Paralajmërimi i Kurtit për rreziqet nga Serbia dhe ri-eskalimin në veri/ Eksperti i sigurisë zbulon prapaskenat

Intervista

Paralajmërimi i Kurtit për rreziqet nga Serbia dhe ri-eskalimin në veri/ Eksperti i sigurisë zbulon prapaskenat

Nga: Qëndresë Rexhaj Më: 27 korrik 2023 Në ora: 22:08
Pamje nga tensionet e fundit në veri të Kosovës

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, vlerëson se situata në veri aktualisht është e shtensionuar.

Por, sipas tij, sa herë që Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, i duhet për rritjen e pazareve apo për Asociacionin e komunave serbe, do të përdor të njëjtën situatë.

Islami në një intervistë për “Bota sot”, thotë se nuk pret që me anë të luftës të sulmohet veriu i Kosovës, por që rrezik të madh e sheh formimin e Asociacionit të komunave serbe me kompetenca ekzekutive.

Image
Avni Islami

Ndërkaq, sa i përket paralajmërimit të vazhdueshëm të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, për rrezikun e sulmit serb, ai thekson se me siguri Kurti ka informacione nga inteligjenca, Policia dhe AKI-ja.

Kurse, blerjen e dronëve Bajraktarë, e konsideron sukses të jashtëzakonshëm për ushtrinë e Kosovës.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e shihni situatën në veri, a është afër shtensionimit të plotë?

Avni Islami: Situata e krijuar muajt e fundit ishte jo stabile. Kishte agresivitet brutal të serbëve të cilët ishin të dirigjuar nga Aleksandër Vuçiq, e që mënyra e veprimit të tyre ishte jashtëzakonisht e organizuar dhe ndërveprimet e tyre ishin të sinkronizuara ku ato vetëm shteti mund t’i bëjë të tilla. Pas vendosmërisë së institucioneve të Shqipërisë-Kosovës për ruajtjen e objekteve vitale dhe pas trysnisë së Bashkësisë Ndërkombëtare pamë që kjo situatë u shtensionua dhe në këto momente kur tanimë po flasim situatë është e qetë dhe jeta zhvillohet normalisht. Por, sa herë i vyen Aleksandër Vuçqit qoftë për rritjen e pazarit për asociacionin e komunave serbe në veriun e Kosovës ose për politika të brendshme, e ka atë mundësi ku duke i keqpërdorur serbët lokal dhe duke i aktivizuar strukturat e sigurisë në Serbi brenda veriut të Kosovës e tensionon situatën .

“Bota sot”: Meqenëse s’ka tensione, a duhet Policia të largohet në tërësi nga objektet komunale?

Avni Islami: Policia e Kosovës është ajo e cila e vlerëson gjendej në komunat veriore ku janë serbët me shumicë. Nuk ka kuptim që Policia e Kosovës të largohet nga objektet për shkak se objektet janë të qytetarëve dhe janë të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe popullit, pra edhe të komunitetit serb dhe si të tilla ato nuk duhet që të bien në duart e strukturave të qeverisë së Serbisë. Ato duhet të jenë nga ata të cilët me votën e popullit zgjidhen, pra ne kemi pasur një palë zgjedhje ku pavarësisht numrit që kanë marrë pjesë në votim zgjedhjet ishin legjitime. Mirëpo për shkak të bojkotit se kanë apo nuk kanë legjitimitet, ajo dihet që numri ishte jashtëzakonisht i vogël pasi që serbët të manipuluar nga Lista Srpska nuk morën pjesë në zgjedhje, pra është parësore që institucionet të jenë në vendin e duhur dhe janë ata që e vlerësojnë se duhet apo nuk duhet të largohen Policia e Kosovës.

“Bota sot”: Konsideroni që është i nevojshëm shtimi i bazave policore në veri?

Avni Islami: Po pas shumë viteve më në fund janë krijuar bazat policore aty ku është vlerësuar e nevojshme, por janë policia të cilët e vlerësojnë se a duhet apo jo të ketë baza të mëtejme varësisht nga situata.

“Bota sot”: Në anën tjetër kemi parë edhe ekspozim të dronëve bajraktar të FSK-së, janë të nevojshme ata për Kosovën?

Avni Islami: Duhet thënë që dronët bajraktar duket se janë teknologjia e fundit, të cilën e kemi parë se janë të nevojshëm të ketë çdo ushtri dhe kemi parë në Ukrainë që suksesi ka qenë i jashtëzakonshëm. Aftësia e tyre është pa pilot, ata rrinë në një distancë të lartë të pajisur me kamera dixhitale, në rast nevoje edhe me raketat sulmuese, pra është një hap i rëndësishëm i ushtrisë së Kosovës që të pajiset jo vetëm me dronë, por edhe me pajisje tjera ushtarake ku në një të ardhme të shkurtë së bashku me aleatët tanë me KFOR të jenë të gatshme jo vetëm ta ruajnë paqen dhe sigurinë në Republikën e Kosovës, por kjo ushtri të prodhoj paqe dhe siguri edhe jashtë vendit aty ku është e nevojshme.

"Bota sot”: Kryeministri Kurti vazhdimisht po potencon rrezikun e sulmit Serb. Janë serioze këto shqetësime?

Avni Islami: Me siguri Kryeministri Kurti ka informacione nga inteligjenca nga Policia dhe nga AKI-ja, fjala është për veriun e Kosovës, duke ditë që kufijtë nuk mund të ndryshojnë, ato mund të ndryshojnë vetëm me marrëveshje dhe luftë dhe dihet që Kosova nuk është e interesuar që të bëhet lëvizja e kufijve edhe pse Kosova nuk ka tokë për t’i falur askujt, atëherë mbetët opsioni tjetër i luftës nga ana e Serbisë. Por, pavarësisht rrezikut që mund të jetë permanent për një ndërhyrje ushtarake, edhe pse Vuçiq është pasardhës i Millosheviqit, ishte pjesë e qeverisë së tij, unë besoj që inteligjenca e serbëve dhe kabineti i tij nuk bëjnë një vlerësim që mund ose duhet të ndërmarrë një veprim të tillë, për shkak se me rezolutën 1244, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës e ka për obligim ta ruaj KFOR-i. Çdo sulm në territorin e Kosovës, është sulm ndaj forcës veri-atlantike e që kjo do të ishte hapi më i gabuar i Serbisë, dhe unë nuk pres që me anë të luftës të sulmohet veriu i Kosovës. Rreziku i Kosovës për veriun i kanoset përmes formimit të Asociacionit të komunave serbe me kompetenca ekzekutive. E gjithë kjo luftë hibride që po bëhet nga Serbia ndaj Kosovës është pikërisht për këtë, sepse ajo është e interesuar të formojë Asociacion me kompetenca ekzekutive, ku Serbia do t’i kishte duart e lira dhe në atë pjesë do të kishte ndikim të jashtëzakonshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat