Trazirat nga grupet kriminale serbe në veri, Dimal Basha flet për presionin që po i bëhet Kurtit – ka një mesazh për opozitën

Intervista

Trazirat nga grupet kriminale serbe në veri, Dimal Basha flet për presionin që po i bëhet Kurtit – ka një mesazh për opozitën

Arife Morina Nga Arife Morina Më 2 korrik 2023 Në ora: 20:31
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Dimal Basha.

Tensionet në veri dhe dialogu me Kosovë-Serbi, janë dy nga temat më të diskutuara kohëve të fundit, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. 

E në lidhje me zhvillimet e fundit në vend, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka folur deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Dimal Basha. 

Së pari, Basha tha se situate tani në veri është e qetë, por në rast se ndodhë ndonjë trazirë, duhet kuptuar se ajo vjen nga grupet kriminale serbe. 

Sipas tij, një rol shumë të rëndësishëm për ofrim të sigurisë në vendin tonë, e ka KFOR-i, duke thënë se në vazhdimësi institucionet e vendit koordinohem me të. 

Gjithashtu, deputeti i LVV-së komentoi edhe qëndrimet e partive opozitare të Kosovës, karshi ngjarjeve dhe zhvillimeve. Ai tha se nuk e di ende se çfarë kërkon opozita. 

“Në njërën anë mendojnë se duhet luftuar kriminelët në veri, në anën tjetër kërkojnë që Policia jonë të tërhiqet nga atje”, tha ndër të tjera Basha. 

E në fund, foli edhe për dialogun me Serbinë, ku kërkoi presion të shtuar ndaj Vuçiqit, për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni situatën aktuale në vend, pas zhvillimeve të fundit në komunat veriore? 

Dimal Basha: Situata është e qetë, dhe nuk ka pasur sulme as trazira, dhe mendoj se çfarëdo trazire që vjen duhet kuptuar që vjen nga strukturat kriminale, por jo nga qytetarët e ndershëm që kërkojnë një jetë të qetë dhe pa probleme! 

Gazeta “Bota sot”: A vlerësoni që KFOR ka bërë mjaftueshëm për sigurinë në veri të Kosovës? 

Dimal Basha: KFOR është shumë i rëndësishëm për vendin tonë dhe ne e çmojmë dhe e respektojmë kontributin e tyre në Republikën e Kosovës. Ne vazhdojmë të bashkëpunojmë për sigurinë e vendit! 

Gazeta “Bota sot”: Duke marrë parasysh reagimet publike, a gjendet qeveria Kurti përballë një presioni ndërkombëtarë, për themelim të Asociacionit? 

Dimal Basha: Presionet ekzistojnë gjithmonë, por me rëndësi që kryeministri po i qëndron ballë parimeve dhe mbetet gjithmonë në mbrojtje të sovranitetit në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. 

Gazeta “Bota sot”: Si e shihni qasjen e partive opozitare ndaj tensioneve në veri? 

Dimal Basha: Opozita është për fatkeqësi, sepse ende nuk e dimë se çfarë kërkojnë. Në njërën anë mendojnë se duhet luftuar kriminelët në veri, në anën tjetër kërkojnë që Policia jonë të tërhiqet nga atje. Uroj që të na bashkëngjiten në rrugëtimin tonë për shtetin e së drejtës, sepse beteja jonë këtu nuk është as me SHBA, as me BE, por as me opozitën. 

Gazeta “Bota sot”: A mendoni se duhet vendosur kushte Serbisë për rifillim të dialogut? Nëse po, cilat janë ato? 

Dimal Basha: Ne kemi përfunduar bisedimet që kanë kulminuar me marrëveshjen bazë dhe aneksin, dhe tani pritet implementimi i tyre nga ana e Serbisë, sepse është Serbia që po e lufton zbatimin, dhe prandaj duhet të kërkohet nga të gjithë ne që presioni të shkoj tek Vuçiq që destabilizon dhe nuk respekton asnjë marrëveshje, e jo tek Kosova që ka qenë kreative e konstruktive gjatë gjithë dialogut. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat