Ekskluzive/ Deputeti austriak parashikon se kjo do të ndodhë në takimin Kurti-Vuçiq, komenton edhe “përplasjen” Macron-Osmani

Intervista

Ekskluzive/ Deputeti austriak parashikon se kjo do të ndodhë në takimin Kurti-Vuçiq, komenton edhe “përplasjen” Macron-Osmani

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 2 shtator 2023 Në ora: 09:56
Helmut Brandstätter

Deputeti austriak Helmut Brandstätter, ka deklaruar se Serbia duhet të njohë pavarësinë e shtetit të Kosovës dhe se të njëjtën gjë duhet ta bëjnë të gjitha vendet e BE-së.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se as Kosova dhe as Serbia, nuk do të marrin gjithçka që dëshirojnë nga dialogu në Bruksel, pasi duhen kompromise.

Brandstätter vlerëson se Serbia është nën një presion të caktuar për të bërë kompromis për një sërë çështjesh me Kosovën. Ndërsa, sipas tij, nëse Kosova dëshiron një marrëveshje me Serbinë dhe të hyjë në Bashkimin Evropian, ajo duhet të trajtojë çështjen e pakicës serbe.

Në këtë intervistë, deputeti nga NEOS - Austria e Re dhe Forumi Liberal, ka komentuar edhe paralajmërimin e presidentes Vjosa Osmani, se do të vritet dialogu me Serbinë, nëse pezullohet vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ndërkaq, lidhur me takimin Kurti-Vuçiq, të paralajmëruar për shtator, deputeti parashikon se nëse njëra palë u thotë “jo” kërkesave të BE-së, do të humbasin të gjithë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Brandstaetter, kush ishte fajtori për tensionet e fundit në veri të Kosovës dhe kush është duke humbur më shumë, sipas jush?

Helmut Brandstätter: Preferoj të mos fajësoj palët, por të punoj për zgjidhje. Problemi është një nacionalizëm i modës së vjetër që nuk ka vend në të ardhmen e përbashkët evropiane, për të cilën ne të gjithë duhet të përpiqemi. Është e qartë se njerëzit në Kosovë dhe Serbi, të cilët duan një të ardhme më të mirë për veten e tyre, janë humbës në një luftë që i shërben vetëm aspiratave politike të liderëve të tyre.

“Bota sot”: Kosovës iu vendosen sanksione ekonomike dhe të sigurisë për “veprime të njëanshme”, por jo edhe Serbisë. A mendoni se bashkësia ndërkombëtare po tregohet e padrejtë në raport me Kosovën, duke përkëdhelur Serbinë?

Helmut Brandstätter: Mendoj se Serbia është nën një presion të caktuar për të bërë kompromis për një sërë çështjesh. Dhe kjo është e mirë dhe e nevojshme. Dhe Serbia ka dhënë jo pak për një sërë çështjesh, targa, dokumente zyrtare e kështu me radhë. Është e qartë se ka ende rrugë për të bërë. Në këmbim, Kosovës iu desh të bënte vetëm një zotim madhor – të mbështeste Asociacionin e Komuniteteve Serbe në zonat e dominuara nga serbët – dhe ajo nuk e ndoqi. Pse jo? Nëse Kosova dëshiron një marrëveshje me Serbinë – dhe nëse Kosova dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian, ose të paktën më afër Evropës – ajo duhet të trajtojë çështjen e pakicës. Evropa nuk është një shtet-komb, por një komunitet i popujve të lirë. Serbëve në Kosovë duhet t'u jepen të drejtat e pakicave. Fakti që mbrojtësja më e madh e Kosovës, Shtetet e Bashkuara, është mjaft e mërzitur me Albin Kurtin, ju tregon gjithçka për pozicionin që ka vendosur Kosova me këtë intransigjencë të një mendjeje për një çështje kaq themelore – të drejtat e pakicave në një shtet multietnik. Vuçiç dhe Kurti mund të fitojnë zgjedhjet në shtëpi me këto ndjenja nacionaliste, por ata nuk do t'i çojnë vendet dhe njerëzit e tyre përpara.

“Bota sot”: Si munden autoritetet në Prishtinë të përshpejtojnë heqjen e masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës nga BE-ja?

Helmut Brandstätter: Kryeministri Kurti nuk duhet të luajë me kartën e nacionalizmit për përfitime politike të brendshme dhe t'u kthehet angazhimeve tashmë të marra. Shumë xhama janë thyer, kështu që do të duhet pak riparim. Kurti dhe Vuçiq duhet të kuptojnë se fqinjësia paqësore dhe marrëdhëniet e mira janë jetike për të ardhmen e vendeve të tyre.

“Bota sot”: Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi rrezikun që nga janari i vitit 2024 t'i pezullohet vendimi për heqjen e vizave për Kosovën. Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, paralajmëroi se nëse kjo ndodh, dialogu me Serbinë do të vritet. Si i shihni këto zhvillime?

Helmut Brandstätter: Është keq kur të gjithë lëvizin prapa. Por, është pasojë e proceseve që kemi diskutuar më parë. Nëse presidentja Osmani dëshiron një luftë me presidentin Macron, nuk ka rëndësi se çfarë mendoj unë. Ajo duhet të pyesë veten se çfarë do të fitojë populli i saj në një luftë të tillë.

“Bota sot”: BE ka paralajmëruar takimin e radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit në shtator. Çfarë mund të pritet nga ky takim?

Helmut Brandstätter: Varet nga sinjalet që Kurti dhe Vuçiq do të dërgojnë përpara atij takimi. Nëse ata të dy vazhdojnë të luajnë vetëm për audiencën vendase, nacionaliste, ata mund të kursejnë kohë për udhëtimet. Por, BE-ja do t'u bëjë kërkesa të dyja palëve, si gjithmonë, dhe nëse njëra palë dëshiron të thotë jo, të gjithë do të humbasim. Unë dua një Komunitet Evropian paqësor me të gjitha shtetet e Ballkanit, ku nacionalizmi nuk luan më rol. Presidenti i ndjerë francez tha në fjalimin e tij të fundit: "Le nacionalizmi, c‘est la guerre." Ai e dinte se për çfarë po fliste.

“Bota sot”: Cila mendoni se është zgjidhja e qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Helmut Brandstätter: Siç ndodh në të gjitha mosmarrëveshjet politike, zgjidhja është kompromisi. Unë e kuptoj se do të jetë po aq e vështirë për Kosovën të pranojë një rol thelbësor të serbëve në vendin e tyre, sa për Serbinë të pranojë pavarësinë e Kosovës. Shumë histori, shumë dhimbje dhe vuajtje, dhe sigurisht, shumë narrativa politike për “tjetrin” në të dyja anët. Por, asnjëra palë nuk do të marrë gjithçka që dëshiron dhe do të ketë paqe dhe prosperitet në të njëjtën kohë. Pjesa e dhimbshme e politikëbërjes së suksesshme është se kërkon kompromis. Por sigurisht që Serbia duhet ta njohë pavarësinë e shtetit të Kosovës. Dhe të gjitha vendet e BE-së duhet ta bëjnë këtë.

“Bota sot”: Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pavarësisht nga bisedimet e diplomatëve perëndimorë. A po tregohen të buta SHBA dhe BE ndaj Vuçiqit?

Helmut Brandstätter: Ne do të dëshironim që Serbia të mbajë një qëndrim të qartë përkrah Evropës. Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës duhet t'i tregojë popullit serb se Putini nuk e pranon lirinë, pavarësinë dhe demokracinë. Së paku Serbia po i dërgon armë Ukrainës dhe nuk po bën shumë aktivisht për të minuar sanksionet perëndimore. Presidenti Vuçiq duhet të jetë shumë i qartë në dënimin e luftës së Rusisë dhe të gjitha mizoritë dhe krimet e luftës të kryera nga ushtarët rusë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat