Takimi Kurti-Vuçiq dhe zgjedhjet në veri, deputetja Kadrijaj shpalos qëndrimet e AAK-së

Intervista

Takimi Kurti-Vuçiq dhe zgjedhjet në veri, deputetja Kadrijaj shpalos qëndrimet e AAK-së

Nga: Qendresa Rexhaj Më: 15 shtator 2023 Në ora: 10:14
Time Kadrijaj

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, thotë se nuk ka shpresë për progres nga takimi ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. E krejt kjo, sipas saj, për shkak se Kurti është i paparashikueshëm nëpër takime.

Ndërkaq, sa i përket mos-largimit të sanksioneve apo masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për Kosovën, ajo thekson se Kurti nuk është dashur ta bie vendin deri në këtë pikë, derisa thekson se, ajo çfarë ka përfituar Kosova është, vendi i dytë i sanksionuar pas Rusisë.

Tutje ajo i bënë thirrje Kurtit për reflektim në raport me këto situata në të cilat gjendet Kosova.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Cilat janë pritshmëritë tuaja për takimin e sotëm ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë?

Time Kadrijaj: Nuk ka asnjë pritshmëri, sepse Kurti nëpër takime është i paparashikueshëm dhe përkundër vërejtjeve dhe sugjerimeve, përkundër që aleatët tanë e kanë rekomanduar dhe që u prit konstruktim në këto takime për hir të situatës në veri të vendit dhe rrethanave, nuk e di sa po reflekton mirë në raport me këto çështje, në mënyrë që Kosova të jetë në rrugën dhe agjendën evropiane.

“Bota sot”: Si e vlerësoni moslargimin e masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për Kosovën?

Time Kadrijaj: Ajo çfarë kanë kërkuar ndërkombëtarët prej fillimit ka qenë për de-eskalimin e situatës në pjesë veriore. Zotëri Kurti është dashur atëherë në raport me atë që është rekomanduar nga ndërkombëtarët të mos lejoj që të vij në një situatë të tillë që Kosova të jetë e sanksionuar nga Bashkimi Evropian. Tash nëse punon në atë drejtim dhe kthehet në pikën zero ku ka menduar se nuk do të kthehet, atëherë cilat janë benifitet që i ka përfituar Kosova nga këto veprime dhe kjo kryeneçësi e zotëri Kurti, pra asgjë s’ka përfituar vetëm se është vendi i dytë pas Rusisë që është i sanksionuar nga Bashkimi Evropian.

“Bota sot”: A është e duhur qasja e Kurtit në raport me veriun dhe Bashkësinë Ndërkombëtare?

Time Kadrijaj: Në takimet që kemi pasur, kemi parë një ftohje nga ndërkombëtarët. Edhe takimet që kanë pasur ambasadorët, ka qenë qasje kritike ndaj Kosovës për shkak të situatës së zhvilluar në veri të vendit dhe ajo çka kanë kërkuar është, mbajtja e zgjedhjeve në veri. Kosova nuk e ka kohën të merret me këto gjëra dhe Kurti duhet të reflektojë në raport me situatën që e ka sjellë Kosovën dhe në raport me sanksionet që i ka vendosur Bashkimi Evropian për Kosovën.

“Bota sot”: Keni kërkuar mocion mosbesimi për Qeverinë Kurti, çfarë masa do të ndërmerrni në vazhdim?

Time Kadrijaj: Zotëri Kurti sa më shpejtë që të shkojë në shtëpi është më lehtë për Kosovën dhe për popullin. Momentin që do i sigurojmë nënshkrimet dhe votat, pa i siguruar 61 vota ne nuk mundemi me kërkua mocion. Momentin që i sigurojmë vota, do e nisim rrugën ligjore për këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat