“Kurti, lider i pa cenueshëm”/ Driton Tali flet për gjendjen e sigurisë, punën e Qeverisë dhe “jo-seriozitetin” e opozitës

Intervista

“Kurti, lider i pa cenueshëm”/ Driton Tali flet për gjendjen e sigurisë, punën e Qeverisë dhe “jo-seriozitetin” e opozitës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 22 gusht 2023 Në ora: 16:18
Driton Tali

Analisti Driton Tali, në një intervistë për gazetën kombëtare “Bota sot” ka folur mbi zhvillimet aktuale në Kosovë.

Ai tha se siguria në komunat veriore është siç ka qenë edhe më përpara, duke shtuar se me zhvillimet e luftës në Ukrainë Vuçiqit duket se i janë thyer krahët.

Për zgjedhjet në veri, Tali, thotë se e gjithë çështja varet nga presioni i jashtëm.

Kurse, për punën e qeverisë, thotë se mund të bëjë edhe më shumë, derisa për opozitën, shprehet se është shumë e brishtë dhe nuk ka unitet.

Andaj, gjithnjë sipas Talit, Kurti mbetet ende lider i pa cenueshëm, sepse ende nuk shihet ndonjë thyerje e cila do t'ia impononte dorëheqjen.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën e sigurisë veri të Kosovës?

Driton Tali: Situata në komunat veriore të Kosovës janë ashtu siç i kemi në vazhdimësi tash e shumë vite. Ndryshim ishte (nëse mund të quhet ndryshim) Agresioni në Ukrainë, i cili u reflektua edhe në këto komuna varësisht nga zhvillimet dhe kontradiktat gjeopolitike që ndodhen. Tashti sikur agresioni në Ukrainë ka marrë drejtimin me çka "kësaj Serbie" të z. Vuqiç ju kanë "tharë krahët". Këtë para dy ditë e pohoi edhe vet Vuçiç, në një adresim direkt që ju bëri medieve të Serbisë, duke deklaruar se "Serbinë e pret tashti një periudhë e vështirë e presioneve duke mos përjashtuar edhe sanksione nga UE dhe ShBA". Zaten ShBA, me futjen në Listën e Zezë të shefit të Sigurimit, Aleksandër Vulin, veç sa e filloi këtë etapë.

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj, a ka potencial për mbajtjen e zgjedhjeve në veri?

Driton Tali: Mbajtjet e zgjedhjeve në ato komuna varet krejtësisht nga presioni i jashtëm. Nëse tolerohet Vuçiç, ai do t'i përdorë ato komuna për agjendën e tij deri në maksimum. Sa me ju rikujtuar, kushtin kryesor Vuçiç që e ka është "që fillimishit, para se të shkohet në zgjedhje, të pranohet statuti (d.m.th., krijimi) i Asociacionit sipas Marrëveshjes 2013 gjegjësisht 2015 - duke aluduar në kompetenca ekzekutive të cilat e tejkalojnë Kushtetutën tonë.

“Bota sot”: Si i keni parë thirrjet nacionaliste serb “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”?

Tali: Këto klithjet e racistëve hegjemoniste serbe për "kthimin e ushtrisë serbe në Kosove" duhet kuptuar vetëm nga perspektiva e "modelit kulturor" ekzistues në Serbi. Pra duke e trajtuar si "zë të qyqes" sepse sikur Serbia ta kishte fuqinë (ashtu siç e kishte dikur) karshi Kosovës, ata nuk do të brohoritnin por do të vepronin dhe tashmë ushtrinë e Serbisë veç do ta kishim nëpër rrugët e Kosovës.

“Bota sot”: Çfarë mendoni për arrestimet në Ministrinë Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë?

Driton Tali: Sundimi i Ligjit duhet të jetë tamam Sundim i Ligjit, pa marrë parasysh. Askush nuk duhet të jetë i përjashtuar, e aq më pak udhëheqësit dhe fytyrat publike të cilat duhen të jenë shembull për respektim të ligjit.

“Bota sot”: Si po e shihni punën e Kurtit dhe ministrave të tij?

Driton Tali: T’ju them të drejtën unë nuk kam pritur edhe aq se çka nga kjo qeveri duke e pasur parasysh tërë ambientin kosovar, qoftë administratën apo edhe institucionet profesionale publike. Pastaj edhe kjo kriza globale e imponuar nga Lufta e Ukrainës, e paraprakisht epidemia e covidit, patën bërë që të mos pres diçka epokale. Ndonëse a do të mundte Qeveria Kurti 2 të bëjë më shume, natyrisht se po!

“Bota sot”: Opozita vazhdimisht bën thirrje për rrëzimin e kësaj qeverie, a mendoni se do të jetë e mundur kjo?

Driton Tali: Jetojmë në demokraci dhe pluralizëm. Pushtetin askush nuk mund ta marri me tapi apo ta trashëgojë, por duhet ta fitojë në garën e vazhdueshme politike ndërpartiake.

Andaj, konform kësaj që thash, thirrjet e opozitës për zgjedhje të reja, janë krejt normale. Secila parti opozitare në përshkrim të punës e ka marrjen e pushtetit.

Por se kjo opozitë aktuale e brishtë dhe fragjile a do të jetë në gjendje t'ia imponojë mazhorancës zgjedhjet e reja, këtu jam shumë skeptik, gjykuar nga kjo qe kam parë deri tashti. Sepse opozita pos që nuk ka unitet (tek e fundit kjo është e kuptueshme sepse janë parti të ndryshme me agjenda të ndryshme) por edhe sikur këto thirrje nuk i kanë përnjëmend.

Nga ana tjetër te Qeveria Kurti 2 nuk shihet ndonjë thyerje e cila do t'ia impononte dorëheqjen. Edhe me tutje z Kurti shihet si lider i pa cenueshëm. Aty-këtu i dalin disa sfida qoftë me disa deputetë të caktuar apo ministra, por jo edhe të atij nivelit që do ta thyenin atë me Kabinetin Qeveritar apo përçanin me Grupin Parlamentar të koalicionit qeverisës. Andaj unë pres që Qeveria Kurti 2 ta vazhdojë punën e saj, u morë vesh nëse diçka drastike në ndërkohe nuk ndryshon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat