Deputeti Batusha flet për takimin e 14 shtatorit mes Kurtit dhe Vuçiqit, përmend zhvillimet e fundit – kjo është porosia e tij! 

Intervista

Deputeti Batusha flet për takimin e 14 shtatorit mes Kurtit dhe Vuçiqit, përmend zhvillimet e fundit – kjo është porosia e tij! 

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 13 shtator 2023 Në ora: 18:02
Agon Batusha

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur për situatën politike në vend, përkatësisht zhvillimet e fundit. 

Batusha shprehet që rikthimi në Kuvend pas pushimit do të jetë produktiv dhe se do të punohet për kërkesat e qytetarëve. 

Ndërsa i pyetur për takimin e së enjtes ndërmjet Kurtit dhe Vuçiq-it, deputeti shprehet se Asociacioni nuk do të jetë temë diskutimi. 

Mirëpo sipas tij kësaj teme të rëndësishme do t’i gjendet zgjidhja, ndonëse ai shprehet që Serbia është ajo që nuk i përmbahet marrëveshjeve. 

Në bisedë e sipër, deputeti foli edhe për temën e teksteve shkollore ku tregoi që kronologjinë e ngjarjeve deri tek vendimi i fundit i Ministrisë së Arsimit për furnizimin me tekste shkollore. 

Gjithashtu për heshtjen e ndërkombëtarëve në vazhdimësi ndaj veprimeve të Serbisë, Batusha thotë që duhet të ndërmerren masa urgjentisht. 

Për fund, në lidhje me opozitën deputeti shprehet që veprimet e tyre janë kaotike, të pa bazuara, pa qëllim të qartë dhe pa vizion. 

Intervista e plotë 

“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në vend? 

Agon Batusha: Pas një muaj pushim nga puna në Kuvend, mendoj që do t’i kthehemi punës dhe normalitetit të zhvillimeve politike. Kemi shumë punë për të bërë, shumë nevoja të qytetarëve për të adresuar, shumë ligje e politika për të miratuar dhe natyrisht gjatë rrugës do të kemi edhe shumë vështirësi për t’i tejkaluar. 

Momentalisht Kosova po shënon rezultate të mira në shumë fusha, që tregojnë se vendi është rikthyer në binarët e progresit dhe të zhvillim të qëndrueshëm. Por natyrisht asnjëherë nuk mendojmë që të gjitha problemet janë zgjidhur, përkundrazi duhet të punojmë më shumë. 

“Bota sot”: Më 14 shtator do të mbahet takimi i radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit. Cilat janë pritshmëritë e juaja nga këto bisedime? 

Agon Batusha: Nga ky takim presim qartësi në zbatimin e marrëveshjes bazike dhe asaj të Ohrit. Natyrisht duke kërkuar që qasje e ndërmjetësuesve të jetë e balancuar ndaj palëve apo më saktë trajtim të drejtë dhe të barabartë. 

“Bota sot”: A do të jetë Asociacioni përsëri kërkesë e Serbisë dhe pikë për të mos pasur marrëveshje finale mes dy shteteve? 

Agon Batusha: Pala serbe gjithmonë është në kërkim të preteksteve se si të devijoj nga marrëveshja finale dhe gjithëpërfshirëse. Për më tepër është gjithmonë në kërkim të arsyeve për të mos zbatuar marrëveshjet dhe zotimet. Çështja e asociacionit nuk është pikë e parë e asnjërës nga marrëveshjet, por kemi treguar vullnet të mirë për të zgjidhur këtë çështje në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. 

“Bota sot”: Temë diskutimi këto ditë kanë qenë edhe mënyra e dhënies së teksteve shkollore. Si e keni parë ju këtë situatë? 

Agon Batusha: Çështja e teksteve shkollore nuk është temë e këtij viti, por e sa e sa viteve me radhë. Qeveria aktuale ka tentuar të gjejë mirëkuptim me shtëpitë botuese dhe të kthej gjendjen në nornalitet (sidomos tek çmimet) por është parë që nuk ka pasur vullnet nga po të njëjtit. Buxheti i Kosovës është dëmtuar në vazhdimësi dhe po ashtu ka pasur dhe ende ka probleme në cilësinë e teksteve. Pra, këto probleme kanë qenë të ditura dhe shumë raporte e hulumtime e tregojnë këtë. Prandaj, mendoj që ka qenë një veprim i mirë dhe natyrisht ka pas vështirësi sepse si në çdo reform në fillim ballafaqohemi me vështirësi, por që jemi të bindur se që nga viti i ardhshëm nuk do të ketë problematika të tilla. Megjithatë procesi ende nuk ka përfunduar, andaj për një vlerësim final do duhet të presim edhe ca ditë. 

“Bota sot”: Gjithashtu pjesëmarrja e kryeministrit Kurti në Forumin Strategjik të Bledit është komentuar mjaftë shumë. A ishte kjo pjesëmarrja përgjigja më e duhur ndaj Serbisë? 

Agon Batusha: Paraqitje dinjitoze e kryeministrit dhe pjesëmarrje shumë e frytshme për interesat e Republikës sonë. 

“Bota sot”: Në këtë Forume Ana Brnabiq në një pjesë u shpreh se “Kosova nuk është shtet”. A mendoni që është momenti që ndërkombëtarët të mos heshtin? 

Agon Batusha: Ndërkombëtarët kanë pasur shumë raste për të mos heshtur, shumë raste që është dashur të marrin veprime diplomatike kundër sjelljes së Serbisë. Por, çuditërisht dhe në shpërputhje me praktikat ndërkombëtare, kanë zgjedhur heshtjen publike. Para ca javësh dy shtete të NATO-s u kërcënuan me luftë nga një ministër i qeverisë së Serbisë. Prapë, nuk kishte ndonjë veprim ndërkombëtar për t’u theksuar. Sjellja destruktive e fqinjit tonë verior ndaj fqinjëve të tij nuk po ndodh tash, por tash e sa vite. Dallimi është që tani po e bëjnë më hapur, rrjedhimisht më me vetëbesim që nuk do ndëshkohen, gjë që nxit edhe më shumë frymën e rrymën e grupeve destabilizuese në rajonin tonë dhe mbi gjitha nxit pasiguritë që mund të rrezikojnë paqen në Ballkan. Andaj, është koha që të mos heshtet më, por të adresohet qartë, pa hezitim dhe me veprime konkrete. 

“Bota sot”: Për fund, cili është mesazhi i juaj për thirrjet e opozitës për të rrëzuar Qeverinë Kurti me zgjedhje parlamentare të parakohshme? 

Agon Batusha: Opozitës i ka mbet emri opozitë sepse veprimet e tyre janë kaotike, të pa bazuara, pa qëllim të qartë dhe pa vizion. Opozita nuk ka unitet momentalisht, nuk janë një trup, por kanë dallime substanciale në mënyrën si i shohin veprimet që duhet t’i bëjnë. Por, nëse mendojmë që është e kundërta e asaj çka po konkludojë, atëherë pa hezitim le të thërrasin seancën për të rrëzuar qeverinë dhe të shohim se sa janë serioz. Në të kundërtën le të punojnë sepse nga puna e mos puna e tyre disa vjeçare qeveritare jemi duke i vuajtur pasojat sot. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat