Ish-komandanti i UÇK-së jep paralajmërimin për sigurinë e Kosovës, ja pse duhet shtuar kujdesin!

Intervista

Ish-komandanti i UÇK-së jep paralajmërimin për sigurinë e Kosovës, ja pse duhet shtuar kujdesin!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 23 korrik 2023 Në ora: 20:33
Hafir Hoxha

Ish-komandanti Njësitit policor-ushtarak të UÇK-së, Hafir Hoxha në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur për zhvillimet e fundit në vend, në veçanti për çështjet e sigurisë.

Ai u shpreh se situata është stabile, mirëpo që veriu i Kosovës është i rrezikuar nga bandat serbe.

Sipas tij, Serbia ka filluar të lidhet me Kinën dhe kjo gjë ka ngritur shqetësime për BE-në dhe SHBA-të.

Hoxha thotë që Kosova duhet të përforcojë ushtrinë e saj sidomos me arme defensive.

Në fund, thirrja e ish- komandantit të UÇK-së është që Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës t’i kuptojnë detyrat dhe obligimet e tyre më seriozisht dhe me profesionalizëm aty ku është e mundur, t’i largojnë inatet dhe të punojnë bashkë në të mirë të vendit.

Intervista e plotë:

Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni situatën e sigurisë në Kosovë momentalisht?

Hafir Hoxha: Gjendja e sigurisë në Kosovë këto ditë është stabile. Duke marrë parasysh aktivitetet e Qeverisë së Kosovës ku vendosi kryetarët e komunave në detyra dhe këtë e vendim kundërshtonte vet presidenti Vuçiq mes partisë së tij, Lista Srpska në Kosovë ku me protesta të dhunshme, arrestimin e tre policëve të Kosovës. Pastaj, si kundërpërgjigje Qeveria e Kosovës arrestoi disa serbë krejt këto ndodhi mobilizuan BE-në, KFOR-in dhe NATO-në të cilët i qortuan qartë Prishtinën dhe Beogradin se vet dy palët do të ballafaqohen me pasoja në rast të ndonjë konflikti më të gjerë të armatosur dhe si duket dy palët Kosova dhe Serbia i kuptuan ato qortime dhe dalëngadalë po tërhiqen nga ato veprime që shkaktojnë dhunë. Është edhe koha e pushimeve prandaj elementet, grupet destruktive serbe janë në pushim dhe duke bërë plane për metoda tjera të kundërshtimit të shtrirjes së pushtetit të Kosovës në veri gjatë vjeshtës.

Gazeta “Bota sot”: A është i rrezikuar veriu i vendit nga bandat serbe?

Hoxha: Veriu i Kosovës është i rrezikuar nga bandat serbe në nivel të caktuar ku kanë mundësi të zhvillojnë protesta të dhunshme dhe bllokimin e rrugëve në veri. Mirë por tani edhe ato banda kriminele e kanë kuptuar se KFOR, NATO dhe BE e din saktë kush i menaxhon ato, kah i marrin detyrat prandaj dihet se presidenti Vuqiç i menaxhon ato dhe ndërkombëtarët e kanë më lehtë ku të intervenojnë dhe ato banda dalëngadalë po zvogëlohen dhe po humbë mbështetja e serbëve lokal ndaj tyre.

Pasi vet Lista Srpska ka probleme serioze në Serbi dhe ajo krizë bartet edhe tek serbët në Kosovë.

Gazeta “Bota sot”: Cilat duhet të jenë përforcimet nga institucionet e sigurisë në vend, për të mos lejuar përshkallëzim të situatës.

Hoxha: Problemet e fundit në veri, reagimi i BE, KFOR-i dhe NATO bënë të kuptojmë Serbinë dhe Kosovën që ajo pjesë e Kosovës nuk zgjidhet në variantin e Qeverisë së Kosovës që të shtrijnë qeverisjen në atë pjesë, por as në variantin e Serbisë që ta menaxhon atë pjesë të Kosovës.

Pra Kosova dhe Serbia e kanë kuptuar se ajo pjesë e Kosovës është rezervuar për të biseduar dhe për t’i dhënë fund konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës, është lënë pjesë për balancim të terezisë mes dy vendeve e që Serbia por edhe Kosova e din mirë çka duhet të bëjnë por për momentin nuk janë të gatshëm as Kuvendi i Serbisë me ndryshuar kushtetutën e saj, me largu Kosovën nga kushtetuta si pjesë të vetën por edhe Kosova duhet t’i lejojë që veriu të formoj Bashkësinë e Komunave me pakicë serbe në Kosovë por si shumicë në ato komuna, e kufiri i asaj bashkësie (zajednice ) gradualisht do të jetë hekur i nxehtë ku do ta rrahin deri sa të bëhet kufi mes serbëve dhe shqiptarëve dhe Serbia pastaj nuk do të përzihet në pjesën tjetër të Kosovës por vetëm aty që do ta përgatit të bëhet pjesë e saj ngjashëm si vepron me Republikën Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Në hije SHBA, BE dëshirojnë të din kufijtë e Zajednicës dhe pastaj do të provojnë të kuptojnë reagimet e Serbisë dhe Kosovës si reagojnë nëse Zajednica futet në kartën e kompromisit definitiv mes serbëve dhe shqiptarëve!

Pra Kosova përforcime ushtarake dhe policore nuk ka nevojë të bëjë në veri, aty duhet të sigurojnë zgjedhje të reja dhe pastaj të shihet si do të formohet bashkësia e komunave atje dhe afër statusi do të ketë ajo bashkësi.

Gazeta “Bota sot”: Së fundmi kryeministri Kurti ka prezantuar dronët Bayraktar të blerë nga Turqia. A është një hapë pozitivë për Kosovën?

Hoxha: Qeveria e Kosovës ka bërë investime në Forcën e Sigurisë është aktivitet i nevojshëm, Kosova duhet të përforcojë ushtrinë e saj sidomos me arme defanzive. Pra me armë mbrojtëse në ato sisteme për mbrojtjen kundërajrore dhe me armë kundër mjeteve të blinduara, këtu duhet të bëhet investim dhe të planifikohet strategjia dhe doktrina e përsosur në variantet e sulmit nga Serbia. Nuk është hapësirë e madhe kufiri mes Serbisë dhe Kosovës dhe mundësitë për sulme eventuale nga Serbia me forca tokësore dhe ajrore lehtë, prandaj me seriozitet më të madhe dhe me profesioniste doktrina e mbrojtjes është dashtë tani më të jetë e përfunduar me pozitat taktiko operative për mbrojtje, me bilanc të saktë të njerëzve, pajisjeve, armatimit dhe municionit të nevojshëm, sigurimi dhe deponimi i tyre aty ku duhet dhe aftësimi i strukturave komanduese në kuadër të asaj doktrine me variante të ndryshme. Kuptohet që për armatim dhe teknologji mbrojtëse për vendin në Kuvendin e Kosovës nuk duhet të ketë pozitë-opozitë, aty duhet të gjithë të jenë serioz, diskret dhe profesionistë dhe të mos ketë fërkime e përfitime partiake në sistem të mbrojtjes.

Gazeta “Bota sot”: Po vazhdon të flitet për lidhjet që Serbia ka me Rusinë. A mund të kenë një planë të përbashkët për destabilizim të Ballkanit?

Hoxha: Serbia ka lidhje gjenetike me popullin rus prandaj e pa logjikshme është të presim se Serbia lehtë ndahet nga Rusia. Vuçiqi që nga pandemia COVID 19 është lodhë me zvarritjen dhe kushtet që po ia bën BE-ja, Serbisë për çështjen e Kosovës dhe me dobësimin e imazhit rus në luftë me Ukrainën është kthyer kah Kina. Kur Kina ka ble miniera, ndërton fabrika, rrugë, ura dhe ka furnizuar ushtrinë serbe me raketa të suksesshme në distancë deri në 150 km prandaj kjo lidhshmëri e Vuqiçit me Kinën i ka bërë nervoz shumë BE dhe SHBA të cilat tani po mundohen me intervenu në Serbi, me nxit protesta kundër Vuqiçit dhe kundër investimeve kineze në Serbi që ta detyrojnë Serbinë që të kthehet kjo nga BE dhe nga NATO-ja nëse humbë Rusia në Ukrainë. Toleranca dhe shikimi mes gishtave të BE-së dhe e SHBA-ve në problemet që i bën Serbia në Kosovë dhe reagimi i butë ndaj Serbisë e që Kosova dhe disa vende të BE nuk po e kuptojnë është pikërisht përkëdhelja e Serbisë që të ndahet nga Kina. Vuqiçi këtë e ka kuptuar dhe kohën e fundit është më i zëshëm më i ashpër me BE. Më pak i varur nga ta prandaj BE dhe SHBA tani e kanë kuptuar se janë vonuar në Serbi

Gazeta “Bota sot”: Gjithashtu përleshja e fundit në Kuvend ka marr vëmendjen e opinionit publik. Si e keni parë ju këtë situatë?

Hoxha: Funksionalizimi i Kuvendit të Kosovës është i nivelit të ulët që nga shpallja e pavarësisë, aty vinë dhe fitojnë shumë deputetë të të gjitha partive me retorikë dhe kulturë të militantëve radikal të partive të tyre. Nuk kanë njohuri as seriozitet në shtet ndërtim as nuk e kanë të qartë detyrën dhe seriozitetin e atij funksioni dhe të kuvendit në tërësi, sillën dhe flasin me gjuhë të ulët militante duke u munduar me ato debate të nxisin reagime tek militantët e tyre në popull që të mobilizohen dhe i tërë aktiviteti në Kuvend bëhet si të mbrohet pozita të duket e suksesshme në qeverisje dhe në anën tjetër angazhimi i opozitës është se si të sulmojnë dhe të dëmtojnë punën e qeverisë me të gjitha mjetet e mundura edhe me propagandë e gënjeshtër me qëllim të mobilizojnë popullatën anëtarët e partive të tyre që në zgjedhje eventuale të vinë në pushtet! Pra në Kuvendin e Kosovës e kemi hapësirën ku luhet një shah vetëm për pushtet e jo të zhvillohen politikat me seriozitet dhe përgjegjësi për të përforcuar shtetin dhe interesat e qytetarëve.

Në këtë mjerim ndodhin edhe kacafytjet fizike dhe verbale e që akterët, delegatët e atyre gjesteve të ulëta i sigurojnë votat nga militantët e tyre partiak për fat të keq shpërblehen në vend se të dënohen nga votuesi!

Gazeta “Bota sot”: Në fund, cila është thirrja e juaj për qeverinë dhe opozitën e vendit?

Hoxha: Kërkesa imë është që Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës t’i kuptojnë detyrat dhe obligimet e tyre më seriozisht dhe me profesionalizëm aty ku është e mundur, t’i largojnë inatet, xhelozitë, padurimin që kanë mes veti duke e përfshi këtu edhe presidenten e Kosovës zonjën Vjosa Osmsnin që duhet të ketë rolin, funksionin e amortizimit të konflikteve dhe mosmarrëveshjeve mes opozitës dhe pozitës, të i koordinojnë punët serioze bashkë ( sidomos bisedimet me Serbinë) të jenë konstruktiv, e mos të jetë 80 % angazhimi i deputetëve dhe opozitës me rrezuar Qeverinë, me i rrezua institucionet e vendit, me ble fushat për zgjedhje të radhës!

Nuk ka logjik opozita qysh në fillim të mandatit të një Qeverie të filloj fushatë me rrëzua atë!

Pra delegati i Kuvendit, pozitë apo opozitë njëjtë paguhen, të njëjta detyra dhe obligime i kanë ndaj vendit dhe popullit, nuk duhet të dallojnë në punën e tyre për të përforcuar shtetin !

Tek ne e kanë kuptuar se delegati i opozitës e ka detyrën me sulmua me rrezua pozitën, Qeverinë dhe Qeveria e ka detyrë me u mbrojtur nga opozita! Gabim i madh është kjo qasje, kjo kulturë në Kuvendin e Kosovës. Kërkesë tjetër është delegatët e Kuvendit, të gjithë liderët politik le të lexojnë dhe të mësojnë më shumë për Luftën Speciale të Serbisë dhe për luftën speciale në tërësi. Këtë e them sepse shumë nga ta i shërbejnë tej mase Luftës Speciale të Serbisë kundër Kosovës edhe pa dashjen e tyre e në mungesë të njohurive për Luftën Speciale që është shumë aktive po e dëmton zhvillimin dhe përforcimin e shtetit të Kosovës në të gjitha sferat e jetës si në politikë, zhvillim ekonomik, në siguri, kulturë, sport, religjion etj etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat