Situata në Kosovë ka arritur ‘pikën kritike’/ Veprimtari nga SHBA vjen me mesazhe të forta, mbështet Kurtin dhe ka disa fjalë për Lajçakun, Borellin e Vuçiqin

Intervista

Situata në Kosovë ka arritur ‘pikën kritike’/ Veprimtari nga SHBA vjen me mesazhe të forta, mbështet Kurtin dhe ka disa fjalë për Lajçakun, Borellin e Vuçiqin

Arife Morina Nga Arife Morina Më 26 shtator 2023 Në ora: 08:24
Pamje nga veriu - Manastiri i Banjskës

Situata në Kosovë, është në një pikë kritike me zhvillime të shumta, ku së fundi kishim edhe një sulm terrorist mbi Policinë e Kosovës.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën të dielën në përleshjet me një grup terrorist serb të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Këto ngjarje erdhen pak ditë pas takimit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

E në lidhje me zhvillimet e fundit në vend, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, foli veprimtari shqiptar nga Amerika, Ramazan Bekteshi.

Ai takimin e fundit Kurti-Vuçiq, e cilësoi si një uverturë të keqe dhe të pabarabartë, ku potencoi se derisa Lajçak dhe Borell pjesë e tij, vështirë se do kenë përparim negociatat.

Bekteshi foli edhe për qasjen e njëanshme të përfaqësuesve evropianë dhe kritikat që po i adresohen Kurtit, ku në këtë rast tha se ata po i ndihmon edhe opozita me qëndrimet e saj.

Krahas kësaj, komentoi edhe presionin për formimin e Asociacionit, derisa tha se ai është një kancer për sovranitetin e Kosovës, ku Kurti duhet të vazhdojë të qëndrojë stoik.

Veprimtari nga Amerika përmendi edhe mundësinë e përfshirjes më të drejtpërdrejt të Amerikës në dialog, e për këtë kërkoi nga Kurti e Osmani do formulojnë një strategji.

Në fund, Bekteshi denoncoi ashpër sulmin terroristë të serbëve në veri, ku kritikoi kryeministrin Rama, derisa u shpreh krenar me profesionalizmin dhe heroizmin e PK-së.

Image
Veprimtari shqiptar nga Amerika, Ramazan Bekteshi.

 Intervista e plotë

Z. Bekteshi po e nisim këtë intervistë me zhvillimet e rënda me të cilat u ballafaqua vendi këtë të diel, ku si pasojë e sulmit terrorist nga Serbia në veri u vra rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy policë të tjerë. Si i keni parë këto zhvillime, apo ri-eskalimin e situatës në veri?

Ramazan Bekteshi: Regjimi i Vuçiqit në bashkëpunim me bandat në veri punon pa pushim që të destabilizoj veriun posaçërisht tani kur qeveria Kurti ia ndërpret rrugën kontrabandës me mallra, me armë, kultivimit të substancave narkotike dhe ndërprerjen e prodhimit te kriptovalutave, arrestimit të kriminelëve ordinere si dhe të luftës. Bandat në veri janë të hendikepuara pas tërheqës së policëve serb dhe zëvendësimin me police shqiptarë që janë më vigjilentë ndaj krimit dhe kontrabandës të të gjitha llojeve që deri dje kishin lulëzuar pa asnjë pengesë. “Severna Brigada” e të tjera janë aktive ne veri derisa zëdhënësit e tyre përmes Sputnikut  janë në Prishtinë.

Derisa isha duke shkruar rreshtat e intervistës time për “Bota Sot”, mora vesh për sulmin terrorist të radhës të infiltruar nga Serbia dhe më ra ndër mend deklarata e parlamentares britanike Alicia Kearns kur tërhoqi vërejtjen se armët kontrabandohen nga Serbia në kishat dhe manastiret serbe.

Derisa, KM Rama, ne vend se te denoncoj Serbinë, ai kërkon konferencë ndërkombëtare për ndërkombëtarizim dhe ndarje të veriut, atë punën që e nisi në Nish me vëllain e tij Vuçiq.

Lavdi heroit Afrim Bunjakut, jemi krenar me profesionalizmin dhe heroizmin e PK-së.

Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në Kosovë, përfshirë përplasjet pozitë-opozitë dhe paralajmërimet për rrëzimin e qeverisë Kurti?

Ramazan Bekteshi: Përplasjet pozitë-opozitë në këto kohë kritike për Kosovën janë më shumë se kritike, janë tragjike. Fokusi i tërë spektrit opozitar ka marrë në shënjestër Kurtin dhe me çdo mjet e luftojnë kryeministrin edhe kur bënë përpjekje të vë rend në veri, edhe kur tenton të luftojë korrupsionin, edhe kur orvatet të kundërshtoj AKS-në që na e solli opozita. Opozita sikur e ka harruar hasmin, Serbinë, ajo jo vetëm qe s’e ngre zërin për rrezikun që sjell ‘zajednica’ e tyre, por në mesin e tyre ka zëra që thonë se duhet kompromis me Serbinë edhe atëherë kur sakatohet sovraniteti.

Protagonistë të opozitës janë joshur dhe janë ftuar në Uashington si forca ‘alternative’ për të vënë në jetë asociacionin, derisa Kurtit i është tërheq vërejtja se “asociacioni do të bëhet me Kurtin apo pa te” (Escobar).

Opozita ka të drejte ta kundërshtoj dhe ta urrej Kurtin, nëse e do Kosovën, por nga kjo që shihet kam fikë se dashuria e vërtetë dhe e vetme e opozitës është servilizmi dhe pushteti. Qeveria Kurti s’është e përsosur por në këto rrethana të rënduara është e qëndrueshme. Unë nuk e shoh qeverinë të rrëzohet, dhe nëse rrëzohet nuk do të ishte tragjike, por tragjik është halli dhe frika reale sepse opozita është në gjendje të firmos çdo gjë që e cenon vendin vetëm që të vij në pushtet dhe kjo s’është që s’ka ndodh më herët.

Gazeta “Bota sot”: Së fundi, në Bruksel u mbajt takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Si e keni parë këtë takim?

Ramazan Bekteshi: Takimi ishte një uverturë e keqe ashtu si është pritur, i pabarabartë, Vuçiqi në anën e tij kishte edhe dy negociatorët kontrovers që kurrë nuk do të duhej të ishin aty, derisa Kurti qëndroi dhe s’u lakua edhe pse i vetëm. Qëndresa në këto momente kritike është thelbësore dhe jetike kur të keni parasysh se kushte i vihen vetëm njërës palë derisa palës tjetër i pranohen propozimet.

Gazeta “Bota sot”: Përfaqësuesit evropianë në vazhdimësi kanë kritikuar Kosovën dhe kryeministrin Kurti. Pse kjo anshmëri e tyre me Serbinë dhe ky ‘mllef’ me vendin tonë?

Ramazan Bekteshi: Po të ishin të sinqertë dy negociatorët, që vërtetë dialogu të ec mbarë, që në fillim ata do të bindnin dy shtetet e tyre respektive për njohje të Kosovës. Fatkeqësisht, roli i tyre është i njëanshëm, dhe fatkeqësia më e madhe është se kanë përkrahje zyrtare të BE-së dhe Escobarit, edhe pse ka kundërshti jo zyrtarisht nga intelektualë dhe politikanë si në Evropë e po ashtu edhe në SHBA. Fatkeqësisht edhe opozita jonë i ndihmon Vuçiqit dhe negociatorëve, qoftë me heshtje ndaj statutit të asociacionit, qoftë me kritika të ashpra ndaj kryeministrit, duke e harruar Vuçiqin.

Gazeta “Bota sot”: A ka ardhur koha për një përfshirje direkt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në negociatat Kosovë-Serbi?

Ramazan Bekteshi: Do të doja në ditët në vijim që qeveria Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani të hartojnë një qasje dhe një strategji të re me amerikanët, sepse ata janë miqtë tanë të vërtetë, ata mund të bëjnë presion mbi ne por njëkohësisht janë garantues të vërtetë të asaj se çka mund të arrihet në finale, por, për këtë nevojitet syçelëti dhe kurajë dhe kurrsesi nxitim. Pra, ashtu si e ka theksuar shpesh presidentja se “partneriteti me Amerikën është ekzistencial i pacenueshëm dhe i pazëvendësueshëm”. Amerika është me ne, ajo s’ia kthen shpinën krijesës së vet të suksesit. Vendimet e vështira duhet të merren në koordinim me amerikanët, por gjithnjë duke menduar në radhë të parë në interes të sovranitetit të vendit, dhe jo për hatër të askujt.

Gazeta “Bota sot”: Si e shihni zgjidhjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe, temë kjo e cila është "bërthama" e zhvillimeve të fundit, a do të ketë asociacion pa njohje dhe a duhet t'i besohet SHBA-së që thotë se s’do të lejojnë bosnjëzim të Kosovës?

Ramazan Bekteshi:  Asociacioni është si një kancer, një shpatë mbi krye, nyja gordiane, thembra e Akilit, “kopili” që ia lanë në dorë dy partitë më të mëdha pozitës. Kurti ka qene stoik dhe vazhdon të jetë i tillë duke i thënë jo një Republike Srpska në veri të vendit. Unë mendoj se jo vetëm zotimi amerikan por edhe këmbëngulësia jonë si dhe angazhimi i ekspertëve eminent ndërkombëtar që të mos lihet asnjë njollë e zezë në hartimin final të statutit ku nuk do të ndodh një asociacionit me kompetenca ekzekutive, por në përputhje të Kushtetutës së Kosovës si dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Këtu duhet edhe përkrahja e opozitës për të arritur maksimumin e mundur. Personalisht unë i besoj administratës së Presidentit Biden, sinqeritetit dhe përpjekjeve të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Hovenier, dhe deklaratës së tij se nuk do “të ketë asociacion me autoritete apo kompetenca ekzekutive”. Nëse SHBA e merr për sipër një garanci të tillë do të duhet të shihej si do të implementohej në marrëveshjen finale. Nëse Kosova e ul pazarin, lëshon pe dhe dorëzohet para presioneve të pamëshirshme ndërkombëtare, mund të ndodh më e keqja për vendin që shpresoj të mos vij deri aty. Asociacioni është kryefjala dhe kallëzuesi dhe një barrë rraskapitëse për Kosovën dhe për t’u kryer me sukses nevojitet punë kolektive dhe bashkim i faktorit politik, në koordinim të ngushtë me Uashingtonin.

Gazeta “Bota sot”: Si i vlerësoni sanksionet e BE-së ndaj Kosovës dhe paralajmërimet për mundësinë e ashpërsimit të tyre?

Ramazan Bekteshi: Masat e vendosura kundër Kosovës janë të padrejta, janë bullizëm, janë ironike, dhe e gjithë kjo bëhet për të bërë presion të pajustifikueshëm te pala më e dobët dhe më e pafajshme. Janë masa cinike dhe të pabesueshme që vine nga BE e që ajo do të duhej t’ia vendoste palës agresore. Në lidhje me mundësinë e ashpërsimit të tyre, unë më parë besoj në heqjen e tyre në vend të ashpërsimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat