U intervistua për 32 orë, ish-komandanti i Brigadës 124 tregon ekskluzivisht për “Bota sot” se çka foli në Gjykatë Speciale

Intervista

U intervistua për 32 orë, ish-komandanti i Brigadës 124 tregon ekskluzivisht për “Bota sot” se çka foli në Gjykatë Speciale

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 12 qershor 2023 Në ora: 17:27
Ismet Tara

Ish- komandanti i Brigadës 124, Ismet Tara, thotë se populli i Kosovës duhet të jetë i bashkuar sepse paqe me Serbi nuk do të ketë ndoshta as për një shekull. 

Tara në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” tregon se është marrë në intervistë nga Gjykata Speciale për 32 orë, ku e ka bërë të qartë se UÇK-ja ka bërë luftë të pastër dhe të shenjtë. 

Ai hedh dyshime rreth Dick Martyt dhe deklaratës së tij për trafikim organesh, duke thënë se ai e ka pranuar që ka qenë i rrezikuar dhe deklarata e tij mund të jetë si “ një e mirë” Serbisë e cila ishte marrë me trafikim të organeve të popullatës shqiptare. 

Ish- komandanti pohon se Kosova ka gabuar në dialogim me Serbinë dhe se qëndrimi i tij është sikurse qëndrimi i dikurshëm i kryeministrit Kurti se duhet bisedohet me serbët në Kosovë që nuk i kanë duart e lara me gjak e jo me Serbinë kriminale. 

Tara ka rrëfyer vrasjen e ish- bashkëluftëtarit Bekim Syla si një ndër kujtimet që ka lënë gjurmë në jetën e tij, ndërsa ka folur edhe për arsyet që e kanë çuar të luftonte kundër Serbisë. 

“Bota sot”: Kanë kaluar 25 vjet që nga lufta në Kosovë, a mund të na rrëfeni ndonjë kujtim  që ende është në kujtesën tuaj si komandat i Brigadës 124 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës? 

Ismet Tara: Pasi vetëm e kaluam muajin maj po tregoj një ngjarje shumë të rëndësishme që ka lënë gjurmë dhe ndjenja të thella te unë, kjo është  vdekja e bashkëluftëtarit Bekim Syla në mes të natës 22 dhe 23 maj. Domethënë dy apo tri ditë pa përfunduar tërësisht lufta, ai u nda nga kjo jetë dhe gjaku i tij i freskët na e solli neve lirinë. Më 25 maj ku para mesnatës, rreth orës 23: 30 nga pika e Hamocit ku ishim të stacionuar një grup ushtarësh, kishim vendosur që ta vendosim një eksploziv në vendin “Bugaska çeshmja”, ku kanë qëndruar rreth 15 ushtarë serbë gjithë ditës dhe rreth orës 21 e mbrëmjes largoheshin drejt Hoçës së Madhe.  

Disa ditë përpara i kishim përcjellë atë grup ushtarësh që ishin vendosur aty, ata në ora 21 largoheshin në Hoçë të Madhe dhe vinin pastaj para mëngjesit. Mirëpo, atë natë të fundit që para se të vendosnim në eksplozivin, ne nuk kemi shkuar ta përcjellim a kanë lëvizur apo jo dhe rreth mesnatës në ora 12 apo 12 e gjysmë ne kemi vendosur që ta vendosim eksplozivin dhe të pritnim që të nesërmen kur të vinin ata të eksplodohej ai vendi ku qëndronin grupi i serbëve ushtarë. Ne jemi nisur diku 7- 8 ushtarë në atë drejtim, rreth orës 23:30 nga Hamovci ku janë edhe përmendoret sot, në drejtim të atij vendit, pra “Bugaska çeshma”, kemi arritur rreth 100 metra afër atij bunkerit, aty ka qenë një vresht i vjetër rreth 100 metra afër bunkerit, ka qenë një perezh bukur i madh rreth dy metra ku kemi ecur ne dhe aty deri te rruga kryesore kemi shkuar 7-8 ushtarë, katër kanë mbetur te rruga, pra rruga për Rahovec nga Hamovci dhe katër ushtarë jemi nisur për te bunkeri.

Kur kemi arritur në atë vend, dy veta i kam larguar nga ana e Hoçës së Madhe në drejtim të asfaltit ku shkon prej Rahovecit kah Brestovci, Ajet Cenën dhe një ushtar tjetër, kurse unë me Bekimin kishim vendosur që ta shtimë në midis bunkerin dhe të lëviznim në drejtim të  tij. Kështu gjatë gjithë kohës kemi ikë në atë perezh dhe kemi shkuar poshtë më larg diku 40 – 50 m jemi ndarë nga njëri- tjetri, por gjatë gjithë kohës deri sa kemi arritur përballë bunkerit rreth 10 m jo më larg nga ai kemi folur lirshëm, kemi shkuar nga 50- 60 m jemi afruar në 10 metra, domethënë para se me të arrijmë deri te bunkeri, në momentin kur kemi arritur afër bunkerit, Bekimi i ndjerë më drejtohet “Komandant, kojshi, u mbytëm duke i përcjellë këta bunkera dhe asnjërin nuk e takojmë aty”, mirëpo në atë moment ata kanë qenë aty dhe jo vetëm ata 15- 16 ushtarë, por kishin shkuar përforcime tjera dhe ishin rreth 30 vetë në atë bunker dhe na kishin dëgjuar duke folur, ata nga frika kanë çuar pushkë automatike në ajër, nuk kanë guxuar të dilnin, sepse kanë menduar se ne kishim shkuar t’i sulmonim, por ne kishim shkuar për ta vendosur eksplozivin.

Domethënë, ata qëllonin në krejt anët brenda bunkerit ku kishin qenë. Në atë moment, më pyet Bekimi “O kojshi, komandant, çfarë do të bëjmë”? Unë i thashë që ashtu siç kemi ardhur te lartë për t’u afruar  bunkerit, ashtu do të shpërndahemi te poshtë dhe më larg njëri- tjetrit, që të mos qëndrojmë afër, bile dikush le të shpëtojë. Ende pa arritur te vendi, diku rreth 90 metra i kemi kaluar dhe kishin mbetur rreth 10 metra, ka folur për herë të fundit Bekimi duke thënë “O komandat, a je gjallë”, unë ia kam kthyer që po dhe që edhe pak pastaj ta kërcejë perezhën, “ka vresht tjetër nuk ka problem thotë”, sepse atëherë ka filluar prej gjysmës te poshtë të largohemi, por ata e kanë vërejtur që ne nuk kemi gjuajtur dhe pastaj kanë filluar të gjuajnë në drejtim tonë dhe e kanë vërejtur taman ku po largohemi.  

Në moment të fundit, unë kam kërcyer nga perezha dhe kam ra në një hardhi të vjetër të rrushit dhe jam lënduar pak dhe kam humbur vetëdijen për 2-3 min dhe nuk dija asgjë, pasi më është kthyer vetëdija kam dëgjuar që ata ende gjuanin, kam menduar që të njëjtën e ka bërë edhe Bekim Sylka. Bekim Sylkën e thërrisja unë, ata nuk dilnin ende nga bunkeri, ata ishin në një perimetër 3- 4 qind metra anash duke menduar që kishim shkuar t’i sulmonim me një grup të madh, e thërrisja Bekimin, por nuk lajmërohej. Kam shkuar shumë lirshëm nëpër perezh, sepse perzha ka qenë shumë e thellë ku kam rënë unë dhe ata kanë qenë në një pjesë që  nuk mund të më rrezikonin, unë nja 4- 5 min. më është dashur dy apo tri herë të kthehem deri sa kam shkuar te ata 4 ushtarë që na prisnin në rrugë, deri sa kam dal aty kam pa që ata janë aty dhe kam pyetur mos rastësisht Beka?, sepse ai ka qenë më afër rrugës, më afër atyre katër ushtarëve, ata ma kthyen “Jo komandant”,  unë kam pyetur mos ka kaluar te pjesa lart, mos ka kaluar afër, ata më thanë që “nuk ua merr mendja”, tani kam pyetur po Ajeti me atë ushtarin tjetër që kanë qenë te rruga e Babindollit, mos janë kthyer, as ata s’ishin kthyer, në atë moment kam menduar që të tretë janë të vdekur, edhe pse si kam larguar shpresat, sepse e di që kemi folur në momentin e fundit, ndoshta 3-4 sekonda para se të qëllonte plumbi Bekim Sylkën. Atëherë, jemi nisur në drejtim të Hamovcit dhe e takuam Ajet Cenën që ishin larguar kah Babindolli dhe kanë ardhur kah pjesa e Hamovcit ku i kemi pasur vend qëndrimet tona, i pyeta edhe ata, ata më thanë që ata nuk i kanë gjuajtur, ju kanë gjuajtur vetëm juve dhe ne jemi larguar sepse nuk kemi guxuar, e kemi parë që kanë qenë forca më shumë, nuk e kemi ditur a jeni gjallë, apo jo. 

Atëherë jemi kthyer përsëri krejt grupi ne që ta kontrollojmë, vetëm Beka ka munguar, jemi kthyer përsëri te vendi ku kanë qëndruar katër ushtarët në asfalt, aty aeroplanët e NATO-s, atë zjarr që kishin bërë drejt nesh e kanë vërejtur dhe në atë kohë dy aeroplan janë sillë rreth asaj pjesa dhe kanë granatuar, më afër ka qenë zjarri te pjesa serbe, sesa te ne, por dheu prej granatimit edhe neve na ka stërpik. Pastaj, kemi gjuajtur në drejtim të serbëve, nuk janë lajmëruar, a ishin larguar, a çka ndodhur me ta nuk e di, pastaj edhe ne jemi larguar për shkak të NATO-s, sepse jemi frikësuar mos na qëllojnë edhe neve. Jemi larguar në drejtim të Hamovcit, në drejtim të përmendoreve ku janë tre dëshmorët e kombit, sepse kemi pasur ende ushtar aty, na pyetën “çka ka ndodhur”, i kemi treguar çfarë ka ndodhur, ata kanë shkuar ta kontrollojnë në pjesën tjetër, nuk ka qenë.  

Ne kemi fjetur, ndërsa katër ushtarët i kam afruar afër asaj pike që të shohin çfarë është bërë. Kur kanë shkuar atje në mëngjes, ata kanë dal rreth 20- 25 ushtarë nga ai bunkeri nuk e di a kanë fjetur aty, apo kanë ardhur në mëngjes, dhe kanë zbritur në atë vresht që të shohin çka kanë bërë. Në kërkim e sipër kishin ardhur edhe një grup ushtarësh serbë nga Hoça e Madhe, në dy metra para perezhës e kanë gjetur Bekim Sylkën, ka qenë i vrarë vetëm me një plumb afër zemrës, aty pra kishte mbetur i vdekur 2 apo 3 sekonda para se të fliste me mua, ai ka mbetur dëshmor. Atë ngjarje nuk e harroj, sepse kemi qenë 7-8 veta, mirëpo për herë të fundit jemi ndarë bashkë para se ta kapi plumbi, atë ngjarje nuk e harroj. 

“Bota sot”: Dëshira apo motiv që të bëheni ushtar, t’i dilni në mbrojtje atdheut dhe pse nofka Hoxha. 

Ismet Tara: Unë edhe pse jam shqiptar i Rahovecit, mirëpo përjetimet e mia të këqija me serbët i kam përjetuar qysh në moshë të re. Qysh në moshën 15 vjeçare ndoshta deri 20- 22 vjeçar sa kam qenë, kur ata e kanë marrë shtëpinë tonë në qendër, e kanë ndërtuar një ndërtesë matanë ngjitas shtëpisë tonë. Kam pasur një urrejtje deri edhe më sot e kësaj dite. Mendoj se ata nuk kanë ndjenja, populli serb, shumica e tyre nuk ka ndjenja njerëzore, mendoj se shumica janë kriminelë që nuk ngihen me gjak shqiptari. 

Urrejtjen e kam pasur qysh në moshën 15 vjeçare, pastaj në vitet ’87 kur veç ka filluar ndërtimi i asaj ndërtese, unë kam qenë i burgosur dy herë për atë vend, një herë 60 ditë, pastaj herën tjetër na kanë larguar 3 muaj nga Kosova për në Kroaci, ku dhe vëllai im ka qenë në Kopernci si ushtar, tre muaj me familje, unë me prindërit kemi qëndruar në Kopernic. Pastaj, pas një kohe kur e pamë që nuk jetohet aty, në anën tjetër ndërtesa ishte ngritur tre kate, ne kemi bashkëbiseduar me shokët e të afërmit atëherë, ndërtesa ishte ndërtuar ne nuk kemi pasur çfarë të bëjmë më dhe jemi kthyer. 

Urrejtja ime ka filluar që nga ajo kohë e deri në ditën e sotme, pastaj kam qenë edhe i burgosur në Ushtrinë Jugosllave tre muaj burg ushtarak në Gjykatën Supreme ushtarake të Sarajevës, ku më duhet t’i përmendi dy shokët që më kanë shpëtuar në atë kohë, nga ish pushteti serb dhe ish- eprorët ushtarakë të sigurimit jugosllav në Sarajevë, Imri Sylejmani i Kopernicës dhe Halim Sylaj, dy bashkushtarë në atë kohë të ushtrisë jugosllave që kanë vuajtur shumë, por nuk më kanë tradhtuar dhe falë tyre dhe caktimit të Zotit unë kam shpëtuar. Prej, atëherë pastaj viteve të ’92 me largimin e nxënësve dhe profesorëve, arsimtarëve nga shkollat e rregullta shqiptare që kanë qenë në komunën tonë, është dashur të merrem me financimin e arsimit në nivel komunal, kam qenë kryetar i shoqatave Ekonomisë dhe Zejtarisë në nivel të qytetit të komunës së Rahovecit dhe prej atëherë jam munduar ta zbus sado pak problemin e mësimdhënësve të komunës së Rahovecit. Pastaj, kam qenë kryetar i degës së Rahovecit, kam marr pjesë në Sindikatën e Kosovës. Qysh në vitet e 92 me Qani Dërgutin, kemi mbledhur para, kemi mbledhur armatim, kemi blerë armatim nga Remzi Hoxha nëpërmjet qeverisë Bukoshi, 50 mijë franga zvicrane 100 mijë automatë kemi blerë që nga ajo kohë dhe prej asaj kohe e kam pritur ditën kur do të jetë dita ta luftoj vendin. Pas, vrasjes së komandantit legjendar dhe familjes së tij, më 5,6, 7 mars të vitit ‘98, unë diku më 11- 12 mars do të jem në Likovc nëpërmjet disa ushtarëve të Malishevës, nëpërmjet Gani Krasniqit, atëherë jam marr furnizimin e shtabit të përgjithshëm me nevojat e tyre dhe mundësitë tona, me organizimin e ushtarëve, mbledhjen e tyre, armatim, jam organizuar për grupimin e ushtarëve të shtabit të Rahovecit, përgatitjen e tyre. 

“Bota sot”: Të ndalemi pak te bashkimi me familjen tuaj pas përfundimit të luftës, sa i vështirë ka qenë ai moment? 

Ismet Tara: Prej ofanzivës së Rahovecit, ne jemi larguar diku në Shqipëri për armatim, ka qenë koha e vështirë e UÇK-së, për shumë ushtarë pas ofanzivës së Rahovecit, sepse jemi shkuar për ri-armatim, por nuk kemi pasur mundësi të kthehemi, ndoshta një muaj apo një muaj e gjysmë kemi qëndruar në Shqipëri. Në atë kohë, nuk kemi ditur çka po ndodh me gjendjen atje, pastaj kemi gjetur disa numra të telefonit dhe kemi komunikuar, me Hadije Spahiun që është edhe ajo e vrarë nga pushteti serb, ajo ka mbajtur lidhje me neve, na ka informuar për familjet tona dhe familjet tona për gjendjen tonë, pastaj nuk e kemi pasur problem. Pastaj, pas bombardimit të NATO-s më 25 mars 1999, 23 prill mua mi kanë vrarë të dy prindërit, mi kanë ekzekutuar, e kam përjetuar si diçka normale, kam pritur që në atë moment që do të gjejnë dikë nga familja ime do të ekzekutohet, kam pritur që do të ekzekutohet e gjithë familja, por për fat të mirë ka qenë veç nëna dhe babai, e kemi përjetuar jo bukur vështirë, sepse kam pritur që çdo anëtar të familjes që do ta nxinin ta ekzekutonin. 

“Bota sot”: Shumica e ish- luftëtarëve pas luftës janë përfshirë në politikë dhe shumica kanë shtyrë fëmijët apo familjarë të bëhen pjesë e FSK-së dhe Ushtrisë, pse nuk jeni përfshirë dhe me çfarë merren fëmijët tuaj? 

Ismet Tara: Jo shumica e luftëtarëve, por shumica e komandantëve ata që kanë aspiruar të jenë udhëheqës pas luftës, por nuk ia kanë dalë as ata. Sukseset e tyre kanë qenë më mirë në luftë, sesa pas luftës. Unë edhe kur jam nisur në luftë, unë kam pasur gjendjen time, pasurinë time më të madhe ndoshta gjatë gjithë jetës sime, unë kam hyrë si i pasur në luftë, kam ndihmuar Shtabin e Përgjithshëm që nuk ka nevojë ta ceki me shifra dhe kam hyrë me përgjegjësinë që jo pas luftës të bëhem diçka, kam hyrë në luftë që pas saj t’i kthehem veprimtarisë që kam pasur në atë kohë. Para se të kryhet lufta, pasi janë ekzekutuar prindërit, unë kam mbetur i zoti i shtëpisë, jemi dy vëllezër, kemi qenë të martuar, unë kam pasur dy djem dhe një vajzë dhe është dashur të merrem me familjen më tepër. Unë një kohë kam qëndruar si komandat sa jemi kthyer nga lufta, rreth 6 muaj në liri, ndoshta s’kisha qëndruar edhe aq, por ka qenë situata më e ndjeshme, kam qenë ndër ushtarët e pakët që e kam ditur gjendjen dhe situatën në Rahovec. Sidomos, paralajmërimi i ardhjes së forcave ruse në qytetin e Rahovecit, si forcat e KFOR-it paqeruajtëse, pas atyre krimeve në kanë bërë me kriminelët serbë edhe kriminelët rusë, më ka motivuar që të mos jap dorëheqje në fillim, deri sa është marrë vendimi i prerë i komandës së NATO-së së KFOR-it se ata nuk do të vijnë. Pastaj, nuk më ka pëlqyer si qeveri e përkohshme, kanë hyrë njerëzit pa meritë, njerëz që ndoshta nuk kanë pasur ndonjë arritje apo meritë që të jenë në qeveri të përkohshme si ministra, si zv. ministra apo përgjegjës diçka, më kanë detyruar që të jap dorëheqje.  

“Bota sot”: Gjykata Speciale po vazhdon gjykimin ndaj ish- ushtarëve të UÇK-së, sa keni pasur mundësi t’i përcillni dëshmitë e dëshmitarëve në rastin e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit dhe cili është komenti i juaj rreth tyre? 

Ismet Tara: Të gjithë ata dëshmitarë janë dëshmitarë të rrejshëm, të gjithë ata dëshmitarë i ka përpunuar Serbia. Të gjithë akuzat që ne akuzohemi si ish- pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa marrë parasysh si komandant apo ushtar të thjeshtë, janë aktakuza akuza të ngritura dhe të përgatitura në kazametet serbe, nga prokurorë para militarë të ushtrisë serbe dhe ato aktakuza që ne përballemi kanë arritur që edhe Dick Martyn ta bindin që ka aktakuza shumë të rënda, thuajse UÇK është marrë me trafikimin e organeve të qenieve njerëzore dhe ku në Shtëpinë e Bardhë, në Burrel, në Shqipëri, në mal, ku Kosova edhe sot e kësaj dite nuk është në gjendje me këto spitale që të bëj transplant të organeve njerëzore, ne akuzohemi për çudi sesi kjo botë, ky perëndim, si kjo Amerikë, kjo Gjermani, Francë e Angli na kanë ndihmuar për t’u çliruar, kemi qenë bashkëluftëtarë të atyre për çlirimin e Kosovës, i kanë ditur të gjitha forcat tona, na kanë njohur ndoshta përmbi 80 për qind të komandantëve, stafit komandues, e kanë ditur çfarë mundësi kemi ne, e kanë ditur çfarë jemi ne, kanë marrë informata për granatimin e forcave serbe brenda në Kosovë nga ne, bashkë komandantëve tanë dhe në fund të na akuzojnë se ne kemi bërë trafikim të organeve, qenieve njerëzore te popullata serbe, nuk e di çka po bën kjo botë, si mund ta konceptojë, si mund ta paramendojë se ne e kemi pasur atë mundësi të bëjmë trafikim të organeve.  

Mirëpo, Serbia edhe Rusia kanë punuar në atë drejtim që atë që e kanë bërë ata me trafikim të organeve të popullatës sonë civile që i kanë transportuar për Serbi përmbi 40 mijë vetë të gjallë që i kanë çuar në Serbi, ata janë marrë me trafikimin e atyre organeve të popullatës sonë, sepse unë kam marrë pjesë në shumicën e pjesëve të luftës në territorin e Kosovës, kam parë me qindra e qindra të vrarë, përmbi 700 qind vetëm në pjesë e brigadës 124 të komunës së Rahovecit janë të masakruar dhe nuk e kanë marrë asnjë kufomë, edhe pse në Krushë të Madhe dhe të Vogël kanë pasur me qindra kufoma, por asnjëra kufomë nuk është transformuar në Serbi, për çka kanë pasur nevojë ata për kufoma, ata nuk janë frikësuar për kufoma të djegura, të shkrumuara, edhe foshnja të shkrumbuara, edhe familje të tëra të djegura, nuk janë frikësuar t’i lënë t’i sheh bota, e t’i merr ato kufoma tjera nuk ma merr mendja, ata janë të gjallë, të zënë të transportuar, janë marrë me trafikimin e organeve të tyre dhe i kanë gjuajtur nëpër lumenj Danub e Sabër dhe janë groposur pastaj pasi i kanë shitur, përmbi 3 mijë 4 mijë pjesëtarëve të popullatës civile. E ka arritur në bashkëpunim me Rusinë, e ajo çfarë është shihet edhe sot edhe është parë gjithmonë, që bashkë me Serbinë, bashkë me bashkëpunëtor që ose e kanë blerë, ose e kanë frikësuar, që ai ende nuk ka dal hapur të flasë, edhe pse ka filluar të thotë se ka qenë i rrezikuar, por ende diçka haptaz nuk ia thotë botës se çka ka ndodhur me deklaratën e tij me trafikimin e organeve, mos ka blerë Dick Marty ndonjë organ shqiptar dhe ai ua kthen, apo mos ia kanë falë ata ndonjë organ shqiptar që është bartur në Beograd, në Serbi e pastaj që ai tua kthejë të mirën bën këso deklaratash, është mendimi im personal, nuk dëshiroj të jetë në këtë formë, por supozim i imi. 

“Bota sot”: Në anën tjetër, Serbia përveç që nuk ka kërkuar falje për krimet e saj në Kosovë, vazhdon me propagandë, a do të “ndryshojë” ndonjëherë Serbia dhe a do të mund të ketë paqe mes këtyre dy vendeve? 

Ismet Tara: Ajo të kërkojë falje nuk ka kërkuar asnjëherë, sepse është popull barbar e kriminel, Rusi kriminele, ajo nuk ka ditur kurrë të kërkojë falje për të bëmat e veta. Nuk janë krimet e para ndaj popullit shqiptar që ka ndodhur në luftë të vitit 98, krime të tilla gjatë një historie përmbi një shekullore ka bërë krime edhe më të mëdha. Nëse do të presim prej tyre që të kërkojnë falje dhe të jetojmë në paqe me ta nuk është e mundur, mendja ime nuk mund ta përcaktoj këtë. Ne duhet të jemi bashkë dhe ta dimë se Serbinë edhe për një shekull do ta kemi aty. 

“Bota sot”: Si e keni parë Kosovën gjatë dialogimit me Serbinë, ku “ngeci” dhe ku “fitoi”? 

Ismet Tara: Kosova që nga fillimi ka lëshuar pe në çështje që nuk është dashur të lëshojë pe. Që nga kushtetuta e Ahtisaarit që ka qenë fort e dhimbshme dhe pastaj edhe dy- tre ndërhyrjet në kushtetutën e Ahtisaarit dhe në çdo bisedime këndej e këndej kemi sharruar, keq e më keq. As ata të cilët kanë dialoguar me Serbinë, por as ky i fundit as do t’ia ni për popullin, për ndryshimet që ia bëjnë procesit të dialogimit, thuajse ne kemi bërë krime, thuajse ne e kemi sulmuar Serbinë, ne kemi vrarë e masakruar fëmijë, gra e pleq, ne i kemi dhunuar femrat atyre e tani duhet të nënçmohemi lufta jonë, pa ua bërë qejfin dikujt dhe bashkëpunëtorëve të Serbisë. Ne nuk kemi arritur për 25 vite që ta bindim botën perëndimore dhe Amerikën se ne kemi luftuar taman një luftë të pastër, të shenjtë, nuk ka asnjë fëmijë nën 16-17 vjeçar serb që është vrarë në luftë, nuk ka asnjë plakë, asnjë i moshuar përmbi 75 vjeçar mashkull i vrarë, nuk ka asnjë femër e vrarë, asnjë e dhunuar, nuk e di në qoftë se në botë ka bërë dikush ndonjë luftë më të shenjtë sesa ne, në qoftë se kanë të dhënat edhe serbët, edhe Gjykata Speciale që atje ua kam thënë që kam qenë 32 orë në intervistë, nëse ka ndonjë të vrarë të përmendur lart unë marrë përsipër fajin, por atë nuk e ka bërë UÇK-ja por as popullata shqiptare,  që i kanë pasur familjet të shfarosura, ata nuk kanë marr hak për familjet e tyre, e ne të fajësohemi nëpër Gjykata Speciale të Hagës, që kanë arritur ta bindin botën përmes Dick Martyt. 

“Bota sot”: Demarkacioni i Kosovës me Malin e Zi dhe tashmë Asociacioni i komunave me shumicë serbe konsiderohen si marrëveshjet më të dëmshme për vendin, cili është qëndrimi juaj rreth këtyre marrëveshjeve? 

Ismet Tara: Qëndrimi im ka qenë prej fillimit edhe sot e kësaj dite është që nuk ka dialogim me Serbinë, qëndrimi im ka qenë sikur ka qenë i kryeministrit të tanishëm Albin Kurti para se të vinte në pushtet se “nuk marrë pjesë në bisedime me Serbinë askund, unë do të bëjë bisedime me popullatën serbe që kanë mbetur në Kosovë, këta që nuk i kanë duart e përlyer me gjak, nëse ata do të duan të qëndrojnë në shtetin e Kosovës, në shtetin e tyre e tonin, mund të qëndrojnë janë të mirëseardhur, të gjitha të drejtat e tyre janë kaluar, kanë të drejta që në asnjë vend nuk kanë këso të drejtash pakicat serbe dhe nuk është dashur të lëvizte nga ato deklarata edhe sikurse të ishte dashur të futeshim përsëri në luftë, nuk është dashur të lëvizte këtë as Hashimi, as Rugova, e asnjëri tjetër, as ky i fundit që ka hëngër fjalët e veta që po i bën manovrat e disa lëvizjet e fshehura që vetëm ai i din dhe i shkojnë përshtati Vuçiqit. 

“Bota sot”: Për fund, cili është komenti juaj rreth zhvillimeve të fundit në veri. 

Ismet Tara: Nuk mund t’i shpreh mendimet e mia, sepse në kohën kur mbaheshin protesta pro Vuçiqit në Beograd, merrnin pjesë qindra mijëra përkrahës të kriminelit serb të Vuçiqit, ai shkon çon policinë, vendos flamurin në Mitrovicë është vetëm ndihmë Vuçiqit, përkrahje ndaj tij dhe Serbisë. Nuk e di a është në bashkëpunim me ndërkombëtarët, me Amerikën e Evropën, por është gabim i madh. Por, nëse ka vendosur këtë le ta mbajë deri në fund, por nëse tërhiqet nga ai veprim, atëherë është marrëveshje e Vuçiqt- Kurtit dhe ndërkombëtarëve që të bëjnë trazimin e Kosovës dhe në atë trazim të krijojnë një panik në popull dhe të krijojnë një marrëveshje përfundimtare që me siguri i shkon dëm Kosovës dhe banorëve. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat