Deputetja flet për zhvillimet e fundit - tregon pse LDK-ja nuk iu bashkua mocionit për rrëzimin e Qeverisë!

Intervista

Deputetja flet për zhvillimet e fundit - tregon pse LDK-ja nuk iu bashkua mocionit për rrëzimin e Qeverisë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 26 qershor 2023 Në ora: 19:59
Rrezarta Krasniqi

Kosova kohët e fundit ka pasur zhvillime të rëndësishme, gjithashtu edhe tensione në veri të vendit.

Në lidhje me situatën aktuale politike në vendin tonë, në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur deputetja nga radhët Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi.

Ajo u shpreh se zhvillimet aktuale janë të fokusuara më shumë në tensionet në veri të vendit, mirëpo që e mira e fundit është lirimi i policëve të kidnapuar nga serbët.

Deputetja Krasniqi shprehet kritikuese për Qeverinë, duke u shprehur që e njëjta nuk ka bashkëpunuar me ndërkombëtarët për vendimet e fundit.

E pyetur për mocionin për rrëzimin e Qeverisë, ajo thotë që nuk është momenti për zgjedhje të parakohshme.

Ndërsa sipas saj, gara zgjedhore brenda LDK-së është fer dhe mund të marrë pjesë secili që konsideron se ndihet i gatshëm për të bërë më shumë për qytetarët, përmes angazhimit politik në LDK.

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni situatën aktuale politike ne vend?

Rrezarta Krasniqi: Ka disa ditë tashmë që zhvillimet politike janë të fokusuara rreth situatës të tensionuar në pjesën veriore të vendit, gjë e cila ka ndikuar negativisht edhe në raportet me aleatët tanë kryesor, si SHBA për faktin se veprimet e ndërmarra në atë pjesë nuk kanë qenë në koordinim paraprak me ta, për pasojë gjendja atje vazhdon të jetë e tensionuar.

Gazeta “Bota sot”: Kidnapimi i tre policëve të Kosovës nga Serbia ka qenë temë kryesore këto ditë. Ani pse të njëjtit gjatë ditës së sotme janë liruar, mirëpo si i keni parë ju këto ngjarje?

Rrezarta Krasniqi: Është jashtëzakonisht shqetësues rasti i kidnapimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe, brenda territorit të Republikës së Kosovës. Shteti serb po e dëshmon edhe më tutje se nuk ka ndërruar asgjë nga e kaluara e tyre dhe po përpiqet që në çdo formë për të destabilizuar situatën. Ky veprim i tyre nuk është gjë tjetër veçse hakmarrje, si pasojë e disa arrestimeve të kryera së fundmi nga Policia e Kosovës, pra serbëve të cilët me veprimet e tyre kanë rënë ndesh me ligjin.

Gazeta “Bota sot”: Gjithashtu ju si opozite keni shprehur disa nga pakënaqësitë për sa i përket qeverisë Kurti. Në cilat qëndrime jeni më shumë kritikë?

Rrezarta Krasniqi: Ne kemi qenë zëri më kritik i kësaj qeverie, e cila nuk ia ka sjellë asnjë të mirë vendit në këtë periudhë të qeverisjes. Ajo çka kemi parë dhe po e shohim tani është varfëria më e shprehur tek qytetarët, si pasojë e inflacionit në ekonomi, ngritjes së vazhdueshme të çmimeve, jemi dëshmitar të shtrenjtësimit të energjisë elektrike, dy herë radhazi gjatë kësaj periudhe qeverisës, ndërkohë që pagat nuk kanë lëvizur as për pensionistët e as për skemat sociale, pastaj jemi dëshmitar të ikjes masive të qytetarëve, si pasojë e kësaj gjendje të rënduar, sepse nga dëshira dhe të mirat as kush nuk ik, veç nga zori, e kjo qeveri i ka detyruar në masë të madhe qytetarët të largohen nga vendi. Kemi parë regres dhe stagnim në shumë fusha, nisur nga diplomacia, kemi 0 njohje të reja, 0 anëtarësime në organizata ndërkombëtare e skandale të panumërta. Nepotizmi nuk ka qenë asnjëherë më i theksuar se sa në këtë periudhë qeverisëse, kushërinjtë dhe dajallarët nuk i lanë vetëm për dasma, siç thoshte dikur Kurti, por sot janë të punësuar së bashku me familjarët e tyre në institucionet publike. Janë kapur shumë ndërmarrje e po vazhdojnë të kapen edhe shumë pozita tjera të rëndësishme për funksionimin e shtetit.

Gazeta “Bota sot”: Ditë më parë janë takuar edhe kryeministri Kurti me Borrell dhe Lajçak. Ku u diskutua mundësia e zgjedhjeve në veri, si e komentoni këtë takim?

Rrezarta Krasniqi: Të gjitha këto zhvillime, janë si pasojë e mungesës së koordinimit të kësaj qeverie me ndërkombëtarët, aleatët tanë, në të kundërtën nuk do të ekzistonte nevoja për zgjedhje të reja dhe shpenzime tjera nga buxheti i shtetit për organizimin e zgjedhjeve. Pra, janë pasoja të veprimeve të gabuara të kësaj qeverie e cila nuk dihet kë përfaqëson, përderisa vepron kundër interesit të qytetarëve të vendit.

Gazeta “Bota sot”: A mendoni që tensionet e fundit me Serbinë mund të ndikojnë në liberalizimin e vizave për Kosovën?

Rrezarta Krasniqi: Tani janë përmendur disa lloje të sanksioneve ndaj vendit, si rezultat veprimeve të pakoordinuara në pjesën veriore të vendit, ne mbesim me shpresën se nuk do të ketë impakt në procesin e liberalizimit të vizave, sepse është një padrejtësi e madhe për qytetarët e vendit, ndonëse nuk do të ishte hera e parë që Albin Kurit dhe partia e tij, do të bëheshin pengesë e liberalizimit të vizave, sepse ka ndodhur edhe në vitin 2015 kur përmes veprimeve të tyre të dhunshme, duke kundërshtuar procesin e demarkacionit me Malin e Zi, ia kishin humbur një shanse të rëndësishme vendit, për heqjen e regjimit të vizave.

Gazeta “Bota sot”: AAK-ja tash e sa ditë po ju fton që t’i bashkoheni nismës së saj për një mocion për rrëzimin e Qeverisë, por ju si LDK dhe PDK-ja nuk po pajtoheni me këtë, çfarë do të prodhonte një proces zgjedhor i parakohshëm sipas jush?

Rrezarta Krasniqi: Konsideroj se nuk është momenti i duhur për të shkuar në zgjedhje, sepse Kosova ka pasur disa palë zgjedhje të jashtëzakonshme në një periudhë të ngushtë kohore dhe kjo ka ndikuar në ngadalësimin e shumë projekteve për vendin, gjë që ka shkuar në dëm të qytetarëve. Edhe ashtu nuk jemi larg nga mbajtja e zgjedhjeve të rregullta parlamentare, andaj nuk kemi arsye për t'u nxituar për të shkuar në zgjedhje të parakohshme në këtë kohë.

Gazeta “Bota sot”: Si është duke shkuar procesi zgjedhor brenda LDK-së, pamë që në zgjedhjet në Podujevë pati pakënaqësi si e komentoni ju gjithë këtë situatë?

Rrezarta Krasniqi: Lidhja Demokratike e Kosovës ka për bazament demokracinë, andaj gara zgjedhore është fer dhe mund të marrë pjesë secili që konsideron se ndihet i gatshëm për të bërë më shumë për qytetarët, përmes angazhimit politik në LDK, në këtë kontekst, konsideroj se LDK vazhdon të qëndroj e unifikuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat