Ekskluzive: Eksperti i sigurisë në Uashington: Kosova po humbet, kjo është e vetmja mënyrë për normalizimin e veriut!

Intervista

Ekskluzive: Eksperti i sigurisë në Uashington: Kosova po humbet, kjo është e vetmja mënyrë për normalizimin e veriut!

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 31 gusht 2023 Në ora: 14:07
Adrian Shtuni

Adrian Shtuni, ekspert i politikës së jashtme dhe sigurisë me bazë në Uashington dhe bashkëpunëtor i Qendrës Ndërkombëtare për Kundër-Terrorizëm, në Hagë, ka thënë se nga e gjithë situata e tensionuar në veri të vendit, po humbet vetëm Kosova.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Shtuni ka kërkuar reflektim nga udhëheqësit e Kosovës dhe zbatim të përshpejtuar të kërkesave të partnerëve strategjikë për rikthim të normalitetit në veri të vendit.

Eksperti ka vlerësuar se e vetmja rrugë për normalizimin e situatës në veri, është bashkërendimi i veprimeve me aleatët, EULEX-in dhe KFOR-in, si bashkëpërgjegjës për garantimin e sigurisë dhe mbizotrimin e ligjit në tërë vendin, përfshirë veriun.

“Prapësimi i masave ndëshkuese është tërësisht në dorën e autoriteteve në Prishtinë. Çdo ditë vonesë ka një faturë të rëndë për popullin, për ekonominë dhe realitetin social e politik të vendit, ndaj e vetmja politike e përgjegjëshme në këto rrethana është të mos humbet më tej kohë me gjysmëhapa”, ka deklaruar Adrian Shtuni për gazetën.

Ndërsa, dorëheqja e shtatë policëve të rinj serb brenda pak ditësh, sipas tij, është tregues i qartë i presioneve, kërcënimeve dhe shantazheve që po përdoren për të sabotuar rikthimin e normalitet në veri.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z.Shtuni, pati plagosje, dhunë, gjakderdhje, arrestime dhe u fajësua Prishtina… si i keni parë të gjitha zhvillimet tensionuese të muajve të fundit në veri të Kosovës?

Adrian Shtuni: Pyetja më e shpeshtë që më është bërë kohët e fundit mbi tensionet në veriun e Kosovës ka qenë: kush e ka fajin? Kjo është një pyetje teorike që mund të marrë shumë interpretime e përgjigje. Ndërkohë, unë mendoj se pyetja më e rëndësishme është: kush po dëmtohet, pra kush po humbet nga gjithë kjo situatë? Kjo është një pyetje praktike që fatkeqësisht ka vetëm një përgjigje, Kosova. S’besoj se dikush do të argumentonte se Kosova po përfiton diçka. Kjo duhet të jetë pikënisja e analizës objektive për gjithë vuajtjet e pamerituara, ankthin, stagnimin që po përjeton populli i Kosovës. Çfarë po i shkakton ato dhe pse nuk u shmangën?

Fatkeqësisht veprimet e njëanshme e të pakoordinuara të qeverisë së Kosovës, të pasuara nga një qasje jobashkëpunuese, sfiduese dhe madje qortuese ndaj partnerëve strategjikë të vendit, kanë qenë një autogol i kushtueshëm që mund dhe duhej të shmangej. Është me rëndësi të nënvijëzojmë se asgjë nuk ishte aksidentale apo pasojë e mosdijes pasi këshillat dhe paralajmërimet e qarta dhe të vazhdueshme të partnerëve strategjike të Kosovës, përfshirë SHBA, BE, QUINT, NATO, etj. u shpërfillën sistematikisht. Kjo qasje kokëmëvete dhe pasojat e saj, çojnë ujë drejtpërdrejt në mullirin e atyre që duan ta shohin Kosovën të dobët e të destabilizuar, të përçarë nga brenda, dhe të vetmuar, apo edhe më keq, të izoluar ndërkombëtarisht.

Kjo situatë kërkon reflektim të sinqertë nga udhëheqësia e vendit, zbatim të përshpejtuar të kërkesave të partnerëve strategjikë për rikthim të normalitetit në veri të vendit, dhe gjetjen pa vonesë të një formule bashkëpunuese ndërmjet aktorëve politikë në vend për hir të interesave madhore të shtetit në një moment kritik për vendin. Fajin mund ta diskutojmë më vonë, pasi të stabilizohet situata dhe treni të futet në shina.

“Bota sot”: Policia e Kosovës arrestoi disa nga pjesëtarët e armatosur që organizuan protesta të dhunshme në veri të vendit, si mendoni se duhet të veprojnë institucionet për çlirimin e veriut nga bandat kriminele serbe?

Shtuni: Së pari, të gjithë ata që dhunojnë paqeruajtësit, punonjësit e organeve ligjzbatuese, apo gazetarët duhet të përballen me tërë fuqinë e ligjit, pa asnjë përjashtim. Po ashtu, organet e specializuara të shtetit të Kosovës duhet të hetojnë dhe faktojnë me prova se kush qëndron pas atyre që shakaktojnë pasiguri dhe terror ne veri, kush i ka organizuar, financuar dhe armatosur ata. Kjo duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe në mënyrë që të mos shënjestrohet apo stigmatizohet i tërë komuniteti serb në veri të Kosovës, pasi kriminelët nuk janë të tillë për shkak të përkatësisë etnike, por për shkak të veprimeve që ndërmarrin e për të cilat duhet të përgjigjen individualisht deri në një.

Gjithsesi, e vetmja rrugë për normalizimin e situatës në veri të Kosovës është bashkërendimi i veprimeve me aleatët, EULEX-in dhe KFOR-in që janë bashkëpërgjegjës për garantimin e sigurisë dhe mbizotrimin e ligjit në tërë vendin, përfshirë veriun. Duhet të kuptohet qartë se nuk ka asnjë shans që veprimet e njëanëshme apo të nxituara të sjellin rrezultate pozitive në normalizimin e situatës në planin afatgjatë, apo në konsolidimin e sovranitetit të vendit.

“Bota sot”: Pati edhe një paralajmërim nga Departamenti Amerikan, ku dënoheshin “veprimet e njëanshme të Kosovës” lidhur me veriun, a mendoni se z.Kurti “lëshoi” pe pas këtyre sinjaleve alarmi?

Adrian Shtuni: Mendoj se sinjalet e alarmit dhe kritikat nga SHBA, BE, vendet e QUNT-it dhe NATO kanë qenë të qarta dhe insistuese, por fatkeqësisht mospërfillja e tyre ka sjellë pasoja të kushtueshme për Kosovën. Ambasadori Hovenier tekstualisht e krahasoi Kosovën me një shtëpi që kishte marrë flakë. Fatmirësisht, ndërkohë situata është qetësuar disi, por ende pas tre muajsh kërkesat e deklaratës së 3 qershorit mbeten të pazbatuara plotësisht dhe nuk ka një datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore. Pra, hapa shtensionimi ka pasur, por hapat duhet të jenë më të mëdhenj e më të shpejtë për të mundësuar heqjen e masave ndëshkimore politike dhe ekonomike të vëna nga BE për Kosovën.

Jo më larg se dje kryeministri Kurti pohoi për gazetën Bloomberg shprehimisht se masat ndërkimore të BE po dëmtojnë agjencitë shtetërore dhe komunitetin e biznesit në Kosovë. Atëherw, nëse ka vetëdije se dëmtimet janë duke ndodhur, përse nuk po përshpejtohet zbatimi i masave të kërkuara për t’u kthyer në normalitet? Nëse Kosova u përjashtua nga stërvitja ushtarake me forcat aleate, kjo dëmton përgatitjen e ushtrisë së Kosovës. Pyetja themelore këtu është: kujt i intereson një Kosovë më e dobët ushtarakisht dhe ekonomikisht?

Prapësimi i masave ndëshkuese është tërësisht në dorën e autoriteteve në Prishtinë. Çdo ditë vonesë ka një faturë të rëndë për popullin, për ekonominë dhe realitetin social e politik të vendit, ndaj e vetmja politike e përgjegjëshme në këto rrethana është të mos humbet më tej kohë me gjysmëhapa.

Po ashtu, partneriteti i mirë ka si kriter bazë besueshmërinë. Nëse një partner nuk i përmbahet zotimeve të marra, kjo sjell humbje të besueshmërisë, gjë që është një dëm i madh për një vend të vogël që ka nevojë për gjithë mbështetjen që mund të marrë në aspektin e sigurisë, ekonomisë, njohjeve dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, etj.

“Bota sot”: Ndërkombëtarët po i shohin si shqetësuese dorëheqjet e policëve të rinj serbë? Çka mendoni se fshihet prapa dorëheqjeve të tyre dhe a mund të jetë paralajmërim për tensione të reja në komunat veriore?

Adrian Shtuni: Fakti që 74 policë të rinj të etnive jo shumicë (46 prej të cilëve të etnisë serbe) filluan punën një muaj më parë në Policinë e Kosovës, është një shenjë inkurajuese për integrimin e plotë të gjithë etnive në shtetin demokratik multietnik të Kosovës. Në të njëjtën kohë, fatkeqësisht, dorëheqja e shtatë prej tyre brenda pak ditësh është tregues i qartë i presioneve, kërcënimeve dhe shantazheve që po përdoren për të sabotuar rikthimin e normalitet në veri. Këto zhvillime janë të dënueshme dhe duhet të hetohen plotësisht nga organet ligjzbatuese, por fakti se shumica e rekrutëve të rinj vazhdojnë të kryejnë detyrën është zhvillim pozitiv, që tregon se popullsia e etnisë serbe është e interesuar për normalitet, rend, qetësi, dhe bashkëjetesë paqësore.

Duhet theksuar se normalizimi i marrdhënieve Kosovë-Serbi sabotohet nga ata që normalizimin e marrdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë e shohin si të dëmshëm për agjendat e tyre shoviniste si dhe ambiciet e tyre politiko-ekonomike. Pra, nga qarqe me pushtet politik, por edhe interesa për përfitme të paligjshme ekonomike. Pikërisht për këtë duhet që të prioritizohet dhe intensifikohet integrimi i qenësishëm i qytetarëve të etnisë serbe në veri të vendit në infrastrukturën ekonomike, shoqërore e politike të Kosovës. Kjo është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme që duhet të zbatohet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtare e duke përmbushur pikë për pikë marrëveshjen e arritur në Ohër në mars të këtij viti.

“Bota sot”: Megjithëse e mohoi, grupi mercenar Wagner u raportua se ishte prezent në trazirat e fundit në Kosovë, sa është e kërcënuar Kosova nga agjentët sekretë serbo-rusë?

Adrian Shtuni: Sipas të dhënave që janë bërë publike, persona me simbole të grupit Wagner kanë qenë të pranishëm në trazirat e kohëve të fundit në veri. Po ashtu ka të dhëna se persona të shtetësisë ruse janë futur në territorin e Kosovës nga veriu. Se cili ka qenë roli konkret i këtyre personave dhe aktivitetet që kanë zhvilluar, mbetet për t’u parë dhe shpresoj se autoritetet ligjzbatuese të Kosovës, në bashkëpunim me shërbimet e posaçme të vendeve aleate do të zbardhin rastet dhe parandalojnë veprimtaritë e tyre diversive. Padyshim se në situatën e tendosur gjeopolitke të krijuar në Evropë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia duhet vigjilencë e shtuar dhe rritje sasiore dhe cilësore e kapaciteteve kundërzbuluese në vend.

Faktikisht, jo rrallë i kam denoncuar ndërkombëtarisht me fakte dhe analiza të thelluara tendencat për manipulim të tensioneve ndëretike, përhapjen e ideologjive ekstremiste dhe dizinformim me qëllime destabilizuese në Kosovë. Por, kam frikë se ende nuk është arritur një njohuri e qartë e aktorëve të vërtetë që fshihen pas këtyre veprimtarive thelbësisht anti-shqiptare, tjetërsuese, dhe destabilizuese me pasoja negative për sigurinë e Kosovës dhe rajonit të Ballkanit në përgjithsi. Gjithsesi, edhe në këtë aspekt, kryefjala është bashkëpunimi i ngushtë dhe i pandalur me aleatët.

“Bota sot”: Serbia nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, si po përhapet ndikimi rus në vendet e Ballkanit, veçanërisht në Serbi?

Adrian Shtuni: Kjo pyetje kërkon një intervistë më vete, por shkurtimisht mund të them se Rusia përdor si vegla influencuese politikanët ultranacionalistë serbë dhe lidhjet historike, fetare e kulturore në rajonin e Ballkanit, veçanërisht në Serbi dhe Republika Srpska, për shtrirjen e operacioneve të saja ndikuese dhe manipuluese. Kryesisht në shkallë të gjërë propaganda dhe ndikimi rus që shënjestron publikun serbisht-folës, përhapet nëpërmjet mediave lokale. Supës dizinformuese që i serviret publikut serb përditë i janë shtuar viteve të fundit edhe mediat shtetërore ruse si Sputnik, Russia Beyond, dhe Russia Today që tashmë transmetojnë në serbisht.

Fatkeqësisht, instrumentalizimi i mediave nga qarqe me qëllime destabilizuese është problem kronik në Serbi. Transformimi i mediave në megafonë propagandistike është karakteristikë e vendeve me tendenca autoritare. Ky është realiteti sot në Serbi, ku një numër i konsiderueshëm tabloidësh e televizionesh pro-regjimit janë kthyer në instrumente tërësisht propagandistike dhe dizinformuese që nxisin panik, shovinizëm, urrejtje mbi baza etnike, tensione, dhe konflikt.

“Bota sot”: Si i keni parë raportimet për vdekjen e kreut të Wagner Yevgeny Prigozhin, çka mendoni se fshihet prapa këtij zhvillimi?

Shtuni: Megjithëse ka mundësi që lajmi i vdekjes të jetë i vertetë, ende asgjë nuk është përfundimtare pasi gjithçka dimë për këtë rast është e bazuar në burime informacioni ruse, vërtetësinë e të cilave duhet ta marrim me rezerva sa kohë nuk konfirmohet nga burime më të besueshme. Por, vdekja e raportuar e Prigozhinit, dhe e disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, përfshirë Dmitry Utkin, themelues i Wagner Group, ndodhi saktësisht dy muaj pas kryengritjes së tij të armatosur dhe të dyshimtë që zgjati shumë shkurt dhe që ai e quajti “marshim për drejtësi.” Pra, data e ngjarjes bart një simbolikë, sidomos pasi Putini në publik e deklaroi Prigozhinin si tradhtar. Nëse kjo ka qenë vërtet një vrasje hakmarrëse e sanksionuar nga Putini, nuk do të ishte asgjë e veçantë pasi eliminimi i armiqve, kundërshtarëve dhe sfiduesve është një nga “sportet e preferuara” të tij.

Ka mundësi që Prigozhini, shefi i ushtrisë mercenare Wagner që ishte “qeni i luftës” së Putinit, ndoshta u deh nga fama dhe pasuria dhe kërkoi të kafshonte të zotin. Gjithsesi, unë vazhdoj të kem dyshime mbi vërtetësinë e qëllimit të kryengritjes, që në fakt mund të ketë qenë një lojë e dyfishtë e kurdisur nga vetë Putin për të testuar besnikërinë e bashkëpunëtorëve dhe pastruar oborrin nga të pakënaqurit. Nëse Wagner Group do të absorbohet nga ushtria ruse apo do të shkrihet dhe do të zhduket pritet të shihet, por ajo që është e sigurt, është se kjo vegël lufte e Putinit ka kryer mjaft krime lufte në Ukrainë, Siri, e vende të tjera të Afrikës, për të cilat një ditë shpresoj do të ketë llogaridhënie dhe drejtësi nga ata që i kanë duart e lyera me gjak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat