Zyrtarja e LDK-së kritikon punën e qeverisë Kurti - paralajmëron zhvillime të reja në shtator

Intervista

Zyrtarja e LDK-së kritikon punën e qeverisë Kurti - paralajmëron zhvillime të reja në shtator

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 23 gusht 2023 Në ora: 19:04
Lumir Abdixhiku dhe Shqipe Pantina

Zyrtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shqipe Pantina në një intervistë për “Bota sot” ka folur mbi zhvillimet aktuale në Kosovë.

Ajo ka kritikuar ashpër punën e qeverisë Kurti, duke thënë se është një qeveri e cila po prodhon vetëm skandale. Madje, sipas saj, ajo po shkon nga dështimi në dështim.

Sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve në veri, Pantina thotë se do të ishte e udhës që kryetarët aktualë të japin dorëheqje, pasi që popullata atje nuk i njeh për përfaqësimin e tyre.

Derisa për rastin e fundit që ka të bëjë me tekstet shkollore, Pantina thotë, se është dëshmi se kjo qeveri nuk ia ka idenë se si ta zhvillojë arsimin në vend.

Kurse, për rrëzimin e qeverisë që opozita vazhdimisht po e kërkon, përfshirë edhe LDK-në, Pantina deklaron se opozita nuk mund ta rrëzojë qeverinë, sepse nuk i ka votat, por që ajo lë të kuptohet se në shtator mund edhe të ndodh rrëzimi i kësaj qeverie!

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën aktuale politike në Kosovë?

Pantina: Mendoj se situata është mjaft e brishtë. Ndonëse është koha e pushimeve dhe njerëzit nuk janë të preokupuar me çështje politike, shtatori do jetë muaji kur presioni mbi qeverinë do të rritet për zgjidhjen e një varg problemesh shumë nga të cilat i ka krijuar vet. Në veçanti temë e nxehtë do jetë çështja e katër komunave në pjesën veriore dhe zgjedhjet e reja lokale në këto komuna. Qeveria nuk po duket që e ka një zgjidhje të shpejt dhe mirë menduar për zgjidhjen e problemit e sidomos për një zgjidhje përfundimtare me Serbinë e që do i hapte rrugë Kosovës për integrime ndërkombëtare.

“Bota sot”: A do mund të mbahen zgjedhje në veri, cili është parashikimi juaj?

Pantina: Zgjedhjet mund të mbahen, por nëse nuk ka një marrëveshje politike me Serbinë apo me Listën Serpska rezultati i zgjedhjeve prapë mund të jetë zero. Prandaj është e domosdoshme që për katër komunat të ketë një marrëveshje që garanton pjesëmarrjen e qytetarëve të komunitetit serb në këto zgjedhje. E për fat të keq pjesëmarrja e tyre në zgjedhje varet nga vullneti i Listës Serpska dhe i Beogradit zyrtar. Kryeministri dhe qeveria ka dështuar të bindë qytetarët e atyre komunave që të bëhen pjesë aktive e jetës politike në Kosovë, përkundrazi me veprimet e para disa muajve e sidomos me vendimin për targat ai vetëm sa i ka irrituar ata dhe si pasojë serbët e veriut vazhdojnë të shikojnë më shumë nga Beogradi sesa nga Prishtina.

“Bota sot”: Si vlerësoni se është mënyra më e duhur për mbajtjen e zgjedhjeve, peticioni apo dorëheqjet?

Pantina: Mënyra më e shpejt dhe e sigurt është një marrëveshje politike. E në këtë marrëveshje edhe mund të parashihet pastaj mënyra e mbajtjes së zgjedhjeve. Nëse Qeveria jonë do të dëshmojë se ka vullnet për zgjidhjen e problemit atje atëherë mënyra më e mirë është dorëheqja e kryetarëve aktualë. Por se sa mundet të ua imponoj këtë katër kryetarëve kjo është çështje tjetër. Edhe pse vet kryetarët e atyre komunave do duhet të ishin të vetëdijshëm se ata nuk kanë legjitimitet për t’i ushtruar ato funksione pasi shumica e popullatës atje nuk i njeh si kryetarët e tyre të zgjedhur, prandaj do ishte më e moralshme që ata vet të ofronin dorëheqjet.

“Bota sot”: Si po e shihni punën e Qeverisë Kurti?

Pantina: Nuk po shoh se kjo qeveri është duke punuar diçka përveç që po prodhon skandale. Në fakt vetëm këto javët e fundit kemi pas një varg skandalesh e që e dëshmojnë paaftësinë e tyre për të qeverisur. Secili dikaster është më keq se tjetri, dështim pas dështimi.

“Bota sot”: Po arrestimet e fundit në Ministrinë Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si i keni parë?

Pantina: Duhet të presim për epilogun e tyre, por çfarë ka dalë në pah nga këto arrestimet e fundit është gatishmëri se kryeministrit Kurti dhe e Vetëvendosjes jo për ta luftuar korrupsionin por përkundrazi duke ushtruar presion tek organet e drejtësisë që po tentojnë ta luftojnë korrupsionin. Qeveritë e mëhershme të paktën nuk kanë ushtruar kaq hapur presion mbi gjyqësorin kur zyrtarët e tyre janë arrestuar. Ndërsa këta po mundohen që haptazi ta kontrollojnë çdo institucion të pavarur në këtë vend qoftë duke i vendosur njerëzit e vet në krye të këtyre institucione pa përfillur procedura e kritere, qoftë duke ushtruar presion mbi ato institucione ku nuk kanë arrit me i vendos ende njerëzit e tyre të dëgjueshëm.

Bota sot”: Ministria e arsimit së fundi ka marrë vendim që tekstet shkollore t’i blejnë prindërit për fëmijët e tyre, si e komentoni këtë gjë?

Pantina: Ministria e Arsimti së fundi e ka dëshmuar (për ndokënd që ka pas dyshime) se nuk ka fare ide se si ta zhvillojë arsimin në këtë vend. Diskutimi se sa kushtojnë e kush duhet të paguajë për librat, në kohën kur në botën moderne flitet për Inteligjencën Artificiale apo nëse ka jetë në planete tjera, është madje banal.

Megjithëatë, diskutimi për librat shkollor është i nevojshëm në shoqërinë tonë, por jo kush duhet të paguaj për to, por për përmbajtjen e tyre. Madje diskutimi duhet të bëhet nëse libri është mjeti më efikas për të bartur njohuri dhe dije tek nxënësit apo duhet të përdoren mjete tjera alternative si filma, lojëra apo ushtrime të ndryshme. Kjo temë duhet të diskutohet nga profesionistët që i njohin sistemet arsimore, apo thjesht të studiohen sistemet që kanë dhënë rezultat në vendet tjera dhe të zbatohen ato praktika.

“Bota sot”: Ju si LDK, po kërkoni vazhdimisht shkarkimin e Qeverisë Kurti, a do të ndërmerrni ndonjë iniciativë në të ardhmen e afërt?

Pantina: Se kjo Qeveri nuk ka aftësi për të bërë zgjidhje për problemet në vend tashmë është e ditur. Madje është vet qeveria që i ka shkaktuar një varg problemesh pasojat e të cilave po i bartim tani e të tjerat do i ndiejmë më vonë. Kryesia e LDK dhe Grupi Parlamentar besoj se do i diskutojnë hapat e ardhshëm, por qeverinë mund ta rrezojnë vetëm deputetët e vet, sepse opozita nuk i ka votat e mjaftueshme për të votuar një mocion mosbesimi. Besoj se në shtator do ketë zhvillime të reja e që mund edhe të dërgojnë në rrëzimin e kësaj qeverie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat