Arrestimet në MINT, veprimet e Kurtit dhe situata në veri/ Gjoshi shpalos qëndrimet e PDK-së!

Intervista

Arrestimet në MINT, veprimet e Kurtit dhe situata në veri/ Gjoshi shpalos qëndrimet e PDK-së!

Nga: Qëndresa Rexhaj Më: 21 gusht 2023 Në ora: 08:05
Sekretari organizativ i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi

Sekretari organizativ i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, vlerëson se arrestimet e së premtës në Ministrinë Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, tregojnë edhe njëherë keqmenaxhimin dhe paaftësinë e qeverisë Kurti.

Sipas tij, minimalja që duhet të ndërmerret për këtë rast është shkarkimi i Ministres Rozeta Hajdari.

Gjoshi në një intervistë për “Bota sot”, ka folur edhe për gjendjen aktuale dhe ndodhitë në veri, për çka potencon se, Kurti për të mbuluar skandalet ka marrë disa veprime të cilat kanë qenë të papjekura dhe e kanë përkeqësuar situatën e sigurisë në atë pjesë të Kosovës.

Sipas tij, për të gjitha këto skandale të Qeverisë Kurti, veprimi i duhur do të ishte që vendi të shkojë në zgjedhje.

Derisa thekson se, vetëm në këtë mënyrë do të ndërpritej boshatisja e vendit, e cila ka filluar në këtë qeveri.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si i keni parë arrestimet e fundit në Ministrinë Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë?

Gjoshi: Ne si PDK me kohë kemi denoncuar keqpërdorimet që kanë ndodhur në shumë dikastere të kësaj qeverie, e në veçanti skandalet që kanë ndodhur në Ministrin e Tregtisë Industrisë dhe Ndërmarrësisë. Qysh në vitin e kaluar deputetët tanë në Kuvendin e Kosovës kanë ngritur skandale për blerje të drithit nga firma që janë marrë me ndërtim apo me shitje të materialeve ndërtimore mandej edhe për vajin dhe produkte të tjera, po ashtu edhe keqpërdorimet që janë bërë me dhënie të pronave në mënyrë të jashtëligjshme për kompani të afërta me partinë në pushtet. T premtwn ka filluar një aksion i Policisë së Kosovës dhe Eulex-it dhe ka arrestuar një mik të afërt të Albin Kurtit, Ridvan Muharremin dhe disa zyrtar të lartë të ministrisë. Ridvan Muharremi është personi i cili në emër të Kryeministrit dhe me lejen e tij, përveç se është marrë me biznese të ndryshme, edhe të armëve, ka kërkuar edhe gjetjen e katër dëshmitarëve katolikë kundër krerëve të UÇK-së në Hagë. Ridvan Muharremi, miku i Kryeministrit, si person i autorizuar nga Rozeta Hajdari jashtëligjshëm sepse nuk i ka plotësuar kriteret, në emër të furnizmit me rezerva shtetërore, paratë e buxhetit të shtetit i ka dhënë ndërsa mallin nuk e ka marrë asnjëherë – duke i shkaktuar qindra mijëra euro dëme vendit. Ne kërkojmë që Kryeministri Kurti të shkarkojë Ministren e Tregtisë Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, do të ishte më e pakta që do të bënte, për t’i hapur rrugë një hetimi të pavarur dhe të pandikuar politikisht.

“Bota sot”: Pas arrestimeve, cilat veprime duhet t’i ndërmarrë Kryeministri Albin Kurti?

Gjoshi: Edhe pse është i vonuar, shkarkimi do të ishte minimalja që duhet të bëhet, po gjithsesi do të ishte një mundësi që drejtësia të veproj në mënyrë të pandikuar në këtë rast. Kjo është ajo që jo vetëm ne, por të gjithë po e kërkojnë. Pra, po them minimalja sepse do të duhet që të bëhej shumë më shumë për këto raste.

“Bota sot”: Si e komentoni situatë aktuale në veri?

Gjoshi: Gjendja e veriut argumenton se sa avanturier dhe i paaftë është kryeministri Albin Kurti. Për të mbuluar skandalet dhe keqqeverisjen në nivel qendror të cilat janë të shumta, ka marrë disa veprime të cilat kanë qenë të papjekura dhe të cilat e kanë përkeqësuar situatën e sigurisë në atë pjesë të Kosovës. Skandali me drogën, vjedhjet me energjinë elektrike dhe me tenderë në KEK dhe shumë shkelje ligjore që ka konstatuar Gjykata Kushtetuese, dëshmojnë që sa më parë ky vend duhet të shkojë në zgjedhje dhe kjo qeverisje ta mbarojë mandatin, për arsye se nuk është më as legjitime dhe as e moralshme. Ka skandale të njëpasnjëshme dhe është e dukshme që kjo qeveri dhe ky kryeministër i shkakton vetëm telashe Kosovës.

“Bota sot”: Po kërkoni vazhdimisht shkarkimin e Qeverisë Kurti, a do të ndërmerrni ndonjë iniciativë?

Gjoshi: Ne kemi kërkuar dhe po kërkojmë edhe sot përmes jush që veprimi i duhur do të ishte që të thirret sa më parë Kuvendi i Kosovës dhe te shpërbëhet e të shkojmë në zgjedhje. Kjo do të ishte mënyra më e duhur dhe më e lehtë për tu realizuar, që të kthehet vullneti në duart e qytetarëve të Kosovës dhe ata të vendosin për një qeveri e cila ka një vizion dhe të ndërtoj përpara vendin dhe jo që të boshatisët vendi siç ka filluar me këtë qeveri dhe njerëzit ta shohin si vend pa perspektiv dhe të pajetueshëm. Pra, po e them edhe njëherë, ajo që Kosovës i duhet janë zgjedhjet, qytetarët kanë nevojë për një qeverisje adekuate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat