Alma Lama: Dhuna në Kuvend degradim kulturor - Ky ish-ministër e ka shfrytëzuar MPJ-në

Intervista

Alma Lama: Dhuna në Kuvend degradim kulturor - Ky ish-ministër e ka shfrytëzuar MPJ-në

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 22 korrik 2023 Në ora: 18:50
Alma Lama

Në një intervistë për Gazetën “Bota sot”, Alma Lama, ka folur mbi situatën aktuale në Kosovë.

Ajo për Qeverinë Kurti, ka thënë se se e ka futur veten në beteja të panevojshme, madje duke mos dëgjuar as SHBA-në as BE-në, për tërheqje nga veriu.

Sipas saj, Kurti, prej se ka marrë pushtetin ai ka bërë shumë autogola politikë e diplomatikë që kanë shkuar në favor të Serbisë.

Për dhunën që ndodhi në Kuvend, ajo thotë se është degradimin kulturor. Ata po e bëjë këtë për të ardhur në pushtet dhe për ta mbajtur atë.

Derisa, edhe për diplomacinë e jashtme, Lama thotë se ka pasur ulje ngritje, duke shtuar se aktualisht diplomacia e Kosovës nuk është në nivel të duhur, madje po bëhen edhe gafa të panevojshme.

Më tej, thekson se Kosova ka pasur një ministër të jashtëm si Behgjet Pacolli, që e ka shfrytëzuar MPJ-në për agjendat e biznesit.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e komentoni aktualitetin politik në Kosovë, sidomos tensionet në veri?

Alma Lama: Mendoj se qeveria e Kosovës e futi vendin në beteja të panevojshme, sic ishte ajo e dërgimit të kryetarëve të komunave në ndërtesat komunale në veri të shoëruar me forcat speciale të policisë, betejë nga e cila ashtu sikurse parashikuam dhe tërhoqëm vërejtjen të gjithë doli humbëse. Dhe kjo për dy arsye: së pari sepse u detyrua të zbrapset pas kërkesave të SHBA-së dhe BE-së pa arritur asnjë nga synimet saj siç ishte shtrirja e ligjshmërisë dhe sovranitetit, siç proklamonte dhe së dyti pasi acaroi në mënyrë serioze raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë si SHBA dhe vendet e Kuintit.

“Bota sot”: Si e vlerësoni qasjen e BE-së dhe SHBA-së ndaj kësaj situate?

Lama: Mendoj se ka një dallim edhe pse jo të madh mes qasjes së SHBA-së dhe BE-së që lidhet me fuqinë dhe natyrën e tyre. SHBA ka qenë shumë e qartë në kërkesat e saj ndaj Kosovës që të mos ndërmarrë asnjë veprim në veri që do të tensiononte situatën në terren, dhe ka dënuar ashpër veprimet e pakoordinuara të qeverisë me KFOR-in, që ka çuar në përplajse fizike masive me serbët në veri. Ndërsa BE-ja është fokusuar më shumë në gjetjen e një zgjidhje mes të dyja palëve, duke ndëmjetësuar. Po edhe BE në fund ka vendosur të ndërmarrë masa ndëshkuese për qeverinë e Kosovës duke e përjashtuar atë nga programet miliona euroshe dhe duke ndalur ndihmat financiare. Sa për planin e shtensionimit Washingtoni mbështet Brukselin, por kjo nuk po duket se kuptohet sa duhet në Prishtinë. Në përgjithëssi ka një lexim tërësisht të gabuar të qëndrimeve të SHBA-së dhe BE-së nga qeveria e Kosovës dhe po bëhen gabime të mëdha strategjike në raportet që do t’i kushtojnë Kosovës me vite të tëra.

“Bota sot”: Pse Kurti nuk po ndryshon mendje dhe po këmbëngul, në gjithë këtë presion që po bëhet?

Lama: Mendoj se ai është duke vepruar jashtë kohës dhe hapësirës, nisur nga ineresat e ngushta partiake dhe elektorale, pa asnjë vizion dhe pa asnjë sukses. Prej se ka marrë pushtetin ai ka bërë shumë autogola politikë e diplomatikë që kanë shkuar në favor të Serbisë.

“Bota sot”: Po dhunën në Kuvend që ndodhi të enjten e kaluar si e keni parë?

Alma Lama: Si një shfaqje primitive të kësaj klase politike, që gjuhën e urrejtjes dhe degradimin kulturor i kanë mjete kryesore për të ardhur në pushtet dhe për ta mbajtur atë. Këtu i'u referohem të gjitha palëve konfrontuese. Mungon qytetaria në politikën e Kosovës, mungon kultura demokratike dhe sidomos partia në pushtet nuk ka asnjë lloj konsideratë për zërat kritikë apo zërin e opozitës. Pra, vazhdojmë të kemi një politikë që udhëhiqet nga muskujt dhe jo nga koka.

“Bota sot”: Pse sipas jush nuk po caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të vendit tonë?

Alma Lama: Mendoj se këtu lypet garanci nga Serbia në mënyrë që procesi të mos dështojë sërish. Qeveria e Kosovës duhet të zbatojë planin tre pikësh të BE-së por kjo e fundit duhet të detyrojë Serbinë që të mos pengojë pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje në komunat veriore. Besoj se Kosova këtë kërkesë tek ndërmjetësuesit duhej ta kishte shtruar prej marrëveshjes së Ohrit, dhe të mos i hynte fare aventurave të zgjedhjeve dhe forcave speciale në veri.

“Bota sot”: Sipas jush cila do të duhej të ishte zgjidhja e këtij problemi me dialogun dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe si e vlerësoni punën e Qeverisë në këtë drejtim?

Alma Lama: Mendoj se kur merren obligime ndërkombëtare si shtet, ato duhet të përmbushen. Është e rëndësishme që në tryezën e negociatave të ngulet këmbë fort me të gjithë dijen dhe ekspertizën për të nxjerrë maksimumin por në momentin që nënshkruan apo bie dakort, atëherë shtetet serioze duhet të sillën me seriozitet sepse në të kundërt humbin besueshëmrinë. Edhe në lidhje me marrëveshjen e Ohrit dhe ato të Brukselit 2013 dhe 2015 shteti i Kosovës duhet të zbatojë marrëveshjen, ashtu sikurse është dakorduar. Deklaratat kundër marrëveshjes pasi ajo është arritur apo pjesëve të saj si dhe deklaratat për njëanshmërinë e negociatorëve as nuk kanë vlerë, dhe as nuk e përmirësojnë gjendjen. Përkundrazi, i bie të flasësh apo veprosh si koshi pas të vjelave.

“Bota sot”: Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla në fjalimin e saj në Forumin e Dubrovnikut tha se BE-ja pas SHBA-në dhe NATO-n është një “tigër prej letre”, si e vlerësoni ju këtë deklaratë e cila zgjoi reagime të shumta?

Lama: Me të drejtë zgjoi reagime pasi është një deklaratë e pavërtetë, e papjekur dhe jo e duhur për një kryediplomate. Nuk është detyrë e përfaqësueses së qeverisë së Kosovës dhe as kapacitet i saj që të japë vlerësime për sigurinë e Europës në raport me SHBA-në, ajo duhet të merret vetëm me qëndrimet dhe interesta e shtetit të saj në çfarëdolloj forumi ndërkombëtar, jo të bëjë gafa të tilla të rënda që lëndojnë më tej raportet me BE-në. Aleanca më e madhe ushtarake në historinë e njerëzimit, NATO përbëhet nga SHBA dhe pothuaj të gjitha vendet e BE-së. Ndarja e fuqisë brenda aleancës është çështje e tyre, jo e Kosovës e cila është përfituese e mbrojtjes nga kjo organizatë. Me një fjalë siç thotë populli, ministria duhet të mbajë vendin që i takon, jo t’iu japë mend BE-së e SHBA-së sepse e zhvlerëson veten dhe më askush se merr seriozisht. Po ashtu goditjet që po i jepen BE-së nga ana e përfaqësuesve të qeverisë, me synimin për të lartësuar SHBA-në tani, nuk kanë asnjë vlerë sepse më herët kanë pasur deklarata shumë rënda edhe ndaj vetë SHBA-së, siç ishte deklarata skandaloze kundër sekretarit të Shtetit Blinken apo më herët ndaj Shtëpisë së Bardhë.

“Bota sot”: Si ish ambasadore, si e vlerësoni gjendjen aktuale të diplomacinë e Kosovës, përkatësisht punën e ministres Gërvalla?

Lama: Politikën e jashtme të Kosovës e ndjek prej vitesh, shumë përpara se edhe vetë të bëhem pjesë e diplomacisë për një kohë të shkurtër. Mendoj se MPJ-ja përgjatë viteve ka parë ulje e ngritje të vazhdueshme si përsa i përket politikës së jashtme, ashtu edhe stafit diplomatik. Kosova ka pasur një ministër të jashtëm si Behgjet Pacolli, që e ka shfrytëzuar MPJ-në për agjendat e biznesit të tij personal dhe duke emëruar e shkarkuar ambasadorë pa asnjë kriter profesional, duke treguar mungesë serioziteti e shpesh duke punuar në shpërputhje me politikat e qeverisë siç ishte plani i tij për Mitrovicën si zonë e lirë. Por edhe ministrja aktuale duket e paaftë por postin që mban. Edhe ajo vazhdon të mban në detyrë ambasadorë me skandale, dhe po e mbush ministrinë dhe misionet me njerëzit e saj. Ndërsa prezantimi i saj i shtetit është i mbushur me deklarata të pamatura e jodiplomatike. Uroj që Kosova të dalë nga kjo agoni e politikës së jashtme.

“Bota sot”: Si i komentoni përgjimet e publikuara ku është përfshirë shefja e GP të LVV-së Mimoza Kusari dhe deputeti i Listës serbe, Sllavko Simiç?

Alma Lama: Këtu është i përfshirë kryeministri i Kosovës, ndërsa zonja Kusari është kokë turku në këtë rast pasi ajo ka zbatuar urdhrat. Përgjëgjësia për mashtrimin e madh në raport me Listën Sebe dhe të kërkuarin për vrasje Radojçiç e mban qeveria në radhë të parë, që ka kërkuar mbështetjen e tij për realizimin e agjendës politike.

“Bota sot”: Opozita vazhdimisht po bën thirrje për rrëzimin e Kurtit, por nuk i kanë numrat, si po e shkoni ju gjithë këtë çështje?

Lama: Opozita asnjëherë nuk i ka numrat, prandaj është opozitë dhe prandaj është pakicë. Numrat ndryshojnë në saje të aksionit opozitar, opozita në Kosovë është fragmentuar dhe e pafuqishme për të denoncuar si duhet dështimet e qeverisë dhe skandalet e saj që po bëhen të përditshme.

“Bota sot”: A mendoni ju vet se Kosova duhet të shkojë në zgjedhjet të reja, dhe a mund të përsëritet situata e njëjtë, çfarë do të ndodhë?

Lama: Nuk e di këtë, por Qeveria aktuale nuk ka marrë mandatin për ta bërë asosacionin, as për të dëmtuar raportet me SHBA e BE. E ka marrë për zhvillim ekonomik dhe drejtësi, në dyja ka dështuar. Pra realisht e ka humbur legjitimitetin. Po kështu mendoj se në momentin që ka pranuar asosacionin, të cilin e ka kundështuar për dhjetë vite me të gjitha mjetet, përfshirë edhe të dhunshmet, është dashur vetë të kërkojë zgjedhje dhe të marrë sërish legjitimitetin. Kështu veprohet në të gjitha vendet demokratike, mund të jap shembuj pa fund. Në të kundërt i bie ka mashtruar votuesit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat