë pritjet për komunat e tjera të Kosovës?

Besim Hoti: Në zgjedhjet e 17 tetorit, LDK përveç komunave që jemi duke qeverisur do t’i fitojmë së paku edhe 7 komuna tjera.

“Bota sot”: Por, për punën e deritanishme të kryetarit aktual, cili është vlerësimi juaj?

Besim Hoti: Ka pasur mundësi të bëjë punë të mëdha…!

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e Qeverisë Kurti deri më tani?

Besim Hoti: Mendoj se deri tani nuk i ka përmbushur pritjet e qytetarëve!

“Bota sot”: Si i komentoni arrestimet nga aksioni i fundit në tri komunat e Kosovës, përfshirë Klinën?

Besim Hoti: Në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të detyrës nga ana e zyrtarëve komunal, mendoj se mënyra e veprimit të shtetit në këtë rast ndoshta nuk ka qenë më e mira. E kam fjalën për praninë e madhe të forcave policore. Përndryshe jam fort për sundim të ligjit.

“Bota sot”: Është paralajmëruar një valë e re e infektimeve, si pasojë e variantit të ri të virusit, a mendoni se duhet të ketë mbyllje sërish?

Besim Hoti: Nëse ndodh valë e re virusit siç paralajmërohet, mendoj se tani në shumë aspekte jemi më të përgatitur. Ndërsa nuk mendoj se duhet të ndodhë mbyllje. Mëgjithatë, kjo varet nga vlerësimet dhe vendimet e IKSHP-së dhe institucioneve relevante.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat