Zgjedhjet në veri, pjesëmarrja e Listës Serbe, kërkesa e opozitës për shkarkim/ Deputetja Statovci shpalos qëllimet e Qeverisë Kurti

Intervista

Zgjedhjet në veri, pjesëmarrja e Listës Serbe, kërkesa e opozitës për shkarkim/ Deputetja Statovci shpalos qëllimet e Qeverisë Kurti

Nga: Qëndresa Rexhaj Më: 7 gusht 2023 Në ora: 11:54
Deputeteja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje nga radhët e partisë Guxo, Jeta Statovci

Deputeteja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje nga radhët e partisë Guxo, Jeta Statovci, vlerëson se vendosja e masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për Kosovën, ka qenë hap i ngutshëm. Ndërkaq thekson se, ulja e tensioneve në veri të vendit po bëhet duke bashkëpunuar me të gjithë faktorët relevant.

Sa i përket Udhëzimit Administrativ, për largimin e kryetarëve të zgjedhur në katër komunat në veri të vendit, ajo thotë se qeveria do të ketë zgjidhjen e cila garanton rrugën për implementimin e dakordimit të Ohrit, si zgjidhja finale e të gjitha këtyre problemeve.

Deputetja Statovci, tutje thekson se për mundësin e zgjedhjeve të reja, duhet të kemi dhe sinjalet nga qytetarët e asaj pjese, kjo si mënyre që të garantohet pastaj pjesëmarrje.

Kurse, sa i përket pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhje, ajo potencon se është i nevojshëm një monitorim parimor nga BE, për procesin.

Deputetja Statovci, foli edhe rreth kërkesës së opozitës për shkarkimin e qeverisë Kurti, për çka u shpreh se, opozita nuk është serioze në asgjë dhe se askush nuk e di qartë se cili është qëndrimi i tyre.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Qeveria e Kosovës ka bërë uljen e mëtejme të prezencës së Policisë së Kosovës në dhe rreth objekteve komunale në veri, a është e mjaftueshme kjo për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës nga BE-ja?

Jeta Satovci: Në konsideratat tona, dhe të miat personalisht, masat ndëshkuese ndaj Kosovës nga BE nuk kanë qenë fare të nevojshme, për të mos thënë, kanë qenë të ngutshme. Sidoqoftë, Kosova është vend demokratik dhe që e merr shumë seriozisht partneritetin me BE-në, andaj ulja e tensioneve në veri të vendit tonë po bëhet duke bashkëpunuar me të gjithë faktorët relevant, në shërbim të normalizimit të jetës së qytetarëve atje, por pa hequr dorë nga sundimi i rendit dhe ligjit.

“Bota sot”: Qeveria po ashtu ka nisur hartimin e një udhëzimi administrativ për iniciativën e qytetarëve për shkarkimin e 4 kryetarëve në veri, a duhet vazhduar këtë punë, apo duhet kryetarët të japin dorëheqje?

Jeta Statovci: Procesi i dialogut përfshin negociatat të cilat nuk zhvillohen vetëm me Serbinë, por edhe me aleatët dhe shumë faktorë tjerë. Ajo që mund të them është se Kosova ka Kushtetutën e saj, ne i betohemi Kushtetutës, andaj nuk do të ketë asnjë lloj zgjidhje që bie në kundërshtim me të. E shoh si shumë të rëndësishme që faktori ndërkombëtar ta ketë shumë të qartë situatën, ne vazhdimisht jemi në shërbim të demokracisë, zgjidhjes së pengesave të cilat janë krijuar për rajonin tonë, në rrugën tonë integruese. Kryetarët në veri janë qytetarë të Kosovës, apriori ata mbrojnë interesat e vendit tonë, Kushtetutën tonë, paqen dhe stabilitetin, por edhe raportet tona me aleatët. Besoj që Qeveria do të ketë zgjidhjen e cila garanton rrugën për implementimin e dakordimit të Ohrit, si zgjidhja finale e të gjitha këtyre problemeve që janë nisur jashtë Kosovës, jo në Kosovë. Procesi i zgjedhjes së kryetareve ka qenë në përputhje me ligjet e vendit, për mundësin e zgjedhjeve të reja, duhet të kemi dhe sinjalet nga qytetarët e asaj pjese, kjo si mënyre që të garantohet dhe pastaj pjesëmarrje. Kujtojmë, problemi nuk kanë qenë zgjedhjet, por bojkoti i orkestruar politikisht.

“Bota sot”: Bashkësia Ndërkombëtare a duhet të ofroj garanci për pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje?

Jeta Statovci: Kosova është palë kryesore dhe e sheh me interes të madh, për të pasur një rajon stabil dhe pa probleme të sigurisë pas ngjarjeve në Ukrainë. Unë nuk besoj se ka pasur arsye për bojkot as në zgjedhjet e fundit në veri, andaj konsideroj se po, është i nevojshëm një monitorim parimor nga BE për procesin. Por për sa i përket garancive për pjesëmarrje, më shumë do doja garanci për mos pasje të ndikimit nga struktura të cilat tashmë ne i konsiderojmë organizata terroriste, pra të mos kemi frikësim e shantazh të qytetarëve nga grupe kriminale, të mos kemi elemente të dhunës, dhe nëse këto garantohen, bojkoti i zgjedhjeve nuk do të jetë temë. Ne tashmë e shohim se qytetaret në veri bashkëveprojnë me policinë e Kosovës, e me segmente të tjera të shteti, por është me rendësi të lirohen nga presioni politik i cili vjen nga Beogradi dhe i facilituar nga bandat në veri.

“Bota sot”: A është serioze opozita në kërkesat për shkarkimin e qeverisë Kurti?

Jeta Statovci: Opozita nuk është serioze në asgjë. Askush nuk e di qartë se cili është qëndrimi i tyre për pikat më kyçe të sigurisë nacionale, që lidhen me zhvillimet në veri, e as për ndonjë alternativë politike në interes qytetarë. Për këtë do duhet të ishte opozita, jo për të shprehur dëshira të shumta për rrëzim, e me mundësi fare. Ata kanë nisur një fushatë shumë kohë më parë, nga mos përmbajtja, patëm edhe grushte në Kuvend për herë të parë. Mendoj se sukseset e Qeverisë po i përjetojnë keq, përdorimi i grushteve në politikë simbolizon humbjen e debatit racional, humbjen e argumenteve, pra humbjen politike të cilën kanë filluar të mos e durojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat