Ekskluzive/ Adem Salihaj: Në Hagë gjenden urdhërdhënësit e vrasjeve politike, ja cila tradhti e madhe po gjykohet

Intervista

Ekskluzive/ Adem Salihaj: Në Hagë gjenden urdhërdhënësit e vrasjeve politike, ja cila tradhti e madhe po gjykohet

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 4 gusht 2023 Në ora: 13:02
Adem Salihaj

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Adem Salihaj, nuk ka dyshime se në Hagë gjenden urdhërdhënësit e shumicës së vrasjeve politike në Kosovë. Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Salihaj ka thënë se në Hagë po gjykohet diçka më e madhe se sa rasti i atentatit ndaj tij, i vitit 2000 - tradhtia ndaj çështjes së lirisë dha pavarësisë së Kosovës.

Ish-zëvendëskryeministri ka pohuar se ende ndihet i kërcënuar dhe kanosur, pas dënimit të autorëve përgjegjës për atentatin ndaj tij.

Sipas Salihajt, Kosova nuk është as afër pastrimit të shtetit nga kriminelët dhe bandat.

Ndërsa, lidhur me zhvillimet politike, ish-deputeti ka thënë se Kosova problemin e veriut do të mund ta zgjidhte për tri ditë, po të donte SHBA-ja dhe BE-ja.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ketë kujdes dhe të mos bëjë veprime, që nuk i lejojnë ndërkombëtarët.

Salihaj konsideron se rrëzimi i Qeverisë Kurti, që po e kërkon opozita, është i papranueshëm për popullin e Kosovës.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Salihaj, si i keni parë zhvillimet me plot tensione dhe dhunë në veri të Kosovës, gjatë këtyre muajve?

Adem Salihaj: Problemi i veriut mbahet qëllimisht aktual nga BE dhe SHBA. Është një problem, të cilin Kosova, me ndihmën e policisë dhe të FSK-së mund ta zgjidhë për tri ditë. Asnjë lloj bande as grupi terrorist i Vuçiqit nuk do të mbetej aty. Por, faktorët që i përmenda nuk e lejojnë këtë, për arsyet e tyre, jo për arsyet tona. Prandaj, qeveria e Kosovës duhet të sillet me kujdes dhe të mos bëjë veprime, të cilat nuk do t'i lejojnë BE-ja dhe SHBA-të. Ne nuk kemi aq fuqi që ta bëjmë këtë në kundërshtim me vullnetin e tyre. Këta faktorë duan ta mbajnë këtë pjesë të Kosovës si karrotë dhe çështje pazaresh, pra për interesat madhore të tyre, jo tonat.

“Bota sot”: Opozitarët po e fajësojnë Qeverinë Kurti për tensionet dhe “prishjen” e marrëdhënieve me ndërkombëtarët, ku tashmë Kosova edhe është sanksionuar. Cili mendoni se është çelësi për zgjidhjen më të mirë të mundshme?

Adem Salihaj: Zgjidhja e drejtë dhe sipas dëshirës sonë, nuk është e mundur për arsyet që i thashë më lart. Prandaj, qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme në veprimet e saj dhe të mos vijë në situatë që pas veprimeve të pamenduara mirë, të tërhiqet edhe më larg se sa ishte para këtyre veprimeve. Pra, nuk duhet lëshuar pe, por as nuk duhet ndërmarrë veprime , për të cilat ka vetëm pasoja të rënda , pa asnjë rezultat. Duhet vepruar në stilin "ngreh e mos këput". Situata e krijuar me eufori dhe pa menduar mirë në veri, solli pasoja të rënda për Kosovën.

“Bota sot”: Ju keni qenë deputet i LDK-së në dy mandate, si i vlerësoni skenat e fundit të dhunshme në Kuvendin e Kosovës në mes të VV-së dhe PDK-së?

Adem Salihaj: Shumica dërmuese e deputetëve të këtij legjislacioni janë njerëz të papjekur, të padijshëm, të pa edukatë dhe pa asnjë trohë patriotizmi. Ata po bëjnë garë, se cili do të jetë më i pafytyrë dhe më i paskrupullt. Gjërat më të shenjta siç janë familja, nderi dhe shteti, aty shahen dhe poshtërohen. Prej këtyre deputetëve nuk mund të dalë asgjë e mirë. Mund të presim vetëm të këqija. Unë brengosem se ku do të shkojmë kështu. Në anën tjetër, turpërohem që, parlamenti i shtetit tim, ka një nivel kaq të ulët përfaqësimi.

“Bota sot”: A besoni se opozita, që po kërkon zgjedhje të reja, mund ta rrëzojë Kurtin nga pushteti?

Adem Salihaj: Opozita nuk ka asnjë çështje të rëndësishme, të cilën duhet ta mbrojë apo ta çojë përpara. Ka mungesë totale programi dhe ideshë. E vetmja kauzë është rrëzimi i qeverisë dhe marrja e pushtetit me çdo çmim, edhe duke sakrifikuar interesat e rëndësishme të Kosovës. Partitë opozitare, të cilat kanë qenë në pushtet, kanë bërë gabime të mëdha dhe i kanë dëmtuar rëndë interesat më vitale të Kosovës, deri te cenimi i territorit dhe statusit të shtetit. Në anën tjetër, asnjëherë nuk janë penduar dhe distancuar nga këto veprime të së kaluarës. Rrëzimi i Kurtit dhe rikthimi tek ato metoda nuk janë të pranueshme për popullin e Kosovës. Prandaj edhe po dështojnë në vazhdimësi.

“Bota sot”: Keni deklaruar se urdhërdhënësit për atentatin e vitit 2000 ndaj jush, janë në Hagë! A pritni që drejtësia të vendoset edhe për rastin tuaj?

Adem Salihaj: Çështja e gjykimit të tyre është më e madhe se sa rasti im apo edhe shumë raste tjera individuale. Nuk ka asnjë dyshim se atje janë urdhëndhënësit e shumicës së vrasjeve politike në Kosovë. Por, nuk janë vetëm këta, ka edhe të tjerë që nuk janë në Hagë. Në Hagë po gjykohet diçka më e madhe, ndoshta një tradhti e madhe ndaj çështjes së lirisë dha pavarësisë së Kosovës. Si do të përfundojë kjo, do ta shohim.

“Bota sot”: Njëri nga të dënuarit për rastin tuaj Shaban Syla, muaj më parë pretendoi se në vitin 2005, ju keni bërë një atentat ndaj vetes. Cila është kundërpërgjigjja juaj ndaj tij?

Adem Salihaj: Kjo është absurde dhe plotësisht e pavërtetë. Vetëm në Kosovë ndodh që, kriminelë të dënuar me vendime të plotëfuqishme të gjykatës, inkuadrohen live dhe fyejnë dhe kërcënojnë viktimat. Kjo nuk ndodh askund tjetër në botë.

“Bota sot”: A ndiheni ende të “kërcënuar” dhe “kanosur”, për shkak të dënimit të autorëve për atentatin ndaj jush?

Adem Salihaj: Secili njeri i ndershëm dhe patriot në Kosovë është i kërcënuar dhe rrezikuar nga lloj-lloj bandash e kriminelësh, kështu që edhe ndaj meje vazhdojnë kanosjet. Shteti ynë as nuk ka arritur, as nuk është afër pastrimit të shtetit nga kriminelët dhe bandat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat