Zemaj: Qeveria e Kurtit i ka lënduar tepër shumë raportet SHBA – Kosovë, Rruga e Re e Kosovës është e domosdoshme

Intervista

Zemaj: Qeveria e Kurtit i ka lënduar tepër shumë raportet SHBA – Kosovë, Rruga e Re e Kosovës është e domosdoshme

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 24 korrik 2023 Në ora: 08:02
Armend Zemaj

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka folur mbi çështjet aktuale në Kosovë dhe qeverisjen e Kurt II.

Ai situatën e konsideron si mjaft të keqe, siç thotë “nga skandali në skandal”.

Lidhur me dhunën në Kuvend ai thotë se Qeveria Kurti nuk duron asnjë iniciativë opozitare, madje shton se kanë parë "një qeveri që sulmon fizikisht deputetët".

Tutje, Zemaj, nënvizon se secila zgjidhje për temën e dialogut duhet të bazohet në Kushtetutën e Kosovës, forcimit të shtetit andaj marrëveshja e Ohrit është larg marrëveshjes për të cilën ne jemi angazhuar.

Për rrëzimin e qeverisë që opozita po insiston, Zemaj thotë kjo bëhet e mundur kur pushteti humbet shumicën parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Kurse, në rast të zgjedhjeve të reja, deputeti Zemaj thotë se LDK është gati gjithmonë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Zoti Zemaj, si e komentoni situatën aktuale politike në Kosovë?

Armend Zemaj: Me pak fjalë, situata është e rëndë sepse çdo ditë që kalon kemi një stërkeqje të qeverisjes, me shumë skandale, të të gjitha natyrave. Prej skandalit të koordinimit të fshehtë me kriminel të kërkuar nga shteti dhe i sanksionuar nga SHBA e deri te skandalet korruptive dhe stagnimi i vendit në të gjitha fushat.

“Bota sot”: Kuvendi i Kosovës është shndërruar në “arenë dhune”, si e keni parë ju si LDK dhunën mes deputetëve atë ditë?

Armend Zemaj: LDK e ka dënuar dhe e dënon gjithmonë dhunën; ishte një situatë e rëndë, kemi parë se si qeveria nuk duron asnjë iniciativë opozitare, si dhe kemi parë një qeveri që sulmon fizikisht deputetët. Skena të tilla tregojnë mjerimin politik të kastës aktuale që po udhëheq me shtetin. Dhuna duhet dënuar nga të gjithë. Është e papranueshme.

“Bota sot”: Qeveria e Kosovës ka pranuar që një pjesë e Policisë së Kosovës të tërhiqet nga veriu, e po ashtu që të mbahen zgjedhjet e parakohshme në veri, si e komentoni ju?

Armend Zemaj: Është një dorëzim si në të gjitha rastet tjera të kësaj Qeverie, ndonëse kësaj radhe pasi i prishën shumë raportet me të gjithë partnerët tonë si ShBA dhe BE. Nga një politikë e pa menduar mirë dhe konfliktuoze e Kurtit, erdhi në një pikë ku jo që nuk shtriu sovranitetin, por edhe bëri prapakthim. Ndërsa, zgjedhjet e parakohshme lokale në katër komunat veriore duhet të mbahen, sipas rregullatives ligjore të Kosovës me pjesëmarrjen e lirë dhe të plotë të qytetarëve të komunave në fjalë.

“Bota sot”: Si e sheh LDK-ja zgjidhjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë?

Armend Zemaj: Secila zgjidhje për temën e dialogut duhet të bazohet në Kushtetutën e Kosovës, forcimit të shtetit, duhet të ketë zgjidhje që afirmon vlerat e shtetit të Kosovës, me mbështetjen e aleatëve tonë, me qeverisjen aktuale kam frikë se kjo nuk arrihet. Marrëveshja e Ohrit, e arritur nga Kurti është larg marrëveshjes për të cilën ne jemi angazhuar. Përveçse kjo marrëveshje është më e keqja deri me tani, ajo tashmë është edhe obligative për vendin tonë. Fokusi dhe përkushtimi i LDK-së mbetet përfundimi sa më i shpejt i marrëveshjes finale me Serbinë, ku në të është njohja reciproke dhe respektimi i kushtetutshmërisë së Kosovës.

“Bota sot”: I dërguari amerikan Escobar, pati deklaruar se Kurtin e kanë partner, kurse ju insistoni se ai ka prishur marrëdhëniet me SHBA, si qëndron e vërteta?

Armend Zemaj: ShBA e sheh si partner secilën qeveri që del nga vullneti i qytetarëve të Kosovës, por jemi dëshmitar se qeveria e Kurtit i ka lënduar tepër shumë raportet SHBA - Kosovë, me ç’ rast i keni parë edhe ju penalizimet si për shembull përjashtimi “Defender 2023”.

“Bota sot”: Ju po kërkoni rrëzimin e kësaj qeverie, cila është forma juaj për këtë?

Armend Zemaj: Rrëzimi i qeverisë bëhet i mundur kur pushteti humbet shumicën parlamentare ne Kuvendin e Kosovës, deri atëherë do të bëjmë opozitën tonë dhe përpjekjet tona për t’i bindur njerëzit se Rruga e Re e Kosovës është e domosdoshme.

“Bota sot”: Nëse do të kemi zgjedhje parlamentare së shpejti, a është LDK gati?

Armend Zemaj: Pa asnjë dyshim LDK është gati për zgjedhje gjithmonë; me programin e vet, me kuadrot e veta, që vendit t’i ofroj perspektivë ekonomike të qëndrueshme si dhe ta kthej orientimin e angazhimin properëndimor të shtetit.

“Bota sot”: Keni qenë ministër i Shëndetësisë, si po e përshkruani me një fjalë shëndetësinë sot?

Armend Zemaj: Paaftësi e faktuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat