I bindur në fitore, kandidati i LDK-së për Kaçanikun flet për programin e tij, tregon mashtrimet e qeverisë aktuale

Intervista

I bindur në fitore, kandidati i LDK-së për Kaçanikun flet për programin e tij, tregon mashtrimet e qeverisë aktuale

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 16 shtator 2021 Në ora: 17:32
Shkelqim Jakupi

Shkëlqim Jakupi është kandidati i LDK-së për Kaçanikun.

Ai në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka deklaruar rreth aktualiteti politik në vend.

Jakupi ka deklaruar se në këto zgjedhje pret që të arrihet ndryshimi dhe t’i hapen rrugët qeverisjes profesionale në shërbim të qytetarëve, madje ai thekson se qytetarët e kësaj komune, kanë parë dhe shohin se ndryshimi i vërtet në komunën tonë është vetëm Shkëlqim Jakupi dhe askush tjetër.

Përveç kësaj, Jakupi ka përmendur edhe disa mashtrime ndaj qytetarëve që janë bërë nga kjo komunë, ai thotë se është, ndërtimi i parkingut nëntokësorë para Administratës Komunale, ndërtimi i kolektorit kryesorë për trajtimin e ujërave të zeza-Nerodime, ndërtimi i objektit për Zjarrfikësit – Kaçanik, ndërtimi i stazës për këmbësor dhe shtegut për biçikleta përgjatë lumit Lepenc-H.Elezit, e shumë të tjera.

I pyetur për programin e tij qeverisë, Jakupi potencoi se kemi përgatitur një program zhvillimor, plan i cili prek çdo cep të Kaçanikut.

Ai shtoi se programi i tij fokusohet në zhvillimin ekonomik, madje ky program, përfshin në vete krijimin e një qeverisje lokale shumë profesionale. Gjithashtu, ai ka theksuar se në sistemin shëndetësor më nuk do të ketë mjekë që marrin paga pa punuar thuajse fare, gjë e cila do të bëhet duke funksionalizuar QMF-të dhe duke rritur numrin e stafit funksional në këto qendra.

Për fund, Jakupi ka treguar se situata pandemike në këtë komunë nuk po menaxhohet si duhet, sipas tij, reagojnë vetëm pas ndodhjes së rasteve, ndërsa hapa preventive nuk kanë ndërmarrë fare.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Çfarë prisni nga këto zgjedhje?

Shkelqim Jakupi: Nga këto zgjedhje pres që më në fund të arrihet ndryshimi i nevojshëm qeverisjes lokale për Kaçanikun. Të jepet fund kësaj keq-qeverisje mbi 20 vjeçare dhe t’i hapen rrugët e krijimit të një qeverisje lokale profesionale dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve, e fokusuar në zhvillim dhe përmirësimin e jetës në çdo cep të Kaçanikut. 

Image
Shkelqim Jakupi

“Bota sot”: Pse pikërisht ju duhet të jeni kryetar i kësaj komune?

Shkelqim Jakupi: Në zgjedhjet e kaluara unë isha kandidat për kryetar komune, qytetarët vendosën që unë të renditesha i treti dhe nuk arrita të futesha në balotazh. Por, ky rezultat tregonte diçka shumë të rëndësishme, se qytetarët kishin vendosur ta rrëzonin qeverisjes aktuale dhe ta bënin ndryshimin e qeverisjes. Opozita kishim marrë shumë më shumë vota se pozita. Personalisht, unë një përqindje të vogël nuk arrita të hy në balotazh, ndërsa qytetarët në rundin e dytë, nuk panë partinë tjetër si alternativë për ndryshim dhe vendosën për balotazh, edhe pse unë personalisht mbështet pa kursyer dhe pa asnjë kusht bërjen e ndryshimit. Ky fakt, dhe të gjitha matjet më bëjnë të besojë se qytetarët e komunës së Kaçanikut kanë parë dhe shohin se ndryshimi i vërtet qeverisës në komunën tonë është vetëm Shkëlqim Jakupi, askush tjetër.

Qytetarët e Kaçanikut e meritojnë një kryetar që nuk i mashtron, një kryetar profesional që di dhe mundet.

Mashtrimi i qytetarëve të Kaçanikut me planifikimin buxhetor të komunës

Ashtu si çdo vit tjetër edhe këtë vit PDK si udhëheqje komunale po i mashtron qytetarët e komunës sonë me planifikim të rrejshëm dhe të parealizueshëm, duke vendosur vetëm titujt e projekteve dhe duke mos ndarë mjete për realizimin e tyre.

Lista e mashtrimeve me projekte gjysmake dhe fiktive është e gjatë, po i përmbledhim vetëm disa si:

• Ndërtimi i parkingut nëntokësorë para Administratës Komunale;

• Ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës së fshatrave Llanishtë - Nikoc – Kërbliq;

• Rregullim i rrugës Bob-Kulla Hasanit;

• Ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza;

• Ndërtimi i kolektorit kryesorë për trajtimin e ujërave të zeza-Nerodime;

• Ndërtimi i objektit për Zjarrfikësit – Kaçanik;

• Asfaltimi i rrugës që lidhë Fshatrat Kotlinë-Ivajë;

• Ndërtimi i stazës për këmbësor dhe shtegut për biçikleta përgjatë lumit Lepenc-H.Elezit;

• Ndërtimi i kanalizimeve fekale ne zonën turistike Shtrazë;

• Rregullimi dhe asfaltimi I rrugës që lidhë vendbanimet: Gërlicë-K.Vjetër-Stagovë-Runjevë;

• Ndërtimi i Stadiumit të Qytetit "Besnik Begunca";

• Rregullimi i varrezave të Dëshmorëve dhe Veteranëve të UÇK-së;

• Ndërtimi i sallave të Edukatës Fizike në SHFMU: "Nazmi Osmani"-Elezaj, "Jusuf Gërvalla"-Biqec ,"Idriz Seferi"- Bob,"Kadri Zeka"-Dubravë;

• Ndërtimi i SHFMU - "Emin Duraku"- Kaçanik;

• Ndërtimi i Aneksit në Gjimnazin "Skënderbeu"- Kaçanik;

Kjo formë e bërjes së politikës sa për sy e faqe, po rrezikon planifikimin e mirëfilltë buxhetor dhe realizimin e projekteve për vite me radhë. Si pasojë edhe projektet e realizuara, po bëhen pa asnjë cilësi standarde dhe nuk po arrijnë efektin e shërbimit për qytetarë.

“Bota sot”: A mendoni se është qeverisur mirë deri tani në komunën tuaj?

Shkelqim Jakupi: Absolutisht jo. Jo mirë, por shumë keq është qeverisur. Çdo qytetarë dhe çdo kush, mund të ndalet dhe mendoj se, për çka do të mbahet mend ky kryetar që qeveri 10 vjet me Kaçanikun dhe po kërkon mandatin e katërt. Për asgjë hiq. Lëre që nuk ka sjellë pothuajse asnjë investim të huaj në vendin tonë, por këta edhe buxhetin e Kosovës nuk kanë arritur ta menaxhojnë si duhet dhe të gjitha punët e bëra, janë ri-bërë të njëjtat disa herë dhe prapë nuk janë si duhet.

Çka ndodhi me projektin milionësh të sistemit të ujësjellësit në fshatrat Nikaj, Soponicë, Dubravë, Doganaj, Elezaj dhe Rekë?

Fillimisht, kur Ministria e Ambientit kishte ndarë mjetet e nevojshme për sistemin e ujësjellësit në këto fshatra, komuna as vet nuk ishte në dijeni, duke përfituar kështu një projekt shumë të madh, krejtësisht e papërgatitur pa ide dhe projekt konkret. Për këtë, disa vite shkuan dëm, dhe si i tillë ky projekt mund të konsiderohet i dështuar.

Por pastaj, komuna jonë nga mosdija dhe totalisht e papërgatitur vendos të investojë diku 1.300.000 Euro në gypa, respektivisht shtrirjen e rrjetit, duke bërë ndarjen e secilës lagje me gypa ne vete. Parimisht, shumë mirë.

Mirëpo, këtu komuna nuk ka llogaritur që gypat nuk kanë asnjë vlerë në qoftë se nuk kanë ujë të mjaftueshëm në to. Nga kjo mosdije e pësuan dhe mbeten pa ujë te pijshëm këto fshatra: Nikaj, Soponicë, Dubravë, Doganaj, Elezaj dhe Rekë.

Me një menaxhim më të mirë të këtyre mjeteve do të ishte ndërtuar një Fabrikë për përpunimin e ujit në Sepetin e cila do të kushtonte përafërsisht 500.000.00 euro dhe me 800.000,00 euro të mbetura do ta ndërtonin një Rezervuar prej 2 milion litrave, po në Sepetin i cili do të kushtonte përafërsisht 220.000.00 Euro ndërsa me 580.000,00 euro të mbetura do të ishte shtrirë rrjeti në të gjitha këto fshatra. Nga Reka e Madhe ujin do ta merrnim me një gyp F-500 si dhe do të ishte vendosur një gyp rezerve F-315 nga Ura e Banovinës e deri tek Sepetini që për raste emergjente të bartet uji prej Lepencit me pompa dhe të bëhet trajtimi në fabrikën e cila do të ishte vendosë në Sepetin, të gjitha këto do të ishin realizuar me kaq shumë para dhe popullata e kësaj ane do të kishte ujë të mjaftueshëm e jo gypa të mjaftueshëm.

“Bota sot”: Po programi juaj i qeverisjes cili është dhe sa është premtues për një qeverisje më të mirë?

Shkelqim Jakupi: Unë, bashkë me ekipin tim profesional, sipas sektorëve, kemi përgatitur një program zhvillimor për komunën e Kaçanikut, i cili plan prek çdo cep të Kaçanikut dhe të gjitha moshat dhe kategoritë e shoqërisë.

Programi ynë fokusohet në zhvillimin ekonomik, duke krijuar kushte dhe projekte të duhura për invetime, duke shfrytëzuar potencialin tonë në turizëm dhe bujqësi. Ky program, si parakusht për implementim përfshinë në vetë krijimin e një qeverisje lokale shumë profesionale dhe të dëshmuar për punë dhe rezultate. Cilësia e arsimit dhe krijimi I kushteve për një jetë më të mirë për të rinjtë do të jetë prioritet i yni.

“Bota sot”: Nëse e fitoni këtë mandat, çfarë do të ndryshoni në sistemin shëndetësor?

Shkelqim Jakupi: Nuk do të ketë më mjekë staf mjekësor që marrin paga pa punuar thuajse fare dhe pa ofruar shërbime e duhura mjekësore për qytetarët. Kjo do të bëhet duke funksionalizuar QMF-të dhe duke rritur numrin e stafit funksional në këto qendra dhe vizitat mjekëve familjarë dhe specialist. Reparti gjinekologji do të funksionalizohet në QKMF dhe do të rritet numri i mjekëve specialist.

“Bota sot”: Si është gjendja me CoVID-19 në komunën tuaj, a po menaxhohet si duhet situata?

Shkelqim Jakupi: Ka qenë dashtë të reagoj publikisht vitin e kaluar për tu aktivizuar komuna e për të dalë për të bërë dezinfektimin e ndërtesave dhe hapësirave. Tash janë në gjumë të thellë, reagojnë vetëm pas ndodhjes së rasteve, hapa preventive nuk kanë ndërmarr fare.

“Bota sot”: Si është gjendja e arsimit në këtë komunë, duke e pasur parasysh ndikimin e situatës pandemike?

Shkelqim Jakupi: Hapi i parë për të arritur tek mësimi cilësor është që shkolla të jetë një ambient atraktiv e miqësor mbi të gjitha i sigurt dhe i shëndetshëm për fëmijët.

Për më shumë se 20 vite keqqeverisjeje të PDK-së, Shkolla Fillore “Emin Duraku” është katandisur aq keq sa që ngjan më shumë me “burgun famëkeq te Burrelit” se sa një institucion i mirëfilltë arsimor për fëmijët tanë. Edhe më keq është objekti i shkollës në Dushkajë, një objekt pa përmbushur asnjë standard, hap dyert për Ciklin e Lartë Fillore, që sot është në gjendje të mjerueshme. Fatin e njëjtë me këtë shkollë e kanë edhe shumica e shkollave nëpër fshatra të Kaçanikut.

Si pasojë edhe rezultatet e nxënësve tanë janë të dobëta dhe shqetësuese. Në Shkollën e Mesme Profesionale, rezultatet janë drastikisht negative dhe të përsëritshme vit pas viti me vetëm 20% kalueshmëri. Ndërsa, nga gjithsejtë 447 nxënës maturantë në shkollat tona, testit të maturës nuk i janë nënshtruar fare 21% prej tyre. Ndërsa, rezultate pozitive kanë treguar vetëm 45% e maturantëve.

Kaçanikut i duhet një qeverisje e mirë, i duhet një qeverisje ndryshe e cila do t’ia kthejë pamjen e mirëfilltë shkollave tona, në mënyrë që nxënësit tanë ta shijojnë çdo kënd te saj dhe krijohen kushte për rritjen e cilësisë së arsimit.

“Bota sot”: A mendoni se duhet të shtyhen zgjedhjet apo mjafton vetëm një fushatë e shkurtuar për shkak të gjendjes me pandeminë?

Shkelqim Jakupi: Unë mendoj që zgjedhjet duhet të mbahen sipas datës së përcaktuar me 17 tetor 2021, sipas rekomandimeve të IKSHPK-së për mbarëvajtjen në këtë ditë.

“Bota sot”: Si është disponimi i qytetarëve në terren në lidhje me subjektin tuaj, mendoni se do të dilni fitues?

Shkelqim Jakupi: Strukturat e Degës së LDK-së janë në krye të detyrës me një vullnet shumë të madh, LDK e ka listën më të mirë të kandidatëve për anëtarë të kuvendit të komunës, ndërsa qytetarët janë entuziastë dhe shumë të interesuar për ndryshimin e madh.

“Bota sot”: A keni bërë ndonjë matje apo sondazh në lidhje me këtë?

Shkelqim Jakupi: Për mua ekziston vetëm një sondazh, dhe ai sondazh bëhet drejtpërdrejtë nga qytetarët më datë 17 tetor, ku do ta vendosin për ndryshimin e madhe dhe fitoren tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat