Do ta fitojmë Junikun/Flet kandidati i LDK-së për kryetar, tregon çka e dallon partinë me Abdixhikun kryetar

Intervista

Do ta fitojmë Junikun/Flet kandidati i LDK-së për kryetar, tregon çka e dallon partinë me Abdixhikun kryetar

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 19 shtator 2021 Në ora: 08:02
Ruzhdi Shehu

Kandidat për kryetar të Junikut nga LDK, është Ruzhdi Shehu.

Ai ka folur në një intervistë për gazetën “Bota sot”, rreth kandidaturës së tij për kryetar të kësaj komune.

Ai ka deklaruar se në këto zgjedhje LDK do të shënojë fitore bindëse, ndërsa tregoi disa nga projektet që do t’i ketë prioritet.

I pyetur se si do t’i realizojë projektet dhe nevojat e qytetarëve, Shehu ka potencuar se potenciali dhe fuqia punëtore, janë më të mëdha se në vendet tjera. 

Tutje theksoi se bazuar në potencialet dhe resurset e shumta që ka Juniku do të krijohet një ambient i favorshëm për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të bazuar në agrokulturë dhe turizëm.

Ndërsa, lidhur me LDK-në e qeverisur nga Lumir Abdixhiku, Shehu u shpreh se, udhëheqja në LDK reflekton të gjitha ndryshimet që ishte e nevojshme të bëhen. Sipas tij, ajo me të cilët sot dallohet LDK, motivi dhe vullneti për ndryshim, si dhe përkushtimi i madh për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve në shumicën e komunave të Kosovës. 

Shehu gjithashtu ka folur edhe për situatën pandemike në Junik, ai ka deklaruar se ritmi i procesit të vaksinimit është i ngadalshëm, ndërsa, në rast se del fitues, Shehu, tha se fillimisht do të sigurojë që shërbimet e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare do të bëhen njëzet e katër orë në ditë dhe shtatë ditë në javë, do të mbulojnë shpenzimet e shërimit për të infektuarit me virus.

Intervista e plotë:

 “Bota sot”: Çfarë prisni nga zgjedhjet e 17 tetorit, a mendoni se do të dilni fitues? 

Ruzhdi Shehu: Pas dymbëdhjetë (12) viteve, qytetarët e Junikut po presin me padurim ndryshimin e domosdoshëm në Junik. Zgjedhjet e 17 tetorit për Junikun do të shënojnë fitoren bindëse të LDK, dhe kthesën e madhe për Junikun. LDK për Junikun, për të gjithë. 

“Bota sot”: Cilat projekte i keni prioritet për t`i realizuar sapo ta merrni mandatin? 

Ruzhdi Shehu: Jemi duke kaluar në një gjendje të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë Covid-19. Prandaj, për qeverisjen tonë prioriteti i parë do të jetë mbrojtja e jetës dhe shëndetit të qytetarëve të Junikut. Përtej kësaj, padyshim që në fokus janë rritja e vendeve të punës, disa projekte konkrete dhe subvencione në agro-turizëm dhe për fermerët, përkrahja e të rinjve dhe studentëve e profileve deficitare në Junik, investimet në shëndetësi, arsim, kulturë dhe sport si dhe përkrahja e bizneseve private, të cilat janë dëmtuar shumë jo vetëm në kohë të pandemisë, por gjatë këtyre viteve në Junik.  

“Bota sot”: Pse qytetarët duhet të ju votojnë juve për kryetar të Junikut? 

Ruzhdi Shehu: Juniku ka potencialin më të madh turistik dhe agrokulturor në rajon. Qytetarët e Junikut jetojnë përbrenda këtij potenciali, mirëpo vazhdojnë të kenë ndër shkallën më të lartë të papunësisë në vend dhe rrjedhimisht edhe ndër shkallën më të lartë të varfërisë në vend. Të rinjtë e Junikut çdo ditë po ikin nga vendi i tyre, duke kërkuar një jetë më të mirë. Sistemi shëndetësor në Junik nuk gëzon vëmendje të mjaftueshme. Shkollat e Junikut po zbrazen çdo ditë, ndërsa mësimdhënësit janë të pamotivuar për punë, pasi që nuk e ndjejnë përkrahjen që e meritojnë. Raportet e auditorit kanë konstatuar se një numër i madh i projekteve investive janë bërë duke shkelur ligjin dhe procedurat e prokurimit publik. Pra, lista e arsyeve pse duhet të votuar LDK në Junik është shumë e gjatë. Me 17 tetor, fitorja madhështore e LDK në Junik do të shënoj ndryshimin pozitiv që Junikasit po e presin tash e sa vite. 

 “Bota sot”: Si do t'i adresoni dhe realizoni projektet dhe nevojat e qytetarëve? 

Ruzhdi Shehu: Juniku në njërën anë është vatër e kulturës dhe historisë, ndërsa në anën tjetër ofron bukuritë natyrore më piktoreske në të gjithë rajonin. Megjithatë, rinia e shëndoshë në Junik është ajo me të cilën ne dallohemi dhe krenohemi veçanërisht. Pra, potenciali në Junik dhe fuqia punëtore janë më të mëdha se në çdo vend tjetër. Qeverisja jonë në komunë përmes projekteve zhvillimore dhe kapitale, por edhe përmes subvencioneve dhe granteve, do të zhvilloj një raport të shëndoshë ekonomiko-social ndërmjet sektorit të Agro-turizmit, bizneseve private dhe të rinjve në Junik. Kështu do të krijohet një klimë e favorshme për investime nga brenda vendit, dhe sidomos nga mërgata e Junikut që është aseti ynë më i fuqishëm që kemi. Me fjalë të tjera, mbi potencialin e madh të Junikut do të krijohet një ambient i favorshëm për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të bazuar në agrokulturë dhe turizëm, të përkrahur nga një ndërmarrësi e qëndrueshme, bazuar në potencialet dhe resurset e shumta që ka Juniku si dhe shërbimet publike cilësore në arsim, shëndetësi, kulturë, rini dhe sport.   

“Bota sot”: Si është qeverisur me Junikun deri tani? 

Ruzhdi Shehu: Nuk është bërë mjaftueshëm dhe as për së afërmi nuk janë përmbushur pritjet dhe kërkesat e qytetarëve në Junik. Natyrisht se nevojat e Junikasve janë të mëdha, prandaj ne nuk do të lejojmë që edhe katër (4) vite të tjera të vonohemi për të adresuar këto nevoja. 

“Bota sot” Sa është i pasur programi juaj qeverisës? 

Ruzhdi Shehu: Programi i LDK-së në Junik 2022-2025 është hartuar nga profesionistët më të shquar të fushave përkatëse. Rrjedhimisht janë arritur të identifikohen dhe adresohen të gjitha nevojat e qytetarëve të Junikut. Programi ynë qeverisës është manifestim i projekteve konkrete të cilat do të adresojnë nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të Junikut në fushën e ekonomisë, pastaj arsimit, shëndetësisë, turizmit, bujqësisë, blegtorisë si dhe skemave të ndryshme sociale të cilat përfshijnë jo vetëm rininë dhe diasporën por edhe të moshuarit dhe familjet e dëshmorëve, veteranëve, heronjve dhe invalidëve të luftës. Padyshim që fokusi kryesor është në rritjen e punësimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik bazuar në turizëm dhe agrokulturë të orientuar nga resurset dhe potencialet e mëdha që ka Juniku.  

 “Bota sot”: Jeni anëtar i hershëm i LDK-së, a mund të na thoni se si e vlerësoni udhëheqjen e re të partisë, mendoni se do të sjellin ndryshime? 

Ruzhdi Shehu: Konsideroj se udhëheqja në LDK reflekton të gjitha ndryshimet që kanë qenë të nevojshme të bëhen në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ajo me të cilët sot dallohet LDK është uniteti i brendshëm, motivi dhe vullneti i jashtëzakonshëm për ndryshim si dhe përkushtimi i madh për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve për ndryshim jo vetëm në komunën e Junikut por në shumicën e komunave të Republikës së Kosovës. 

 “Bota sot”: Si është gjendja me Covid-19 në komunën tuaj? 

Ruzhdi Shehu: Natyrisht se pandemia Covid-19 ka prekur edhe Komunën e Junikut. Numri i të prekurve është mjaft i lartë, ndërsa ritmi i procesit të vaksinimit është relativisht i ngadalshëm.  

 “Bota sot”: Në rast se dilni fitues, çfarë do të bëni si komunë që ta menaxhoni situatën me Covid19? 

Ruzhdi Shehu: Roli i komunës në menaxhimin e pandemisë Covid-19 është mjaft i madh. Fillimisht do të sigurojmë që shërbimet e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Junik do të bëhen njëzet e katër (24) orë në ditë dhe shtatë (7) ditë në javë. Tutje do të implementojnë një skemë sociale të posaçme për të mbuluar shpenzimet e shërimit për të infektuarit me virus si dhe për familjarët e viktimave nga Covid-19. Më pas do të sigurojmë që zbatimi i masave dhe rekomandimeve të institucioneve kompetente të implementohen plotësisht në Komunën e Junikut. Me këtë rast komuna do të subvencionoj maska, dezinfektues, doreza, teste falas si dhe pajisje tjera të cilat ende janë mungesë në komunën e Junikut. Përndryshe në fokus është edhe mbrojtja e ambientit, që është një prioritet i qeverisjes tonë edhe përtej menaxhimit të pandemisë Covid-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat