Flet Shqipe Pantina, tregon arsyet që kaloi në LDK – ja mesazhi për kryeministrin Kurti!

Intervista

Flet Shqipe Pantina, tregon arsyet që kaloi në LDK – ja mesazhi për kryeministrin Kurti!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 17 janar 2023 Në ora: 16:16
Shqipe Pantina

Vendi ynë po përballet me shumë sfida, si dialogu, dhuna serbe në veri, lufta speciale hibride po në veri, kriza ekonomike, si pasojë e luftës pushtuese të Rusisë në Ukrainë etj.

Dialogu, barrikadat, plani franko-gjerman, asociacioni, rritja e çmimeve si dhe debatet mes pozitës dhe opozitës, janë temat kyçe me të cilat i diskutuam me ish-deputeten e VV-së, e cila kaloi kohëve të fundit në LDK, duke u prezantuar si një hap drejt fuqizimit dhe rritjes së mbështetjes për këtë parti.

Pantina kritikat i fillon me gjendjen e krijuar ekonomike nga rritja e çmimeve, të cilat janë të larta dhe nuk po përputhen me pagat që i marrin qytetarët e vendit.

Ndërsa, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, ajo thotë që dialogu është në një udhëkryq të paqartë si dhe Qeveria duhet të jap më shumë detaje në lidhje planin franko-gjerman.

Normalisht nuk mbeti pa u pyetur për kalimin e saj në LDK, e cila tregoi dy arsye më të rëndësishme:

- e para LDK-ja është partia me demokracinë e brendshme më të zhvilluar në vend e ndoshta edhe në rajon,

- e dyta është mënyra se si LDK-ja e bënë politikën, e cila nuk është parti populliste dhe nuk ka qenë asnjëherë e tillë.

“LDK-ja tani është duke u organizuar më mirë që të koordinojë punën brenda strukturave dhe ekipeve profesionale në mënyrë që të shfrytëzoj gjithë potencialin e vet drejt përgatitjeve për zgjedhjet nacionale e të cilat unë besoj se do t’i fitoj LDK-ja”, thotë Shqipe Pantina.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në vend?

Shqipe Pantina: Aspak të mirë. Rritje e çmimeve e sidomos e artikujve bazë, ndërsa mos rritje e pagave në anën tjetër e ka vështirësuar jetën e qytetarëve e në veçanti të atyre që punojnë në sektorin publik. Zhvillimi ekonomik është shumë i ulët, përkundër deklarimeve të Qeverisë, pastaj mungesa e investimeve kapitale ka bërë që përderisa paratë zhvleftësohen në arkën e shtetit, në anën tjetër shumë kompani detyrohen të ulin numrin e punëtorëve, e si pasojë shumë të rinj kanë lëshuar vendin duke kërkuar një jetë më të mirë në vendet evropiane. Kurse premtimet bombastike për luftë kundër korrupsionit e sundim të ligjit kanë ngelë fraza të fushatës zgjedhore. Tashmë kanë dalë në sipërfaqe aferat korruptive. Vetëm javën që shkoi kemi pas disa raportime për keqmenaxhim dyshime për korrupsion: rasti i mungesën së letrës për pasaporta, rasti i Martin Berishajt që u bë kryetitull edhe në mediat rajonale, rasti i zv.ministrit Veliaj ku në një përgjim dëgjohej duke marrë ryshfet, rasti i tenderit të kundërligjshëm në MPJD për blerje të makinave, janë vetëm disa.

Ndërsa, hiq më mirë nuk është situata në fushën e politikës së jashtme. Nuk kemi asnjë njohje të re, asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. I vetmi hap pozitiv është vendimi që vizat të hiqen për kosovarët në vitin 2024 por ky sukses, nëse mund ta quajmë sukses, pas një pritje prej një dekade, nuk i atribuohet kësaj Qeverie. Kurse në aspektin e sigurisë, e sidomos në pjesën veriore të vendit, situata është përkeqësuar. Qytetarët në atë pjesë të vendit janë në mëshirë të fatit e të bandave kriminale pasi atje nuk ka as polici e as gjyqësi funksionale, shteti e ka humbur sovranitetin mbi atë pjesë të vendit. E dialogu si rrugë për zgjidhjen e problemit me Serbinë, ka stagnuar.

“Bota sot”: Si e shihni dialogun Kosovë-Serbi, si e vlerësoni ju planin franko-gjerman? Si mendoni ju a do të rezistohet për krijimin e asociacionit nga institucionet e Kosovës, veçmas nga kryeministri Kurti?

Shqipe Pantina: Mendoj se dialogu është në një udhëkryq të paqartë. Kryeministri Kurti ka bërë ndryshime 180 shkallësh nga ajo çka kishte premtuar dhe ishte angazhuar kur ka qenë në opozitë, dhe veprimet që bënë tani si Kryeministër. Por, ndryshimin e qëndrimeve të tij, ai nuk e mbështetë me një vizion që ai e ka, por si pasojë e presioneve që i bëjnë ndërkombëtarët. Ne ende nuk e dimë qëndrimin e tij për marrëveshjen përfundimtare. Ai e përmend njohjen në qendër, por nuk tregon se si synon ta sigurojë atë. E sa i takon planit franko – gjerman ai ende nuk është bërë i njohur për publikun. Por, nga ajo çfarë është raportuar në media thuhet se ai nuk e përmbaj njohjen si pjesë e marrëveshjes, por që nga Kosova kërkohet ta formojë asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kryeministri ka deklaruar se ky është një plan me bazë të mirë për diskutim, përderisa vartësi i tij Bislimi, i ngarkuar edhe për dialog, e ka quajtur plan i përafërt më shumë me synimet e Serbisë. Qeveria jonë duhet të jetë më e qartë se çfarë është qëndrimi i saj për këtë plan dhe çfarë përfitimesh ka Kosova nëse e pranon një plan të tillë.

“Bota sot”: A bëri një lëvizje të dukshme Kurti me deklaratën e dhënë në Vjenë, se mund të jetë eventualisht çështja e asociacionit pjesë e marrëveshjes së përgjithshme?

Pantina: Mendoj se kjo tashmë është e qartë. Pa themelimin e asociacionit nuk do ketë përparim në arritjen e marrëveshjes përfundimtare që edhe do e siguronte njohjen nga Serbia ose të paktën nga 5 vendet e BE-së që nuk na kanë njohur ende. Madje kjo mund të pengojë Kosovën në integrimin e saj në organizma ndërkombëtarë.

“Bota sot”: Asociacioni po kërkohet me ngulm nga SHBA-ja, por edhe Gjermania, që të nis të bëhet tani. A duhet Kosova ta pranojë këtë kërkesë para arritjes së marrëveshjes së përgjithshme?

Pantina: Ajo çka unë mendoj është se Qeveria duhet të jetë shumë më serioze në procesin e dialogut dhe të ulet në tavolinën e negocimit dhe të flas me shumë seriozitet për njohjen nga Serbia si dhe për anëtarësimin e vendit në mekanizma ndërkombëtarë përfshirë edhe anëtarësimin në OKB. Nëse për këtë kërkohet krijimi i asociacionit e që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk e cenon funksionalizimin e brendshëm, atëherë mendoj se duhet shqyrtuar seriozisht.

“Bota sot”: A do t’ia dal Kosova, që në marrëveshjen e përgjithshme, ta rikthejë njohjen reciproke në qendër të saj, gjë që e mbështeti edhe delegacioni amerikan?

Pantina: Pa dyshim se mundet, por jo me një qasje të tillë çfarë e ka Kryeministri Kurti, sidomos ndaj ndërmjetësuesve ndërkombëtare. Ai duhet të bashkëpunojë shumë më ngushtë në veçanti me përfaqësuesit e SHBA-ve dhe të zbatoj zotimet që ai i merr. Deri më tani kemi parë veprime të papjekura të qeverisë, që kanë qenë në kundërshtim me çfarë kanë kërkuar miqtë tanë, siç ishte vendimi për targat, ose shpallja e zgjedhjeve lokale atje, vendime që më pastaj u shtynë, por vetëm pasi u kuptua se zbatimi i tyre e përkeqëson situatën atje.

“Bota sot”: Së fundmi keni kaluar në LDK, cilat ishin arsyet që ju shtynë që të bëheni pjesë e kësaj partie?

Pantina: Unë politikën e kam profesion prandaj e kam të vështirë të rri larg politikës. E pse LDK-në, janë dy arsye kryesore. E para LDK-ja është partia me demokracinë e brendshme më të zhvilluar në vend e ndoshta edhe në rajon. Pra, përkundër gabimeve që ka mund t’i bëjë në të kaluarën, përsëri mbetet partia më demokratike dhe që ka njerëzit më të përgatitur për ta udhëhequr vendin. Kjo u vërtetua edhe me zgjedhjet e brendshme për kryetar ku kishte një garë me tre kandidatë dhe me votim të fshehtë u zgjodh kryetar Lumir Abdixhiku. Dhe pas ardhjes së tij në krye të partisë ai i hapi dyert edhe për shumë njerëz të tjerë nga shoqëria civile apo bota akademike, duke filluar me kryetarin e komunës së Prishtinës Përparim Rama, i cili u nominua për kryetar të Prishtinës dhe e fitoi garën. Përveç Përparimit LDK-së ju bashkuan edhe njerëz të tjerë si Sibel Halimi, Jehona Lushaku, Visar Azemi etj., dhe pritet që edhe shumë tjerë t’i bashkohen në ditët në vijim. Dhe jo vetëm emra që janë tashmë të njohur në publik, por edhe të rinjë e të reja që janë të njohur për komunitetin e tyre dhe gëzojnë reputacion të lartë.

Arsyeja e dytë është mënyra se si LDK-ja e bënë politikën. LDK-ja nuk është parti populliste dhe nuk ka qenë asnjëherë e tillë. Vendimet e saj janë racionale dhe në interes të vendit. Ndryshimet e fundit që po ndodhin në parti besoj se do e forcojnë edhe më tutje qasjen racionale dhe profesionale në të bërit politikë

“Bota sot”: Tashmë në LDK, cilat janë synimet e juaja për qytetarët e vendit?

Shqipe Pantina: LDK-ja është duke analizuar të gjitha veprimet e mos veprimet e qeverisë dhe vendimet e saj, shumica e të cilave për fat të keq me pasoja negative për vendin. Në bazë të kësaj, por edhe vizionit që LDK-ja ka për zhvillimin e vendit, po përgatitet zgjidhja për problemet e krijuara. Tashmë janë krijuar disa ekipe të profesionistëve, të cilët janë duke hartuar programin qeverisës që do të prezantohet në zgjedhjet e ardhshme

“Bota sot”: Sa mund t’ia dalë LDK-ja, që të rritet në zgjedhje nacionale, meqë dallojnë mjaft shumë nga ato lokale, veçmas mbase nga fakti se VV-ja, ka dëshmuar se s’ka një shtrirje të mirë apo më saktë ballafaqohet me mungesë liderësh lokal?

Shqipe Pantina: Po çfarë kam parë në LDK është se aty ka një demokraci që buron nga lart poshtë. Pra, propozimet e ndryshimet vijnë nga degët e nëndegët dhe përcillen në qendër ku pastaj përkthehen në politika dhe qëndrime të qeverisë. E kundërta ka qenë në VV. LDK-ja tani është duke u organizuar më mirë që të koordinojë punën brenda strukturave dhe ekipeve profesionale në mënyrë që të shfrytëzoj gjithë potencialin e vet drejt përgatitjeve për zgjedhjet nacionale e të cilat unë besoj se do t’i fitoj LDK-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat