Rostocka: Kosova duhet t’i informojë qytetarët për rregullat e Shengenit

Intervista

Rostocka: Kosova duhet t’i informojë qytetarët për rregullat e Shengenit

Më: 6 shtator 2023 Në ora: 16:57
Anna Rostocka

Kosova, por edhe Ballkani në përgjithësi, vazhdon të jetë vend transit për emigrantët të cilët destinacion e kanë Bashkimin Evropian. Kështu thotë në një intervistë për Radio Kosovën shefja e Zyrës së Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) në Prishtinë, Anna Rostocka. Ajo thotë se Kosova duhet të fillojë t’i informojë qytetarët për rregullat e zonës së Shengenit, në mënyrë që pas 1 janarit të vitit 2024, njerëzit të mos bëhen pjesë e trafikimit me qenie njerëzore.

Zonja Rostocka, cilat janë qëllimet dhe objektivat kryesore të IOM-it në Kosovë?

Anna Rostocka: Natyrisht unë jam objektive për të mbështetur migracionin dhe qeverisjen e migracionit, që është e dobishme për emigrantët, për shoqëritë dhe po ashtu edhe për vendet qofshin ato të origjinës apo dhe të destinacionit. Nga njëra anë, natyrisht ne mbështesim autoritetet lokale në ndërtimin e kapaciteteve të tyre për të menaxhuar migracionin, për të zhvilluar politika të bazuara në prova, sepse për të qenë në gjendje të trajtojmë migracionin, ne gjithashtu kemi nevojë për të dhëna të bazuara në fakte. Kështu ne mbështesim shumë edhe  zhvillimin e autoriteteve të Kosovës, në mbledhjen e të dhënave etj. Migrimi është çështje shumë më komplekse, nuk është vetëm çështja e hyrje-daljeve në pikat kufitare. Nuk është vetëm lëvizja. Emigrantë janë qenie njerëzore dhe me këto ndërlidhen shumë çështje si integrimi, të drejtat e njeriut, mbrojtja etj. Pra, kjo është gjithashtu një fushë e madhe e punës sonë. Ne kemi punuar në Kosovë, gjithashtu për shumë vite në stabilizimin e komunitetit, kohezionin social, përfshirjen sociale, marrëdhëniet ndër-etnike, dhe kthimin dhe integrimin e kështu me radhë. Por në ditët e sotme ne po studiojmë edhe Kosovën, sepse Kosova po shndërrohet në vendin ku njerëzit vijnë  për të punuar. Pra, kemi parë se numri i punëtorëve emigrantë në Kosovë rritet çdo vit. Pra, është koha për të parë politikat e përshtatshme të lëvizjes së punëtorëve, politikat e integrimit. Pra, nuk është vetëm njerëzit që po vijnë, por ata po vijën edhe për të punuar dhe kjo përfshin edhe shumë nevoja të tjera. Një pjesë e madhe e punës sonë është e lidhur edhe me migracionin dhe zhvillimin. Migrimi është një faktor i fuqishëm që mund të kontribuojë në zhvillimin social dhe ekonomik, nëse menaxhohet mirë. Pra, një pjesë e madhe e punës sonë është gjithashtu të shohim se si mund të përmirësojmë qeverisjen e migracionit, në mënyrë që ajo të ketë potencial më të lartë zhvillimi. Pra, këtu flasim për punën me diasporën nga njëra anë jo vetëm me remitencat dhe kanalizimin e tyre drejt investimeve dhe krijimit të vendeve të punës, por edhe për aftësimin e punëtorëve në tregun e punës. Kosova tani përballet me një moment ku ndonjëherë  ka një mospërputhje ndërmjet aftësive të nevojshme në tregun e punës dhe kërkesës së punëdhënësve. Por nga ana tjetër, ndoshta mund të përdorim aftësitë e diasporës. Kjo mund të ndihmojë përmes transferimit të njohurive, që i marrim nga diaspora në mënyrë që t'i përdorim edhe më mirë për zhvillimin e tregut të punës.  Dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme, mendoj se kjo është shumë e rëndësishme, sepse nëse flet me kosovarët, për ta migrimi nënkupton  lëvizje të lirë, migrim për punë  ose studime. Pra, është e rëndësishme të vendosen kanale të rregullta të migrimi, në mënyrë që ata pastaj shkojnë dhe aftësohen në njohuri të reja dhe ndoshta në fazë të mëvonshme mund të kthehen në Kosovë dhe të gjejnë punë aty. Pra, puna jonë është gjithashtu të vendosim  shembuj për skemat të migrimit. Ne gjithashtu provojmë  të ofrojmë ndihmë  në promovimin e  partneritetet e lëvizshmërisë së aftësive ndërmjet Kosovës dhe vendeve të tjera, ashtu si vendet e destinacionit, në mënyrë që ajo të kontribuojë nga njëra anë në ndërtimin e aftësive për tregun lokal, por në të njëjtën kohë edhe  për njerëzit që duan të shkojnë jashtë vendit  dhe të gjejnë punë të rregullt.  Kjo po ashtu lidhet edhe me zgjerimin e konceptit për migrimin, në mënyrë që migrimi të jetë një zgjidhje, e jo nevojë.

Nga 1 janari 2024, kosovarët do të jenë të lirë të lëvizin pa viza në zonën e Shengenit. A mendoni se kjo do të ndikojë në rritjen e kërkesës për migrim në vendet e BE-së nga kosovarët?

Anna Rostocka: Mendoj që ky është një zhvillim i shkëlqyer që kosovarët do të jenë në gjendje të shkojnë pa viza në Bashkimin Evropian, apo vendet të tjera të Shengenit. Ajo që është e rëndësishme është se njerëzit janë të vetëdijshëm për rregullat, të drejtat dhe detyrimet, që kjo të mos keqinterpretohet si një mundësi për të shkuar dhe punuar. Është një numër i madh i kosovarëve që udhëtojnë, apo studiojnë jashtë, kemi edhe një  diasporë të madhe. Pra, ata njerëz tashmë i dine rregullat. Por gjithashtu ka edhe një numër të njerëzve që nuk kanë qenë kurrë jashtë vendit,  që nuk kanë pasur mundësi të udhëtojnë, dhe ata mund të jenë të prekur nga kjo.  Pra, kjo është edhe arsyeja pse ne duhet t’i sensibilizojmë ata njerëz, në mënyrë që ata të dinë se çfarë përfshin në fakt regjimi pa viza. Kjo është pozitive, por ne gjithashtu duhet të ulim vulnerabilitetin në mënyrë që ata të mos jenë të prirë ndaj ndonjë premtimi të rremë, apo në rastet më të këqija që ata të mos bëhen, për shembull, viktima të trafikimit. Kështu që unë  këtu e shohë  rrezikun. Ne jemi duke punuar edhe me autoritetet e Kosovës për të dizajnuar  një fushatë senzibilizuese  që do të arrinte t’i informonte të gjithë. Dua të them, të gjithë duhet të jenë të informuar. Mendoj se është shumë e rëndësishme që të jeni në gjendje të bëni zgjedhje të duhura.  Nëse nuk keni informacion të përshtatshëm, të besueshëm dhe të saktë, është shumë e lehtë të bësh zgjedhje të këqija.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, emigrantë të shumtë kanë vërshuar Evropën. Në Kosovë kemi pranuar disa gazetarë nga Ukraina. A ka pranuar IOM, ndonjë kërkesë nga emigrantë të Ukrainës për të qëndruar në Kosovë?

Anna Rostocka: Si IOM natyrisht jemi shumë aktivë dhe mbështesim emigrantët ukrainas në shumë vende si dhe natyrisht mbështesim edhe personat e zhvendosur brenda Ukrainës. Por ne gjithashtu japim mbështetje në vendet fqinje si Polonia, Sllovakia, Rumania, Moldavia, e kështu me radhë. Ne nuk kemi qenë në kontakt këtu. Neve nuk na është kërkuar  ndihmë për ata pak ukrainas që janë në Kosovë.  Siç e përmendët, ne dimë për ata pak gazetarë këtu. Por disi Kosova nuk ishte destinacion apo vend tranziti për ta, sepse  kjo  mund të shpjegohet edhe për shkak se atyre u jepet mbrojtje e përkohshme në vendet e Bashkimit Evropian. Ata gjithashtu shkojnë edhe në vendet ku tashmë kanë njëfarë lidhjeje, sigurisht, vendet fqinje apo edhe në vendet e tjera ku kanë një rrjetë. Pra, deri tani në Kosovë, nuk ka pasur shumë ukrainas, më shumë ukrainas  për shembull ka  në Mal të Zi. Por sigurisht, në rast se ka një kërkesë për ndihmë për, ne jemi të gatshëm për të ndihmuar.

Në raportet ndërkombëtare është thënë shpeshherë se Kosova është vend transit për trafikimi me qenie njerëzore dhe  meqë IOM merret me këto çështje, a vazhdon Kosova të jetë vend tranzi për trafikim?  

Anna Rostocka: Unë do të thosha se përfundimisht Kosova është një vend tranziti për njerëzit që kalojnë nëpër rrugën lindore të Mesdheut për në drejtim të Bashkimit Evropian. Pra, i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor është rajoni i tranzitit.  Një pjesë e madhe e punës sonë këtu është e përkushtuar për të siguruar mbrojtjen e emigrantëve që kalojnë tranzit apo emigrantëve të bllokuar në Kosovë, të pranishëm në Kosovë. Në këtë drejtim, ne kemi mbështetur autoritetet e Kosovës për të themeluar një qendër pritjeje të emigrantëve, në mënyrë që emigrantët të kenë një vend ku ata mund të kenë qasje në shërbimet bazë. Është punuar shumë gjithashtu edhe në rritjen e kapaciteteve për të identifikuar emigrantët e pambrojtur, duke përfshirë viktimat e trafikimit, viktimat e dhunës si dhe krijimin e kushteve. Por me qendrën e pritjes në Vranidoll dhe me krijimin e kushteve atje, shpresojmë që këto kushte të forcohen edhe më shumë e sidomos me forcimin e  mekanizmit për t’u ofruar ndihmë grupeve të ndjeshme, duke përfshirë viktimat e trafikimit. Natyrisht, kur ke emigrantë transit është e vështirë të identifikosh grupet e njerëzve që merren me trafikim të njerëzve nga emigrantët të cilët kërkojnë azil. Dhe ne e dimë që nuk është vetëm trafikimi njerëzor. Por ka forma të ndryshme të dhunës që mund t’u ndodhin njerëzve derisa udhëtojnë, e sidomos marrë parasysh që ata janë njerëz që kanë bërë udhëtime të gjata, për të arritur këtu.

Në Kosovë vite më parë kemi pasur luftë, ku fillimisht ishin shqiptarët që u detyruan ta lënë vendin e tyre. Pastaj me përfundimin e luftës, serbët u larguan nga Kosova.  Tashmë kemi procesin e rikthimit dhe ri-integrimit. Ku është IOM në këtë proces?

Anna Rostocka: IOM ka punuar në kthimin dhe ri-integrimin e personave  të zhvendosur  tashmë për 10 vjet. Kështu që ne vazhdojmë të mbështesim njerëzit që janë ende të zhvendosur jashtë ose brenda Kosovës duke ofruar ndihmë për strehimin, duke i ndihmuar ata që të ri-integrohen. Por integrimi është një proces i dyanshëm. Kështu që ne duhet të punojmë edhe për krijimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe tolerante, ku njerëzit me prejardhje të ndryshme mund të jetojnë së bashku në harmoni. Kohët e fundit kemi mbështetur edhe autoritetet e Kosovës në zhvillimin e një baze të dhënash që do të lejonte një proces pak më të rregullt dhe  më të lehtë që do t’i ndihmonte njerëzit të kthehen dhe të identifikoheshin më shpejt përfituesit. Kemi trajnuar autoritetet sidomos ato lokale se si t’i përdorin këto të dhëna  përmes të cilave mendoj se është më e lehtë të ofrosh ndihmë dhe të marrësh vendime. Ne i kemi mbështetur ata gjithashtu për të zhvilluar strategji dhe politika të reja.  Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, ne gjithashtu mbështesim ri-integrimin nëpërmjet këtij projekti, por edhe nëpërmjet projektit të stabilizimit të komunitetit, i cili synon të ofrojë grante dhe mbështetje për veprimtaritë gjeneruese të të ardhurave për popullsinë pakicë këtu.

Si funksionon IOM për të promovuar integrimin social dhe kohezionin e komunitetit ndërmjet emigrantëve dhe komuniteteve  në Kosovë?

Anna Rostocka: Unë mendoj se kohezioni social, përfshirja sociale nuk është diçka që ndodh. Ajo kërkon angazhim sepse shoqëria nuk është diçka që evoluon, pra, është pak si një vazhdimësi që ju duhet të punoni. Puna jonë është ta lehtësojmë kohezionin social, ta rrisim kohezionin social  për të lehtësuar integrimin. Dhe ne e bëjmë këtë nëpërmjet lehtësimit të mundësive të punës për grupe të ndryshme, por gjithashtu, për shembull, përmes promovimit të mësimit të gjuhës. Nëse ju flisni për përfshirjen sociale dhe duke qenë se ka katër grupe të ndryshme etnike apo gjuhësore që jetojnë së bashku është gjithmonë mirë të jeni në gjendje të keni qasje në shërbimet në gjuhën tuaj. Kështu që ne promovuam mësimin e gjuhës midis individëve, por edhe midis institucioneve ashtu si rritja e dygjuhësisë në njësitë lokale, në mënyrë që njerëzit që flasin gjuhë të ndryshme, të kenë qasje, qasje të barabartë në shërbime dhe kjo  rrit pak nga pak kohezioni social.  Është  e drejtë e të gjithëve që të zhvillohen, të jetë në barabartë dhe kenë të drejtën e lëvizjes së lirë.  Pra edhe emigrantët e kanë këtë të drejtë.

A po shndërrohet Kosova në një vend kur emigrantët po zgjedhin të qëndrojnë, e jo vetëm të kalojnë transit. Kemi parë njerëzit të cilët po largohen  nga Lindja e Mesme. Ata kanë ardhur në Kosovë jetojnë dhe ata tashmë po gjejnë edhe punë. A është pra Kosova vend tashmë ku njerëzit nuk duan të qëndrojnë, krijojnë jetën e tyre, e jo vetëm të largohen?

Anna Rostocka:  E di çfarë, mendoj se në ditët e sotme, kur shikon migrimin, dhe shikon lëvizshmërinë, nuk ka një vend të tillë si vetëm vend tranziti, vetëm një vend destinacioni, apo vetëm një vend origjine. Zakonisht, në një farë mënyre i bën të gjitha këto, apo jo? Kështu që ne mund të shohim në Kosovë, njerëz që shkojnë jashtë vendit por edhe njerëz që vijnë. Dhe mendoj se ky është një trend aktual. Në ditët e sotme, është e lehtë të udhëtosh, dua të them, në një mënyrë të caktuar. Kështu që njerëzit thjesht po e lëvizin. Prandaj flasim për lëvizshmërinë, dhe  Kosova po bëhet dua të them, jo vetë vend transit por edhe  i origjinës. Pra, është pak nga të gjitha.  Dua të them, kjo është një përpjekje e vazhdueshme për të rritur përfshirjen sociale për të rritur kohezionin social ndërsa shoqëria gjithashtu evoluon dhe zhvillohet. Pra, çelësi këtu është të gjejmë një lloj uniteti në diversitet, sepse kjo ka të bëjë me kohezionin social. Kështu që ne duhet të punojmë të gjithë së bashku, duke përfshirë mediet se si mund ta zgjerojmë këtë për të ndërtuar shoqëri të hapura tolerante, ku të gjithë mund të gjejnë mundësi, ku gjithkush mund të ndihet i sigurt dhe gjithkush mund të jetë në gjendje të përdorë potencialin e tij.

Cilat janë sfidat dhe pengesat kryesore me të cilat përballet IOM në operacionet e saj në Kosovë?

Anna Rostocka: Ne jemi këtu për të mbështetur dhe përmbushur operacionet dhe sfidat tona. Ne jemi këtu edhe për të përkrahur autoritetet e Kosovës në ndërtimin e politikave dhe masave adekuate. Kështu që unë e shoh rolin tonë më shumë si mbështetja e palëve të interesuara këtu në gjetjen e zgjidhjeve të duhura për sfidat e migracionit. Një pjesë e kësaj është edhe puna me shumë akterë të ndryshëm. Migrimi nuk është një gjë që mund të trajtohet vetëm nga një palë. Pra, duhet të ketë bashkëpunim ndërmjet autoriteteve të nivelit qendror dhe lokal. Duhet të ketë bashkëpunim me sektorin civil. Ne gjithashtu duhet të punojmë me të dhënat akademike, të dhënat janë shumë të rëndësishme, nëse doni të keni politika të bazuara në prova të përshtatshme. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, ju gjithashtu duhet të keni emigrantë që janë të përfshirë në procese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat