“Kurti e Osmani të pashantazhueshëm”/ Nela tregon rreziqet që po ia shkakton opozita Kosovës, “kurthet” ku ranë BE dhe SHBA dhe epilogun e dialogut

Intervista

“Kurti e Osmani të pashantazhueshëm”/ Nela tregon rreziqet që po ia shkakton opozita Kosovës, “kurthet” ku ranë BE dhe SHBA dhe epilogun e dialogut

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 16 korrik 2023 Në ora: 16:47
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Publicisti Milaim Nela, vlerëson se Kosova gjendet në situatën më të vështirë politike që nga përfundimi i luftës në vitin 1999. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Nela ka thënë se Kosova po përballet me vështirësi nga jashtë por edhe nga brenda me një opozitë që po lufton me çdo mjet për pushtetin e humbur.

Nela i ka komentuar zhvillimet në veri të vendit, duke e thëhë se vendosja e Kryetarëve të Komunave në zyra, pavarësisht se ligjërisht legjitime dhe në përputhje me ligjet e vendit na dëshmoi se edhe politika e ndërkombëtarëve ka qenë e pandershme ndaj Kosovës.

Ai ka theksuar se Asociacioni gjithnjë jo me kompetenca ekzekutive duhet të jetë vetëm si pjesë e një marrëveshje finale me Serbinë pika E PARË e së cilës duhet të jetë njohja reciproke.

Image
Dr. Milaim Nela

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Nela si e vlerësoni situatën aktuale politike në Kosovë?

Milaim Nela: Të vështirë e ndoshta më të vështirën që nga mbarimi i luftës ndaj makinerisë Serbe në vitin 1999.

Për Kosovën në vend që të diskutohej avancimi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, pasi është vendi më demokratik në rajon dhe standardet më të larta të shtetit ligjor dhe të së drejtës fatkeqësisht po vihet në pikëpyetje sovraniteti dhe humbja edhe asaj pavarësie të cunguar që ka. Lufta është edhe nga jashtë për arsyet që ndoshta do i sqarojmë gjatë këtij bashkëbisedimi, por edhe nga opozita që është në gjendje të mjerueshme dhe nuk po sheh interesin nacional të vendit për të ngritur zërin për padrejtësitë që po i bëhen Kosovës nga faktori ndërkombëtar.

Kemi një opozitë që do me çdo mjet pushtetin e humbur dhe po i rrezikohen privilegjet dhe pasuritë që i kanë fituar me abuzime gjatë viteve që kanë pasur pushtetin.

“Bota sot”: Si e komentoni degradimin e gjuhës parlamentare në gjuhë të dhunës e përleshjeve fizike ndërmjet deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kujt duhet t'i adresohet faji për ngjarjet e 14 korrikut?

Milaim Nela: Ato skena sigurisht nuk janë të denja për Kuvendin e Kosovës. Situata u provokua nga disa përgjime të publikuara nga gazetari Berat Buzhala i cili ka mbajtur një qëndrim tejet agresiv ndaj qeverisë aktuale qe kur në studion e televizionit ku punonte me parë shkeli Baton Haxhiu! Le te bëj të qartë për lexuesit e Bota Sot se unë nuk kam ndonjë konsideratë për politikanët si Mimoza Kusari që i nërrojnë partitë dhe bindjet politike në varësi të llokmave që ju ofron pushteti i radhës. Kam parë diskutime të ethshme në shumë studio televizive të Kosovës dhe nuk e di sa të verteta janë incizimet por askush nuk ka pyetur; Kush i regjistroi? Sa i ligjshëm është regjistrimi? Kush ja solli ato Berat Buzhalës? Pse në këto momente? Kujt i intereson rrezimi i qeverisë Kurti në këto momente përveç Aleksander Vuçiçit gjë të cilën nuk e ka fshehur asnjëherë? Në çfarë planeti jetojnë PDK dhe LDK? A vërtet mendojnë se me metoda të tilla perfide do fitojnë simpatinë e zgjedhësve kosovarë? Unë besoj se janë në rrugën më të gabuar të mundshme edhe sikur Mimoza Kusari të këtë pasur qëllimet më të këqija të mundshme ne ate bashkëbisedim me deputetin e listën serbe apo Milan Radojçiçin që Haradinaj dhe të tjerë ndoshta e kanë pritur në zyrë. Do të doja që opozita e Kosovës t’i kthehet realitetit dhe interesave te vendit se me këto mënyra vetëm se do të degradojnë akoma më keq se në zgjedhjet e kaluara.

“Bota sot”: U bënë më shumë se dy muaj që nga marrja e mandatit të kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, një situatë kjo e shoqëruar me protesta të dhunshme nga serbët lokalë, si i keni parë ju këto zhvillime.

Milaim Nela: Prania e organeve ligj-zbatuese gjegjësisht policisë në atë pjesë të territorit të Kosovës vetëm se na tregoi në dritë të diellit se sa sovranitet ka republika e Kosovës në atë pjesë të shtetit të vet. Vendosja e Kryetarëve të Komunave në zyra pavarësisht se ligjërisht legjitime dhe në përputhje me ligjet e vendit na dëshmoi se edhe politika e ndërkombëtarëve ka qenë e pandershme ndaj Kosovës.

Protestat e serbëve që ju i quani lokalë (se në fakt një pjesë e madhe janë kriminelë të ardhur nga pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë) na dëshmuan se si Vuçiçi e manipulon situatën atje në favor të interesave shoviniste serbe e pansllaviste.

“Bota sot”: Në këtë kuadër si i vlerësoni reagimet ndërkombëtare, që pavarësisht dhunës së ushtruar madje edhe ndaj pjesëtarëve të KFOR-it?

Milaim Nela: Të thuash krejt të njëanshme e në favor të Serbisë është më e pakta që mund të themi. Kemi parë dhunë të pashoqe ndaj ushtarëve të KFOR. Askush nuk na ka dhënë asnjë dëshmi të vetme për dhunë të policisë së Kosovës ndaj protestuesve apo vendasve..

Edhe deklaratat e ndërkombëtarëve janë direkt dhe indirekt në favor të Serbisë. Dhe imagjinoni sikur të kishte vërtet dhunë të forcave ligj zbatuese të Kosovës.

Kemi parë marrjen peng të efektiveve të policisë së Kosovës brenda territorit të saj nga forca speciale Serbe të cilat në bazë të Marrëveshjes së Kumanovës nuk mund as ti afroheshin kufirit të Kosovës brenda rrezes 25 km.

Jo vetëm që nuk reaguan siç duhet por presioni krejt i pavend u ushtrua dhe vazhdon te ushtrohet ndaj Kosovës dhe qeverisë së saj.

“Bota sot”: Pse mendoni se është kaq e vështirë që Kosova ta ushtrojë sovranitetin në gjithë territorin e saj?

Milaim Nela: Të jemi të sinqertë që Kosova sovranitetin Kosova nuk e ka pasur në atë pjesë të territorit që nga viti 1999, kur aty u dislokuan forcat paqëruajtëse franceze e sidomos pas ngjarjeve tragjike të vitit 2004 kur u shpërngulën me forcë mijëra shqiptare të asaj anë të Ibrit.

Politikanët që kanë drejtuar Kosovën që nga pavarësia nuk e kanë trajtuar siç duhet apo me seriozitetin e duhur çështjen e veriut duke toleruar veprimtarinë e bandave serbe për të ushtruar veprimtari kriminale nën maskën e pakicave.

Kosova ka bërë shumë pak për t’i kërkuar faktorit ndërkombetar mbështetjen për vendosjen e ligjit atje.

“Bota sot”: Qeveria e Kosovës tashmë i ka shpallur si terroriste dy organizata serbe, por as ky veprim nuk është se u miratua nga ndërkombëtarët dhe për më tepër u quajt i njëanshëm, pse mendoni se ndodhi kjo?

Milaim Nela: Çdo organizatë apo forum që krijohet apo themelohet në territor të Kosovës duhet të bëhet në përputhje me ligjin dhe kushtetutën e Kosovës.

Qeveria e Kosovës me siguri ka të dhëna të mjaftueshme për këto organizata që e ka shpallur një vendim të tillë dhe është në të drejtën e saj.

Edhe me këtë qëndrim ndërkombëtarët po e trajtojnë veriun e Kosovës si tokë asnjanëse. Ata nuk pranojnë vendimet e Kosovës në pjesën që supozohet të jetë pjese sovrane e Kosovës dhe nga ana tjetër bëjnë veshin shurdh ndaj deklaratave të Vuçiçit dhe Bernabiçit që flasin për Mitrovicën sikur të jetë rrethinë e Beogradit!

Këto deklarime qartazi janë pro-serbe.

“Bota sot”: Në çfarë pozitë diplomatike është Kosova aktualisht, pas gjithë këtyre zhvillimeve?

Milaim Nela: Kosova është vendosur në pozitë mjaft të vështirë! Një nga arsyet besoj unë është që përveç arsyeve gjeopolitike që karota (në këtë rast veriu i Kosovës) i jepet Beogradit dhe shkopi Kosovës, ndërkombëtarët për herë të parë përballë tyre kanë politikanë që nuk ju thonë 'Yes' për çdo kërkesë që ata kanë.

Kurti dhe Osmani mund të kenë bërë gabime, por deri sot nuk kemi asnjë indicie se ata janë të shantazhueshëm e kjo ju jep atyre mbështetje popullore.

“Bota sot”: Si e shihni të ardhmen, me ndërmjetësuesit e dialogut që për çdo gjë e fajësojnë Kosovën dhe i japin njëlloj mbështetje Serbisë në veprimet dhe mosveprimet e saj?

Milaim Nela: Unë e kam shprehur edhe më parë që është e papranueshme që dy ndërmjetësuesit e të ashtuquajturit dialog janë nga vende që jo vetëm nuk e njohin Kosovën por kanë mbajtur thuajse qëndrim armiqësor ndaj saj.

Të paktën njëri nga ndërmjetësuesit duhet të ishte nga vendet që e kanë njohur dhe mbështetur Pavarësinë e Kosovës.

Pavarësia e Kosovës është certifikuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010 në kufijtë aktualë të saj.

“Bota sot”: Kush sipas jush po e shkel më tepër marrëveshjen e Ohrit?

Milaim Nela: Së pari dua të them se për sa kohë ajo nuk është nënshkruar nga asnjëra palë nuk mund të quhet marrëveshje dhe aq më pak mund të flasim për shkelje të saj.

Vuçiç përkundër Kurtit që publikisht shprehu vullnetin për nënshkrimin e draftit qartazi dhe prerazi tha që nuk do ta nënshkruante atë. Ajo që i interesonte atij nga e gjithë marrëveshja ishte pika e Asociacionit apo mini republika Srbskas.

Për mua pika e parë dhe e panegocieshme e marrëveshjes duhet të ishte njohja reciproke dhe me pas mund të diskutoheshin te drejtat e pakicave ne vendet respektive dhe kësaj i duhej qëndruar fort.

“Bota sot”: Ndërkohë pavarësisht marrëveshjes së Ohrit, ende s’kemi asnjë hap konkret për themelimin e Asociacionit, pse po ndodhë kjo?

Milaim Nela: Siç e thashë përderisa nuk kemi marrëveshje nuk kemi pse flasim për themelim të asociacionit si pikë e saj.

Unë e mirëkuptoj qeverinë e Kosovës për hezitimin në këtë pike sepse e para Serbia insiston në Asociacionin që pranuan Thaçi Mustafa e kurrë nuk do pranojë një Asociacion ashtu siç e ripërcakton vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës pra pa kompetenca ekzekutive. Serbia do entitet në vete për serbet e Kosovës dhe drejt asaj do e shtyjë politiken e saj shkatërruese.

Unë do të doja që Asociacioni gjithnjë jo me kompetenca ekzekutive duhet të jete vetëm si pjese e një marrëveshje finale me Serbinë pika E PARË e së cilës duhet të jetë njohja reciproke.

Çdo lëshim që i bëhet Serbisë është nxitje pë kërkesa të tjera të saj.

“Bota sot”: Kryeministrit i Shqipërisë, z. Edi Rama ka dhënë idenë e një konference ndërkombëtare deri në arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, çfarë do ta sillte Kosovës një konferencë e tillë?

Milaim Nela: Kryeministri shqiptar i bën këto deklarata vetëm për të shmangur problemet serioze që ka ne vendin e tij e nuk ka asnjë tagër të kërkojë Konferenca Ndërkombëtare për Kosovën. Keqardhje të shohësh një kryeministër shqiptar të cilin e obligon kushtetuta e vendit te tij të mbrojë interesat e shqiptarëve kudo ku jetojnë jo vetëm që se bën një gjë të tillë, por dukshëm rreshtohet në anën e armiqve të kombit të tij për t’u dukur "cool guy" në sytë e ndërkombëtarëve.

Ai duhet të flas për sovranitetin e padiskutueshëm e të panegociueshëm të Kosovës.

Ai duhet të flasë për krimet dhe gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë!

Ai duhet të flas për të vërteten e asaj që ka ndodhur në Kosovë e kjo do ishte mese e mjaftueshme e jo të mbrojë Vuçiçin në kancelaritë e huaja.

“Bota sot”: Si e vlerësoni rolin e Edi Ramës në dialogun me Serbinë, nisur nga tërheqja e tij prej “Ballkanit të hapur” , ideja e konferencës e deri tek mbështetja e plotë ndaj Procesit të Berlinit?

Milaim Nela: E pakta fare një mungese serioziteti.

Ballkani i Hapur u iniciua ne Novi Sad me emrin minschengen ballkanik dhe për mua nuk ka dyshimin më të vogël që në thelb ishte projekt serb që synonte e para ta paraqiste Vuçiçin bashkëpunues dhe good guy në sytë e botës duke ju thënë e shikoni që unë nuk kam problem me shqiptarët por problemi janë ata qe shpallen "njëanshmerisht" pavarësine e Kosovës dhe e dyta hegjemoninë politike dhe ekonomike të Serbisë në Ballkan.

Kjo e fundit i ka shkaktuar dëme të pallogaritshme Kosovës dhe sidomos Shqipërisë duke falimentuar bizneset e vogla e sidomos bujqësinë dhe blegtorinë e saj.

Unë nuk besoj se "tërheqja" e Ramës është bërë pa aminin e Vuçiçit. E shoh thjesht një ndërrim strategjie nga ana e Edi Ramës. E kjo gjoja për përkushtimin ndaj procesit të Berlinit. Të mos harrojmë që vetë procesi i Berlinit u krijua si mekanizëm për të mbajtur vendet e Ballkanit Perëndimor në shpresën e integrimit, por u shpik atëherë kur Franca dhe Gjermania nuk e donin anëtarësimin e këtyre vendeve, por gjetën një mekanizem për t’i mbajtur me shpresë.

Sidoqoftë krahasuar me neo-Jugosllavine apo Ballkanin e Hapur procesi i Berlinit për shqiptaret është si dita me natën.

“Bota sot”: Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës si i keni parë, cili do të jetë ndikimi i tyre në avancimin e shtetit tonë, a do të sjellin ngecje?

Milaim Nela: Në njëfarë mënyre Kosova ka qenë nën sanksione përderisa mbetet i vetmi vend ballkanik pa lëvizje të lirë të qytetarëve të saj në hapësirën Schengen megjithëse sipas meje vendi me standardet më të larta demokratike dhe shtetit të së drejtës në rajon. Sanksionet duhet t’i bëjnë me turp vendet që padrejtësisht ja kanë imponuar Kosovës sepse ato duhet ti vendoseshin agresorit të luftërave në Ballkan e jo viktimave.

Politika e BE-se ndaj Kosovës edhe kësaj radhe është një dështim i madh i saj.

“Bota sot”: Me gjithë këtë dinamikë, si e parashikoni epilogun e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Milaim Nela: E shoh shumë problematik pikësëpari sepse është vendosur në shina të gabuara duke favorizuar Serbinë vend ky që jo vetëm ka shkaktuar 4 luftëra në Ballkan por udhëhiqet nga po ato njerëz që ishin pjesë esenciale e makinerisë pushtuese të Milosheciçit siç janë Vuçiç, Daçiç e të tjerë por mbi të gjitha faktit që e njëjta mendësi e Serbisë vazhdon si në vitet 80-90të. Serbia është vend autokratik pa standarde demokratike që përdor mjeshtërisht kartën e demek shkëputjes nga Rusia në këmbim të përfitimeve mbi Kosovën territorin dhe pasuritë natyrore të saj. Në këtë kurth për fat të keq ka rënë edhe Euro pa dhe pjesërisht edhe administrata aktuale amerikane.

“Bota sot”: Sa do të jetë ndikuese lufta në Ukrainë dhe ndikimi aktual i Rusisë në këtë situatë?

Milaim Nela: Situata në të cilën ndodhet Rusia në këto momente falë rezistencës së Ukrainës do ishte një moment ideal për Kosovën për ta shfrytëzuar këtë moment në favor të saj.

Rusia është në pikën e saj më të dobët që nga koha e Boris Jelcinit. Tani imagjinojeni se çfarë do e priste Kosovën nëse do kishte rene Ukraina siç e kishin menduar ustallarët e Kremilinit. Do kishim me siguri pushtimin edhe te Moldavisë dhe me shumë gjasa hapjen e vatrave te reja në Bosnje dhe veri të Kosovës.

Kam pritur dhe pres që i gjithë faktori politik shqiptar i Kosovës të dale me një zë dhe të gjithë të kenë vija të përbashkëta të kuqe ndaj Serbisë dhe rrezikut që paraqet ajo për paqen ne Ballkan e më gjere. Vetëm të kujtojmë këtu punën titanike që u bë nga elita shqiptare e Kosovës në vitet 80të e 90të. Atëherë askush nuk e njihte problemin e shqiptarëve të Kosovës por u punua fort deri sa bota u bind e kjo rezultoi me ndërhyrjen e NATO- s në Kosovë në të parën luftë humanitare të kësaj aleance pa të cilën rrezikonim të bëheshim Kurdistani i Evropës.

Shkurt e shoh një mundësi të humbur

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat