Liv Torres: Çmimi Nobel i Paqes hedh dritë mbi nevojën për informacion të besueshëm

Intervista

Liv Torres: Çmimi Nobel i Paqes hedh dritë mbi nevojën për informacion të besueshëm

Më: 8 tetor 2021 Në ora: 18:42
Liv Torres

Komiteti Norvegjez i Nobelit i dha Çmimin Nobel për Paqe 2021 gazetarëve Maria Ressa dhe Dmitry Muratov për përpjekjet e tyre për të mbrojtur lirinë e shprehjes, si një parakusht për demokracinë dhe paqen e qëndrueshme. Liv Tørres, drejtore e programit Pathfinders for Peace, Just and Inclusive në Qendrën e Universitetit të Nju Jorkut e cila ka shërbyer më parë si drejtore ekzekutive e Qendrës Nobel për Paqen thotë se fitorja e çmimit ndryshon gjithçka për laureatët dhe sjell në qendër të vëmendjes çështjet e tyre. Gazetarja e Zërit të Amerikës Rudina Dervishi mori disa opinione të saj lidhur me rëndësinë e çmimit Nobel të Paqes të këtij viti.

Zëri i Amerikës: Zonja Tørres doja të dija reagimin tuaj për fituesit e çmimit Nobel të Paqes - Maria Ressa dhe Dmitry Muratov – A u befasuat nga përzgjedhja dhe çfarë rëndësie ka ky çmim këtë viti?

Liv Tørres: Së pari më duhet të përgëzoj të dy fituesit. Unë mendoj se është një çmim i dhënë në kohën e duhur. Mendoj se është shumë e rëndësishme. Komiteti është duke vënë në dukje rëndësinë e lirisë së fjalës dhe rolin e rëndësishëm që media dhe gazetarët po luajnë tani në ndërtimin e demokracisë dhe paqes së qëndrueshme siç thonë ata në argumentimin e tyre për çmimin Nobel. Ne kemi parë gjatë viteve të fundit se liria e fjalës dhe media e lirë është nën presion në rritje në mbarë botën. Ne gjithashtu shohim që lajmet e rreme po përhapen me shpejtësi dhe po mbizotërojnë shumë vende. Kështu që media e lirë dhe e pavarur dhe roli i gazetarëve tani është kritik. Pra, ky çmim ka qënë i mirëpritur nga një spektër i gjerë i komunitetit ndërkombëtar.

Zëri i Amerikës: Çmimi Nobel për Paqen vuri në qendër të vëmendjes gazetarinë - luftën për informacion të lirë e të pavarur dhe të bazuar në fakte. Pse mendoni se kjo çështje është kaq e rëndësishme, kur ka çështje të tjera të menjëhershme me të cilat po përballemi si ndryshimi i klimës - Ju keni shërbyer si drejtore ekzekutive e Qendrës së Çmimit Nobel, sa i vështirë mendoni se ka qenë procesi i vendimit këtë vit?

Liv Tørres:
 Vendimi ka qënë i vështirë pasi pati shumë kandidatura, 329 këtë vit. Realiteti është se media dhe liria e fjalës janë vërtet shtylla kritike për të gjitha çështjet e tjera. Ne tani po jetojmë në një botë me polarizim të thellë, populizëm, shtypje të të drejtave demokratike. Shohim që po rritet zemërimi në shumë vende mes njerëzve që janë të ngopur me pabarazinë në rritje dhe kanë pak besim tek udhëheqësit e tyre. Në një situatë të tillë të kesh besim tek informacioni që marrim, të kesh besim se në fakt ekziston një gazetari e pavarur, e besueshme dhe se gazetarët që bëjnë punën e tyre është një shtyllë kritike në mënyrë që institucionet të punojnë më mirë, që udhëheqësit të punojnë së bashku, që ne të bëjmë një punë më të mirë si qytetarë dhe në fakt që të zgjidhim pastaj edhe çështjet e ndryshimit të klimës në një plan më afatgjatë dhe në perspektivë.

Zëri i Amerikës: Çmimi Nobel i Paqes ka qënë i debatueshëm disa herë dhe është kritikuar se ka qënë shumë i politizuar dhe jo sipas standarteve të vendosura nga Alfred Nobel. Përse është ende i rëndësishëm Çmimi Nobel?

Liv Tørres: Çmimi Nobel për Paqen ka ende rëndësi sepse që nga viti 1901 gjatë viteve, kanë arritur të zgjedhin kryesisht ata që duhet ta marrin atë. Dhe unë mendoj se është pjesë e punës të jesh i diskutueshëm herë pas here. Në testamentin që Alfred Nobel la pas ai tha se njerëzit ose institucionet që kishin bërë më shumë për vëllazërimin mes kombeve, çarmatimin dhe ndërtimin e rrugëve të paqes duhet të konsiderohen seriozisht dhe të merren parasysh për çmimin. Dhe kjo është e diskutueshme në vetvete., Kështu që unë mendoj se çmimi duhet të bëhet i diskutueshëm herë pas here. Nëse çmimi nuk është i diskutueshëm, ai nuk do të ishte një çmim shumë i rëndësishëm në të vërtetë. Gjatë shumë viteve, ata kanë bërë zgjedhje të drejta. Kur shohim pas sigurisht që ka çmime që janë më të diskutueshme se të tjerat, por në përgjithësi, kanë bërë zgjedhje të duhura.

Zëri i Amerikës: Çfarë ndryshimi sjell ky çmim dhe çfarë mund të presim nga dy gazetarët që e fituan atë këtë vit?

Liv Tørres: Sigurisht që ata marrin një shumë të konsiderueshme fondesh, marrin medaljen e artë. Në fakt unë kam takuar shumë laureatë gjatë viteve të mia në Qendrën Nobel të Paqes dhe më pas. Ata të gjithë thonë se ajo që është më e rëndësishmja është se çmimi në fakt sjell në qendër të vëmendjes së mbarë botës çështjet e tyre. Shumë prej tyre nuk janë aq të njohur para marrjes së çmimit. Por nga njoftimi i çmimit, ata papritmas hidhen në këtë stuhi të madhe mediatike globale ku të gjithë duan të dinë për ta. Ky është çmimi më i njohur në botë ndoshta pas Lojrave Olimpike. Çmimi Nobel për Paqen është i njohur kudo, dhe fitimi i çmimit ndryshon gjithçka për laureatët dhe sjell një qendër të vëmendjes çështjet e tyre, e cila nga ana tjetër përforcon zërin e tyre dhe mesazhet që ata duan të sjellin.
Doja të shtoja se përveç se jam shumë e lumtur për çmimin, që mendoj se është i rëndësishëm për kohën që jetojmë, jam gjithashtu veçanërisht e lumtur që një nga laureatet e ardhshme është grua. Ajo është gruaja e parë që merr një Çmim Nobel këtë vit, dhe ka një pakicë grash laureate. Kështu që të kesh më shumë gra laureate mendoj se është një gjë e mirë gjithashtu në një periudhë ku çështjet dhe të drejtat e grave janë gjithashtu nën presion./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat