Sfidat e shqiptarëve në Kosovë Lindore, Mustafi ka një thirrje urgjente për Prishtinën dhe Tiranën

Intervista

Sfidat e shqiptarëve në Kosovë Lindore, Mustafi ka një thirrje urgjente për Prishtinën dhe Tiranën

Arife Morina Nga Arife Morina Më 14 gusht 2021 Në ora: 21:01
Ragmi Mustafi

Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit vazhdojnë të përballen me probleme dhe mosrespektim të të drejtave tyre nga Serbia.

Lidhur me situatën në Luginën e Preshevës dhe sfidat e komunitetit shqiptar, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka folur kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në  Kosovë Lindore, Ragmi Mustafi.

Ai u shpreh se mungesa e zhvillimit të përshpejtuar ekonomik, mos respektimi i tri marrëveshjeve, zbatimi i ligjeve selektivisht, racizmi shtetëror, kriminalizimi e diskriminimi shtetëror e sistematik, janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballen shqiptarët në Serbi.

Ndërsa , sa i përket bashkëpunimit me institucionet shtetërore në Kosovë, Mustafi deklaroi se shqiptarët e Luginës janë të lidhur ngushtë në aspektin kulturor, gjuhësor dhe historik me Republikën e Kosovës, duhet të sigurohemi të ndërlidhemi edhe ligjërisht.

Tutje, ai beson se tani në Kosovë ekziston stabiletiti i e munguar politikë për të marrë përsipër edhe përgjegjësinë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Kurse, sa i përket projektit të “Ballkanit të Hapur”, Mustafi theksoi se pa barazi në të tashmen, pa drejtësi për të kaluarën nuk mund të ketë sukses ky projekt.

“Konsideroj që Vuçiq nuk është shkëputur krejtësisht nga politikat e viteve të 90-ta. Përkundrazi, iniciativat për të ndërtuar “botën serbe”, në të cilin nuk do të ketë vend për tjerët, janë rikthim në politikat e përgjakshme dhe ftesë e hapur për lufta të reja Ballkanike”, potencoi kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar.

“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në Kosovë?

Ragmi Mustafi: Besoj se tashmë Kosova ka stabilitetin e munguar politikë për të marrë përsipër edhe përgjegjësinë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe për të i strehuar nën përkujdesjen institucionale.

“Bota sot”: A e keni bashkëpunim me institucionet shtetërore në Kosovë?

Ragmi Mustafi: Shqiptarët e Luginës janë të lidhur ngushtë në aspektin kulturor, gjuhësor dhe historik me Republikën e Kosovës, duhet të sigurohemi të ndërlidhemi edhe ligjërisht.

Krijimin e një strategjie të përbashkët afat-mesme në ushtrimin e bashkërenduar të aktiviteve në funksion të avancimit të çështjes së shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Krijimin e urave të komunikimit dhe shkëmbimit mes institucioneve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Në fushën e Arsimit, Kulturës, Informimit, Administrimit Publik, Biznesit dhe veprimtarive të tjera në dobi të ndërsjellët. Mbeten mision i imi dhe i Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Pra bashkëpunimi nuk varet vetëm nga vullneti i jonë po njëkohësisht edhe vizioni dhe përgjegjshmëria e bartësve të institucioneve në Kosovë.

Çfarëdo nisme sa për efekt mediatik dhe sjellje sipas praktikave ad hoc të pamenduara mirë janë të papranueshme dhe të papërgjegjshme.

“Bota sot”: Cilat janë disa sfidat që përballet komuniteti shqiptar në Serbi?

Ragmi Mustafi: Nën përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e sistemit, papunësia më e larta në Serbi, të ardhurat gjashtë herë më të ulëta se mesatarja në Beograd, mungesa e zhvillimit të përshpejtuar ekonomik, mos respektimi i tri marrëveshjeve, zbatimi i ligjeve selektivisht, racizmi shtetëror, kriminalizimi e diskriminimi shtetëror e sistematik, spastrimi etnik përmes pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Medvegjë, Preshevë e Bujanoc janë thirrje për veprime urgjente të Qeverisë në Tiranë e Prishtinë e të bashkësisë ndërkombëtare.

Do të ishte reduktim të trajtohen këto veprime sistematike si shprehje aksidentale e individuale. Ato janë produkt i sistemit aktual në Serbi dhe pasojë e diskursit në rritje ksenofob kundër minoriteteve e sidomos të shqiptarofobisë nga politikanët, mediat dhe personalitetet me ndikim publik në Serbi si dhe përhapje e frymës fashiste.

Republikës së Serbisë shqiptarët e Luginës i trajton në frymën e një komuniteti të padëshiruar brenda kornizës shtetërore.

Serbia është sot e vetmja republikë ish-jugosllave ku banon një pakicë kombëtare shqiptare që i ndalon me ligj simbolet kombëtare shqiptare.

Nuk i takon shtetit t’i përzgjedhë veçoritë identitare të bashkësive të ndryshme etnike/kombëtare. Ndalimi i tyre flet për karakterin demokratik të vetë shtetit, një shteti ku nuk ka të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, në shpërputhje edhe me konventat për të drejtat e njeriut dhe të minoriteteteve, të nënshkruara nga vetë ai.

Edhe sot, jo pak shqiptarë të Luginës nuk mund të jetojnë në vendlindje për shkak të ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar. Shumë të tjerë përballen me procese gjyqësore sikur edhe kryetar komunash, kryetar partish e në veçanti kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar. Kjo politikë në emër të shtetit ligjor është në fakt politikë e dëbimit të tjetrit.

Në anën tjetër, autoritetet shtetërore nuk kanë siguruar të gjitha librat shkollorë për shkollat fillore në gjuhën shqipe dhe as që ka filluar me librat për shkollat e mesme ku nuk ka asnjë një libër shkollor.

Njohja e diplomave nga Kosova, por edhe nostrifikimet e vështira të diplomave nga Maqedonia e Shqipëria, mbeten ende një problem i pazgjidhur pavarësisht marrëveshjes së Brukselit 2013 dhe asaj të Uashingtonit 2020.

Veprimtaritë kulturore dhe informimi në gjuhën shqipe janë sot në një gjendje të mjerueshme për shkak të mungesës së mjeteve financiare, përderisa përdorimi zyrtar i gjuhës dhe i shkrimit shqip nuk jetësohet në shumicën e rasteve në institucionet jashtë kompetencave të pushteteve lokale.

Procesi i “pasivizimit të adresave” ndaj pjesëtarëve të komunitetit shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, është masiv po aq edhe selektiv në baza të diferencimit etnik (rasti i Medvegjës ilustron më së miri). Proces ky po pamundëson shqiptarët e atjeshëm në disponimin e të drejtave themelore civilo-juridike e juridiko-trashëgimore. Pra është duke u bërë spastrimi etnik me mjete administrative siç e vërteton edhe Raporti i fundit i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.

Dhe jo vetëm Raporti i Progresit i Bashkimit Evropian për Serbinë për vitin 2020 ngrit shqetësime serioze sa i përket jetësimit të të drejtave fundamentale të njeriut, trajtimit të drejtave të pakicave kombëtare, mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, demokracinë e gjithë përfshirjen, kompatibilitetin administrativ dhe lirinë e shprehjes. Por, në Mars të këtij viti Parlamenti Evropian miratoi rezolutën për të amandamentuar raportin e BE mbi Serbinë dhe hetojë pretendimet pasivizimin e adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Mos të harrojmë se edhe Raporti i Departamentit Amerikan të SHBA për drejtat e njeriut kishte konstatuar për nën përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e sistemit, papunësia më e larta në Serbi, të ardhurat gjashtë herë më të ulëta se mesatarja në Beograd, mungesa e zhvillimit të përshpejtuar ekonomik, zbatimi i ligjeve selektivisht e racizmi shtetëror.

Pra kemi tre raporte kredibile që dëshmojnë pozitën e vështirë e diskriminuese ndaj shqiptarëve në Luginë dhe kemi tri marrëveshje që Qeveria e Republikës së Serbisë nuk po i jetëson me përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës të nënshtruara e garantuara nga bashkësia ndërkombëtare si ajo vitet 2001 Marrëveshjen e Konçulit, 2009 Marrëveshjen për ristrukturimin e Trupit Koordinues dhe 2013 Panin 7 pikësh.

Pra, teksa në njërën anë, kuadri ligjor dhe kushtetues nuk e mundëson zgjerimin e domosdoshëm të të drejtave të minoriteteve në Serbi; në anën tjetër, po mungon edhe vullneti politik për ta zbatuar legjislacionin në fuqi, aty ku ai është më pozitiv për çështjet e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve dhe sidomos të shqiptarëve të Luginës që kanë veçoritë e tyre për shkak të konteksteve politike dhe rrethanave historike.

“Bota sot”: Sa jeni të kënaqur me përfaqësimin e shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë?

Ragmi Mustafi: Sukses i jashtëzakonshëm ishte zgjidhja e tre deputetëve në Parlamentin Republikan nga lista së përbashkët “Lugina e Bashkuar”. Paradoksalisht deputetët shqiptarë bashkë me ata boshnjak janë edhe të vetmit në opozitë. Kaq, përveç performancës së deputetit Shaip Kamberi i cili në mënyrë të shkëlqyer e të dinjitetshme po paraqet interesat e shqiptarëve të Luginës. Përfaqësim kuptimplotë e domethënës për Luginën.

“Bota sot”: Çfarë mendoni për projektin e “Ballkanit të Hapur”, a duhet që Shqipëria të heq dorë nga ky projekt i Vuçiqit?

Ragmi Mustafi: Nën konceptin e politikës bashkëkohore nuk mund të përjashtohet procesi dekolonializimit, defashizimit e krejt në fund demillosheviqizimin e Serbisë si mundësi për demokratizim të rajonit dhe agravim të vlerave euro-perëndimore.

Konsideroj që Vuçiq nuk është shkëputur krejtësisht nga politikat e viteve të 90-ta. Përkundrazi, iniciativat për të ndërtuar “botën serbe”, në të cilin nuk do të ketë vend për tjerët, janë rikthim në politikat e përgjakshme dhe ftesë e hapur për lufta të reja Ballkanike.

Pra, politika e së ardhmes nuk mund të shmang e mohojë të kaluarën. E ardhmja mund të artikulohet vetëm mbi të vërtetën që respekton dinjitetin njerëzorë në radhë të parë dhe të drejtat e liritë individuale dhe kolektive.

Pa barazi në të tashmen, pa drejtësi për të kaluarën e ardhmja mbetet e dehumanizuar dhe e zhveshur si statistikë ekonomike.

Megjithatë, e ardhmja nuk mund të mbetet në kurthin e së kaluarës. Si peng i historisë nuk guxojmë të ndërtojmë e projektojmë mbylljen si politikë bërje në një botë kaq dinamike. Të mbështeturit tek aleatët euro-perëndimor nuk ka alternativë.

“Bota sot”: A mendoni se dy shtetet shqiptare, Kosova dhe Shqipëria po bëjnë mjaftueshëm për shqiptarët në Serbi?

Ragmi Mustafi: Jo. Në fakt janë shumë larg së mjaftueshmes. Krahasoni mbështetjen që Serbia i bën për serbët në Kosovë me mbështetjen e Shqipërisë e Kosovës ndaj shqiptarëve në Serbi iu flet gjithçka se nuk janë kërkah.

“Bota sot”: A duhet të jenë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, Presheva, Medvegja dhe Bujanovci?

Ragmi Mustafi: Absolutisht po. Këtë e ka thënë edhe vetë eksponentë të Vetëvendosjes dikur nga opozita.

Përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të Luginës janë të gatshëm të bëhen pjesë e dialogut e kontribuojnë me propozimet në drejtim të trajtimit të çështjes së Luginës. Normalizimi i marrëdhënieve është i pamundshëm pa u trajtuar edhe çështja Luginës.

“Bota sot”: Cili është opinioni juaj për projektin që tash e sa vite po qarkullon për ndarjen e Kosovës, apo shkëmbimin e territoreve me Serbinë?

Ragmi Mustafi: Ka shumë zëra që thonë se në dialogun Kosovë-Serbi nuk duhet biseduar për çështjet përtej kufijve të tanishëm të Republikës së Kosovës. Kjo qasje që ka për synim të ‘ndërhyhet’ vetëm në çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën, përjashton mundësinë të ‘ndërhyhet’ në çështjet që kanë të bëjnë me Serbinë, pra edhe me Luginën e Preshevës.

Sigurisht se janë palët e përfshira në dialog që i përcaktojnë përkufizimet, kornizën, parimet dhe kriteret e dialogut. Por, nëse duam dialog midis të barabartëve dhe paqje të qëndrueshme, atëherë kjo nënkupton se çfarëdo teme eventuale që mund të jetë subjekt negociatash (kufijtë e jashtëm, rendi kushtetues, rregullimi i brendshëm administrativo-territorial, burimet natyrore dhe asetet ekonomike, të drejtat e minoriteteve, krimet e luftës dhe zbardhja e fatit të të pagjeturve, etj) duhet të trajtohet për të dy vendet të cilat janë palë në dialog.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat