Eksperti i sigurisë jep alarmin rreth gjendjes së sigurisë në Ballkan/ Kjo është arsyeja pse Rama ndjek politikën pro serbe

Intervista

Eksperti i sigurisë jep alarmin rreth gjendjes së sigurisë në Ballkan/ Kjo është arsyeja pse Rama ndjek politikën pro serbe

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 12 qershor 2023 Në ora: 21:43
Aleksander Vuçiq dhe Edi Rama

Eksperti i sigurisë në Shqipëri, Fatjon Softa, thotë se gjendja e sigurisë në Ballkan është e ndërlikuar. 

Softa në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, thotë se perëndimi qëndron diplomatikisht me një politikë të butë dhe favorizuese ndaj Serbisë për shkak të situatës së komplikuar në Ukrainë. 

Duke folur rreth raporteve Kosovë- Shqipëri në aspektin e sigurisë e kombëtar, Softa thotë se dëshira për dominancë dhe të qenurit protagonist Rama ndjek më shumë politikë pro Serbisë. Ai ka kërkuar një bashkëveprim me organet ligj zbatuese dhe institucioneve, policisë, shërbimeve të inteligjencës, diplomacisë, tregjeve financiare, përafrim të operatorëve. 

Softa në intervistë ka folur edhe rreth situatës në veri dhe raportimeve që atje ishte grupi “Wagner” me agjendë nga Rusia. 

Rreth rritjes së numrit të vrasjeve, eksperti i sigurisë përmend arsyet e tyre, ndërsa sa i përket paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë ai shprehet se  nuk është vetëm vullnet i dy qeverive, por mbi të gjitha të politikave dhe gjeopolitikave për këtë hapësirë të ballkanit perëndimor. 

Image
Fatos Softa

“Bota sot”: Si e shihni aktualisht sigurinë në Rajon e Ballkan? 

Fatjon Softa: Ballkani, është një zonë ku gjeopolitika dhe influencat e fuqive të mëdha si ShBA në një krah dhe Kina dhe Rusia në krahun tjetër, ndeshen.  

Kjo luftë e ftohtë është edhe më e komplikuar pas pushtimit rus në Ukrainë.  

Në këtë përqendrim të madh diplomatik dhe financiar me mbështetje me armatim, Serbia kërkon të luajë për përfitime politike, ekonomike, dhe pushtet.  

Gjendja e ndërlikuar e Malit te Zi, investimet kineze në autostradën Podgorice Beograd dhe tendenca kineze të kontrollojë dhe aeroportin e Malit te Zi, e ndërlikon shumë gjendjen e sigurisë në Ballkan.  

Armatim kinez dhënë Serbisë dhe investime në politikanë dhe biznesmenë oligarkë, janë tendenca dhe përpjekje  për ta mbajtur këtë zonë influencë.  

“Bota sot”: Në veri po vazhdojnë protestat e serbëve, në një protestave të bëra në veri të vendit, protestuesit janë përplasur me pjesëtarët e KFOR-it, madje kanë ushtruar dhunë kundrejt tyre, a ka mundësi përsëritje të asaj situate dhe ku duhet kërkuar “fajtori”? 

Fatjon Softa: Gjendja e rënduar në veri, protestat e dhunshme dhe përplasja me KFOR-in, Vuçiq akuzon Kurtin si fajtor, ndërsa media dhe politika e brendshme në Serbi bëjnë fajtor Vuçiqin dhe Listën Serbe.  

Perëndimi, qëndron diplomatikisht me një politikë të bute dhe favorizuese ndaj Serbisë dhe jo ndaj Kosovës, duke kërkuar që të bëhen lëshime për të zbutur tensionet dhe t’i kthejë në dialog palët.  

Kjo gjendje është për shkak të situatës së komplikuar në Ukrainë, shtet i cili edhe pse Kosova dhe Shqipëria janë në krah të Ukrainës, ajo ende se ka njohur Kosovën! 

“Bota sot”: Në çfarë pike i shihni raportet e qeverisë nga Prishtina dhe asaj nga Tirana sa i përket nivelit të sigurisë shtetërore e kombëtare?  

Fatjon Softa: Politika shqiptare, për shkak të dominancës së Ramës dhe dëshirës së tij për të qenë protagonist, ndjek një politikë më shumë pro Serbisë në arenën ndërkombëtare dhe nacionalist në gjendjen e brendshme, duke mos harmonizuar një politikë të unifikuar me qeverinë e Kosovës.  

Takimet e dy qeverive ndër vite kanë qenë vetëm një show dhe mungesa reale e një politike dhe një diplomacie ka sjellë vetëm përçarje dhe jo eficence.  

Preferencat e tyre ndaj liderëve të përzgjedhur me interesa ndërvite dhe jo liderëve zyrtarë, ka sjellë këtë gjendje përçarëse dhe jo unifikuese si nga kryeministri dhe presidenti.  

Niveli i sigurisë kombëtare, kërkon një bashkëveprim me organeve ligj zbatuese dhe institucioneve, policisë, shërbimeve të inteligjencës, diplomacisë, tregjeve financiare, përafrim të operatorëve. Zgjedhja e shefes së Shërbimit Informativ nga Kosova ndërkohë një person me probleme në raportet me qeverinë aktuale në Kosovë, nuk mendoj që ka ndikuar pozitivisht, edhe në ndërtimin apo koordinimin e elementeve të sigurisë kombëtare.  

“Bota sot”: Së fundi janë lakuar opinione se faktori ndërkombëtar po i bënë presion Kosovës që ta shkëpusë Serbinë nga influenca e Rusisë. Nga ana tjetër e medaljes thuhet që në veri ishte edhe grupi "Wagner" me agjendë nga Rusia. Si e shihni nga këndi juaj këtë prapavijë politike nëse mund ta quaj?  

Fatjon Softa: Në Serbi ka një prezencë të madhe të rusëve të ardhur pas luftës në Ukrainë, politikat e Rusisë janë shumë të kamufluara për të pasur influenca dhe për ta përdorur Serbinë për destabilitet. Këto influenca janë edhe në vendet tona dhe në veçanti në Mal të Zi që është një situatë ende jo shpërthyese por e rrezikshme.  

Në veri të Kosovës janë përqendruar grupe kriminale, të mbështetura dhe stimuluara nga Beogradi të cilët janë faktori kryesor i gjendjes së nderë.  

Kërkesa e Kosovës për të vendosur ligjin dhe kontrollin e territorit, gjen vështirësi edhe prej lobëve serbe në Bashkimin Evropian dhe në SHBA. 

Mungesa e lobeve shqiptare, në veçanti mbështetja e mangët e qeverisë shqiptare, ka krijuar këtë gjendje.  

Nacionalizmi i Kurtit, jo fleksibiliteti i tij, dhe mungesa e koordinimeve me diplomaci perëndimore pro shqiptare, i ka dhënë hov grupeve që simpatizojnë Serbinë.  

“Bota sot”: Të ndalemi pak te vrasje që kohëve të fundit janë shtuar në numër si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, pse ky fenomen është në rritje dhe hapat që do të duhej të merrnin shtetet që të pakësohet numri? 

Fatjon Softa: Vrasjet në të dy anët e kufirit Shqipëri- Kosovë dhe rrugë kalimet kanë favorizuar grupet kriminale, dhe rrjetet ndërkombëtare të armëve, drogave, trafikut të qenieve njerëzore, duke krijuar edhe baza apo laboratore për përpunimin e prodhimin e lëndëve narkotike.  

Korrupsioni në pikat kufitare, kanë favorizuar jo vetëm kontrabandën në kufi, por dhe në kufirin e gjelbër.  

Ngritja e një strukture të përbashkët koordinuese si për policinë dhe shërbimin informativ, do të jetë një hap i duhur për të parandaluar dhe goditur bashkarisht grupet kriminale, por dhe grupe terroriste që janë gjallëruar dhe mund të bëhen aktive në situata delikate duke vënë në dyshim sigurinë kombëtare dhe atë ballkanike.  

Rusia dhe Kina kërkojnë të kenë një zonë konflikti në projektet e tyre që mund të prodhojë kriza dhe destabilitet për tregun dhe zonën Euro.  

“Bota sot”: Kur jemi te paqja e qetësia e Ballkanit, sa mund të ndikojnë raportet Kosovë- Serbi në destabilizim dhe kur mund të ketë paqe mes këtyre dy shteteve? 

Fatjon Softa: Stabiliteti marrëdhënieve Kosovë Serbi dhe njohja reciproke, nuk është vetëm vullnet i dy qeverive, por mbi të gjitha të politikave dhe gjeopolitikave për këtë hapësirë të ballkanit perëndimor. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat